DIJE TE IMAGJINUARA

 

 

E kam ndjekur me kërshëri pritjen që u ka bërë opinioni publik lajmeve për përshpejtuesin LHC (Large Hadron Collider, ose Goditësi i Madh i Hadroneve), afër Gjenevës, në Zvicër.

Ky përshpejtues është, në thelb, një tunel në trajtë kamerdareje biçiklete, me gjerësi prej 3.8 metrash dhe perimetër prej 27 km, i gërmuar në një zonë shkëmbore midis Zvicrës dhe Francës. Tuneli shërben për të përshpejtuar protone deri në shpejtësi të afërta me shpejtësinë e dritës, dhe pastaj për t’i përplasur këto protone të përshpejtuara me njëri-tjetrin. Qëllimi i këtyre eksperimenteve me përplasje është që të verifikohen disa hipoteza në lëmin e fizikës së grimcave subatomike, si dhe të tjera hipoteza dhe teori të fizikës kuantike.

Artan Boriçi, një fizikant shqiptar që është përfshirë në projekt, e përshkruan kështu qëllimin e eksperimenteve që do të kryhen me përshpejtuesin LHC:

Eksperimenti është i rëndësishëm sepse do të testojë teoritë fizike mbi ndërtimin e lëndës dhe forcat në natyrë në përgjithësi, si edhe përllogaritjet e kryera me anë të këtyre teorive. Një nga këto teori është teoria kuantike e kuarkeve dhe gluoneve, ose kromodinamika kuantike. Nëse do ta përfytyronim protonin si një top të rrumbullakët, teoria përshkruan brendësinë e këtij topi me anë të kuarkeve dhe gluoneve. Eksperimenti do të testojë për herë të parë ekzistencën e kuarkeve dhe gluoneve në gjendjen plazmore të temperaturës së lartë. Kjo gjendje është parashikuar tashmë me anë të simulimeve të teorisë në superkompjuter të tipit Blue Gene, në bashkëpunime të ndryshme në Perëndim. 

Kostoja e përgjithshme e projektit lëkundet midis 3.2 dhe 6.4 miliard euro.

Megjithë entuziazmin e fizikantëve anembanë botës për këtë mundësi të re që i jepet shkencës për t’iu afruar më tej së vërtetës, duhet thënë se publiku i ka pritur lajmet për përshpejtuesin LHC përgjithësisht me indiferencë. Shkaqet e kësaj indiference janë të shumta, mes të cilave duhet marrë parasysh edhe vështirësia e fizikantëve dhe e popullarizatorëve të shkencës për t’i shpjeguar në mënyrë tërheqëse dhe stimuluese eksperimentet që do të kryhen me anë të LHC, dhe rëndësinë e këtyre eksperimenteve për dijen, njerëzimin dhe teknologjinë.

Opinioni publik nuk e ka të lehtë të pranojë edhe pse duhen shpenzuar miliarda euro nga fondet publike për të provuar ekzistencën e një grimce hipotetike, ose për të testuar kromodinamikën kuantike; në një kohë që bota duket se ka nevojë për zgjidhje teknologjike të shpejta në fusha të tilla si energjia e gjelbër ose mjekimi i kancerit.

Sikur kjo të mos mjaftonte, nga anë të ndryshme janë shprehur edhe shqetësime se mos eksperimentet e kryera prodhojnë pa dashur ndonjë vrimë të zezë ose dukuri tjetër të ngjashme, e cila teorikisht mund të çonte në shkatërrimin e plotë të planetit, ose edhe të mbarë universit, për shkak të një çarjeje ose shqyerje të kohë-hapësirës.

Frika se mos përplasja e grimcave me energji të lartë mund të përftojë mikro-vrima të zeza nuk është krejt e pabazuar; por fizikantët e konsiderojnë një rrezik të tillë si të papërfillshëm, edhe pse fizika e vrimave të zeza nuk njihet mirë. Nga ana tjetër, ka edhe nga ata që besojnë se për rrezikun e përshpejtuesit LHC ka paralajmëruar, në kohën e vet, i madhi Nostradamus; me anë të kësaj katrine:

Migrés, migrés de Geneue trestous,

Saturne d’or en fer se changera,

Le contre Raypoz exterminera tous,

Auvant l’aruent le ciel signes fera.

Përkthimi i të cilës është disi i diskutueshëm, por në thelb është fjala për një thirrje të gjithëve për të ikur nga Gjeneva, meqë Saturni do të shndërrohet nga ari në hekur, dhe contre Raypoz do t’i shfarosë të gjithë, para se qielli të japë disa shenja.

Meqë askush nuk e di se ç’është pikërisht ky Raypoz, interpretuesit e kanë shpjeguar si ray(on) pos(itive), ose rreze protonesh, meqë këto grimca janë të ngarkuara pozitivisht; dhe contre Raypoz nuk janë veçse dy rreze të kundërta (contre) protonike që përplasen mes tyre.

U zgjata pak në këtë profeci të Nostradamusit, për të treguar si kjo mënyrë në thelb irracionale e të menduarit është më e kapshme sesa arsyetimet e fizikantëve për fizikën kuantike dhe eksperimentet përkatëse; meqë publiku nuk mund të eksitohet nga mundësia e zbulimit të bozonit Higgs, ose e ndriçimit të mekanizmit të thyerjes së simetrisë elektro-të dobët.

Në të vërtetë, jo vetëm publiku i sotëm është shushatur nga televizioni dhe e ka humbur disi interesin për fizikën si dije relativisht të pavarur nga aplikimet përkatëse në teknologji, por edhe vetë fizika moderne duket se është shndërruar në diçka të ngjashme me skolastikën mesjetare – meqë nuk ka një interpretim unik të rezultateve eksperimentale, në një kohë që teoritë e ndryshme në lëmin e kozmologjisë dhe të fizikës subatomike janë më tepër konstruksione matematike, sa elegante aq edhe të pashpjegueshme në raport me realitetin.

Nuk ka dyshim se përshpejtuesi LHC jo vetëm do t’u lejojë fizikantëve të kuptojnë më mirë si funksionon bota në nivelin subatomik, por edhe do të ndihmojë për një hop cilësor në lëmin teknologjik. Megjithatë, publiku i sotëm entuziazmohet më shumë nga pajisje të vogla utilitare të tipit i-Phone, të cilat zënë faqet e para të gazetave dhe minutat e para të emisioneve të lajmeve, në një kohë që LHC pritet pothuajse me armiqësi.

A duhet konsideruar kjo si shenjë se opinioni publik anembanë botës, por veçanërisht në vendet perëndimore, po vjen duke e humbur respektin dhe interesin për kërkimin shkencor të kulluar, ose përtej aplikimeve praktike të dobishme?

Nëse është kështu, atëherë rreziku për feedback negativ është real; sepse një publik i çinteresuar do të mbështetë gjithnjë e më pak financimin e projekteve të shtrenjta të tipit LHC; dhe shkencëtarët do të varen gjithnjë e më tepër, për fonde, nga korporatat; të cilat nga ana e tyre janë të interesuara për rezultate, ose teknologji dhe aplikacione, jo për shkencë të mirëfilltë dhe qasje ndaj të vërtetave kozmike.

[vijon]

 

5 Komente

  1. Para pak ditesh lexova se ne nje sondazh 42 % e njerezve e vleresonin si nje ‘e keqe e domosdoshme’ e ne mes ketyre 14% kishin frike nga shkenca.

    U cudita kur lexova tek Dan Brown rreth 1 vit me pare te njejtin mendim me timin te shprehur nga goja e atij dobicit te Papes qe kishte bere grabitjen e antimateries,po me shpeton emri tani.
    Cna duhet ne te luajme rolin e Zotit e njekohesisht ky zhvillim i cekuilibruar ne favor te kultures materiale e krejtesisht ne dem te kultures shpirterore.
    Detyrimisht paradoksi midis teknologjise ne zhvillim dhe lirise se njeriut ne regres, behet me i qarte dita-dites megjithese sociologet e kane pare qe ne vitet 70, po thjesht medias nuk i intereson te perhape studime te shkencave sociale e keshtu njeriu rrembehet pas shkelqimit te dritave si majmuni pas bananeve apo si peshku pas krimbit te grepit.

    Sa per pyetjen ne fund, nje zbulim shkencor po nuk pati treg behet i padobishem. Mbaj mend nje emision ku thuhej se zjarrin grek e kishte shpikur nje sirian, i cili ja ofroi ne fillim kalifit, po kalifit nuk i interesoi se e kishte luften gati te fituar me Bizantin, nderkaq siriani ja ofroi Perandorit Bizantin i cili me shume deshire e financoi , pajisi floten me zjarrin sirian(grek) e pastaj me te shfarosi floten e kalifit.

    Fizika e sotme nuk mund te quhet me shkence ekzakte , duke qene se me shume ka hipoteza e interpretime deri te kunderta te nje eksperimenti sesa vertetim ekzakt te pamohueshem.
    Kujton se mund te zevendesoje filozofine e teologjine, ne nje kohe qe ndodhet si shkence ne krahun e kundert.

    Sot fizikantet behen filozofe, financieret politikane, veterineret presidenta, femrat meshkuj e meshkujt femra, pederasti te jep leksione mbi familjen, i korruptuari leksione ndershmerie te ndershmit dhe zonja e shpirtit Eleonore leksione mbi harmonine kozmike…

    Te jete pasoje e efektit serre valle ! Nese po i duhet vene tape vrimes se ozonit.

  2. Xha Xhai thote: “A duhet konsideruar kjo si shenjë se opinioni publik anembanë botës, por veçanërisht në vendet perëndimore, po vjen duke e humbur respektin dhe interesin për kërkimin shkencor të kulluar, ose përtej aplikimeve praktike të dobishme?”

    Të paktën kështu mendon Richard Dawkins. Sipas tij njeriu (perëndimori) i sotëm i merr të gjitha arritjet e shkencës si të qëna, si dhuratë nga natyra, dhe ka harruar se një shekull më parë kolera, malaria, tuberkulozi bënin kërdinën e se mosha mesatare ishte sa gjysma e së sotmes.

    Dawkins shkon dhe më larg duke pretenduar se ka një rikthim të medimit irracional. Sipas tij po i drejtohemi një “epoke të errët”.

    Nëse këto konkluzione janë me bazë, atëherë ka një pyetje që duhet shtruar; përse po i rikthehemi mendimit irracional?

    A është shkak “marketingu” i keq apo i pamjaftushëm për shkencën? Apo mos vallë i konsiderojmë arritjet e shkencës në rritjen e mirqënies sonë fizike si të mjaftueshme, dhe ky rikthim në irracionale nuk është gjë tjetër veç një orvatje për të përmirësuar mirqënien tonë mendore?

    Duhet pranuar se ç’na ka preokupuar këtë shekull që kaloi ka qënë shëndeti ynë fizik, e fare pak ai mendor. Kemi shpenzuar miliarda për të luftuar virusin e rrufës dhe asnjë qindarke për të luftuar viruse mendore të lloit Nostradamus apo IPCC (Intergovernmental Panel on Climate Change).

    A është e arsyeshme që produktet ushqimore e kozmetike të kalojnë ndër filtra të panumërt çertifikimesh, ndërsa ato mendore (media) jo?

  3. Po shihja para ca ditesh Hardtalk tek BBC, nje program imi i preferuar. Kete rradhe ishte ftuar nje shkencetar astrolog, ne ekipin e eksplorimit te Marsit. Theza e gazetarit shembullor Stephan Sackur ishte se shume studime te tilla as qe nuk i duhen njerzimit, sidomos kur prioritet sot gezon ruajtja e ambjentit, perfitimi i energjive alternative etj., shkurt sic thone: nje shport me buke per te pangrenet eshte me mire se nje rakete ne Mars. Pergjigjja sic edhe mund te pritej ishte se e ardhmja ka probleme per te cilat njeriu duhet te mendoj qe sot, edhe keto “kapitalet njerzore” si shkencetaret, jane te shumte, dhe prandaj te ndare ne rrole dhe ne fusha te ndryshme. (shkurt kunder asaj: me mire nje veze sot, se nje pule neser. Dhe per ndarjen e punes dhe te kostos) Dmth. qyteterimi nuk mund t’ja lejoj vetes nese deshiron te mbijetoj, qe te perqendroj vemendjen dhe investimet teresisht ne nje fushe. Ky diferencimi funksional ose sistemor (sipas sistemeve) eshte mese ekonomik, dhe per me teper ka bere te mundur modernizimin e shoqerise. Porse nga ana tjeter ka nje komunikim midis ketyre sistemeve (ekonomik, shkencor, politik, juridik, filozofik etj.).

    Duke u nisur nga kjo premisa e ndarjes se pune, shoqeria nuk mund t’ja lejoj vetes te merret vetem me materien, sidomos kur sa vete e vjen teorite eskatologjike mbi shkaterrimin e botes behen pjese e psikologjise sone te perditshme. Shkencat natyrore ishin ato qe anthropogjenizuan (xtrajtohen si fenomene njerzore, ose te shkaktuar nga njerzit) cdo fenomen natyror. Cdo gje sot, qe nga metani ne ajer deri edhe vrima ne Ozon mendohet se shkaktohet nga njerzit. Cfare te beje njeriu i shkrete kur sheh se bota po i rreshqet nga duart? Ku te kerkoj prehje nga frika? Nga ana tjeter jane po shkencat natyrore, dhe sidomos teorite e ketij Dawkins qe kontribojne ne ate procesin e dehumanizimit (cnjerzimifikimit) te botes ku jetojme.

    Si ti pergjigjet njeriu ketyre teorive fataliste materialiste si “the selfish gene”? Dmth. nga nje ane fajesohet Njeriu dhe “fuqizohet” (empowerment) per ti marre fatet e jete se tij ne dore, cfare ja mundeson shkenca. Nga ana tjeter po shkenca i thote robit se ti je i fundshem ne keto universet e pafundme, je nje makine e sofistifikuar pa qellim ne vetvete, je nje “transporter”, nje mesazhier pa adrese. Edhe filozofia ekzistenciale nuk te qet nga ky qorrsokak. Ku do te perplaset njerzia?

    Keto vitet mbas LDB mendesia e botes moderne ka qene se siguria mund te blihej. Per garancite dhe friken ndaj se ardhmes, njeriu nuk i falej me Zotit, porse paguante siguracion. Sigurohej robi nga zjarri ose demtimi i prones (property insurance), nga akuzat (law suit ose legal insurance), nga demtimi i prones se tjetrit (liabilities te ndryshme) etj. Tani bankat rrezikohen, kompanite e siguracioneve gjithashtu, njerzit nuk kane para te shkojne neper psikologe etj. Cfare pra duhet bere? Kjo pasiguri totale, per te ardhmen, edhe pse cilesia e jetes kurre nuk ka qene me mire, krijon psikoza qe i trajton vetem shpresa dhe besimi, pra prifti. Pjesa tjeter ka zgjedhur te tjera menyra per te trajtuar kete Pasiguri. Nepermjet hedonizmit, qejfit, rremujes. Per kete kujdeset tregu, mediat etj.

  4. Sa perqind e publikut te thjeshte i kushtoi vemendje zbulimit te formulave te Maxwell-it mbi elektromagnetizmin ne shekullin e 19? Pervec shkencetareve (fizikaneve), asnjeri. E megjithate shume mjete e pajisje qe perdorim sot e kane zanafillen ne ato formula.
    Xha xha, nuk pajtohem me pesimizmin(?) tend kur flet per reagimin e publikut te thjeshte ndaj LHC. Eshte normale qe publiku i thjeshte te mos reagoje ndaj shkences se mirefillte. Nuk e kupton, s’ka faj njeri per kete. Rendesi sipas meje ka reagimi i botes shkencore. Dhe bota shkencore (e kam me shume fjalen per fiziken), dhe amatoret si puna ime, jane shume te eksituar per bozonin e Higgs-it, dhe vrojtime te tjera qe do zhvillohen atje.
    Edhe vajtja ne Hene, per te cilen flet ne nje shkrim tjeter vazhdim te ketij, nuk ishte shkence e mirefillte, nuk ishte zbulim dijesh te reja sic eshte LHC, ishte aplikim i shkences, aplikim i dijeve te perftuara ne mes te indiferences se publikut te thjeshte. Publiku i vajtjes ne Hene ne vitet 60 u mahnit me te njejten gje qe eshte mahnitur gjithmone, me “magjine”, jo me formulat e termodinamikes, gravitetit, etj etj.
    Gjithashtu nuk duhet harruar qe LHC u ndertua, qe do te thote qe u financua, qe do te thote qe publiku ose e aprovoi financimin ose nuk ja vari fare, ose eshte disi i ndergjegjshem per lidhjen midis shkences edhe “magjise” qe i bie nga qielli ne forme lavatriceje, televizori e kompjuteri. Besoj qe fakti qe eshte financuar kaq shume per nje dege te shkences, per te cilen njerezit e thjeshte kane qene gjithmone indiferente, eshte shume pozitiv dhe domethenes per raportin midis publikut te thjeshte dhe shkences.

  5. Bashkohem me mendimin e Profanit por dhe te Drit.
    Per mendimin tim shkenca nuk eshte nje fushe nga e cila do te presim nje spektakel apo show qe do te vleresohet nga publiku.

    Me duket pak si renie ne populizem te tepruar kjo qe “publiku s’tregoi interes per filan eksperiment”.
    Eshte e vertete qe shkenca eshte nje fushe qe per baze ka eksperimentin dhe kerkimin (searching) e dihet qe jo gjithmone do kete rezultate te suksesshme. Por edhe deshtimi jane pjese e te teres ne shkence, jane pjese e punes dhe e zbulimit.

    Masa e gjere, qe ka nje jete rutine, qe cohet ne mengjes e zgjuar nga ora elektronike, e shkon ne pune me makine, e perdor gjate dites pajisje qe per ate vete duken mese te thjeshta, as qe e ka idene se nga e kane zanafillen, e sa studim e floke jane zbardhur per secilen nga ato.

    Nese pas shpikjes se tranzistorit, do te behej ndonje sotnazh ne mase me pyetjen “ia vlen apo jo kjo shpikje” te jeni te sigurt qe masa do e skualifikonte me nje te rene te dores e te qeshur babaxhane duke thene “ooo come ooon.. e perse duhet kjo gje si mize ..”

    Dhe te jeni te sigurt qe shumica e atyre qe jetojne nen luksin e elektronikes dhe automatikes, akoma s’e dine qe cdo gje filloi nga ajo gjecke e vockel e zeze me tre kembe 😀

    Jam dakort me Drit qe nese behet shume ne shkencen materiale, duhet te behet po aq ne ate sociale dhe mendore. Eshte per t’u cuditur, qe sot kur teknologjia ka arritur te krijoje inteligjence artificiale,inteligjenca natyrale e mases (shumices) eshte vertete per te ardhur keq keq shume keq!
    Shembulli me i fresket qe po me vjen tani eshte ky,sesi nje amator me mendje intrige e fantazi ngaterrestari te papare, por pa as me te voglin talent shkrimtari a letrari,Dan Brown,behet “best seller” :D!
    O MY GOOD!!
    Me siguri masa e tere me inteligjence nen mesataren,qenka rritur shume ne numer, dhe ka gjetur te Dan Brawn soul-mind in e vet. Nje ‘mind’ qe te ngjan me nje thes arixhiu si themi ne, i mbushur rremuje me nga te gjitha llojet e rrangulliqeve, ca pjese te nje ish te tereje te cmuar e ca plehra fare.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: