TEKNOLOGJIA E PLAÇKITJES (II)

 

 

Lexoja para disa ditësh në “Shekulli” për fatin e një ikonostasi në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Shkrim i trishtuar, jehonë e një rrëgjimi vlerash që po na shkatërron, mes së tjerash, edhe me monotoninë e vet.

Sipas artikullit, ikonostasi kishte qenë ekspozuar prej vitesh në pavijonin mesjetar të Galerisë, por pastaj, pas gjase me vendim të drejtorit Rubens Shima, u çmontua, për t’u vendosur në një kënd të Galerisë, dhe tani mendohet të riekspozohet gjetiu, pas ristrukturimit të Galerisë.

Mustafa Arapi, një restaurator që është kujdesur drejtpërdrejt për krijimin e pavijonit mesjetar në Galeri, thotë se ikonostasi, i realizuar në vitin 1830, dikur i përkiste një kishe në Skoré, tashmë të shkatërruar; por mund t’i ketë përkitur më parë një kishe tjetër, në Pogon.  

Rrëfen autorja e artikullit Alma Mile [theksimi është imi]:

Rreth vitit ‘85 [ikonostasi] u soll në Tiranë, ku u depozitua pranë Laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit në Institutin e Kulturës Popullore, në pritje të ekspozimit në Mynih, gjë që nuk u realizua. Shefi i këtij laboratori, Frederik Stamati, thotë se aso kohe, ikonostasi nuk iu nënshtrua asnjë lloj konsolidimi, apo restaurimi, madje as kur u montua në GKA, por thjesht një pastrimi të përciptë. “Kur drejtor i GKA-së u bë Alush Shima, kërkonte të realizonte diçka të veçantë dhe unë i propozova një pavijon të artit bizantin”. Arapi tregon se Instituti i Monumenteve të Kulturës i kaloi Galerisë dy ikonostasë, atë të Shën Gjon Vladimirit, atë të Skoresë dhe disa ikona. “Një kalim kapital, me gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që do të thotë se ato tashmë janë pronë e GKA-së”, – sqaron ai. “Mendimi im ishte që në galeri të vendosej ikonostasi i Shën Gjon Vladimirit, duke qenë se ai i ngjante më shumë një relikeje, ndërsa ai i Skoresë ishte i plotë dhe krijonte një atmosferë fetare. 
Megjithatë u vendos për atë të Skoresë”, – tregon Arapi. “Gabimisht, atëherë ikonostasi u montua me gozhdë dhe çmontimi i tij është një operacion tepër i vështirë, pasi heqja e tyre rrezikon dëmtimin e pikturës. Ai konsiderohet një monument i palëvizshëm ashtu si edhe kisha. Sa më shumë ta zhvendosësh, aq më shumë dëmtohet. Për këtë nevojitej një grup pune, i përbërë nga specialistë të mirëfilltë”, – thotë restauratori, i cili nuk është dakord me vendimet e ndërmarra nga drejtorët, të cilët ndërrohen vazhdimisht, duke hedhur poshtë punën e paraardhësve. Nuk është në një mendje me drejtuesit e GKA-së, as që ikonostasi të vendoset atje ku sot është ende salla e bibliotekës. “Aty nuk do të kishte asnjë kuptim. Aty do të ngjajë krejt si naosi i një kishe. Për mendimin tim do të ishte shumë më mirë që ikonostasi t’i kthehet kishës, ku ka qenë”, – thotë Mustafa Arapi. 
Në një intervistë dhënë për “Shekullin” pak kohë më parë, drejtori i Galerisë Kombëtare, Rubens Shima, hodhi idenë e heqjes tërësisht të pavijonit mesjetar nga Galeria, duke qenë se bëhet fjalë për një art kishtar, i cili është krijuar për një tjetër qëllim. Edhe Arapi i qëndron deri diku kësaj ideje. Sipas tij, është i tepërt ekspozimi i një ikonostasi për të dëshmuar një periudhë të caktuar. 
Sipas tij, do të mjaftonin disa ikona të shek. XIX. Të tjerë studiues thonë, se në të gjithë botën ikonografia konsiderohet art, madje e vetmja gjë për të cilën Shqipëria mund të krenohet është pikërisht kjo periudhë. Ndoshta ka qenë ndikimi i studiuesve që e ka nxitur Shimën të ndërrojë mendje dhe të vendosë ngritjen e një pavijoni në katin e parë të GKA-së për artin mesjetar. Ikonostasi i Skoresë u çmontua disa ditë më parë nga një grup i drejtuar nga specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës. 
Ashtu siç pritej, ishte një proces tepër i vështirë, për shkak të mënyrës së gabuar të montimit me gozhdë të mëdha. (Ndërsa duhej montuar me vida, gjë që është shumë herë më e thjeshtë për montimin dhe zbërthimin e tij, në të njëjtën kohë eliminon dhe ushtrimin e forcës në të dy rastet). Askush nuk e kupton sot, pse mbërthimi është realizuar në këtë mënyrë, edhe pse ishin po specialistët e monumenteve ata që realizuan një proces të tillë. Pavarësisht tensionit gjatë zbërthimit, mësohet që aksioni të ketë përfunduar pa dëmtime. 

Këtu ka shumë për të komentuar, duke filluar që nga çështja e “pronësisë” së ikonostasit – i cili me siguri u përket banorëve të fshatit ku ka qenë kisha nga ku është shkulur në krye; e duke vazhduar me gozhdët e përdorura prej specialistëve për ta montuar – gozhdë trari, i quan artikulli. Megjithatë, mua po më tërheq veçanërisht vëmendjen vullneti për ta ekspozuar një objekt të tillë në një galeri artesh, ose edhe muze.

Me të drejtë Arapi vëren se, i ekspozuar në një sallë të galerisë, ikonostasi do ta shndërronte sallën në një parodi të një naos-i kishe – duke e përftuar vetvetiu kontekstin, i cili në galeri përndryshe do t’i mungonte.

Një mbresë të ngjashme më kanë lënë, në vitet 1980, vizitat në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. Muzeu ishte i rregullt dhe eksponatet dukeshin të ruajtura e të mirëmbajtura me kujdes profesional, por dekontekstualizimi, ose çrrënjosja nga tempujt dhe mjediset e kultit krijonin një atmosferë surreale, prej shpelle të Ali Babait.

Natyrisht, aso kohe ruajtja në muzeume të tilla pak a shumë artificiale ishte e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar nga shkatërrimi reliket dhe veprat e artit religjioz në përgjithësi; por sot një imperativ i tillë ka pushuar së ekzistuari. Prandaj, edhe një herë, nuk mund të mos biesh dakord me Arapin, kur ky thotë se ikonostasi i duhet kthyer kishës së vet, ose kontekstit të vet të natyrshëm.

Mund të pyetet nëse është legjitime apo jo, që një galeri kombëtare artesh të ketë një pavijon kushtuar artit mesjetar, ku të ekspozohen kryesisht vepra që dikur u përkisnin objekteve të kultit. Mendimi im, në këtë rast, është se këto objekte nuk kanë jetë, të shkëputura nga mjedisi për të cilin janë konceptuar. Nëse një galeri arti, për arsye të ndryshme, komerciale ose edukative, duhet patjetër të ekspozojë relike, atëherë mjeshtrat tanë mund të realizojnë kopje – p.sh. të afreskeve të Onufrit ose të mozaikëve të Durrësit e të Butrintit.

Ashtu duhet vepruar edhe me ikonostasin – t’i kthehet kishës në Skore; dhe njëkohësisht të përfshihet në informacionin turistik rutinë, në mënyrë që turistët të shkojnë deri në atë fshat, për ta parë ikonostasin, kishën vetë, dhe ndoshta të tjera bukuri dhe kuriozitete të zonës. Me atë rast, mund të merret një kredi dhe të shtrohet një rrugë për të qenë deri tek kisha…

Do të më thonë që, për çështje të tilla, duhet të këshillohemi me përvojën e vendeve të tjera; meqë institucionin dhe praktikën e muzeut ose të galerisë nuk është se e kemi shpikur ne shqiptarët. Vërtet, por edhe efektin negativ të dekontekstualizimit të eksponateve nuk është se e kam zbuluar unë i pari. Nga ana tjetër, në qoftë se zbulohet një statujë romake nën dhé, këtë veç mund ta ekspozosh në një muzeum ose galeri të përshtatshme, sepse konteksti i është shkatërruar prej kohësh; por nuk më duket se ka kuptim që të shkosh e të shkulësh ikona kishave poshtë e lart, për të ngritur Pavijone të Artit Mesjetar.

Më kujtohet që, kur kam shkuar për herë të parë në Romë, e kisha ende të freskët në mendje një ese të Freud-it për Moisiun e Michelangelo-s, një skulpturë që, sipas të dhënave që kisha, gjendej në kishën San Pietro in Vincoli; prandaj u kuturisa që të shkoj ta shoh statujën, të cilën aq herë e kisha përfytyruar madje në detaje, teksa lexoja interpretimet prej Sherlock Holmes-i të Freud-it. Natyrisht statuja ishte atje ku duhej të ishte; por unë mbeta pak i zhgënjyer, jo nga vepra vetë, sesa nga konteksti; meqë i kushtëzuar mendërisht siç isha nga rregullsitë e jetës artistike totalitare, do të kisha dashur ta shihja Moisiun e famshëm në një muzeum përkrah statujash të tjera.

Më vonë pastaj do të bindesha se, edhe pse kisha San Pietro in Vincoli e kish marrë emrin ngaqë ruante si relike dy palë vargonj me të cilësh paskësh qenë lidhur Shën Pjetri në burg, tanimë ekzistonte si e ndërtuar rreth qendrës së vet virtuale, ose veprës së Michelangelo-s. Kësisoj arti i madh i jepte fesë ndoshta edhe më shumë se ç’i kish dhënë feja vetë artit.

 

2 Komente

  1. pershendetje xha xha!

    mbi lajmin ne fjlale kam folur ne shkrimin tim me titull: “Varret e hapur te shenjteve te vrare”.

    ato c’ka ndodhen ne shqiperi komuniste ne relacion me objektet e kultit dhe shkaterrimin apo asgjesimin e plote te atyre vlerave te panumerta te arkitektures, te piktures murale, te ikonografise, te artizanatit, etj… perbejne krime te pashoqe ne historine boterore. te kujtojne talibanet, apo hitlerin. vetem berati dispononte 40 kisha, te cilat u bene shkrumb. po keshtu ndodhi ne shume qytete te tjera te shqiperise.

    fatkeqesisht keto politika kriminale vazhdojne te jene koherente ne shqiperine postkomuniste te viteve te fundit . vazhdojme te shkaterrojme ato pak vlera te mbetura nga paaftesia , por kryesisht nga injoranca jone. dhe c’eshte me e keqja me gjithe se behemi deshmitare te ketyre krimeve kulturore, askush nuk denohet, askush nuk paguan per gafat e bera, askush nuk perfundon ne burg…

  2. Për të mos folur për injorancën dhe fodullëkun e kriminelëve komunstë që shkatërruan shumë në Shqipëri, sepse të gjithë jemi në dijeni për shprishjen shtazarake të objekteve, veprave të artit vetë e vetëm se i përkisnin klerit katolik apo ortodoks, do të thoja se edhe këtu katundarë që hipin e ulen nga karriget e zyrave me ajër të freskët, nuk po veprojnë më mirë.
    Shima (i vjetër) ndoshta kërkonte ta bënte GKA-në një mini Louvër me idetë e tija ekstravagante, por ajo që i interesonte me shumë ishte emri dhe pikturat e tija të shitura nëpër strofkullat e ambasadorëve në Tiranë. Eshtë e qartë që edhe Shima, i riu, nuk do të dali më i mençur se i ati. Ai, me dashje apo me injorancën që i ka mbërthyer disa artistë që kërkuan të njollosen me pushtet, shkëput një vepër arti që i përket historisë dhe e vërdallos atë si t’i dojë gjëndja emocionale. E kam parë veprën që bëhet fjalë, është e mrekullueshme, meqë pak mrekulli katili komunist na la të shijojmë. Bisedonim njëherë me një profesor të Akademisë në 1997 i cili na shpjegonte mbi historinë, domëthënien dhe zhvillimin e këtij arti aq të vështirë. Ai nuk ishte aspak dakord me vëndin ku ekspozohej, ai e quante GKA-në një bunker që mbrohej nga policë trutharë (e ksihte fjalën për drejtuesit e asj kohe), por trutharët nuk janë zhdukur, ata renden për ta përdhosur edhe më tepër atë pak histori që na mbeti.
    Në vend që të merimetojnë GKA-në që ta shtin tmerrin kur e sheh nga larg, atë copë betoni të shpifur, por që ka mundësuar shumë talente të njihen me publikun, MKS-ja apo RSh, do bënin mirë t’i drejtoheshin ndonjë historiani dhe të bënin disa fletushka ku të paraqitet një hartë drejtimi për turistët apo dhe për vetë shqiptarët, me qëllim njohjen e kulturës shqiptare dhe historinë e artit, sado i pavlerë qoftë ai në sytë e një bote që ruan me fanatizëm akoma kodet Maya megjithë mizoritë e kolonialistëve spanjollë të cilët dogjën me qindra libra.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: