MEDIA QË TALL DHE E TALLIN

Lexova në Postbllok.com një shkrim për mashtrimin e fundit që iu bë lexuesit (më mirë ta quaj “konsumatorit”) të mediave shqip: “Bon Jovi, test i gomarllëkut të mediave shqiptare.”

Si edhe herë të tjera, një lajm krejt i paverifikuar, i lëshuar nga anonimë, përfundoi në faqet e mediave profesioniste, të cilat njeriu shpreson se administrohen ende nga gazetarë.

Një njoftim i tillë mund të jetë mashtrim dhe provokim, sikurse mund të jetë shaka, satirë, parodi ose hoax. Përveç rasteve kur mediat gënjehen dhe e përcjellin lajmin si të mirëfilltë, ka edhe të tilla kur gazetat sajojnë vetë pseudo-lajme, por nuk i shënjojnë si të tilla.

burroSa për lajmin e Bon Jovi-t, kam përshtypje se kemi të bëjmë me një kombinim të provokimit për arsye të fshehta politike (psy-op) me inkompetencën e gazetarëve dhe mungesën e përgjegjësisë profesionale.

Që mediat shqip sot, sidomos ato online, nuk i verifikojnë burimet e lajmeve, as i bëjnë ato publike, kjo dihet. Përveç lajmeve trash thjesht të përkthyera nga The Daily Mail, së bashku me fotografitë përkatëse; dhe lajmeve të cilat mediat i zhonglojnë mes tyre për ta mahnitur dhe trullosur konsumatorin, si burim kryesor i lajmeve në mediat online dhe portalet po shërben televizioni – dhe jo në kuptimin që këto faqe thjesht rimarrin çfarë është paraqitur si lajm nga televizioni një natë më parë; por edhe ngaqë këto faqe përcjellin, si lajm, atë çfarë ka ndodhur në studiot televizive një natë më parë.

Në rastin më të mirë, ky është informacion për emisionet televizive, jo për realitetin.

Është bërë e zakonshme, tashmë, që mediat online ta hapin ditën me njoftime për debatet e një nate më parë, në talk show-t e shumta të televizioneve private të Tiranës; ose me kronika nga seancat plenare të Parlamentit ose nga deklaratat e VIP-ave të politikës, në hyrje dhe në dalje nga restorantet; ku vendin informacionit dhe të arsyetimit ia zë zakonisht batuta.

Në vend që t’i zbulojnë dhe t’i kontekstualizojnë lajmet, këto media tashmë po mësohen t’i sajojnë.

Dhe licenca për krijim lajmesh fare lehtë mund të përfundojë në licencë për të gënjyer – si në rastin e lajmeve të rreme, shpifjeve, parodive, satirave dhe marifeteve të tjera, të cilat shpesh edhe mbeten të papërgënjeshtruara.

Këto përftesa funksionojnë edhe me imazhin – që nga fotot dhe videot e manipuluara, te imazhet e photoshopuara të femrave të kolme, këngëtareve dhe yllkave të seksit.

Përballë këtij manipulimi multi-semik, lexuesi dalëngadalë mësohet që të mos presë prej mediave informacion për çfarë ndodh, ose ndihmë për të arritur “të vërtetën”; por t’i përdorë ato që shkruhen e thuhen e paraqiten aty thjesht për t’u argëtuar.

Kufiri midis klikimit dhe shpërfilljes nuk kalon më midis cilësisë dhe plehut, profesionalizmit dhe amatorizmit, angazhimit dhe indiferencës, vëmendjes ndaj së vërtetës dhe bullshit-it; por vetëm midis çfarë zbavit dhe çfarë nuk zbavit.

Lexuesi i deridjeshëm, i gjymtuar nga kjo shpëlarje trush, heq dorë nga qasja kritike dhe verifikuese, për t’u katandisur në konsumator të lajmit dhe në klient të faqes ose të sajtit përkatës. Këtë përçudnim e ndërmjetëson edhe fakti që informacioni online jepet falas; ose, me fjalë të tjera, që publikut nuk i kërkohet më të paguajë, për t’u budallallepsur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: