TEKNOLOGJIA E PLAÇKITJES (III)

 

 

Një histori që e rrëfejnë ndonjëherë, për të provuar se shkëmbimi i informacionit, në vetvete, është pasurim: kur unë kam një mollë dhe ti ke një mollë, po ti shkëmbejmë përsëri mbetemi me nga një mollë secili; përkundrazi, kur unë kam një ide dhe ti ke një ide, po t’i shkëmbejmë mbetemi me nga dy ide secili.

Ka diçka elegante dhe ngacmuese, madje pothuajse matematike, në këtë shumëzim idesh nëpërmjet komunikimit – edhe pse njeriu, për nga natyra, dëshiron t’i rrethojë zotërimet e veta me gardh. Nga ana tjetër, askush nuk mund të jetë i sigurt se një ide e vetja nuk do të përfundojë e shndërruar në karikaturë ose në idhull, në mendjen e dikujt tjetër.

Megjithatë, në epokën e sotme, të paktën për Perëndimin, problem nuk është aq shkëmbimi i ideve, sesa filtrimi i tyre përzgjedhës; meqë zotësia e dikujt nuk matet më me çfarë informacioni zotëron, sesa me çfarë informacioni mund ta mbajë jashtë komunikimit që i duhet. Sikur të mos mjaftonin universitetet, bibliotekat dhe përdorshmëria pothuajse totale e librit dhe e imazhit, Interneti e ka shndërruar informacionin në diçka jashtëzakonisht publike dhe të pakontrollueshme, ku të gjithë duan të ofrojnë, sipas rastit, mollë ose ide.

Dikush që futet për herë të parë në linjë dhe fillon shfletimin, e ndien veten sikur është rrethuar papritur nga sende të gjetura; objekte të vyera por pa zot, si në ëndrrat e bollëkut. Ndjenja i ngjet disi mrekullimit me natyrën në pyll, ose përballë një perëndimi shumëngjyrësh; edhe pse përshtypja mbetet deri në fund jona intime dhe personale, pyllin ose perëndimin nuk e përvetësojmë dot.

Një mënyrë për ta privatizuar eksperiencën në mjedise të tilla të papronësueshme do të ishte heshtja; nëse unë zbuloj një qoshe të fshehtë në park, pranë një shatërvani, nuk ia them kujt me shpresë se do të më lënë ta shijoj për ca kohë; ka turistë që kuturisen në fund të dynjasë, për të sjellë pastaj në tryeza të përshtypjeve emra vendesh të pashqiptueshme; darka në një restorant afgan është gjithnjë pak aventureske dhe gjeografike; madje edhe në qytetin ku ke lindur dhe je rritur, ka disa rrugë të fjetura, ose rrënoja, ose çezma të vjetra që beson se të përkasin, njëlloj si edhe makina që nget, kompjuteri ose telefoni celular.

Sekreti si teknikë përvetësimi?

Zemra e Internetit janë motorët e kërkimit: Google, Yahoo, AOL; duke huazuar një frazë të Kantit, do t’i quaja kushte të perceptimit në epokën e informacionit numerik. Historia e mësipërme e mollëve dhe e ideve tashmë duhet ritreguar kështu: unë kam një adresë, dhe ti ke një adresë – po t’i shkëmbejmë…

Lexoja këto ditë një artikull për ekonominë e Islandës; ishull i shpyllëzuar prej kohësh, ku banorët i kanë pasë ngritur shtëpitë me driftwood, ose dru që sillnin plazheve rrymat oqeanike.

Interneti po na ndihmon të gjithëve t’i ngremë shtëpitë, madje pallatet, me driftwood.

Nuk është e rastit që kulturat, që në lashtësi, e kanë rregulluar me ligj pronësinë e sendeve të gjetura: kujt i përkasin dhe pse. Në mjedise ku nuk ka më hapësirë zgjerimi, sidomos për të pangopurit, gjetja fatlume është e barazvlershme me një biletë llotarie fituese.

Krejt filozofia e gjetjes së diçkaje që pret të pronësohet prej teje i kundërvihet idesë se burimi i vetëm legjitim i mirëqenies ekonomike dhe shpirtërore është puna (ose përkushtimi). E veçanta e gjetjes lidhet drejtpërdrejt me të papriturën – meqë fati, edhe kur parashikohet, nuk mund të planifikohet.

Për këtë arsye, në epokën e sotme, të sunduar nga përftimi, shpërndarja, kontrolli dhe filtrimi i informacionit, elitat synojnë të hedhin në dorë sistemet lexuese të koordinatave, ose, për ta thënë me një metaforë pothuajse romantike, hartat e thesareve të fshehura.

Këtu nuk e kam fjalën aq për të lajthiturit në Shqipëri, që shkojnë e hedhin në erë ura të vjetra, për të gjetur thesaret e fshehura në këmbët; as për ata të tjerët, që e bëjnë haxhillëkun në Las Vegas – por më tepër për shtysën, madje tundimin e papërballueshëm, për ta futur në xhep rruzullin e vogël prej qelqi farfuritës, që kemi gjetur rastësisht në bar të lulishtes ose në rrugicë.

Nuk e kam fjalën as për ç’kam dëgjuar të ndodhë në fshatrat arbëreshe, ku nuk ka familje e oxhak të respektuar, që të mos ruajë të kyçur me dy-tre dryna “dorëshkrime” të vyera poetësh bashkëkohës të De Radës e të Serembes, me shpresë se do të vijë dita kur t’u trokasë në derë agjenti patriotiko-tregtar me çekun e bardhë në dorë gati për ta firmosur; njëlloj si sivëllezërit e tyre të gjakut në Shqipëri, që nxjerrin herë pas here ndonjë vjetërsirë nga sepetet, për ta reklamuar si orën e xhepit të Shën Palit ose oturakun e mbretëreshës Teuta.

Përkundrazi, e kam fjalën për atë që, deri edhe 15-20 vite më parë, në Tiranë, informacioni shkencor kontrollohej brutalisht nëpërmjet censurës dhe mundësia për të shfletuar një revistë ose libër të huaj shpesh luante rol vendimtar për suksesin, gradën shkencore dhe ngritjen në karrierë, udhëtimin jashtë shtetit, dekorimin me tituj të lartë gjithfarësh.

Në bibliotekat kryesore, librave më të rëndësishëm shpesh u mungonin faqe, të grisura mjeshtërisht nga duar të shkathëta; të tjerë tituj nuk gjendeshin më në fondet, sepse prej kohësh ishin përgjumur në raftet private të studiove të patriarkëve të Akademisë.

Edhe atëherë fitimtarë dilnin ata që zotëronin jo vetëm hartën e thesarit, por edhe autorizimin për ta mbajtur atë hartë sekret. Dija e mohuar, e mbyllur në “rezervatet”, e izoluar nga publiku i pambrojtur, e lyer me bojë anti-ndryshku, e groposur në beton si viktimat e Mafias, e denoncuar si e panevojshme madje e dëmshme, do të rikthehej në trajta të mençurisë kombëtare, çmimeve të republikës, privilegjeve modeste por ngushëlluese.

Deri edhe materialet sekrete politike dhe ideologjike të shpërndara në ushtri nga Ministria së Mbrojtjes përktheheshin rregullisht nga literatura sovjetike, ose e një shteti i cili, po t’i besoje propagandës zyrtare, na kërcënonte me agresion dhe pushtim të rrufeshëm.

Ndryshe nga ç’kishte ndodhur në Islandë, në Shqipëri vetëm një aristokraci e informacionit kishte të drejtë t’i ndërtonte pallatet e pushtetit, të dijes dhe të lavdisë me driftwood.

Po sot? Ç’revolucion e ç’përmbysje ka sjellë hapja e dyerve, qarkullimi i ideve, veprave letrare dhe artistike dhe i vetë njerëzve, shkollimi i të rinjve në universitetet më të mira të Perëndimit, debutimi i mendimit shqip në Internet?

Kemi filluar të shkëmbejmë për t’u pasuruar ndërsjellazi, apo veç po vazhdojmë të gjejmë plaçkë në fshehtësi, si të gjithë ata që kanë pasur sukses në kërkimet e tyre për thesare piratësh, e për të cilët nuk ka dëgjuar kush ndonjëherë?

Informacioni, njëlloj si paraja, merr vlerë duke qarkulluar. Një shëtitje në pyll vërtet mund të shijohet më mirë në qetësi, por pakkush do t’i bënte ballë tundimit për t’ua përcjellë të tjerëve eksperiencën. Për shumë prej nesh, pjesë e pandashme e një udhëtimi në Vjenë ose në Hong Kong është edhe momenti kur do t’u tregojmë të tjerëve se çfarë kemi parë, çfarë kemi ndier, çfarë na ka pëlqyer, si kemi dashur që të kishin qenë aty me ne edhe të tjerët, sepse vetëm ashtu, nëpërmjet komunikimit, realizohet i plotë edhe qëllimi i udhëtimit, të nisur si zhvendosje në gjeografi.

Interneti, madje edhe i parë e i përjetuar nëpërmjet filtrave të Google e të Yahoo, është një hapësirë publike e ndryshme nga sheshi i qytetit, ose lulishtja, meqë aty hyperlinku bën të mundur fluturimin sipas një përmase të re, praktikisht të katërt. Ti nisesh të kërkosh diçka për teorinë e kaosit, dhe përfundon duke u mahnitur me motivet e krahëve të fluturave; ose e kundërta, nisesh si entomolog dhe përfundon si meteorolog. Larmia e roleve, nëpër të cilat përshkohesh qoftë edhe vetëm me përfytyrim, është marramendëse.

Ndonjëherë, magjia e shfletimit të Internetit më sjell në mendje koncertin impromptu të Beatles-ve në çati të pallatit të Apple, afër Piccadilly Circus në Londër, më 30 janar 1969. Askush nuk kish ditur gjë për këtë koncert, aq më tepër që grupi tashmë legjendar i muzikës pop për më shumë se tre vjet nuk kishte dalë të luante muzikë për publikun. Kalimtarët e rastit në rrugët përreth ndërtesës në Savile Row u bënë pa dashur dëshmitarë të një ngjarjeje të cilën ndoshta do ta tregonin më pas me tone mallëngjyese, nostalgjike, ndoshta epike.

Përkundrazi, sikur ky koncert të ish lajmëruar, ndoshta krejt Londra do të ishte bllokuar, nga qindra mijëra, në mos miliona fans që do të shkuleshin nga të katër anët, për të parë për së gjalli apostujt e kulturës pop të 1968-ës. Nga ana tjetër, sikur Beatles të kishin dalë për të kënduar në një zonë të shkretë, p.sh. në Aspromonte, në Kalahari ose në Karaburun, thjesht për të kënaqur një tekë ose për ndonjë arsye tjetër çfarëdo, eksperienca do të kish mbetur në kufi të privates, ose të mosekzistencës.

Dua të them që, në Internet, ndryshe nga ai pylli primordial i aforizmës, gjithnjë ka njerëz që i dëgjojnë pemët kur shemben përdhe. Rastësia, si produkt i lirisë për të përzgjedhur, i ndihmon komunikimit jo vetëm drejtpërdrejt duke ia ujitur rrënjët, por edhe tërthorazi, duke e ruajtur nga plaçkitësit, muruesit, groposësit dhe burgosësit profesionistë. Vetëm se edhe rastësia ka nevojë për gatishmërinë tonë për ta ndihmuar.

 

4 Komente

  1. Xhaxha, nje gje s’kuptova une nga ky shkrim i siperm?
    Je kunder apo pro Internetit?
    Me vjen keq qe ironizon : “…Ti nisesh të kërkosh diçka për teorinë e kaosit, dhe përfundon duke u mahnitur me motivet e krahëve të fluturave; ose e kundërta, nisesh si entomolog dhe përfundon si meteorolog…”

    A pa pa pa sa keq e paske kapur me kete teknologjine e sotme. Ke te drejte se sado qe e ke te veshtire ta pranosh, i takon atij brezi qe nuk mundi te kultivoje konceptin e perzgjedhjes. Te gjitha iu ofroheshin te gatshme taze sic ua jepte Partia dhe kaq.

    Sot eshte ndryshe xhaxha. Sot po s’pate zhvilluar mire shqisen e perzgjedhjes, vertete mund te humbasesh ne te gjithe kete shoqeri konsumimi si idesh dhe materialesh.
    Dhe te siguroj qe kjo shqise eshte e zhvilluar, edhe pse jo tek te gjithe sepse keq na vjen po jo te gjithe jane njesoj, dhe le te jene dhe njerez.

    Kshu pra .. me pak fjale, kjo epoke qe po jetojme, sidomos kjo e e-teknolgjise te ciles nuk e di pse i qenke turrur kshu, per mua eshte me e arta sepse me ka dhene mundesine ta zvogeloj rruzullin tokesor e bej ate sa nje fshat interesant me “nga te gjitha” !
    😉

  2. Djallo pune me mua! Gjithmone i them vetes “po lexoi nga dy, nga tri here keto qe shkruan xhaxhi se, ben vaki edhe nuku i kupton”, po prapseprap nuku ve mend…
    Le pastaj kur kuturis e shkruaj…
    Lere, lere fare me mire, se vec speca e kastraveca qe s’bejne dy lek them. Po mire o mire, po mua qe me eshte mbushur top se gjithe c’qis i kam perla…
    Emo edhe ju, po bukuria e diversitetit ku do qendronte pastaj, sepse si ka thene nje i mencur: “keq na vjen, po jo te gjithe jane njesoj”:).

    Qafime dhe ju puth te gjitheve,
    perqafime te ngrota na internetkafeneja e fshatit, ngjitur me lapidarin qe perkujton renien historiko legjendare te mamit te Zeqos nga fiku i Tefikut,
    NgaQefi (i veshur si fshatar).

  3. Ky shkrim I yti mban peshen e atyre shkrimeve te tua qe nuk mund ti lexosh dot pa buzeqeshje, kurrsesi fyese, por aq inteligjente, saqe harrohesh ne lexim.

    Por, kur thua se “…eksperienca do të kish mbetur në kufi të privates, ose të mosekzistencës.”; shpesh here eshte me mire te mbetesh “ne kufi te privates” e te krijosh kufirin personal, e vetem pakkush te mundet te ndaje me ty eksperiencat, cilatdo qofshin ato, shetitjen ne pyll apo nje udhetim ne Jerusalem.

    “objekte të vyera por pa zot” .
    Pronesia eshte nje mentalitet qe nuk ndihmon asgje pervec se materialen. A mund te quhet dot perendimi i diellit jo i vyer? Po pa zot? Po shetitja ne pyll ? Sa e vyer dhe pa zot?

    Pronesia ka dimensione te ndryshme ne koncept. Psh nje cd te cilen e quaj prone timen ku ka e vleren tek muzika qe degjoj, e cila nuk eshte prona ime sigurisht, apo tek plastika e cd-se? Po tingujt e muzikes a mund te quhen prona ime nese une e pelqej ate muzike dhe pervec qe e degjoj ne ipod shkoj dhe ne Carnegie Hall? Mos koha qe i kushtoj muzikes e obligon ate qe te quhet prone e imja? Me nje fjale jam une prone e muzikes apo muzika eshte prona ime?

    “filozofia e gjetjes së diçkaje që pret të pronësohet prej teje” … kjo shprehje eshte ne kundershtim me fillesen e gjetjes, per arsye sepse pikerisht “filozofia e gjetjes” nuk e lejon “dickane” te pronesohet, pasi edhe ajo, dickaja, eshte ne pozicionin e atij qe gjen.

  4. As molle, as ide, po e le kete shenim, si pershtypje nga vizitat ne kete blog, si kudo, natyre, pyll, lendine, ishull apo gadishull; Kur shoh ne shkrimet e xha xhai-t te mos ket tendenc graviteti me nji objektiv, te para caktuar, xha krijon shume objektiva prej vet natyres spontane te tij.

    Nuk shoh as nji zvogelim te fruteve te punes se bere nga xha edhe pse vendos hera-heres objektiva. Xha duket te ket shijuar shume heret vleren, instiktin, ne natyre te gjerave, pra virusi, ne sistem tashme, eshte per te, te jete i lire edhe pse me subjekt te kushtezuar, si ai i teknologjise.

    p.s. me pelqeu lehtesia dhe rendesia e hyrjes se shkrimit, po ashtu edhe vazhdimi te cilin e prisja edhe me te gjate.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin