“EKSODI” I TË MITURVE

Problemi i të miturve shqiptarë të pashoqëruar në Itali po bëhet gjithnjë e më i mprehtë. Para disa kohësh, diskutuam për këtë çështje, por situata po rëndohet, çka nuk përbën të vetmen risi.

Krahina Emilia Romanja njofton se është zhvilluar një takim i jashtëzakonshëm midis asesorëve kompetentë të komunave kryesore. Alarmi për “dukurinë e braktisjeve të të miturve shqiptarë”, siç thotë njoftimi zyrtar, po shtohet edhe më tepër. Në qendër të vëmendjes janë të miturit shqiptarë që shkojnë në Itali me vizë turistike, por pastaj mbeten në strukturat krahinore të shërbimit, ku mund të qëndrojnë e të ndjekin shkollën.

Që kjo është një mënyrë për të siguruar qëndrim të rregullt, shkollë e shërbime të tjera, e kanë kuptuar qartë edhe autoritetet italiane, të cilat e dinë tashmë se të miturit, pavarësisht se futen në programin e të miturve të pashoqëruar, i kanë familjet e të afërmit në Shqipëri ose në Itali.

Shifrat janë përnjëmend shqetësuese. 11,9% e të gjithë të miturve të pashoqëruar në Itali janë shqiptarë. Saktësisht 1.159. Kurse në krahinën në fjalë, të miturit shqiptarë përbëjnë 63,7% të numrit të përgjithshëm. Praktikisht Emilia Romanja strehon një të tretën e të gjithë të miturve shqiptarë të pashoqëruar që jetojnë në Itali. Më pas vjen krahina e Toskanës.

Qëndrimi i krahinës Emilia Romanja është shumë i qartë. Zv/presidentja dhe aksesorja e welfare, Gualmini, nuk ka dyshime: “Bëhet fjalë për braktisje të vërtetë të të miturve nga ana e familjeve të veta, një shkelje e Konventës së Nju Jorkut për të drejtat e fëmijëve dhe një shmangie e pastër e normave dhe legalitetit”. Sipas zyrtares së lartë, kemi të bëjmë me një dukuri të pambajtshme nga ana e Komunave: “Nuk mund t’ua japim welfare-n tonë atyre që u bëjnë dredhi ligjeve, ose atyre që vijnë në Itali për të studiuar”.

Propozimet konkrete nuk mungojnë. Nga takimi urgjent i lartpërmendur kërkohen disa masa që kanë të bëjnë me bashkërendimin e punës së institucioneve vendore e qendrore, por edhe ligje të reja për të përballuar situatën. Së fundi, në mënyrë fare të qartë, kërkohen “veprime të reja e incizive ndaj qeverisë shqiptare dhe ndaj komunave prej ku nisen flukset e të miturve, nga ana e krahinës dhe qeverisë kombëtare, në mënyrë që të gjenden marrëveshje alternative ndaj ikjes masive drejt Emilia Romanja-s” (njoftimi i datës 1.12.2015 këtu).

Për herë të parë kërkohen kaq hapur veprime energjike ndaj qeverisë shqiptare e për herë të parë po flitet për të miturit me termat eksplicitë “flukse”, apo “ikje masive”. Për pak, rrezik të përdoren fjalë edhe më mbresëlënëse. Nuk ka dyshim se situata është bërë tejet shqetësuese. E tregojnë, gjithashtu, numrat në rritje. Ndërkohë nga institucionet shqiptare nuk duket se po fillon ndonjë nismë serioze për ta zgjidhur problemin e të miturve të pashoqëruar, madje nuk po konsiderohet as edhe si simptomë e ndonjë sëmundjeje edhe më të rëndë sociale.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin