BEJA DHE BESA NË SHQIPE

Për shqipen besë janë dhënë etimologji të ndryshme, duke e lidhur me grupe të ndryshme fjalësh të gjuhëve indoeuropiane. Çabej – në SE2 – vë në dukje se fjala është e mbarë gjuhës dhe dokumentohet që te Buzuku; dhe se nga shqipja kjo besë ka shkuar edhe gati në të gjitha gjuhët ballkanike. Ai më një anë mendon se “kemi të bëjmë me një fjalë të sferës juridike-sociale të përhapur në një grup të caktuar gjuhësh indoeuropiane, me një fjalë indoeuropiane-dialektore, në kuptimin e Meillet-së; por më anë tjetër shënon se be dhe besë afrohen aq shumë mes tyre, sa të kemi të bëjmë, te besë me një formim nominal të brendshëm e më të ri nga ç’mendohet; besë si zgjerim i be- me -së. Edhe më bindëse, për mua, hipoteza e B. Demirajt (te Albanische Etymologien), se besë mund të jetë leksikalizimi i gjinores së shquar të fjalës be, nga togje të tilla si pleqtë e besë, i zoti i besë, çfarë do t’i lidhte edhe më fort këto dy fjalë, BE dhe BESË.[1]

Nëse besë është rrjedhojë prapashtesore e be, atëherë do të kish interes të krahasoheshin këto nga pikëpamja kuptimore. Brenda shqipes, fjala shënjon një akt ligjërimor, me të cilin thirret një hyjni ose autoritet tjetër në dëshmi të vërtetësisë të çfarë pohohet (beja asertore) ose të njëmendësisë së një premtimi (beja promisore). Dikush mund të betohet se po thotë të vërtetën, dikush tjetër të betohet se do ta mbajë një premtim. Në të dy herët, rëndësi nuk ka aq objekti i bésë, sa invokimi i dëshmitarit hyjnor si garant i vërtetësisë ose i besueshmërisë, p.sh. i Zotit, i Krishtit, i një shenjti, i një personazhi mitologjik, ose i një njeriu të dashur, ose edhe i vetes, dhe në përgjithësi i diçkaje të shtrenjtë (kjo do të ishte edhe ekuivalenti i pengut). Ideja është se Zoti a shenjti do të ndëshkojnë vetë personin që bën bé, ose do të lëndojnë njeriun e shtrenjtë të vënë “peng” në bé (fëmijën, prindin), në rast beje të rreme.

***

Në Kanunin e Lekës, BEJA përkufizohet kështu:

  • .529. Beja âsht nji sjellje besimtare, per mjet së cillës nieri, tuj dashtë me dalë së keq prej njij zhgarkimi të dhûnshem, do të perkasë me dorë nji shêj besimi, tuj e grishë êmnin e Perendisë në dishmi të së vertetës.
  • .530. Kjo dorë beje âsht e pelqyeme prej kanûnit të Malevet të Shqypnis si per të dlirun prej zhgarkimesh, si edhè per të lidhun bese.
  • .532. Beja e Shqyptarit kà dy pûnë para sysh: a) thrret Perendin në dishmi të së vertetës, b) i nënshtrohet randimit të ndeshkimevet të perjetshme e giobës së kohshme kah kanûja.
  • .533. Beja e Malevet të Shqypnis âsht dy mndyrësh: a)beja mbë “gùr”, me Kanû (3), b)beja mbë Kryq a mb’Ungjill.

Për t’u shënjuar këtu se, në Kanun, BEJA rezulton e lidhur me të vërtetën, ose me të shkuarën a me diçka që ka ndodhur. Nga ana tjetër, siç pohohet në 530, BEJA përdoret “për të lidhun bese.”

Ja edhe përkufizimi i BESËS:

  • Besa âsht nji vade lirije e sigurimi, qi shpija e të vramit i ep dorërasit e shpijarvet të tij, tuj mos i ndjekë per gjak perkohsîsht e mjé në vade të caktueme.

Përkufizimi është i ngushtë, tejet specifik – por kjo do marrë si mangësi e mbledhësit të Kanunit, Gjeçovit. E përkufizuar kështu, besa paraqitet si marrëveshje për të mos vrarë dikë (pezullim i marrjes së gjakut) që përndryshe do të vritej me Kanun, pra si një institucion që rregullon ndjekjen dhe vrasjen e gjaksit, duke fiksuar një lloj armëpushimi ose exemption-i i përkohshëm, ndaj zbatimit të një norme përndryshe të gjithë-pranuar.[2]

Që përkufizimi i besës më lart është i mangët, këtë e tregon edhe ky pasazh nga paragrafi 537, që përcakton rrethanat kur mund të bëhet beja “mbë gùr”:

  • .537. Bét mbë “gùr” bahen:
  1. a) per me u dlirë prej njij zhgarkimi;
    b) per me u lidhë me besë kundra hieksive e trathtive të vendit,
    c) per me ndêjë gati me u bâ ball kercnimeve e rreziqeve të perbashkta.

Pika b) nënkupton që mund të lidhet me besë kundra hieksive e trathtive të vendit, por kjo lloj bese mbetet e papërkufizuar.

Ose:

  • .1106. Kuvendi âsht nji bashkim fisit a fisesh me Krenë, Pleq, Sterpleq e Vogjli a Djelmni të dheut, qi kanë qellim me rrahë ndonji çashtje a me lidhë ndonji besë.

Ose:

  • .1150. Kreu i fisit, bashkë me Pleq e Vogjli të vllaznive kà tager me mbajtë kuvende me lidhë besë, me bâ gjygie, me giobitë e me leçitë.

Ose paragrafi 510, që rregullon për huatë:

  • .510. Uhaja mùnd t’epet me besë e burrni, me dorzâni a edhè vetem tuj e shndrrue me peng.

Ose paragrafi 691, ku shpjegohet se “Ndera i mirret burrit”:

  1. c) Me i prishë ndermjetsin a besen

Dhe paragrafi 1194:

  • .1194. Digjet, sodumet, grihet katundisht xieret prej vendit me lang e plang:
[…]
  1. b) kush vret mikun në besë, grihet, giobitet, digjet e xieret prej vendit.

Edhe pse mbetet e papërkufizuar mirë formalisht në Kanunin e Gjeçovit, besa ravijëzohet atje si një marrëveshje solemne, në trajtë premtimi, që merr atributet e një imperativi social. Kësaj bese i paraprin beja, ose akti ligjërimor i lidhjes së marrëveshjes, dhe që është i barasvlershëm me nënshkrimin, në kulturat që kanë shkrim.

***

Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (1980) jep këto kuptime për BESËN (po i sjell të shkurtuara):

  1. Fjalë e dhënë për diçka të rëndësishme, fjalë e nderit.
  2. Besim te dikush (angl. trust).
  3. vjet. Besa sipas kuptimit kryesor në Kanun (pezullim i gjakmarrjes).
  4. Mbrojtja që gëzonte miku nga mikpritësi, sa kohë që qëndronte tek ai ose gjatë udhëtimit deri në një vend tjetër, NDORE; premtimi që i jepej dikujt se nuk do të pësonte gjë të keqe gjatë qëndrimit në një vend.
  5. vjet. Marrëveshje për veprime të përbashkëta që arrihej sipas fjalës së dhënë, BESËLIDHJE.
  6. Besimi fetar, feja.

Kështu, BESA është edhe akt ligjërimor (premtim, fjalë e dhënë), edhe forma që merr ky akt në rrjedhë të kohës ose projeksioni i forcës së tij ilokutive sipas aksit kohor, edhe institucion shtrëngues i një shoqërie orale – ose ku nuk veprojnë dhe as kanë fuqi dokumentet e shkruara, edhe virtyt, individual ose kolektiv, që ka të bëjë me (mirë)besimin.[3]

Në këtë mënyrë, edhe BEJA edhe BESA luajnë rol kyç në funksionimin e një shoqërie orale – e para duke garantuar raportin e drejtpërdrejtë me të vërtetën, e dyta duke garantuar besueshmërinë dhe integritetin e një personi a të një grupi.[4]

Njëlloj si BENË, edhe BESËN nuk mund ta japë kushdo dhe kur të dojë, por vetëm në rrethana të caktuara, të përcaktuara me Kanun.

Më në fund, edhe pse mund të jetë e tepërt për t’u theksuar: BESA është gjithnjë gojore (orale); nëse marrëveshja lidhet me shkrim, atëherë nuk kemi më të bëjmë me BESË.

***

Këto përkufizime, edhe pse jo-sistematike dhe të mangëta[5] të BESËS te Kanuni i Gjeçovit e mbështetin edhe kuptimisht hipotezën se BESA ka dalë nga BEJA, çfarë edhe shkon në favor të etimologjisë së sjellë nga Çabej dhe, disi në formë tjetër, nga B. Demiraj.

Gjithsesi, sot BESA nuk ka më vlerë juridike, brenda territorit të RSH dhe – me sa di unë – as njihet nga gjykatat. Përdorimi i fjalës, në shqipen e përditshme, të shkruar dhe të folur, ose i referohet mitit kombëtarist përkatës, për “besën shqiptare”, të mbështetur edhe nga legjendat tradicionale (Rozafa, Dhoqina, Konstandini i Vogël, Ago Ymeri), ose i referohet virtytit të kujt e mban fjalën që ka dhënë, ose integritetit moral.

BESA mbetet veçanërisht e gjallë në shprehje si e shkeli besën, e preu në besë, i besës, i zë besë, nuk ka besë etj., dhe në rrjedhoja të tilla si i pabesë, pabesi, pabesisht, etj., por edhe besoj, besim, i besuar, besnik, besnikëri. I vjetruar është edhe përdorimi i fjalës me kuptimin “fe, religjion”, çfarë nuk mund të thuhet për besim, besimtar, foljen besoj (në Zot).

***

Do të kthehem tani te paragrafi i njohur i Statuteve të Shkodrës, ku studiuesit kanë pikasur një okurrencë të fjalës shqipe besare:

se alcun nostro citadino andasse al signor ove al chiesalia over ad alcun proniario metando e propognando parole contra rason, et non da vera cum besare contra li nostri citadini over contra li sui vicini…

Të përkthyer kështu:

nëse një qytetar i ynë shkon te kryezoti, tek qefalia ose një proniar çfarëdo dhe shpif me besë të rreme ndaj bashkëqytetarëve ose fqinjëve të tij…

Te një shkrim i mëparshëm (këtu), pata shprehur disa rezerva – të kujdesshme – ndaj këtij përkthimi; nëse metando e propognando parole contra rason mund të parafrazohet shkurt si “shpif”, atëherë non da vera cum besare i bie të jetë përkthyer si “shpif me besë të reme”.

Por, siç e pamë edhe te Kanuni i Gjeçovit, nuk është besa që mund të jetë e rreme, por beja; dhe, gjithnjë me gjasë, qytetarëve shpifës do t’u jetë kërkuar të “bëjnë bé”, dhe jo të japin besën, para kryezotit, qefalisë ose kujtdo tjetër. Prandaj, ose fjala besë, në formën besare, ka pasur edhe kuptimin (bëj) bé që pastaj e ka humbur, ose besare nuk duhet përkthyer si “me besë të rreme”, por si “me bé të rreme”. Në fakt, togfjalëshi “me besë të rreme” edhe sot mua nuk më del gjëkundi në shqipe.

Një tjetër problem përbën ajo non da vera – të cilën Xhufi e ka përkthyer si “jo të vërtetë”, ose “të rreme”; por gramatikisht, ky ndërtim i romanishtes së statuteve nuk më duket i saktë. Këtu, megjithatë, ekziston edhe një mundësi tjetër interpretative – meqë vera, në sllavishten mesjetare, ka pasur kuptimin fjalë e dhënë, premtim, bé, p.sh. dati veru “jap fjalën”, etj.; sikurse ka pasur edhe kuptimin “fe, religjion”, njëlloj si besa jonë. Dhe meqë në Statutet përmenden disa herë “arbëreshët” dhe “sllavët”, përballë qytetarëve të Shkodrës, mundet që vera në këtë tekst të jetë përmendur paralelisht me besare, dhe që të dyja, edhe vera edhe besare të jenë emra të një lloj béje (sacramento) që u kërkohej atyre që nuk ishin qytetarë por që vinin nga rrethinat dhe që mund të ishin sipas rastit arbëreshë (dhe bënin bé-në, besare), ose sllavë (që jepnin vera, ose betoheshin në mënyrën e tyre). Që këtej edhe “non da vera cum besare” do të përmbate foljen da (“jep”, në dar vera, “bëj betim, betohem”) që i përshtatet si kallzues kryefjalës se alcun nostro citadino dhe non da vera cum besare do të kishte kuptimin “nuk bën betim (si sllavët) (ose) me besë (si arbëreshët)”.[6]

Për këtë vera, studiuesi Jovan Brkic, në Moral Concepts in Traditional Serbian Epic Poetry, Mouton & Co., 1961, veçanërisht te kapitulli Faith and Treason, shkruan: “Në ligjin mesjetar, koncepti vera përdorej në traktatet për të pohuar synimin e palës ose të palëve se termat e traktatit do të kryhen “në mirëbesim” dhe si premtim.” (f. 111, përkthimi im, AV). Si zotim (pledge), koncepti i vera përdorej në ligjin mesjetar për të treguar një premtim se një marrëveshje, premtim, paqe ose gjithçka tjetër me natyrë promisore do të mbahej dhe se vendoste një detyrim shtrëngues ndaj palës që zotohej.” (f. 112); “Në shoqëritë patriarkale koncepti i vera përdorej për t’u zotuar për marrëveshjet ndër-fisnore ose marrëveshjet mes myslimanëve dhe fiseve dinarike. Sanksioni kryesor kundër shkelësve të vera-s në këto marrëveshje ishte turpi ndaj të cilit ekspozoheshin shkelësit…” (f. 113). Përveçse si zotim kolektiv që konfirmonte marrëveshjet mes dy ose më shumë klaneve, ose midis një klani ose një fisi dhe myslimanëve fqinjë, vera përdorej në kontekstin e gjakmarrjes, në mënyrë të njëjtë me siç e përdornin fiset shqiptare (f. 116). Sipas Shuflajt, të cituar nga Brkic, besa (vera), gjakmarrja dhe probatinia (vëllamëria) ishin mekanizma që u aktivizuan nga shoqëritë fisnore kur struktura sociale e shteteve bizantine dhe serbe filloi të shkërmoqej nën trysninë e turqve gjatë shekullit XV dhe përzierjes së popullsive sllave dhe shqiptare në ato rajone. (po aty). Sipas autorit të studimit, adaptimi specifik i konceptit feudal të vera (vjera) dhe koncepteve të bashkëlidhura me të në shoqëritë patriarkale, duhet të ketë ndodhur me gjasë në rrjedhë të shekullit XVI (f. 126). Kapitulli jep shembuj të shumtë nga epika popullore serbe, ku vera përdoret në të njëjtat kontekste ku do të përdornim besën në shqip, përfshi ato të gjakmarrjes dhe të fjalës së nderit dhe të armëpushimit.

Gjithsesi, le të mbajmë parasysh edhe se, në tekstin e Statuteve, besare del një herë vetëm, pra është nga ato fjalë që i quajnë hapax legomena, dhe që kanë rëndësi për filologun, sepse janë të vështira për t’u interpretuar, ose për t’ua gjetur kuptimin (sa më shumë herë të dalë një fjalë, sa më shumë okurrenca të ketë, aq më i sigurt është “deshifrimi”). Që këtej, paragrafi grish vetvetiu për diskutim.

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Shihni edhe artikullin e Albert Riskës, Besë dhe fe, botuar në Peizazhe të fjalës.

[2] Mund ta përfytyrojmë edhe si një periudhë të grace, pas së cilës gjaksi mund të ndiqet dhe të vritet nga familja e të vrarit, prandaj duhet të ngujohet. Të vihet re se ngujimi është, në thelb, një lloj burgosjeje në shtëpi, për autorin e vrasjes; komunitetet ku vepronte Kanuni e zgjidhnin kështu problemin e heqjes së lirisë si ndëshkim, për një kategori personash.

[3] Për t’u vërejtur se, brenda një shoqërie dhe kulture orale, koha rrjedh ndryshe, ose në mënyrë ciklike, duke qenë kalendari – ashtu siç e njohim ne sot – atribut më shumë i një shoqërie shkrimore dhe kulture shkrimore; dhe një institucion ekziston në atë masë që riprodhohet në ligjërimin gojor.

[4] Kanuni i Gjeçovit është organizuar si komentar rreth proverbave (fjalëve të urta, thënieve, etj.) të mbledhura në terren prej autorit. Si formë ligjërimore, proverba vjen si narrativë e kondensuar, e një zgjidhjeje – në rastin tonë – juridike të mëparshme, e riformatuar si shprehje me vlerë përgjithësuese. Tipike për kulturën gojore (orale), ku magazinimi i informacionit dhe përcjellja e tij bazohen mbi përsëritjen – e cila është edhe procedura ruajtëse. Këtu hyn edhe përcaktimi i besës si MIT – meqë vetë koncepti mbetet i përkufizuar në mënyrë narrative (si MITI). Këtë e tregojnë edhe shprehjet sot e kësaj dite të shqipes: i dhashë besën, i kërkova besën, e preu në besë, shkeli besën, lidhi besën: çfarë është besa këtu, nëmos substantivimi (objektifikimi) i një koncepti të narrativizuar? Të thuash “i dhashë besën” evokon, në thelb, një situatë ku besa është një send që “ndërron duar”, duke kaluar prej teje tek tjetri. Kjo nuk është veçse një mënyrë figurative – nëse duam le ta quajmë edhe frazeologjike – për të shënjuar ekzekutimin e një akti ligjërimor (angl. speech act), i cili hyn në fuqi në momentin që shqiptohet (ndryshe nga një premtim i bërë me shkrim, i cili duhet nënshkruar, për të hyrë në fuqi). Kur e krahasova besën me fjalën e dhënë, kisha pikërisht këtë në mendje, besën si një akt ligjërimor, i cili sanksionon një praktikë sociale specifike, duke shërbyer edhe si kusht shoqërisht i pranuar, për koercion. Për këtë, të shihet edhe FJALA DHE DJALA, në Peizazhe të fjalës. Edhe beja edhe besa janë dy degëzimet kryesore të sistemit konceptual të një kodi zakonor të pashkruar (kjo vlen edhe kur besa ka kuptimin “armëpushim”). Në përgjithësi, pragmatika, ose teoria e akteve ligjërimore dhe e performativit, lejon një këndvështrim – për mua – shumë produktiv ndaj kodeve të tilla si Kanuni. Emile Benveniste ka shkruar për koncepte të ngjashme në “vokabularin e institucioneve indo-europiane”, por edhe Giorgio Agamben, në librin që ia ka kushtuar sakramentit të gjuhës, Il sacramento del linguaggio. Archeologia del giuramento, Laterza 2009.

[5] Të mangëta, në kuptimin që disa lloje të besës, të cilat përmenden në nenet e Kanunit, mbeten të papërkufizuara ose të nënkuptuara.

[6] Për t’u shënuar se vera, në këtë paragraf, ka merituar një vend më vete në indeksin e Statuteve me një okurrencë të vetme në kapitullin përkatës, çfarë më bën të mendoj se autori i indeksit nuk e ka gjykuar si instancë të mbiemrit “vero” (i cili nuk ka arsye të përfshihet në indeks dhe në fakt nuk është përfshirë).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin