PROBLEMI I NJË ANTOLOGJIE SIPAS OREKSIT

nga Elhaid Aliaj

Shënime mbi botimin antologjik “Shije, pije dhe aroma në letërsinë dhe artin shqiptar” nga Elektra dhe Stefan Çapaliku – Tiranë, botimet “Fishta”, 2024

Një antologji e kulinarisë, aromatikës dhe e zbrazjes së gotës në shfaqjen e letrave shqipe nuk ka si mos të çelë oreksin e vigjilencës kulturore për t’ia mëshuar lapsit në vazhdimin e traditës së botimeve popsport me letër të shtrenjtë e me recensë që fle diku nën një sqetull. Rreshtat në vazhdim, përveç vëmendjes së dhënë, nuk kanë synim zehërlisjen e këtij pikniku antologjik, por nxjerrjen në pah të mangësisë metodike prezente në tekst, mangësi e cila shemb tërësinë e strukturës së saj. Po ashtu vënien në pah të disa koncepteve historike dhe letrare që vazhdojnë të merren si të mirëqena pa iu pranëvënë përpjekjeve studimore mjaft serioze, që ushqejnë të kuptuarit më të plotë të kontekstit dhe historisë së letrave shqipe.

Titullin e motivuar artistikisht “shije, pije dhe aroma në letërsinë dhe artin shqiptar”, duke lënë mënjanë lojën me pritshmëritë e lexuesit, të cilit i shtrohet një gosti që nga Barleti e deri tek degustimi në ditët e sotme, parathënia nuk e trajton asgjëkund. Sikurse ajo përralla me ujkun që e përpin krejt i vetëm lumin, ashtu dhe titulli pretencioz shfaq këtë nuancë për të shteruar deri në pikën e fundit çdo tekst e fragment (me të drejtë), që ushqen letërsinë me kulinari.  Në botimet me karakter shkencor nuk jemi duke çliruar energji nga fjalët, me synime zbulimin e “gjuhës fosilike” siç shprehet Emersoni, por lexuesi, së paku ai me pretendime modeste, i nevojitet një gjeometri brenda së cilës të rrokë premisat edhe metodën e punës që zgjedh ustai. Njëfarësoj marifeti i lojës “ta laçë” që zhvillohet në mendjen e lexuesit, qëllimisht nga autori, që si një adhurues i mjegullës kuptimore hedh titullin e zhytet në të.

Për vetë natyrën jo aq tolerante të hulumtimit, lind e drejta për të shtruar pyetje, duke ngushtuar rrezen e hulumtimit sa të mundemi – sipas porosisë së Ekos – si p.sh. antologjia a përfshin letërsinë e shkruar në gjuhën shqipe (sepse Barleti s’ka vend aty)? Teksti antologjik duhet të përmbajë letërsi të shkruar me alfabet latin, grek edhe atë me alfabet arab? Po këngët, polifonia, përrallat, legjendat? Po shpirtërorja? Po ajo letërsi që detyrohet të përshtatet? Letërsia shqipe brenda territorit politik të Republikës së Shqipërisë apo edhe jashtë saj? Letërsia, përveç rendit kronologjik si tulla njëra mbi tjetrën, a nuk gjendet një përkujdesje, qoftë për trill, a për një merak kontekstualizues kohor, e zëmë, që rrushi i zi në kohët e ditëve me diell të para pushtimit turk të jetë bërë razaki nga zori i madh i acidit turkik – nëse Ervin Hatibi na e pranon këtë rokadë. Metoda memece, mungesa e zërit të së cilës nuk është fakultative në çështje studimore, e dobëson ndjeshëm antologjinë dhe vështirë që të mos jehojë irracionale përzgjedhja e teksteve, të cilën mund ta respektojmë si zgjedhje, me kushtin që, në fund të titullit, të shtohet në italike sipas oreksit. Arsyeja se pse i konsiderojmë legjitime sipërmarrjet në gjininë “sipas oreksit”, është sepse një ditë dikush nuk do të mendojë me stomak dhe rrugën e mundimshme të vjeljes së teksteve do e ketë gati falë kësaj gjinie bujare.

Parathënia e antologjisë, e cila nuk ka autorësi, e kështu na duhet ta zhvillojmë kritikën disi turpshëm si kundrejt një statusi në Facebook, jo vetëm që nuk i komunikon lexuesit informacione të dorës së parë, p.sh. si është konceptuar kjo antologji, kriteret e përzgjedhjes së teksteve, burimet dhe periudhat kohore dhe kujt do mund t’i shërbejë, por ajo nis të baresë që nga Testamenti i vjetër rreth kulturës së ushqimit, tek antikiteti Grek, letërsia Romake, letërsia Mesjetare dhe Shekspiri në dy kolona të një faqeje me përmasa 20/21cm, ndërsa faqja tjetër i qe dedikuar një morie artistësh italianë si Guido Gozzano, Trilusa, Eduardo de Filippo, Gianni Rodari, Filippo Tommaso Marinetti, Marco Ferreri dhe një listë aktorësh (beqarësh) që si me zor duan t’i martojnë me parathënien e një antologjie të mbetur në derë të letërsisë shqipe; një preambul me tre faqe e gjysmë e kujtesës 2000-vjeçare të fillit të kulturës kulinare europiano-perëndimore (apo e kulturës letrare të gjuhëve neolatine, siç shprehet autori fantazmë) si një tejzgjatje e saj në letrat shqipe (apo fjalët nuk çlirojnë energji sa duhet?).

Animi kulturalisht diku është një faktor preferencial, jo objektiv dhe që do të thotë se autorët e nderuem mund ta shprehin lirisht pa u sikletosë që p.sh.: qëndrojnë në kampin e identitetit europian të shqiptarëve; ditët kanë qënë me diell para pushtimit turk për popullin tonë; letërsia e bejtexhinjve është rudimentare, pra konsiderohet paraletrare apo dhe ndonjë konstatim tjetër[1]. Këtu nuk flitet për stilema, po për zgjedhjet metodike që i japin në dorë lexuesit skicën e ndërtimit të kësaj binaje. Sigurisht nëse autorët në fjalë do kenë mirësinë ndaj lexuesit t’i shprehin që në fillim paradigmën apo projeksionin e tyre nistor, unë i shkreti lexues, do të ndiej në aromë se çfarë shije ka buka. Që do të thotë se, antologjia nis që me zinë e bukës në “Rrethimin e Shkodrës” i shek. XV, dhe me nji skroll 300-vjeçar dalim tek “Bardha e Temalit”, “Bagëti e Bujqësi” e vargoi i autorëve të pastajmë me Kristo Floqin, Ndoc Nikajn, Anton Zako Çajupin, Ndre Mjedën, Gjergj Fishtën e kështu me radhë.

Arsyeja se parathënia e antologjisë së përgatitur nga autori fantazmë, edhe pse mbllaçitet në gojë si kulturalisht biased e që larg i vërehet një babëzitje për t’u identifiku me një kulturë të pasur e të dashur edhe për mua, nuk dëshiroj që t’ia zbehin mundin e pasparathënies cherrypick, sepse në fund secili tekst e siguron mbijetesën e vet, qoftë edhe në marrjen e pluhurave me dinjitet.

Mungesa e një emri pjesëmarrës që sadopak njeh një disiplinë shkencore dhe operon me instrumentet kërkimore sterile të saj gjykoj që ulë dërrmueshëm cilësinë e këtij botimi. Se ç’rrugë është ndjekur në grumbullimin e teksteve, se a është punë me korpuse apo punë hamallëku i mbajtjes hapur të fletores së shënimeve përgjatë gjithë vjeljes, askund nuk flitet e vështirë të hetohet, ndryshe mund të thuhet është bërë punë me ustallëk. Aq ustallëkshe sa inkoherenca strukturore, ngulitja e koncepteve të reja letrare, dëshmia e situatave antropologjike me siluetat historike, e deri te orientalizmi ne hae, shkrihen me një letraritet jo pak të lakmueshëm si për një botim studimor.

© Elhaid Aliaj 2024. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] Këto tre pohime janë dhe filtra metodikë të punës së mbledhjes së teksteve.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin