DIJE TE IMAGJINUARA (II)

Para pak vjetësh, dhe pikërisht më 15 janar 2004, presidenti amerikan Bush u parashtroi qytetarëve të vet një plan të ri ambicioz për eksplorimin e hapësirës, i cili parashikonte, ndër të tjera, ndërtimin e një baze të përhershme në Hënë dhe organizimin e një misioni me astronautë drejt planetit Mars. Nëse ideja e Bush-it ishte që të ngjallte në publik po aq entuziazëm sa edhe plani i dikurshëm i presidentit Kennedy, për të çuar astronautët amerikanë në Hënë, atëherë mund të thuhet se ishte një ide e llogaritur keq, meqë publiku e priti këtë vizion me kaq indiferencë dhe skepticizëm, sa strategët e public relations të Shtëpisë së Bardhë nxituan që ta heqin nga qarkullimi para se popullaritetit të presidentit t’i shkaktoheshin dëme të tjera të pandreqshme.

Ndërkohë jo vetëm SHBA, por edhe shumë vende të tjera, si Rusia, Bashkimi Europian, Kina dhe India, vazhdojnë të shpenzojnë miliarda dollarë për shfrytëzimin e hapësirës rreth Tokës, kryesisht duke lëshuar në orbitë satelitë për qëllime ushtarake dhe komerciale. Në krahasim me investime të tilla, ato pak dollarë që duhen për të dërguar sonda automatike drejt Marsit, Jupiterit, Venusit ose brezit të asteroideve e më tej janë një pikë ujë në oqean. Këto sonda herë pas here dërgojnë ndonjë fotografi, e cila afishohet në mediat – pastaj vëmendja e publikut zhvendoset nga shkëmbinjtë pa jetë drejt temave të tjera më ngacmuese.

E megjithatë, vetëm 40 vjet më parë, mbarë globi e mbajti frymën, kur astronauti i parë zbriti në sipërfaqen e Hënës, për të shqiptuar fjalët tashmë të paharruara: “një hap i vogël për njeriun, një hop gjigand për njerëzimin.” Unë kam qenë fëmijë atëherë, por e mbaj mend se kudo në Tiranë nuk bisedohej për asgjë tjetër, përveçse për momentin kur Armstrong-u do të shkelte, i pari mes njerëzve, në sipërfaqen e satelitit. Ditën e shumëpritur televizioni italian, RAI, transmetoi për 24 orë rresht filma fantastiko-shkencorë, me disqe fluturuese, beteja kozmike, jashtëtokësorë që sillnin mesazhe të paqes dhe të vëllazërimit, robotë të çmendur dhe shkencëtarë mjekërbardhë të gjithëdijshëm, si të dalë nga romanet e Jules Verne-it.

Ishte fundi i viteve 1960, të cilat tani dihet se i dhanë ngjyrë dhe formë pjesës së mbetur nga shekulli XX. Shkenca dhe teknologjia kundroheshin, me optimizëm prej të gjithëve, si çelësi drejt mirëqenies dhe bollëkut. Një nga librat që kisha në bibliotekë, me ilustrime tërheqëse, u shpjegonte lexuesve të vegjël përparësitë e zëvendësimit të lëndëve natyrore me lëndë plastike; presidenti Nixon premtonte se kanceri së shpejti do të mposhtej përfundimisht; futurologët e përfytyronin vitin 2000 si kohën kur njeriu do të shërbehej prej robotëve, teksa gatitej të kolonizonte, me kuç e me maç, planetet e sistemit diellor.

Kur e krahason eksplorimin e hapësirës atëherë, me përpjekjet e sotme, nuk mund të mos vësh re një dallim thelbësor – në vitet 1960 eksplorimi ishte i kthyer nga jashtë, drejt së panjohurës, përfshirë në një përpjekje që e përfytyronte hapësirën si të gatshme për t’u pushtuar prej njeriut: me stacione në Hënë, qytete në Mars, miniera në satelitët e Jupiterit dhe ngulime shumëmilionëshe të varura pezull si zgjuaj blete në brezin e asteroideve. Sot, përkundrazi, eksplorimi i hapësirës është i kthyer së brendshmi, meqë pjesa më e madhe e satelitëve përdoren për qëllime praktike, ushtarake ose komerciale.

Pavarësisht nga përsosja e teknologjisë të nevojshme për të hedhur diçka në orbitë rreth Tokës ose më tej, asgjë nuk e ka zëvendësuar dot magjinë e modulit LEM, delikat e me letër varaku, të drejtpeshuar aq drojtur në rrafshultën e Mare Tranquillitatis. Përkundrazi, anija e sotme Space Shuttle nuk është veçse një kamion i madh e kabá që vlen për të çuar në orbitë gjithfarë kargosh prozaike: satelitë të parashikimit të motit ose të shoqërive të telefonisë celulare; për të mos folur pastaj për satelitët ushtarakë dhe të përgjimit.

Kozmosi në vitet 1960 ishte më tepër ankth dhe premtim për aventurë dhe lulëzim ekonomik e shpirtëror; sot, përkundrazi, hapësira rreth Tokës nuk ndryshon shumë nga një peizazh industrial i rëndomtë. Edhe astronautët vetë, që dje mahniteshin me pamjen e universit dhe kalonin kriza mistike ndoshta të përligjura, sot e kalojnë kohën duke luajtur shah në Internet, ose duke pastruar mjediset e mykura të stacionit MIR, ose duke marrë pjesë në eksperimente për fëmijë shkollash.

Fëmija në vitet 1960 kërkonte të dinte se pse nuk mund të kapërcehej shpejtësia e dritës; pyeste nëse ka jetë në Mars apo në Antares; ëndërronte që një ditë të mund të ecte me kërcime të plogëta, si astronautët gjatë shëtitjeve të tyre në bulevardet e heshtura të Hënës. Ç’nuk do të kisha dhënë atëherë, për të parë nga afër ndonjë prej Apollo-ve; dëshirë që m’u realizua shumë vite më pas, gjatë një vizite në Washington DC në 1998, kur kapsula Apollo e ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Aviacionit dhe të Hapësirës m’u duk jashtëzakonisht e vogël, madje klaustrofobike.

Për këtë krizë në pritjet e publikut nuk e ka fajin shkenca, as teknologjia. E vërteta është se hapësira kozmike rreth Tokës është një mjedis veçanërisht armiqësor për njeriun: mungon ajri dhe uji; temperaturat janë të skajshme; rrezatimi kozmik vrasës. Entuziazmin e viteve 1960 e ushqente shpresa se, misionet e amerikanëve në Hënë nuk ishin veçse pararoja e eksplorimit njerëzor të sistemit diellor, i cili ndoshta do t’i sillte Tokës së mbipopulluar e me burime në shterrim e sipër po aq të mira sa edhe zbulimi i Botës së Re prej Kolombit & Co. në fund të shekullit XV.

Prandaj nuk është rastësi që vetëdija ekologjike dhe lëvizjet e të gjelbërve morën hov pikërisht kur publiku anembanë u vetëdijësua, sado me vështirësi, se largimi prej Tokës në një të ardhme të afërt ishte i pamundur; dhe se nuk kishte asnjë Amerikë që të na priste krahëhapur, përtej horizontit qiellor.

Deri në fund të viteve 1970, teknologjia kishte përparuar kryesisht si ndërmjetësuese në marrëdhëniet e njeriut me sendet. Edhe eksplorimi dhe kolonizimi i sistemit diellor do të kryhej nëpërmjet pajisjeve teknologjike të mundësuara nga fizika, kimia, shkenca e materialeve, biologjia dhe mjekësia. Njeriu kishte nevojë, para së gjithash, për makina të tilla që t’i lejonin të zhvendosej me shpejtësi në korridoret e pafund të hapësirës; por edhe për materiale të përshtatshme për të përballuar kushtet fizike të kësaj hapësire. Edhe pse të gjithë futurologët i kishin kushtuar vëmendje të veçantë automatizimit dhe robotëve, pakkush e kishte parashikuar revolucionin që po përgatitej në laboratorët e IBM: kompjuterin personal.

Këtu nuk është vendi të përshkruaj si i ripërkufizoi kompjuteri marrëdhëniet e njeriut me teknologjinë dhe me sendet në përgjithësi; por dua vetëm të theksoj se kombinimi magjik i hardware-it dhe i software-it shërbeu, ndër të tjera, edhe si çelës për t’i hapur njeriut dyert e realitetit virtual – qoftë në aspektin shqisor, duke e zëvendësuar botën reale me botë të tjera të përfytyruara; qoftë në aspektin komunikativ, duke e zëvendësuar komunikimin ndërnjerëzor të drejtpërdrejtë me Internetin.

Njerëzimi i viteve 1960 ishte ekstrovert, i kthyer me fytyrë nga hapësira, i gatshëm për të eksploruar dhe kolonizuar botët; njerëzimi i viteve 2000 është introvert, i kthyer me fytyrë nga vetvetja, i mbyllur në guaskën e pashmangshme të planetit Tokë, por edhe i humbur në hapësirën e pafund të realitetit virtual. Nëse në shekullin XIX njerëzit fantazonin për kanalet ujitëse që kishte zbuluar në Mars Schiaparelli; nëse në shekullin XX njerëzit më në fund dërguan një kamera fotografike në Mars dhe u siguruan se atje nuk ka asgjë tjetër veç gurëve; në shekullin XXI njeriu do të mund ta ndërtojë Marsin sipas dëshirës e midesë – por vetëm brenda realitetit virtual të kompjuterit.

Natyrisht, edhe realiteti virtual kërkon teknologjinë e vet, e cila nuk mund të konceptohet as të realizohet pa bashkëpunimin e shkencave të sakta, duke përfshirë edhe fizikën subatomike. Çfarë ka humbur pikërisht, nuk është rëndësia objektive e njohjes, por pjesëmarrja e publikut në këtë aventurë të njohjes, ose shkëputja tanimë totale midis teknologëve dhe përdoruesve të teknologjisë. Nëse në vitet 1960 një fëmijë veçanërisht kurioz i klasës së tetë ende mund ta kuptonte si funksiononte një orë tryeze me zemberek ose deri diku edhe një gramafon, sot pakkush përveç ekspertëve të fushës e ka të qartë se çfarë ndodh pikërisht brenda një ore dore elektronike, le pastaj një lexuesi MP3. Jetojmë në një botë që na rrethon me produkte magjike, të cilat jemi kushtëzuar t’i marrim për të mirëqena; por kureshtja e vjetër tashmë ka vdekur, sepse parimet mbi të cilat funksionon teknologjia e sotme janë tepër arkane, tepër të stërholluara, tepër të ndërvarura për t’u kuptuar nga mendja e vdekëtarit.

1 Koment

  1. Temë shumë interesante Xha xha, si shumica të trajtuara këtu.
    Introvertizmi më ka bërë përshtypje edhe mua, veç i parë përmes një tjetër këndvështrimi; rishikimi apo çmitizimi i historisë prej penave të njohura mediatike jo vetëm në Shqipëri por edhe në vendet e tjera të Ballkanit (për Greqinë mund të flas prej eksperiencës), është kthyer në modë më vete. Për mua kjo modë nuk është gjë tjetër veç paaftësi për të gjetur ide të reja prej Evropës tashmë në stanjacion. Po mendoja të shkruaja veç në blog për këtë gjithsesi.

    E parë në këndvështrim global – apo spacial, introvertizmi ka kaluar deri në forma tejet groteske. Përmes paradoksit të Fermit – e gjeni këtu: http://en.wikipedia.org/wiki/Fermi_paradox psh. Ka teori të cilat mbështesin se jemi të dënuar të jetojmë mbi tokë, të izoluar. Mu duk tejet interesante kjo, nëse e lidhim dhe me mitet biblike kur njeriu u dëbua prej zotit nga parajsa.

    Për kuriozitet shkencor, në një ditë të largët disi, gjykuar sipas parametrave njerëzorë të kohës, do të na duhet të vendosemi në një planet tjetër. Sepse dielli do vijë aq afër Tokës sa do bëhet e pamundur jetesa në kushtet e njohura deri më sot.

    Nga ana tjetër, varësia prej teknologjisë, po kthehet në problem më vete. Kjo sepse vërtet nuk dimë sesi funksionon celulari, interneti dhe shumë e shumë mjete të tjera teknologjike për përdorim të përditshëm, veç jemi të varur komplet prej tyre. Pa to nuk bëjmë dot.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin