KOSTA

Publiku shqiptar, pa përmendur autoritetet, duket se është tronditur thellë nga vdekja e Kosta Trebickës, dëshmitarit “të artë” të skandalit madhor të shitjes së armatimeve dhe municioneve të vjetra të ushtrisë shqiptare.

Le ta riformuloj: mediat shqiptare edhe një herë tjetër janë treguar në lartësinë e duhur, për ta tronditur dhe hutuar publikun e tyre me vdekjen e Kosta Trebickës, këtij njeriu të cilin ato vetë e ngjitën dhe e mbajtën në skenë për muaj me radhë, kryesisht me shpresë se dëshmia e tij do t’ia jepte goditjen përfundimtare pushtetit të kryeministrit Berisha.

Ja edhe një riformulim tjetër: mediat shqiptare përsëri dështuan bujshëm, në përpjekjet e tyre amatoreske dhe sentimentale për të krijuar heronj nga balta e jetës së sotme publike shqiptare.

Me Kosta Trebickën kam qenë shok fëminie, madje jemi rritur bashkë. Ishim të dy nxënës të “Avni Rustemit”, të dy në një klasë në fillore dhe pastaj në klasa të ndryshme më tej. E kujtoj me mall, atë dhe të jëmën e tij shumë të dashur dhe gjithnjë pak të trishtuar; me sa mbaj mend, s’kish shumë që i kishte vdekur i jati. Kujtoj si sorrollateshim në mëhallë pa kurfarrë synimi, ose si luanim me cingla ose tek oborri i shkollës, ngriva-shkriva ose tek trari i ekuilibrit ose edhe një lojë tjetër, pak të ashpër, që ne atëherë e quanim “me paralele”.

Më vonë shkuam në shkolla të mesme të ndryshme; shumë vite më vonë mbaj mend ta kem parë në rrugë çuditërisht të veshur polic, dhe më pas të kem dëgjuar që punonte hetues ose diçka tjetër në organet e rendit.

Ky ishte Kosta që mbaj mend unë: i dashur, i butë, i qetë, zemërmirë.

Pas kësaj, u habita pak kur ia pashë Kostës emrin dhe më pas fytyrën në faqe të parë të gazetave, si dhe kur dëgjova regjistrimin telefonik që kish bërë me tregtarin amerikan të armëve Diverolin; sepse nuk arrija dot të vendosja një lidhje të arsyeshme midis kujtimit tim për atë shok fëminije, me këtë tjetrin, që prezantohej nga mediat si “businessman”, por pa saktësuar kurrë se cili ishte pikërisht aktiviteti ose specialiteti i tij; por që merrej, për fat të keq, edhe me një tregti të dyshimtë armatimesh e fishekësh, duke i “ripaketuar” (termi vetë tingëllon tepër i dyshimtë).

Dhe jo vetëm kaq. Kosta tani i thoshte vetë partnerit Diveroli në regjistrimin e zbardhur (cituar sipas versionit në “Panorama”):

Sipas gjasave unë do të ftohem në Uashington DC nga zyrtarë të CIA-s dhe nga disa miq të mi atje…

Çka të linte të kuptoje se ishte fjala për dikë me lidhjet dhe kontaktet e duhura, të padukshme për publikun, por të detyrueshme për këdo që kishte marrë më sy të dërgonte fishekë të kalbur në zona lufte dhe vdekjeje, për qëllime pasurimi vetjak.

Lexoja edhe më tej, këtë herë fjalët e Diverolit:

Pse nuk shkon t’ia puthësh bythën edhe një herë atij Pinarit, tani. Telefonoje, lutju, puthe, bëj ç’të duash. Dërgo njërën nga vajzat e tua që ta q***. Ta bëjmë atë të lumtur. Ndoshta ai do të të japë një tjetër mundësi që ta bësh këtë punë. Si thua? Mbase ai nuk është i organizuar, mbase do të nervozohet – (duke folur si të ishte Pinari). Ti e di, nëse nuk e marr këtë punë, pastaj do ta humbas biznesin e municioneve. Mbase ne mund të luajmë me atë që ai ka frikë. Hajde Pinari, më jep edhe një shans tjetër. Jepini atij para, futini diçka në xhep… Dhe ai nuk do të marrë shumë. Nëse merr $ 20.000 nga ty.

Vajzat e tua? Pse vallë e trajtonte Diveroli Kostën si korruptues dhe proksenet të rëndomtë? Dhe nëse ishte vërtet ashtu, ku e gjente kurajon miku im i fëminisë që të lejonte bërjen publike të këtyre pisllëqeve, të cilat madje i kishte regjistruar vetë me telefonin legjendar “Nokia”? Apo vallë të jesh “businessman” sot në Shqipëri e parakupton dhe e kërkon amoralitetin, madje e konsideron si kredencial të mjaftueshëm?

Lexoj pastaj një insinuatë të Kastriot Myftarajt te gazeta “Sot”, i cili shkruan:

Kosta Trebicka është pronari i një parukerie që gjendet pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë, dhe ku shërbejnë disa vajza filipinase. Sipas atyre që thonë Kosta Trebicka dhe Efraim Diveroli në bisedën e përgjuar të tyre, del se në fakt parukeria e Kosta Trebickës ka qenë mënyra se si kamuflohej një bordell.

Fjalë të rënda, ndoshta të tepruara dhe pa vend, por që mua përsëri më kujtojnë “vajzat” që duhej t’i blatonte Trebicka Pinarit, sipas këshillës praktike të Diverolit.

Më në fund, përpiqem të kuptoj diçka nga dinamika e aksidentit, ashtu siç u rindërtua prej mediave – Kosta që merr rrugën i vetëm në malësinë e Korçës, për të gjuajtur shapka; një telefonatë enigmatike nga dikush që e kërkon për t’u takuar diku; makina fuoristrada së cilës i zoti ia ka ndërruar ngjyrën pak javë më parë; regjistrimi në hotel me emrin e rremë Artan; një person i panjohur, i cili edhe ka qenë edhe nuk ka qenë me të atë natë në Voskopojë; dilemat e interpretimit nëse ka ndodhur vrasje apo aksident; farsa e deklaratave prej politikanëve, të cilët në të vërtetë duhej të kishin ndenjur larg kësaj fatkeqësie; përhapja e qëllimshme e virusit mediatik: “e ka vrarë Berisha”; krahasimi me vrasje të tjera politike, që nga Azem Hajdari te JFK; përshkrimet e pështjelluara që i bën policia aksidentit, të cilat nuk di pse më kujtojnë gjuhën veshtullore të patentave për shpikje. Të gjitha këto më lexohen si një roman i keq spiunazhi, të cilin do ta kisha lënë përgjysmë, sepse të gjitha ngjarjet u referohen klisheve të zhanrit dhe vetë romanit faqet e fundit i mungojnë, dhe i mungojnë sepse nuk i janë shkruar ndonjëherë.

Më mbetet në mendje pamja e trupit të pajetë të Kostës, të shtrirë në rrugë, si i shembur përfundimisht përdhe nga trysnia e ngjarjeve që ndoshta i kishin dalë nga kontrolli.

Vdekja është reale, e shpon tej për tej pëlhurën e interpretimeve, meqë nuk mund të kthehet mbrapsht, as të rindërtohet si diçka tjetër, ose të riformulohet si dëshmia e dytë në gjyq e një qyqari të rrahur gjatë fazës së hetimit.

Hidhërimin nuk më le ta përjetoj në qetësi një shkrim i kotë retorik në gazetën “Shqip”:

Qysh në moshë të re shquhet për idetë e tij me kahje demokratike dhe, sa jetoi, dëshiroi të jetë një qytetar i lirë dhe i pavarur, një prind i mirë për dy fëmijët e tij, një bashkëshort i dashur dhe një shok i pakrahasueshëm për të gjithë ata që e njohën, shtërnguan dorën me të, diskutuan për çështje të ndryshme dhe treguan sa shumë e deshën njeri-tjetrin.

Kosta i dashuroi me shpirt Tiranën, qytetin ku u lind dhe u rrit, rrugët e lagjes që e burrëruan, mëhallat e Nju Jorkut, ku jetoi për pak kohë dhe gjithë hapësirat e vendeve, ku ai bëri miq të shumtë nga e gjithë Bota.

Ai dashuroi pa fund hapësirat magjike të lirisë, u dha atyre pjesë nga zemra e tij e gjerë, dashuroi detin dhe pyjet, malet dhe tufat e pëllumbave, muzikën e Bitëllsave, muzikën e fortë të Rej Çarlzit, ëmbëlsinë e Dionit dhe zërin e artë të Vaçe Zelës.

Sikur të mos isha i vetëdijshëm për sentimentalizmin naiv me të cilin reagojnë mediat në raste të tilla vdekjesh kaq publike, aluzionet për “mëhallat e Nju Jorkut” dhe “miqtë e shumtë nga e gjithë Bota” do të kishin tingëlluar satirë therëse.

Nga ana tjetër, kurrë nuk di të jetë thënë me sinqeritet, për një tregtar fishekësh të vdekur a të vrarë, se “dashuroi detin dhe pyjet, malet dhe tufat e pëllumbave.”

Kujtimi bardhezi i fëmijës me të cilin nuk kemi lënë zift të rrugëve të Tiranës pa shkelur e top të çarë pesëdhjetsh pa shkelmuar; ripaketuesi i armatimit që e çan rrugën e business-it duke u dhuruar zyrtarëve vajza të njoma dhe dollarë; qytetari që gjithsesi guxoi të dalë publikisht për të denoncuar afera korruptive ndërshtetërore të cilave vdekëtarët nuk do të kishin guxuar as t’u afroheshin për kuriozitet; personazhi qendror i një romani policor të pambaruar; heroi i sforcuar, i ngjitur në piedestal me çengela si të thertores, për t’u përdorur edhe i vdekur për qëllime politike; trupi i pajetë në mes të rrugës në rrafshnaltë, duke dhënë shpirt i rrethuar nga shpend të vrarë dhe fytyra të panjohura, ndoshta indiferente.

Koha që kemi kaluar bashkë, në “Avni Rustemi”, më kërkon të përpiqem t’u gjej një emërues të përbashkët këtyre fragmenteve dhe imazheve të shkartisura; përtej emrit dhe portretit gdhendur në mermeret e faqeve të para të gazetave. Trajektorja e Kostës është trajektorja e një njeriu që ndoshta u përpoq të arrinte diçka duke e luajtur lojën sipas rregullave, edhe pse harroi të mbante parasysh që rregulli numër një për atë lloj loje është që nuk ka rregulla. Romanit të jetës së tij, sado të keq e sado të ngecur në klishetë e zhanrit, fundin ia shkruan mediat – me intriga dhe sentimentalizëm, me instrumentalizim politik dhe heroizim të shtirur.

Por duhet të jetë vërtet botë e keqe ajo që i merr njerëz si Kosta dhe i shpërbën dhunshëm në një varg marionetash të tilla, kontradiktore dhe të papajtueshme, personazhe romanesh me faqe të ndërkëmbyera, në emër të pasurimit, parasë, dollarit, vilave, business-it dhe rritjes personale. Për mua, një arsye më tepër që të mjaftohem me kujtimet dhe gjunjët e copëtuar të fëminisë, sado të retushuara dhe kitsch.

 

11 Komente

  1. Xhaxha, ne kete moment jam duke te dhene doren, ndonese une ketu ne rafshnalte, i rrethuar nga shpende qe presin te vriten dhe te njohur pa fytyra, ndersa ti atje larg, diku ne New Mehallat…

  2. Publiku shqiptar, pa përmendur autoritetet, duket se është tronditur thellë nga vdekja e Kosta Trebickës

    Mos deshe te thuash, mediat shqiptare… se “publiku” as qe e ka vra mendjen. Te pakten jo ktu ne Shqiperi. Nje harxhues oksigjeni me pak.

  3. Xha-Xha! Te pershendes dhe e quaj shkrimin tuaj jo vetem me te saktin, por edhe me te dhimbshmin e me seriozin. Jam kundra hamendesirave dhe subjektivizmave te semura, nga mediat dhe nga gazetare qe keto media i furnizojne me mall kallp.

  4. C’mund te behet per kete droge te shpifur te quajtur ‘media’ ne Shqiperi?

  5. Media e shpifur ose jo, nje gje po behet gjithmone e me e sigurte dita-dites. Qe ai popull ate media meriton, sikurse ate qeveri.
    Per vdekjen e Kostes, me duket teper e dyshimte per te qene nje vdekje aksidentale. Aq me teper ne nje moment kaq delikat te hetimeve te skandalt te armeve. Megjithate cdo gje ben vaki, doren ne zjarr se vej.

  6. shkruar bukur, me episode te zgjedhura e domethenese dhe me nje nentekst te gjalle…i shkova deri ne fund pa veshtiresi ketij postimi edhe pse i ndodhur nen “dhunen” e merzitshme mediatike qe pasoi kete ngjarje

  7. zhbirim inteligjent, me plot dhembshuri dinjitoze. Pak hukame femijerie per boten tone te eger dhe hipokrite.

  8. Xhaxha nuk e di a ke lejuar hapesire per te diskutuar me gjere mbi temen, pertej pervojes tende personale?! Por fundja njerzit ndryshojne, nganjeher nuk eshte makuteria ajo qe na ndryshon sesa rrjedha e jetes. Vone behet i ndergjegjshem njeriu per ndryshimet ne karakterin e tij, ato ndodhin gradualisht. Sot toleron qe nje vlere te shkelet, neser nje tjeter, pasneser je i detyruar te shkelesh me te dyja kembet edhe ate virtyt qe te ka ngelur etj. Varferia dhe mjerimi (i perceptuar ose real) eshte nje nga shkaterruesit e karakterit.

    Por a eshte problem (e ndershme) qe disa kerkojne te perfitojne kapital politik nga ngjarje te tilla? Ngjarja (Event) eshte nje shkak i mire per te treguar me gisht nga “problemi”, ose ajo qe nga disa perceptohet si i tille. Mediat duan te shesin gazetat (scoop), miku do qe te shkruaj dicka te mire (i ka henger dreken dhe pire kafen), kundershtari kerkon te hedhe me shume balte, dhe ndonje politikan mundohet te fshih cdo lidhje me te ndjerin apo miqte e tij, e nje tjeter kerkon te mobilizoj ate segment zgjedhesish nepermjet instrumentalizimit te ngjarjes.

    Por une dua ta drejtoj biseden me shume ne nje drejtim tjeter. Ne ate te rrolit te mediave. Eleminimi ose neutralizmi i nje individi (problemi) eshte nje tregues per rendesine e situates, e ngjarjes. Sepse te heqesh nje individ nga qarkullimi nuk eshte nje vendim i lehte, sidomos kur e di se do te perballesh me pasoja te renda. Por kostoja e pasojave duket te jete me e vogel ne krahasim me perfitimin e zhdukjes se individit. Gjithmone i bej pyetje vetes: sa gazetare jane vrare ne Shqiperi? Dhe sa jane vrare ne Itali nga Mafia? 36 qe mbas LIIB (Lufta e dyte boterore) nga kamorra, mafia apo ndragheta.

    A duhet pare vdekja/vrasja si tregues per domethenien e nje informacioni dhe te nje ngjarje? Per koston e larte qe vrasja ka (reagimi i publikut, perndjekja etj.) besoj se po. Kjo tregon se informacionet qe ne marrim jane shume te filtruara dhe ne siperfaqen informative ne te cilen notojme ne sot, dalen vetem ato “te peshes se lehte”. Pra eshte shume e veshtire te formohet nje mendim mbi ngjarjet dhe pozicionin e disave ne hierarkine e sindikatave kriminale qe veprojne ne Shqiperi. Prandaj edhe disa fantazojne. Por ajo qe eshte me problematike eshte mjegulla informative, qe ose behet e qellimshme, ose nga injoranca, dhe qe na ushqen fantazite. Ne Shqiperi ka shume versione per nje ngjarje. Por keshtu ka edhe per vrasjen e Kenedit do te thoshte dikush, por prape ekziston nje linje zyrtare qe eshte pak a shume e besueshme.

    Sidoqofte nje gje duhet te jete e vertete per mendimin tim, dhe qe mund ta marrim si premise per te gjykuar me tej. Lidhjet e grupeve kriminale me shume agjensi te sherbimeve sekrete. Cfare eshte shume llogjike te mendosh se ne menyre reciproke ato i sherbejne njeri-tjetrit, me biznese te paligjshme, asgjesime personash dhe ne outsourcing. Ne ca kujtime nga ish-agjente te CIA-s kam lexuar se mbas renies se bllokut lindor, agjente te CIA-s kontaktonin ish-agjentet e sherbimeve sekrete te vendeve lindore, e u ofronin atyre pune. Ne shume nga keto vende mbas 2001 jane punesuar ish-interrogator neper burgjet e fshehta e CIA-s ne Poloni, Rumani dhe Maqedoni (qe dihen, se mund te kete edhe ne Shqiperi). Nuk eshte edhe aq large fantazise te mendosh qe dikush mund tu kete sherbyer marinsave me “mish”, sic ka ndodhur ne Kosove (ne Ferrizaj, ku eshte edhe nje compound i madh i forcave amerikane).

  9. Xhaxha, me pelqeu shkrimi yt …..

    Me erdhi keq per shokun tone te feminise Kosta.

    Me erdhi vertet keq…..

    Ringo.

  10. Xhaxhai: “Por duhet të jetë vërtet botë e keqe ajo që i merr njerëz si Kosta dhe i shpërbën dhunshëm në një varg marionetash të tilla, kontradiktore dhe të papajtueshme…”

    Bota ja pati fajin Kostes dhe atij te Top Chanel (qe s’me kujtohet emri tani) qe u perzjene ne afera drogash e armesh e prostitucionesh, dhe perfunduan sic perfundojne ne pergjithesi ata qe perzihen ne pune te tilla?

    Ne te njejten bote jetojne edhe ata qe punojne dhe mbajne familjet me pune te ndershme. Dhe nuk quhen “heronj” se pergjojne telefonat e njeri tjetrit, jo se kane sens moral e drejtesie, por se ju preken interesat e tyre te felliqura. Nuk besoj se u “shperbe” Kosta dhe shoket e tij. Pafajesia dhe miresia e viteve te femijerise nuk me thote gje per karakterin e tij ne 40 vjetet e fundit.

    Seicili fle ne shtratin qe i ka pergatitur vetes, vuan zgjedhjet qe ka bere. Edhe Kosta, ndjese paste.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin