ÇEKU KIMIK

Vura re se, menjëherë pas ndërhyrjes së kryeministrit Rama, që e zgjidhi përfundimisht dilemën e armëve kimike, u rrit numri i atyre që shprehën në publik, nga të dy krahët e spektrit politik, keqardhjen se me këtë kishim humbur një shans të jashtëzakonshëm, meqë së bashku me armët e Sirisë do të na vinin edhe miliarda dollarë qyl, për t’i shpenzuar si të dëshironim.

Që këta miliarda nuk ekzistojnë, këtë e sqaroi Rama vetë, prandaj unë këtu nuk dua të diskutoj vërtetësinë e një ëndrre në diell, por këmbënguljen me të cilën ne, si shoqëri dhe si opinion publik, po u rikthehemi gjepurave të tilla.

Rasti i parë flagrant, që më vjen në mend, është e ashtuquajtura “mundësia e huaj” me Presidentin Franz Josef Strauss të Bavarisë, i cili erdhi disa herë në Shqipëri në vitet 1980, kushedi për ta bindur udhëheqjen e asaj kohe në lidhje me nevojën për shkrirjen e akullit në marrëdhëniet mes dy vendeve. Në popull, edhe pse aso kohe pa bashkëfajësinë e mediave, qarkulloi intensivisht bindja se paratë e Strauss-it do të na “shpëtonin”; bindje që i përgjigjej, në kontekst, varfërisë së madhe ekonomike të Shqipërisë së kohës.

Edhe atëherë u përfol se shansin nga Bavaria e humbëm për shkak të ngurtësisë ideologjike dhe diplomatike të tanëve, të cilët nuk kishin pranuar të bënin lëshime, përkundrejt markave gjermane që do të derdheshin anembanë vendit. Me kalimin e muajve, dhe pastaj të viteve, varfëria e madhe e Shqipërisë filloi të na dukej jo si rezultat i një politike ekonomike fund e krye idiote, nga ana e regjimit totalitar dhe i izolimit politik të vendit; por si efekt i një shansi të humbur, ose produkt i rastësisë.

Vetëm pak vite më pas, politikanët këtë herë të opozitës, duke filluar nga i mirënjohuri Gramoz Pashko, do të flisnin për të ashtuquajturin “çek të bardhë”, të cilin na e kish ofruar Perëndimi përkundrejt reformave ekonomike dhe marrjes së pushtetit nga opozita vetë. Edhe këtë herë, dalja e vendit nga varfëria dhe rimëkëmbja ekonomike u kushtëzuan jo me punë, investime të mençura të të ardhurave dhe frymë mirëbesimi midis partnerëve në ekonomi, por me një prurje të rastit nga jashtë, ose nga ndihma financiare që do të parashutoheshin në Shqipëri nga “aleatët.”

Më në fund, e duke i anashkaluar disa dukuri të ngjashme por më pak të bujshme, tani po flitet përsëri për “çekun kimik”, që do të na jepte Amerika, përkundrejt një lëshimi, këtë herë ekologjik, që do ta bënim, në rrethanat kur askush tjetër nuk po e bënte – ose pranimit për të strehuar dhe përpunuar në Shqipëri plehrat tepër toksike të konfliktit në Siri.

Të treja këto dukuri të psikologjisë kolektive të shqiptarëve dëshmojnë për një patologji sociale tashmë të konsoliduar, e cila pret që zgjidhja e varfërisë, papunësisë, ndotjes së ambientit dhe amortizimit të infrastrukturës të vijë nga jashtë – nëpërmjet një dhurate, ose më mirë lëmoshe; të maskuar si shans i njëhershëm, ose buzëqeshje fati.

Kjo dukuri lidhet, gjithnjë në rrafshin psikologjik, në besimin e ngulitur te thesari: i cili thesar, sipas rrethanave, mund të jetë një qyp me flori, një grusht monedhash bizantine, një statujë e groposur a një ikonë; një pronë e trashëguar papritur nga stërgjyshi i harruar; ose, në një rrafsh më abstrakt, zbulimi i një vendburimi nafte a gazi në det ose floriri në mal ose ndonjë pasurie tjetër natyrore me vlerë të madhe, me të cilën mund të blejmë pastaj mirëqenie.

Ky farë miti mbështetet në së paku dy premisa: që mirëqenien individi ose shoqëria mund ta sigurojnë vetëm nga jashtë, pra jo nëpërmjet punës dhe bashkëpunimit, por rastësisë ose shitjes së xhevahirëve të familjes, nëse mund të shprehem kështu; dhe që gjendja jonë e tanishme është, në fakt, e dëshpëruar.

Dhe meqë asnjë nga këto premisa nuk i qëndron dot kritikës, atëherë nuk mund të mos dyshojmë se gatishmëria me të cilën i përqafojmë legjenda të tilla urbane dhe mitet përkatëse ka të bëjë me një bindje tonën rrënjësore, të fshehur kushedi në trashëgiminë tonë kulturore dhe të ushqyer nga dështimet tona të njëpasnjëshme si shoqëri, se mbrothësia, përparimi dhe mirëqenia varen nga një gjetje rastësore e një kulete në trotuar, nëse nuk varen thjesht nga plaçkitja.

Pa përmendur pastaj faktin, praktikisht të pakundërshtueshëm, se shumë më tepër shqiptarë këto 20 vjetët e fundit janë pasuruar duke plaçkitur, vjedhur, shfrytëzuar thesarë dhe pozitën zyrtare, sesa nëpërmjet biznesit të ndershëm, zotësisë individuale ose investimit të mençur.

Një shoqëri tashmë e vetëdijshme se mirëqenia shpesh nuk është veçse ana e dukshme e korrupsionit moral dhe maskarallëkut, e përqafon menjëherë mitin e shpëtimit nga jashtë ose nëpërmjet një deux ex machina si ngushëllim të shumëpritur; meqë paratë e dhuruara do të na shpëtonin edhe nga nevoja për të shkelur mbi atë pak dinjitet dhe virtyt që na ka mbetur, si shoqëri dhe veç e veç.

Nuk ka komente

  1. Ky eshte nga ata shkrime qe njeriu pasi e lexon thote “Do te doja ta kisha bere une”. Ska nevoje per koment tjeter!
    Une e ndjeva kete tendence (te fillimit te blegeritjeve ne te qare) per piken e zeze qe i paska rene Shqiperise ku do humbiste vec te tjerash:

    a) Miljarda dollare qe Baba Dovleti do na i hidhte me parashute (pasi ti merrte borxh nga Ish-Aleati Strategjik te cilit po i mirepresim uiguret)
    b) Hyrje ne BE (ne dy faza) a thua se Washingtoni ndodhet gjeografikisht midis Stokholmot dhe Berlinit, a thua se qenja ne BE do na nxjerre ne selamet. Ky eshte nje tjeter lloj “ceku kimik” qe shumica e shqiptareve e konsiderojne si e Vertete Ungjillore.
    c) Marrja e Cmimit Nobel per vendin (se Ky Cmim na ka ngelur mangut tani) a thua se eshte Daj Sami qe shperndan cmime e jo dikush tjeter.

    Nuk jam i ashper kur them ketu se te gjithe ata qe kane nje fare kulture, shkollimi e intelekti, dhe insistojne ne perfitime materiale (qofshin edhe nje vend pune ne ndonje OJQ qe do maste ndotjet post-factum), kane nivelin etik te hajduteve te kufomave qe ndiqnin ushtrite para betejave qe tu vidhnin dhembet apo oret dhe cizmet ushtareve te rene (pas beteje sigurisht).
    Gjigandi Hugo na ka dhene personazhin Tenardje!

    Kjo eshte nje patologji sociale e mirefillte (flas ketu per kerkimin nga masa te nje shpetimi cudiberes, te menjehershem dhe pasurisjelles).
    Nuk eshte nje fenomen vetem shqiptar.
    Cdokujt i kujtohen filmat e viteve 50 me Totone e madh ne rruget dhe ambjentet e Napolit.
    Ne Italine e Jugut ishte nje mekanizem i tere qe perfshinte Okultizmin, marrjen e mesazheve nga te vdekurit, informacione sekrete nga ….San Gennaro etj, etj per……….ca numura fitues ne lloto.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: