AURA E SHAMANIT

Shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur
(Mateu 22:14)

Si pasojë e korruptimit të marrëdhënieve ndërnjerëzore nga interesat politike dhe ekonomike, zhvillimet teknologjike e globalizimi, etj., modeli psiqik i perceptimit dhe simbolika e arketipit, veçanërisht e “shamanit” (C.G. Jung) në shoqërinë shqiptare po zhduket nga procesi ynë i të menduarit. Në vazhdën e humbjes së besimit ndaj njeriut, ndaj klasës politike dhe ndaj institucioneve shtetërore, shoqëria shqiptare, po zhvleftëson njëkohësisht edhe rolin e veçantë të shamanit (medicine man), apo siç quhet ndryshe “njeriu i mirë/i shenjtë”, ndërmjetësit të botëve.

Përveç kanosjes për ushtrim dhune, pushteti i shtetit normalisht duhet të jetë i rrethuar nga një aurë “mirësie” apo “shenjtërie”. Kjo aurë jo pak herë i vishet një individi. “Mirësia” e shamanit qëndron pikërisht tek fakti se ai ekziston mbi interesat tokësore e ekonomike të vetes, cilësi që etika ja përcakton edhe politikanëve. Si do do të ishte nëse veprimtaria e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berishës, të interpretohej në këto terma (në PTF është komentuar mbi bindjet fetare të Berishës).

Ashtu si dikur C. G. Jung fliste për Hitlerin, pa dyshim që Sali Berisha bën pjesë në njerëzit mistikë (Medizinmann), “njerëzit e mirë”. Fiziku i tij nuk përçon mesazhin e një force të madhe, por veçoria e fizionomisë e tij qëndron tek vështrimi i tij. Vështrimi i tij është ëndërrimtar, vizionar, profetik. Kjo karakteristikë e tij prej “njeriu të mirë” (shamani që këtej e tutje) shpjegon më së miri veprimet e tij që ne na duken jologjike, të pashpjegueshme dhe të paarsyeshme. Sali Berisha është një instrument shpirtëror, një gjysëm-perëndi, një mit. (Përfitoj nga rasti t’i lutem Kryegjykatës Botërore Bektashiane ta gjykojë me përparësi rastin për shenjtërimin e Sali Berishës.)

Lexoni këtë përshpërimë profetike “.. dua t’i them dy fjalë zotit Rama: të gjithë shqiptaret kudo që janë, kanë së paku 2 rrugë; njëra është rruga e Zotit dhe mjerë ai që kujton se mund t’ua zërë, mund t’ua pushtojë rrugën e Zotit besimtarëve të tij. Tjetra është rruga e lirisë, rruga që na bën ne të mundur që të zgjedhim atë ç’ka besojmë dhe mendojmë se dimë dhe mund të bëjme më mirë, atë që ne na duhet, që na shërben, që nga zhvillon, që na përparon. Kurse ajo që ofron shoku apo zotëria, është rruga e vetmisë, rruga pa kthim.”

Kjo frazë i është drejtuar njëkohësisht disa audiencave. Popullit dhe kryetarit të opozitës, Edi Ramës. Në traditën e shamanit, Berisha e mallkon Edi Ramën me vetmi të përjetshme. Ç’hir vërtetësie mbartin këto fjalë!

A nuk gjendet Rama tani i kapluar nga vetmia? I kthyer nga bota virtuale mllefon e hedh vrer për zhgënjimet në partinë e tij. Rri në krye të saj, por nuk i prin. Si një dash këmbore pa tufë. Tringëllon këmborën virtuale nëpër blogje, e blegëron nëpër televizione, por askush nuk e ndjek. Një parti e urryer, e cila teksa teatron kundërshtimin e ligjit e plehrave në parlament, e miraton atë nga dera e pasme duke mbajtur kourumin. Një parti e ngulfatur nga kriminelë, të cilëve Rama u duhet t’u shtrijë dorën për financat e partisë (popullore? apo elitare?). Kush dreqin e udhëheq atë tufë? Për ku? Tufë e xhindosur.

Në traditën e mirë të shamanit, Berisha, përveç rolit të profetit e të orakullit, ka edhe atë të ekzorcistit: të shkulë demonët, shpirtërat e djallosur të ambicies për pushtet politik, nga çdo shqiptar i mirë a i keq. Ai ka zbythur me qindra mëtues nga froni i kryesisë së Partisë Demokratike dhe zbuar F. Nanon. Gjuetar i vërtetë shtrigash, ka përndjekur deri në harresë totale politike dhjetra të tjerë, nga D. Shehu tek A. Biberaj. Shaman i vërtetë, ka dërguar edhe sjellë shpirtëra nga bota e përtejme e harresës politike (G. Pollon, N. Cekën, A. Imamin etj.).

Shko o Berishë nga tufa e xhindosur e PS-së, largoji xhindet nga shpirtrat e korruptuar! Thotë: “Opozita po kalon nga rruga e vetmisë në rrugën e normalitetit.

Shamani është fatsjellës për gjueti tokash, zhvatje pronash e para publike. Bekimi i tij është leje, pa është fat. Përndryshe shamani është artist, poet e këngëtar.

E tani kërkon t’ia shpëtojë shpirtin edhe Edi Ramës. Thotë: “Edi Rama ka zgjedhur alternativën e rrugës së vetmisë dhe çdo ditë po rend me turravrap drejt shtëpisë së harresës politike“.

Njerëzit e korruptuar ose imitohen, ose urrehen (Montagne, “Mbi vetminë”). Mos vallë vetmia vlen më shumë për Ramën! A mund të udhëtosh në det me një tufë njerëzish të pështirë, blasfemues o të tjerë famëkeq, të cilët nuk sjellin vetëm se fat të keq për udhëtarët (Montagne)? Artikujt po i shpëtojnë shpirtin (Ciceroni: do të fitoj shpirtin duke iu kthyer vetmisë dhe qetësisë, për të fituar përjetësinë nëpërmjet shkrimeve –Montagne). A do të kthehet prapë? Thotë: Rruga e vetme të çon vetëm në banesën e vetmisë dhe ajo është rruga pa kthim.

Për të realizuar të gjitha këto funksione shamanit i duhet të dalë nga gjendja normale shpirtërore, të kalojë në ekstazë, në trance. Sa herë e kemi parë përpara turmave këtë shaman në një ekstazë të vërtetë, këtë mjeshtër të trance-it të thurrë poezi e fraza legjendare. Ato mesazhe nuk mund t’i përçonte përvetëm se nga rrafshet kozmike e universale të qënies.

Shamanët përjetojnë vizione profetike dhe halucinacione. Shamani ynë përjeton të tilla gjithashtu. Sidomos halucinacione: njerëz që duan t’i rrëmbejnë pushtetin me çadra-pistoletë, “armiq” brenda PD-së që e sulmojnë, Shqipëri që tejkalon edhe Gjermaninë për prodhimin e brendshëm bruto. Për shamanin tonë mesazhi nuk është i qartë, janë vizione profetike për të ardhmen apo halucionacione të së tashmes.

Procesi i përcaktimit/thirrjes së shamanit përbëhet nga tre elemente: sëmundja e shamanit, ëndërrat dhe ekstazat. Sëmundja e shamanit është “shpërbërja” e tij, copëtimi, deri në thërmimin e skeletit, proces që ndërkohë vëzhgohet nga ai vetë. Nga jashtë shamani në këtë fazë duket i vdekur, ka kriza, përjeton ekstaza dhe vizione. Në këtë fazë shkon në botën e përtejme, ku takon shpirtërat e vdekur të kolegëve, të sëmurët e tjerë dhe zotin e çmendurisë së madhe. Shpirtërat e shamanëve të vdekur e rigjenerojnë dhe farkëtojnë me organe të reja. Më pas vjen udhëtimi qiellor e kozmik, dhe së fundmi kthimi në tokë për t’iu përgjigjur thirrjes. Në ëndërrat dhe vizionet e tij ai sheh shoqërinë njerëzore dhe atë shpirtërore. Në ekstazë ai del nga ndërgjegja e të qënit zgjuar dhe ka aftësi të sjellë apo të largojë shpirtëra. Është sëmundja e tij dhe procesi i shërimit njëkohësisht, të cilat e bëjnë atë shërues për sëmundjet e të tjerëve. Procesi i shërimit të vetes e shndërron atë në kurues.

Shamani ynë gjithashtu i ka përjetuar këto elemente. Ai i ka takuar edhe për së gjalli disa prej shamanëve më të famshëm: E. Hoxhën, M. Shehun, I. Kadarenë etj. Është farkëtuar i tillë nga këta. Nuk di për udhëtimin në qiell, por nëse i vdekja dhe ringjallja i është dashur për thirrjen, me siguri që e ka kryer. E me qindra shpirtra ka dërguar në të përtejmen e sjellë nga bota e ish-sigurimsave të shtetit, në partinë e tij. Ai shërohet duke kuruar këtë popull nga ambiciet për pushtet demokratik.

Përtej interpretimit mitologjik, forca shëruese e shamanit qëndron në aftësitë e tij sugjestionuese. Shamani përdor forcën e simboleve, ritualet dhe besimin. Të njëjtat efekte i ka edhe terapia nëpërmjet hipnozës. Nëpërnjet statusit të tij dhe besimit, shamani zgjon tek pacienti forcat shëruese të ndenjave dhe qëndrimeve, siguri e shpresë.

Shamani ynë është një psikoanalist i mirë i këtij kombi, një sugjestionues i zoti. E ka sugjestionuar këtë komb se nuk mund ta heqin, as me hir e as me pahir, se nuk mund t’i bëjnë gjë, se është në traditën e shamanizmit shqiptar të kenë të tillë njerëz e se lipset të kurohet nga sëmundje të tilla si dëshira për demokraci, shtet të së drejtës, mirëqënie ekonomike e të tjera vuajtje e kusure shoqërore.

Nuk ka komente

  1. Kapedani,
    Jo keq ky shkrim. Ne pergjithesi, gjerat qe thua ti, qendrojne.

    Por sikur te germojme pak se pse eshte keshtu siç thua ti, do te duhet te ringjiteshim ne vitin 1991, ku ka ndodhur (per mua), ngjarja e cila ka vulosur 20 vjet zallamahi demokratike.

    Kjo ngjarje eshte Kongresi i 10 i PPSH. Ketu kemi qene te pranishem ne “vdekjen” e pretenduar te nje partie dhe ne lindjen po aq te pretenduar te nje partie tjeter.

    Me 10 qershor (mos gabofsha) 1991, ka ndodhur nje maskarade e tille : shoku Fatos Nano ka deklaruar se partia e tij nuk do te ishte me ajo partia e punes 50 vjeçare, porse nje parti socialiste europiane, e blah blah blah…

    (OK, po e le ketu, do ta vazhdoj me vone, me bezdis tmerresisht kjo fusha e wordpressit, nganjehere behet e pazoterueshme dhe nuk shoh fare se ç’gabime bej ne te (gabime drejtshkrimi). Ndjese. Me vone, shpresoj.

  2. Shamani – sic e quan ti – per mua eshte me shume misherim fatzi i shqiptarit si Lolo i vetvetes, ne nje skene ku nuk di te luaje rol tjeter pervec atij te gastorit. Dhe mire ben, se ndryshe do diilte lakuriq dhe me force vrasese, apo revolucionare po te pelqen, depresioni yne i plote. Shamani beson minimalisht te forca e vetes, ka nje minimum urtie dhe di dikur te heshte. Shamani ka edhe dinjitetin qe e ndan nga tufa – se turma vdiq ne kete vend. Shamani terheq mbi vete pyetjet e shumekujt per t’iu dhene nje pergjigje. Shoqeria jone nuk ka pyetje per te bere, nuk ka dilema morale sepse eshte zbrazur teresisht prej tyre, pasi sheh kah ekzistenca e vetes pa kerkuar te formesoje veten. Ne cod vend qe ka krize, lindin protestat, ne atdheun tone dalin dhe vjedhin.
    Shamani minimalisht do te duhej te perfaqesonte dhe legjitimonte ndergjegjen kritike edhe ne keto kohe te erreta; ne fakt ajo nuk ekziston pervecse si mohim. Vetepercaktimi prej loloje, eshte ndoshta e vetmja urti e ketij, talenti qe perqesh manine per te hyre ne epikisht ne histori, per t’u krahasuar edhe me ligesi me te famshmit e kesaj bote. Populli, nga te gjitha anet, dhe me te gjitha format, sheh cdo darke, ate qe ai ne fakt edhe e pret qe nga mengjesi; parodine e radhes, teatrin e nje elite qe ka si kontekst zhelen morale ku edhe eshte strehuar me se miri. Ketu ky shkelqen me cdo gje – shikimi i tij profetik nuk ka me asnje horizont, pse i duhet te beje te qeshe nje popull te tere. Humori eshte kurth i rende; te duhet te persosesh anektoden, ta hollosh ate. Ajo eshte kalimtare, ajo cenon integritetin e cdo momenti, qe mund te fitoje statusin e Historise. Nese kjo na ben angleze sadopak, shamani ja hodhi, na coi afer perendimit. Eshte marre me cdo gje ; telendari me i madh ne Ballkan. Qe nga familjet dhe dashnoret e deputeteve dhe gazetareve e deri tek amaneti i babait te tij qe “ta doje popullin e Kuvajtit”. Nuk te vjen te qeshesh? Jepi kenaqesi vetes, por edhe ketij Shamanit konfirmoji suksesin e vertete politik; Loloja do nje buzeqeshje qe t’ja dale edhe per neser. Padyshim, ky eshte Loloja me i paguar ne histori; ai qeveris me ane te vjedhjes nje vend te tere. Enveri, ishte nje Lolo ne sens tragjik per ne dhe ndaj nuk qeshim dot. Ose qeshim hidhur. Me kete mund te qeshesh. t’ja falesh edhe nje vote. Lere qe ta shtyje edhe nje mandat. Fundja ky eshte i vetmi vend ku edhe kur je kryeminister nuk di nga ta shtysh; ja me thuaj ti mua-cfare do beje neser ky? Se edhe ullinjte dhe arroret duan kohe te rriten.
    Dhe eshte i legjitimuar plotesisht ne kete qe konsiderohet si Zotesi e madhe, pse ketu eshte edhe misherimi i tij si copez e realizuar e ambicies se cdo individi te ketij vendi.
    Ky Lolo, qe ti i thua Shaman nuk sugjestionon njeri, fare, jo me te pakten. Ai thjesht blen, blen dhe korrupton. Kercenon dhe shantazhon; ti japesh doren atij, qofsh me i uleti, behesh pis, do te duhej te pakten te beheshe pis. Ne fakt ky eshte akt integrimi ne tavolinen e llumit, e pare me smire dhe zili nga nje mase e tere qe nuk di si ta lexosh. Fitoret e ketij Shamani, nuk jane tolerance e nje populli, sugjestionim i tij, por shkembimi me amoral qe nje shoqeri ben brenda vetes; Ji i pari, por do dalesh te te tall sa here te dua une. Ji budalla dhe injorant, do dalesh ne krye, por duke qene perhere i tille. Nje shoqeri qe ka zhgraduar veten teresisht nga deshira per te ndertuar hierarki te vertete; thjesht pranon kete qe ka pse neser nuk ka krize pendese, edhe po e dogji serish vendin. Fundja e keqja eshte aty me perkufizim. Shqiperia eshte vendi me i bukur ne bote (jo e bukura e Dheut se mos ma merr per shamanierizem ti), por asaj nuk i kane lezet shqiptaret. E ketyre te fundit nuk u ka lezet asgje, vec vetes. Fundja e gjitha kjo ka dicka prej antikitetit, edhe pse si karikature.
    Ah, se harrova: Pse nuk e krahason ti kete me rapsodin? Ndoshta i pelqen me shume ketij. Jo per gje, por sic tha njehere ne konference per shtyp ne nje theks te thekshem prej loloje; Une navigoj.
    PS: Edi Rama! Je ne vete? Ai eshte cirak, njeri pa hije.

    1. Ne fakt une do te vija me shume Edin ne rolin e Lolos. Se ai po e sfidon pushtetin e Shamanit.

  3. E gjithe çeshtja eshte se ku duhet ta fusim PPSH-ne, ne ç’kategori. Dhe ketu, po te shfletojme historine e 50 vjeteve te saj, del e qarte se kjo parti ishte nje parti kriminale. Si e tille, ajo duhet te kishte dale menjehere jashte ligjit, duhet te ishte shperndare, dhe kreret e saj, jo vetem ata qendrore, por edhe sekretaret e rretheve duhet te kishin kaluar para gjyqit per krime. Te gjithe sekretaret e rretheve, pa perjashtim, kane firmosur me doren e tyre te pakten internimet, qe pavaresisht ligjeve te kohes, jane kriminale.

    Le te ringjitemi edhe pak ne fillin e viteve : 1945. NSDAP, partia naziste e Adolf Hitlerit, shperbehet dhe del jashte ligjit me vendim te forcave pushtuese (anglo-amerikane). Qellimi : i thjeshte fare : nje parti kriminale, e dokumentuar.

    Tani, çeshtja eshte ketu : shume historiane mendojne se nazizmi dhe komunizmi ishte dy ane te se njejtes medalje. Dhe kane te drejte : miliona viktima te vrare per nje ide : i pari per nje ide racore, i dyti per nje ide klasore.

    Nga ketej, une nuk e shoh me arsyen e mbajtjes ne kembe te PPSH-se se 91-it. Mirepo, ne qershorin e famshem, brenda nates, mijera kriminele u shnderruan ne socialiste europiane, pa ferren me te vogel. Kjo eshte gjeja e pare qe ka shkallmuar njehere e mire shpresat per nje paqtim te vendit. Nuk ka pase asnje gjase qe Gjermania te denazifikohej pa nxjerrjen jashte ligjit te NSDAP-it dhe varjen e tere hierarkise me te larte. Plus asaj, llogaritet te jene ekzekutuar (kryesisht me varje) rreth 700 SS qe ishin qe te gjithe anetare te Partise naziste ne sherbimet policore te ushtrise.

    Ne rastin shqiptar, asgje nga e tere kjo. Sinjali ishte tashme i qarte : 50 vjet vuajtje, krime, tortura, te tretura per nje pasdite qershori. Nje shoqeri s’mund te funksionoje keshtu, eshte e pamundur. Pa bere paqe me veten, qe do te thote : pa ndeshkim te krimit, nuk do te kete kurrfare qetesie ne Shqiperi.

    Nje parti kriminale, e perbere (te pakten ne krye te saj) nga kriminele te famshem (Enver Hoxha i pari), arrin qe pas ca vitesh te pretendoje serish pushtetin. Ketu ka vend per t’u ndalur e per te reflektuar me dite e nete. Si mund te kerkoje dikush paqe te vendit, kur nje parti e zhytur ne krim kerkon dhe merr (me te gjitha menyrat) pushtetin ?

    E pikerisht, ketu hyn ne skene shamani yne. Sepse Berisha, pavaresisht te metave te tij te dukshme, i perket nje krahu qe, duam s’duam ne, u gjenden ne thirrjen e historise me 1990. Ne kete thirrje nuk u gjet as Ramiz Alia si kriminel qe ishte, as Aranit Cela si kryekriminel i poshter. Por u gjeten disa te tjere, oportuniste apo si te doni quajini, qe te pakten nuk ishin ne anen e krimit. E si mund te qortosh tani daljen e nje emri çfaredo kunder krimineleve dhe xhelateve fizike e reale, qe njiheshin me emer e mbiemer ?

    Eshte e qarte : shpresat e atyre qe ishin gjendur nga ana e viktimave, u zhgenjyen nga demokratet e rinj te cilet asokohe nuk arriten ta kuptonin se sa e rendesishme ishte ruajtja e paster e moralit, dmth nuk moren masa te rrepta per shkrirjen e PPSH. Mund te thote dikush, e bene sepse ishin vete ne te. Sigurisht, ka pasur qellime perfitimi e shperdorimi sa te duash, por pasojat e sotme keto jane: sot kemi nje parti trashegimtare kriminelesh qe acaron e tundon e fiton madje vota te llahtarshme dhe krijon nje çrregullim publik qe prej 20 vjetesh. Ne fakt, luftrat politike pas 1991-it, normalisht duhet te ishin zhvilluar mes disa forcave politike antikomuniste (nenkupto : antikriminale), dhe vetem pas disa vitesh, nje e majte vertet socialiste te vinte me ndrojtje per t’u futur ne loje.

    Deri me sot, ende asnje udheheqes i partise socialiste nuk eshte prononcuar mbi nje ndarje te qarte, pa ekuivoke, pa “por…”, nga periudha kriminale e 45-90. Eshte per te vene duart ne koke qe nje parti e tille pretendon te marre pushtetin. Kjo parti numeron ende ne radhet e saj kontingjentin me te madh te krimineleve te komunizmit – ish-oficere, ish-hetues, ish-sekretare te pare. Sigurisht qe nje pjese e mire ka mundur te depertoje ne partite e tjera te djathta, te cilat edhe keto kane humbur nje elektorat te mire per shkak te ketyre anomalive. Megjithate, e majta shqiptare mbetet ende sot piketakimi me i madh i ketij kontigjenti.

    Keshtu eshte krimbi dhe krimi ne jeten politike shqiptare. Dhe me sa shoh une, ska asnje gjase te dilet nga kjo, perpos fshirjes njehere e mire te te gjithe krereve te ish-regjimit nga funksionet zyrtare. Viktima e djeshme nuk mund te paguaje ende me taksat e veta gjykatesin apo prokurorin apo xhelatin e burgut. Dhe pikerisht kjo tallje ka bere qe politika sot ne Shqiperi ka arritur ne shkallen me te keqe dhe ne mosbesimin me te madh nga ana e votuesve.

    Gjithsesi, shamani ka arritur te ngulitet aty ku eshte pikerisht ngaqe perballe ka pasur krere te regjimit te vjeter, sepse ne rast se politika jone do te kishte kryer eksperimentin gjerman te pasluftes, e sigurte se funderrinat (te pakten ne pjesen me te madhe) do te kishin mbetur ne kulluese (ashtu si ne Gjermani qe kane shpetuar mjaft naziste dhe depertuar ne poste drejtuese pasluftes).

    1. Ehe… komentet e tua në këtë fill, edhe pse me vlerë në vetvete dhe të rëndësishme për çështjet që ngrenë, nuk kanë lidhje me shkrimin e Kapedanit. Të lutem, komento për temën, dhe mos e shfrytëzo këtë hapësirë për të hedhur pikëpamjet e tua për rruzullimin. Nëse dëshiron të shkruash për blogun, më lajmëro dhe ma dërgo shkrimin që ta nxjerrim. Por në komentet duhet respektuar autori i shkrimit kryesor, duke ia ndjekur temën dhe fillin e argumentit.

      1. Nejse, por ka pasur nje marreveshje ndermjet te rinjve dhe te vjeterve, largimi pa zhurm nuk do te sillte pasoja per asnjeren palen.
        Shamani e perdor ligjin mbi lustracionin vetem per shantaz ndaj gjyqesorit dhe prokurorise. Me sukses! Sa here qe eshte kercenuar ka inicuar ligjin mbi lustracionin.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin