PASOJAT E KËMBIMIT

Ndodh shpesh të dëgjojmë lajme për turistë të gënjyer anembanë kryeqyteteve të botës. Kuponë marramendës për një pije freskuese, rrogë mujore që shkojnë për një rrugë taksie, komisione të ekzagjeruara këmbimi valutor, paradhënie online për hotele fantazma, e kështu me radhë.

Ndjenja e parë që na mbërthen ka të bëjë me autorët e mashtrimeve dhe të dinakërive në kufi të vjedhjes. Zemërata na bën të shtrëngojmë dhëmbët e të lëshojmë ndonjë mallkim për këta njerëz të pandershëm, që përfitojnë nga prania e turistëve, por njëkohësisht e dëmtojnë rëndë turizmin, sepse krijojnë një imazh të gabuar, duke prekur edhe operatorët e tjerë të sektorit.

Turistin e pafajshëm, aziatikun me kapele e syze optike, sa për ta thënë më një klishe të konsumuar, e shikojmë me një farë keqardhjeje të përzier me mosvlerësim për naivitetin e tij. Keqardhja vjen nga fakti se viktima i ka të gjitha justifikimet: është në vend të huaj, nuk e njeh gjuhën ose e njeh pak fare, nuk i njeh zakonet, nuk është pra në habitatin e vet. Si rrjedhim, në një pyll ose kënetë të panjohur mund të dalin gjithfarë kafshësh për të të ngrënë. E në rast se je kafshë, mund të biesh në gracka të panjohura e të sofistikuara të përgatitura djallëzisht nga njeriu.

Viktimën e konsiderojmë naive e pak leshko, pikërisht sepse nuk ia pranojmë faktin që gënjehet kaq kollaj, pavarësisht se gjendet në mjedis të pazbutur e të pashtruar. Sepse, siç edhe thotë një skeç i vjetër, ka faj ai që vodhi, por më shumë ka ai që nuk e ruajti gjënë e vet.

Këto mendime e kanë një lidhje me Shqipërinë, sidomos po të shikosh një emigrant në rrugët e Tiranës tek ecën i shpenguar si i kthyer për pushimet e verës. Ai shëtit qetësisht andej qendra, shikon me vëmendje kurset e këmbimit, agjenci më agjenci, vitrinë më vitrinë, pa harruar asnjë nga shifrat me presje mbrapa. Sa e keni dollarin? Po euron sa e këmbeni? A njihni ndonjë vend me kurs të mirë? Edhe pse po shëtit në rrugët e tij, sepse ka lindur në kryeqytet, ai ka nevojë të pyesë për kursin e këmbimit, sepse nuk i njeh. Dëshiron të këmbejë pak valutë. Nuk e kupton që po shkon si cjapi te kasapi, por kur të vijë momenti i hanxharit e nuk do të ketë më dyshime.

Si çdo njeri në këtë botë, emigranti shqiptar kërkon një këmbim të favorshëm, edhe pse ka pak euro për t’i kthyer në lekë. Sa e keni këmbimin? 139,20 lekë? Atje e pashë me 139,40 lekë. Ah, nuk mund ta ndërroni kursin, nuk është pazar?! E po mirë, mirupafshim! Ndërsa humbet kohë nëpër rrugët e kryeqytetit e ndjen se ka diçka që nuk shkon nga pikëpamja ekonomike në arsyetimin e tij, sepse jo vetëm koha por edhe lodhja nuk ia vlen për “fitimin” që do të nxirrte me këmbimin e favorshëm. Bëhet fjalë për njëqind euro. Me një këmbim të mirë mund të nxjerrë ndonjë kafe, jo më shumë.

E megjithatë, mekanizmi i fshehtë i fitimit, ai zemreku qe gjendet brenda mendjes sonë ekonomike, punon pa pushim dhe e shtyn drejt kërkimeve të reja në tregun valutor. Aq më tepër që i vjen plasje, që pak ditë më parë, i theu ca euro me një kurs më të ulët, rreth 20 qindarka më pak. E më plasje i erdhi kur në lokal shoku i vet u tall keqas. Sa i këmbeve? Po pse s’më the mua mor vlla? Unë jetoj këtu, i njoh vrimat mirë.

Më në fund e gjen agjencinë e duhur. Këmbimi shumë i mirë, më i larti që kishte parë deri në atë moment. I eksituar nga zbulimi, rend me shpejtësi të shkojë tek sporteli, me frikën instiktive se mos këmbimi ndryshon në atë çast dhe ëndrra zhduket si në agim. I nxjerr njëqind eurot, i bën vajzës së heshtur komplimentet për këmbimin e favorshëm dhe mezi pret lekët në dorë. I tërheq pa vonesë, thotë falënderimin ritual, buzëqesh me kënaqësi dhe fillon të numërojë lekët.

Surpriza ia ngrin buzëqeshjen. Mungojnë rreth njëmijë e njëqind lekë, rreth tetë euro. Kthehet i shqetësuar tek këmbyesja, e zënë me një klient (cjap) tjetër që po këmbente valutë dhe i tregon i sigurt për gabimin e ndodhur. Nuk ka asnjë gabim, zotëri, shikoni faturën që ju dhashë. Dakord, do ta shikoj, por ma thoni përse mungojnë kaq shumë parà. Nuk mungojnë, janë në rregull, thotë ajo, dhe largohet nga sporteli.

Emigranti hap faturën, kontrollon me duart që i dridhen nga inati, dhe zbulon se është aplikuar tetë për qind komision mbi shumën e këmbimit. Sa? Tetë për qind? Po këtu asnjëherë nuk më kanë marrë komision! Përse ju e bëni këtë? Kjo është vjedhje… e dokumentuar, flet gati përçart, duke çuar sytë nga kuponi tek shitësja e nga shitësja tek tabela e këmbimeve.

Zonja e ftohtë dhe fjalëpakë, e stërvitur nga përvoja, i përgjigjet qetë. Zotëri, mos flisni kot. E keni të shënuar në tabelë që ka tetë për qind komision, madje edhe tek kuponi që ju dhashë. Si the zonjë? Është e shkruar, ja ta verifikojmë… Në fakt, është e shkruar, si në tabelë (në fund fare, ku shikimi nuk shkon automatikisht), ashtu edhe tek kuponi i këmbimit. I hutuar fillojnë t’i firojnë fjalët e zëri sikur i fiket. Nuk më duket e ndershme…, ma hodhët… ju më thatë se këmbimi ishte i favorshëm… Po ju nuk më pyetët për komisionin, ia kthen me profesionalizëm vajza tek sporteli. Pastaj ligji lejon deri në 12% komision, pra ne jemi brenda.

Emigranti del nga dyqani duke mërmëritur me vete. Ecën i menduar pa parë majtas e djathtas vitrinat me ngjyra të kryeqytetit. Por nuk i vjen inat për humbjen e atyre pak eurove, e ka inatin me mekanizmin e përdorur për t’ia hedhur tjetrit. E kupton që është e ligjshme, e kupton se e ka fajin vetë që nuk e lexoi mirë fjalën “komision”, sikundër e kupton që kjo metodë funksionon pikërisht se shumica e agjencive të këmbimit nuk aplikojnë komision. Është ky mekanizëm automatik që e bën klientin të mos pyesë për komisionin dhe sasinë e tij, është pikërisht ky mekanizëm që u jep mundësinë disa agjencive t’i rrisin nominalisht kurset e këmbimit si karrem për të zhvatur klientin nëpërmjet komisionit.

Por inati i shndërrohet në trishtim kur i kujtohen turistët e huaj që mashtrohen, me dredhi legale ose jo, nëpër kryeqytete të tjera europiane. Tamam ata që i ka parë me keqardhje në qytetin perëndimor ku jeton, por i ka konsideruar naivë e leshko. Ja pra tani, cili është naivi në këtë rast? E trishtimi e mbërthen keqas kur kujtohet se Tirana nuk është e panjohur për të, është vendlindja, ku ka folur shqipen dhe ka lexuar abetaren, ku ka luajtur në fëmijëri dhe ka studiuar gjatë, ku ka bredhur nëpër rrugica e është dashuruar marrëzisht. E një lëmsh i vjen befas në fyt, kur ndjen se diçka ka ndryshuar mes qytetit dhe vetes. Mos vallë po bëhet i huaj për qytetin e tij? Apo është qyteti që po bëhet i huaj për të?

Nuk ka komente

  1. Ne fakt ka qene nje agjensi e kembimit valutor tek rruga e Kavajes (rreth 100 metra me poshte xhamise) qe i bente keto marifete “ligjore”. Nese e ke fjalen per kete, kam pershtypjen se duhet te jete unikale ne Shqiperi.

  2. Sot janë këta kopilat e këmbimit, dje ishin ata “vipat” e ndërtimit, që solli PNH, që preferojnë t’i lenë apartamentet e boshatisura dhe kapitalet të vdekura për vite rresht, sepse “kanë fituar mirë më parë”, në vend që të çlirojnë kapitalin dhe ta përdorin në veprimtari më produktive. Para ca javësh ishin ata hotelxhinjtë e Jugut. Varianti shqiptar i kapitalizmit, as më pak, as më shumë.

    Pishak,
    meqë jemi në kohë të Facebook-ut, nxirrja një foto agjensisë aty, bashkë me emrin, adresën dhe një diçiturë të “përshtatshme”. Jo se do të të kthehen gjë paret, as se do të ndryshosh ndonjë gjë te puna e matrapazëve, po të paktën atë që e ke në dorë, pse të mos e bësh, kur të sillen kështu.

    1. Në fakt qëllimi kryesor i shkrimit nuk ishte denoncimi i fenomenit të komisionit të këmbimit, por nëpërmjet tij të reflektonte rreth raportit të emigrantit me vendlindjen.
      Me botimin e fotografisë/fotografive në facebook nuk nxjerr gjë në dritë, sepse dyqanin e mbyllin në çast dhe e hapin diku më tutje, madje me ngjyra më të bukura. Por këshilla ime do të ishte kjo: sa herë që shikoni kurse këmbimi “fantastike” ose “shumë të mira”, kini kujdes se e kanë “me të futme”.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin