TEKNOLOGJIA E PLAÇKITJES

Steve Jobs, CEO i Apple Inc., i pushtoi të gjithë titujt e lajmeve sot, me të dhëna për veten dhe mallrat ekompanisë së vet. Produktet Apple, si telefoni iPhone, lexuesi MP3 iPod dhe shërbimi muzikor iTunes, gëzojnë shëndet të plotë dhe mbeten të preferuarat e publikut.

Nuk është vendi këtu të analizoj se si e ka ndryshuar pikërisht konsumin e muzikës revolucioni MP3 në mediat muzikore, madje as se ç’ndryshime ka sjellë në mënyrën si krijohet muzika. Tek e fundit, shumica e këngëve që qarkullojnë në kanalet e Internetit janë karamele të vogla tingullore, pa pretendime artistike.

Megjithatë, vetëm 40 vjet më parë muzika pop u bë protagoniste e një revolucioni rrënjësor në mënyrën perëndimore të jetesës – duke u shndërruar edhe në një mjet për t’i sjellë dëgjuesit së bashku edhe pse duke i folur individualisht gjithsecilit. Brezat e gjetën vetveten në Beatles, Rolling Stones, Bob Dylan, Led Zeppelin, Pink Floyd, Genesis.

Ky revolucion u mundësua, ndër të tjera, edhe nga popullarizimi i diskut 33-xhirosh (LP), meqë ashtu artistët pop mund t’i jepnin publikut jo këngë, por albume; dhe mundësitë shprehëse të albumeve, të cilat u dukën që me albumet e Beatles pas vitit 1966 (që me Rubber Soul e tutje), u realizuan pastaj me kryevepra të rock-ut, të tilla si The Dark Side of the Moon e Pink Floyd (1973).

Deri edhe Sgt Pepper’s e Beatles (1967) nuk mund të mendohet si koleksion këngësh të shkëputura; radha e këngëve është pjesë e artit të albumit, meqë ato i japin domethënie njëra-tjetrës nëpërmjet sintaksës së dëgjimit, duke përgatitur surprizat përkatëse dhe duke i hapur dëgjuesit portat e një universi të çuditshëm, por jokërcënues.

Është vërejtur se revolucioni MP3 është bërë shkas për një lëvizje në drejtim të kundërt, nga albumi tek këngët, ose nga e tëra tek pjesët; madje reklamuesit përkatës theksojnë se nëpërmjet shërbimeve shkarkuese dëgjuesit gjithnjë mund të “kursejnë”, duke blerë vetëm ato këngë që u pëlqejnë.

Shërbimi Genius, i iTunes, i sapoprezantuar me të madhe nga Steve Jobs, do t’u rekomandojë përdoruesve tituj këngësh në bazë të këngëve që këta kanë shkarkuar ose dëgjuar më parë, ose sipas shijeve të ngjashme të përdoruesve të tjerë. Ky është shërbim ndoshta i dobishëm për të zbavitur përdoruesit individualë, por vetëm duke i mbajtur robër të shijeve të tyre ekzistuese.

Nuk them dot me siguri, nëse mënyra e qarkullimit të muzikës pop në Internet, me pagesë ose pa pagesë, i ndihmon vërtet muzikës si art, qoftë edhe thjesht si art masash. Për mua, martesa e detyrueshme e shërbimeve muzikore të shkarkimit me industrinë elektronike të pajisjeve që lexojnë muzikë i shërben komercializimit total të një arti që, deri pak dekada më parë, merrte pjesë si protagonist në shndërrimet sociale anembanë planetit.

A është kjo për t’u përshëndetur? Ndoshta po, por vetëm nga pikëpamja e tregtarëve të muzikës dhe të elektronikës së konsumit. Revolucioni MP3 e trajton muzikën, madje haptazi, si një eksperiencë shoqëruese – për t’u dëgjuar në tren, ose duke bërë vrap, ose në zyrë, ose për çfarëdo qëllimi tjetër, që mund t’u shkojë në mend reklamuesve.

Thelbi i këtij efekti dëmtues është loja që bëhet me konsumatorin – në emër të “demokratizimit” ose të kinse aftësimit të publikut për të vendosur në mënyrë sovrane, në të vërtetë vetëm sa konfirmohet komodifikimi total i muzikës pop, meqë kësaj tanimë i mundësohet veç funksioni i masazhimit të dëgjuesve.

Dukuria nuk është e kufizuar vetëm në muzikën pop – meqë asgjë nuk i pengon pronarët e produkteve të tjera muzikore, që t’i shesin këto me copa të vogla. Një dëgjues i rastit i muzikës klasike, mund të blejë tani, për $1.99, vetëm kohën e parë të Simfonisë së 5-të të Beethoven-it, ose vetëm kohën e dytë të Koncertit për piano dhe orkestër no. 21 të Mozart-it; një dëgjues tjetër, të cilit i pëlqen jazz-i, mund të blejë vetëm “So what”, nga albumi Kind of Blue, i Miles Davis.

Natyrisht, të gjitha këto janë për t’u pritur nga ajo filozofi e ekonomisë së tregut, e maskuar si demokraci, e cila koralen e Simfonisë së 9-të të Beethoven-it e shndërron në një cicërimë elektronike dhe ia shet konsumatorit si ton zileje për telefonin celular. Kjo është një kulturë që nuk mund të krijojë dot, por vetëm të plaçkitë çfarë është krijuar, duke e shndërruar njëkohësisht publikun në një masë të kënaqur delesh ripërtypëse.

Çfarë vjen e zbehet deri në zhdukje, gjatë këtij procesi miklues të publikut, është roli i artistit në formimin e shijeve, nëpërmjet imponimit ndonjëherë brutal, ose shokues; meqë edhe në muzikë, sikurse në të gjitha artet, vepra nuk mund të identifikohet me aspektet e saj më të dukshme. Një korale e një kantate të Bach-ut mund të shijohet më vete, por shumë më tepër në kontekstin e krejt kantatës; një këngë e albumit Selling England by the Pound, të Genesis, mund të shijohet e shkëputur; madje edhe “Mean Mr. Mustard”, e Beatles, mund të nxirret veçan nga suita e anës B të albumit Abbey Road dhe të dëgjohet së bashku me “Heartbreak Hotel” të Elvis Presley-t dhe “Mamma Mia” të Abba-ve; por kjo është njëlloj sikur të ngjitësh në mur me scotch një kartolinë që riprodhon autoportretin e Van Gogh-ut, ose t’ia lexosh vetëm fundin romanit policor që ke në dorë.

Tek e fundit, kompilimet muzikore nuk janë ndonjë farë risie, nga pikëpamja estetike dhe kartolina në mur nuk ka student të mos ketë ngjitur; problemi ka të bëjë më tepër me përpunimin e disa formave të shtangëta të komunikimit, të cilat privilegjiojnë modelet fëminore, të sheshta, madje trashanike të eksperiencës estetike, duke i lidhur pashmangshëm me teknologjitë elektronike që i ofrohen publikut. Janë teknologjitë që, tanimë, nuk mjaftohen vetëm të përcjellin informacion, por edhe ndërhyjnë drejtpërdrejt duke e filtruar informacionin, ose duke u diktuar artistëve format shprehëse. Përndryshe, artistët që refuzojnë t’i nënshtrohen kësaj logjike totalitare është njëlloj sikur të kompozonin me ultratinguj, ose të pikturonin me ultraviolet. Teknologjia do t’ua linte veprat jashtë fushave të perceptimit shqisor.

Me fjalë të tjera, në emër të fuqizimit të publikut, vala komercializuese në të vërtetë nxjerr jashtë loje artistët, të cilët për më tepër edhe qortohen rregullisht nga populistët, sa herë që refuzojnë t’i lejojnë të qarkullojnë gratis krijimet e tyre; sepse tani janë artistët që detyrohen t’u nënshtrohen jo vetëm rregullave ekonomike të tregut, por edhe imponimit brutal të filozofisë së tregut ndaj formave të komunikimit estetik.

21 Komente

  1. Mua me duket pak e tepruar kjo si kritike,edhe pse e shkruar zgjuar.
    Perdorimi i tekonologjise per artin nuk eshte gabim.
    Si do te degjoheshin veprat e Beethoven sot nese nuk do te kishim pianon por ate pre-piano qe kishte Beethoven?

    Me duket pak renie ne pozitat e te vjetrit qe shikon me percmim cdo gje te re nga te rinjte 😉

    Jeta ndryshon shume e bashke me te ndryshojne te gjitha, arti kultura menyra e jeteses ejt.etj.
    S’mund te dalesh kaq kunder kesaj e te behesh flamurtar i se kaluares,meqe e ke te veshtire pershtatjen.

  2. Ne vijim te logjikes se krijuesi shihet si burim (cdo lloji arti) nga ku fillon e ndertohet nje publik, publiku nga ana tjeter nuk eshte ne rolin e artistit ne proces, por te nje dialoguesi me me interes te krijimit. Me interes, eshte vlere, e drejte e publikut si edhe ajo e krijuesit, sepse publiku gjithnji krijon/prodhon interes, si rrjedhoj dikton ne dialogun krijues-publik, se egzistenca e tij nuk eshte sekondare perball asaj te krijueseve ne fazen e tregut. Arsyeja eshte e thjeshte, se krijimi do te dal ne treg, nga ku kushtet vendosen nga palet krijues-publik, ku duket te ket prijoritet publiku sepse eshte zone edhe e tij.

    Demokratizimi i cdo niveli te jet krijon kushte analoge, s’eshte e thene te jene me te pa shendeteshme per krijim te metejshem cilesor.
    Niveli i egzagjirimit me vleren e krijimit, s’mungon edhe ne egzagjerimin e llojeve te ndryshem nga ana e publikut. Ky egzagjerim nuk eshte i kalkuluar pasi eshte derivat i ligjit te pa shkruar te tregut kerkes-ofert. Nuk ka rruge te thjesht per ndalimin e nje marredhenjeje te egzagjeruar vlerash mes llojeve te pelqyera krijues-publik. Tregu eshte dekonspirimi i vleres se krijimit, por s’eshte e thene te jete edhe asimilimi i vlerave nga konsumatori. Kjo s’ben me te drejte pjesmarrjen e shqetesimit te krijuesit ne treg nen emrin e krijuesit. Ndersa publikut i mungon intimiteti i krijuesit artist, krijuesit i mungon pafytyresia e publikut ne treg.

  3. Vlora Perlë shkruan:

    Mua me duket pak e tepruar kjo si kritike,edhe pse e shkruar zgjuar.
    Perdorimi i tekonologjise per artin nuk eshte gabim.
    Si do te degjoheshin veprat e Beethoven sot nese nuk do te kishim pianon por ate pre-piano qe kishte Beethoven?
    Me duket pak renie ne pozitat e te vjetrit qe shikon me percmim cdo gje te re nga te rinjte.
    Jeta ndryshon shume e bashke me te ndryshojne te gjitha, arti kultura menyra e jeteses ejt.etj.
    S’mund te dalesh kaq kunder kesaj e te behesh flamurtar i se kaluares,meqe e ke te veshtire pershtatjen.

    Vlora Perlë, nuk e kam shkruar këtë kritikë për të shpjeguar një problem timin personal. Unë i përdor mirë teknologjitë e reja, dhe jetoj në një qytet si NYC, që është qendër e kulturës botërore, në kuptimin që këtu Bach-un jo vetëm mund ta shkarkosh në sekondë nga Interneti dhe ta dëgjosh me një MP3 player nga më të fundit, por mund edhe të shkosh dhe ta ndjekësh në një koncert në Lincoln Center, të luajtur me instrumente të epokës, nga një grup kushërinjsh të tij të largët prej Dresden-it.
    Ta kam fjalën që mua vetë teknologjia më merr të keqen.
    Megjithatë, dhe meqë nuk e përfytyroj këtë blog si ekuivalentin post-modern të divanit të Freud-it, unë shoh një problem të përgjithshëm me ndërhyrjen e teknologjisë në komunikimin artistik. Dhe ja pse.
    Normalisht komunikimi duhej të ndodhte pak a shumë kështu:
    Artisti – Vepra – Publiku
    Edhe pse jo në vijë të drejtë, sepse vepra ekziston si vepër në atë masë që konsumohet nga publiku, ndërsa publiku konstituohet si publik në atë masë që përvetëson kodet interpretative të veprës, të cilat i ka vendosur aty artisti, i cili nga ana e vet kujdeset të përdori kode të tilla që të jenë të përvetësueshme nga lexuesi (pra skema duhet marrë më tepër si një feedback loop, por nuk i kam mjetet këtu për ta vizatuar).
    Në muzikë, tradicionalisht, artisti komunikonte ose duke ia interpretuar veprën e vet publikut drejtpërdrejt, ose duke vënë një muzikant ose këngëtar që ta interpretonte. Teknologjia e riprodhimit u fut në mes, duke gërmuar një hendek midis artistit dhe publikut (riprodhimi në disqe gramafoni, në radio e kështu me radhë, deri në dixhitalizimin dhe lexuesit MP3 nga njëra anë, instrumentet elektronike nga ana tjetër).
    Megjithatë, publiku vazhdoi të shkonte në koncerte dhe ta dëgjonte muzikën drejtpërdrejt, sepse ashtu eksperienca është më e plotë dhe më e pasur.
    Një arsyetim i ngjashëm mund të bëhet me kinemanë dhe televizorin e tani vonë riprodhimin e videove artistike në ekranet e telefonave celularë, ose lexuesve video (imi është sa një kartë krediti, por ka kapacitet 32 GB, prandaj teorikisht unë mund të ngarkoj atje një film të tërë dhe ta shoh, p.sh., kur udhëtoj me metro). Nga ana tjetër, disa njerëz vazhdojnë të shkojnë në kinema (por jo në Shqipëri, që edhe në këtë fushë mbetet në avant-garde).
    Shembuj mund të sillen sa të duash. E vërteta është se elektronika është bërë tani palë e komunikimit, jo thjesht kanal ose medium. Për shembull, në një koncert të një grupi metal, pamja dhe koreografia e shfaqjes janë pjesë e mesazhit artistik, por kjo humbet kur ti e dëgjon të njëjtën muzikë i shtrirë në krevat, ose duke udhëtuar në autostradë. Koncertet në stadiume të grupeve të tilla si Pink Floyd mbahen si ngjarje të papërsëritshme në jetën e të gjithë atyre që kanë pasur fatin t’i ndjekin ndonjëherë. Kjo si dukuri është me vite dritë larg serverit të mbingarkuar të faqes në Internet të Radiohead, që vendos t’ua japë fansave muzikën e vet gratis.
    Ka edhe një lëvizje të pandalshme nga përjetimi në pronësim; njerëzit thonë: e kam atë këngë, ose atë album, ndërsa eksperienca e koncertit ose edhe thjesht e dëgjimit kalon në plan të dytë. Në të njëjtën mënyrë, gjëja e parë që bëjmë kur vizitojmë një qytet të huaj, është të nxjerrim kamerat, sepse edhe ato njëfarësoj na lejojnë përvetësimin e eksperiencës si objekt pavarësisht nga sa na transformon e njëjta eksperiencë ne vetë si subjekte (në vend që të na ndryshojë ne, eksperienca ndryshon qarqet e integruara të kamerave; në kuptimin që ne shkojmë në Vienë ose në Paris për të çuar atje kamerat tona e për t’u treguar Kullën Eiffel ose Schönbrunn-in).
    Tani, për t’i mbyllur këto paranteza, le të kthehemi te formati MP3 dhe muzika e sotme; problemi që shoh unë, lidhet gjithnjë me atomizimin – këtë herë të dyanshëm, si atomizim të mesazhit muzikor, dhe si atomizim të publikut. E thoja edhe në shkrim lart, që ai faktor që e ndihmoi muzikën pop të viteve 1960-1980 të kapërcente kufirin e një produkti të konsumit të gjerë drejt sublimimit, ishte formati i albumit. Albumi i afroi krijimet e grupeve rock me operën dhe formate të tjera më shprehëse e më të pasura të muzikës së ashtuquajtur serioze. Formati MP3 vetvetiu e vret albumin, sepse shumica e publikut preferojnë të shkarkojnë dhe sidomos të dëgjojnë pikërisht ato këngë ose pjesë të albumit që i pëlqejnë, sepse i kanë dëgjuar në radio ose kur kanë qenë në radhë për të paguar në supermarket.
    Vetëm njëzet vjet më parë, unë albumet e Pink Floyd dhe të Genesis i kisha në kaseta magnetofoni, dhe nuk ishte shumë komode që t’i kapërceje këngët, as t’i përzieje sipas midesë sate. Kur doja të dëgjoja, njëfarësoj e dëgjoja krejt albumin. Në këtë mënyrë, isha në gjendje të kuptoj se pjesët më të mira, më të thella, më shndërruese të asaj muzike ishin ato që kërkonin dëgjim të përsëritur, madje njëfarë “dhimbjeje” perceptive. Pa folur pastaj për muzikën klasike, e cila kërkon pjesëmarrje aktive të dëgjuesit, përndryshe nuk vlen veçse si masazh për sistemin nervor vegjetativ, ose në metodë për të rritur bebe inteligjente, ose për t’i bërë lopët të prodhojnë më shumë qumësht (e kanë provuar, me Mozartin). Merr kohën e fundit (koralen) e simfonisë së 9-të të Beethoven-it; efekti që ka e dëgjuar më vete është i ndryshëm nga efekti që ka si kurorëzim i krejt simfonisë. Vetëm se efekti i dytë kërkon ta kesh dëgjuar krejt simfoninë.
    Atomizimi i publikut shkaktohet nga dy faktorë: (1) dobësimi i rolit të koncertit në komunikimin artistik muzikor dhe (2) disponueshmëria e një asortimenti muzikor të shumëllojshëm, për një publik praktikisht të pafund. Të parët që e ndiejnë dhe e vuajnë këtë janë artistët vetë, të cilëve nuk u mjafton të krijojnë dhe të luajnë vetëm për një grusht miqsh dhe miqsh të miqve. Mirëpo vdekja e koncertit është pjesë e një dukurie më të gjerë, që ka lidhje me shkatërrimin dhe rrëgjimin e përgjithshëm të hapësirave publike dhe të eksperiencave publike, së bashku me vdekjen e qytetit si eksperiencë; dhe në përgjithësi lidhen me mënyrën amerikane të jetesës, e cila pavarësisht nga NYC dhe ndonjë qytet tjetër verbues në të dy brigjet e kontinentit, është mënyrë jetese e dominuar nga periferia, ose nga suburbs, dhe vendin e bulevardit e ka zënë prej kohësh autostrada (ndoshta kriza e tashme energjitike do t’i japë fund këtij tmerri). Është thënë dhe përsëritur se Interneti, edhe pse e dëmton jetën publike tradicionale, e zëvendëson atë me një jetë publike virtuale, ku njerëzit komunikojnë në mjedise elektronike – siç po bëjmë edhe ne këtu, tek e fundit. Kjo është e vërtetë, dhe ka hapur mundësi të pamendueshme edhe vetëm pak dekada më parë, vetëm se jeta publike tradicionale nuk kërkon asgjë më tepër veç hapësirës publike dhe të drejtave të njeriut, ndërsa jeta publike virtuale varet fund e krye nga teknologjia, e cila nuk është në dorë të publikut, por të korporatave dhe në përgjithësi zhvillohet përtej instrumenteve të kontrollit publik.
    Tani, dihet se përjetimet artistike të përbashkëta janë faktorë të rëndësishëm për të përftuar publikun dhe për të forcuar dhe riprodhuar lidhjet që kanë njerëzit mes tyre. Unë dhe një danez mund të mos kemi asgjë të përbashkët, por mjafton që të zbulojmë se kemi qenë në të njëjtin koncert të Dire Straits ose të Sting, për të vendosur një farë solidariteti ose e pakta afiniteti mes nesh. Mbaj mend vite më parë, në Napoli, më kishte ftuar për darkë në shtëpi një çift avokatësh, borgjezë sa s’bëhet më, për të diskutuar në lidhje me një projekt të tyrin për Shqipërinë; por menjëherë m’u ndërrua mendja për ta dhe nisa t’i trajtoj me simpati të madhe, sapo vura re që, mes disqeve të tyre, kishin edhe një koleksion pak a shumë të plotë të albumeve të Jethro Tull. Pavarësisht nga anekdotat, përjetimet artistike të përbashkëta janë forca transformuese ndonjëherë për krejt planetin – mjaft të kujtoj revolucionin e 1968-ës. Deri edhe në Shqipërinë totalitare, një roman i Ismail Kadaresë në vitet 1970-1980 kishte po aq forcë tronditëse dhe po aq depërtim në psikologjinë kolektive të njerëzve sa edhe një Plenum i Komitetit Qendror.
    Prandaj, kur ulem të shkruaj për MP3 dhe iTunes, dua vetëm t’i përdor këto si ankora për të shtjelluar një argument më të përgjithshëm, që ka të bëjë me rolin e padukshëm dhe dinak që luajnë mediat në komunikimin artistik – duke e ndihmuar (rrallë herë) dhe shpesh duke e përçudnuar, për t’iu shërbyer interesave komerciale. Tek e fundit, për korporatat publiku nuk duhet të jetë asgjë më tepër sesa një masë blerësish të bashkuar nën flamurin e nevojave (needs) të përbashkëta, dhe me vetëdijen false të qytetarisë; në rastin e muzikës së përcjellë nga Interneti, gjithnjë e më shpesh po ndodh që publikun nuk e konstituon më forca e një mesazhi artistik, por vetëm instinktet e kënaqësisë, ritmi i një kërcimi, ose figura sensuale e një këngëtareje përndryshe mediokre, të cilat pompohen në mënyrë marramendëse nga krejt aparati propagandistik i mediave. Për mua kjo dukuri është negative, edhe pse mund të jetë e re; sepse jo çdo gjë e re është doemos për t’u përshëndetur. Bie fjala, një pjesë e risive në fushën e elektronikës së konsumit të gjerë gjatë 20 vjetëve të fundit kanë qenë në lëmin e aplikimeve të përgjimit ose të mbikëqyrjes së publikut. Duhet të entuziazmohemi gjë ne për këtë?
    Për ta mbyllur këtë koment se u bë tërkuzë: disave do t’ju kujtohet edhe revolucioni i instrumenteve elektronike në muzikën e lehtë të viteve 1980; që nga ritmet e kompjuterizuara, deri tek harqet e përftuara me ndonjë tastierë Casio e me të tjera lodra fëmijësh. Në atë kohë deri edhe grupe muzikore të respektuara i futën instrumentet elektronike në orkestrimet, ndonjëherë edhe të shtyrë nga bindja se elektronikës i përkiste e ardhmja. Nuk e kam fjalën vetëm për elektronikën në muzikën pop; sepse u bënë edhe përpjekje të ngjashme, p.sh., në jazz (fusion) ose në fusha të tjera, që për nga natyra duhej të tregoheshin më të sofistikuara. Mirëpo një risie të tillë i doli boja shumë shpejt, dhe sot praktikisht të gjithë muzikantët (nuk e kam fjalën për orkestrat e dasmave) u janë kthyer instrumenteve akustike, duke e lënë elektronikën për faza të tjera të riprodhimit të tingullit (amplifikimi, masterizimi dhe të tjera gjëra të tilla). Paradoksalisht, për shumë dashamirës të muzikës sot, prodhimi muzikor i viteve 1980, edhe për grupe relativisht të mira si Police ose Tears for Fears, rezulton i padëgjueshëm, pikërisht për faj të instrumenteve elektronike të përdorura.

  4. Xha xha nuk e di ne je i ndergjegjshem qe po godet njeriun perendimor(cka nxiti Vlora Perlen te te thote me delikatese se po tregohesh anadollak- kjo te preku me shume se c’duhet- ).

    Muzika,ashtu si kultura shpirterore (jomateriale) ne pergjithesi, eshte e varur plotesisht prej situates shpirterore te bashkesise e ne menyre perpjestimore dmth kur dobesohet spiritualiteti atehere bie edhe cilesia e anasjelltas.

    Me shume te drejte flet per vitet 60-70 , por ato ishin vite nevojash te reja (te nxitura nga mireqenia ekonomike dhe ide te reja) e dhane mundesine per krijimin e vizioneve, iluzioneve e utopive te reja.
    Keto nevoja te reja u ngopen, ritmi i jetes qe kaloi nga ai i ngadalte i para 1950 ne te riun e viteve 60-70 e tani ne shekullin e 21 praktikisht ritmi i viteve 60-70 eshte superuar, problematikat qe ngriheshin atehere, pergjithesisht jane superuar, mireqenia eshte rritur , teknologjia elektronike ka ecur tmerresisht shpejt.

    Tani jemi ne nje faze ku spiritualiteti ka kaluar nga spiritualitet bashkesie ne spiritualitet individual keshtu qe detyrimisht ka nje renie te theksuar.

    Kush kerkon kulture spirituale(jomateriale) te zhvilluar do ngelet me gisht ne goje e varferimi do vazhdoje.
    Kultura spirituale eshte e korruptuar tashme, morali qe ushqen kulturen jomateriale eshte rrenuar ose eshte ngerthyer ne nje dogme utopike si ne kohet e kristianizmit ekstrem mesjetar.

    Cmund te pretendohet psh nga nje bashkesi qe vdes te ndjeke nje emision te tille ?

    http://it.youtube.com/watch?v=0cZyZQS9Zr0&feature=related

    Kjo ceshtja e mp3 e ipod nuk eshte ndonje gje kushedi se sa revolucionare , eshte me shume ceshtje teknologjie. Qe perpara njerezit benin kaseta e disqe me nje kenge nga ky e nje nga tjetri, ‘compilations’ si i thone ne ‘menyre te rafinuar’. Te rinjte rrine nga 10 ore duke degjuar muzike, tani kane mundesine fale teknologjise ta degjojne ngado.

    Tani ti thua:

    ””’…….. ndodh që publikun nuk e konstituon më forca e një mesazhi artistik, por vetëm instinktet e kënaqësisë, ritmi i një kërcimi, ose figura sensuale e një këngëtareje përndryshe mediokre, të cilat pompohen në mënyrë marramendëse nga krejt aparati propagandistik i mediave.””’

    A nuk eshte e drejta per te kerkuar lumturine, nje e drejte themelore e njeriut ?
    Lumturia gjendet permes kenaqesise,atehere instikti i kenaqesise do udheheqe….
    Me pelqen te citoj Nicen :
    – Njeriu duhet te jetoje per te kerkuar lumturine ? Jo, kete e bejne vetem anglezet.

    Tani jemi anglo-saksonizuar te gjithe.

    Varferia spirituale xha xha qe buron nga pasurimi e nevojat kapricoze qe lindin prej pasurise, eshte shkaku e jo teknologjia.
    Mireqenia jep nje faze shkelqimi te madh kulturor po ashtu si fishekzjarri e si supernova ,ky shkelqim pasohet nga zhdukja.
    Njesoj si intelektualet kozmopolite shqiptare,qe jane te destinuar te zhduken nga lista e shqiptareve, ne mos ata vete, femijet e tyre.

    Jo teknologjia xha xha, por njeriu perendimor eshte objektivi yt i vertete i kesaj kritike. Teknologjia nuk krijon,pasi materia nuk krijon por ploteson (nder te tjera) nevojat spirituale
    te njeriut.

  5. Hyllin shkruan:

    Jo teknologjia xha xha, por njeriu perendimor eshte objektivi yt i vertete i kesaj kritike. Teknologjia nuk krijon, pasi materia nuk krijon por ploteson (nder te tjera) nevojat spirituale te njeriut.

    Hyllin, veçori e kulturës perëndimore nuk është vetëm zhvillimi teknologjik i pakontrolluar, por edhe kritika e vijueshme që i bën vetvetes. Nëse do të më pyesje për ‘objektivin e vërtetë’ të kritikës sime, ky do të ishte njeriu i përfytyruar nga utopizmi korporativ, ose fashizmi që ndjek nga pas martesën e teknologjisë me korporatizmin.
    Natyrisht, edhe fashizmi është pjellë e qytetërimit perëndimor – sikurse konsumerizmi i sotëm dhe të tjera -izma pa fund. Megjithatë, teknologjia sot e disponueshme nga korporatat, duke përfshirë këtu edhe shtetet, është e tillë që ia shton rrezikun totalitarizmit fashist.

  6. Ndonëse këtu flitet më shumë mbi muzikën dhe ngjarjet që ia kanë trashur pak rrugën për të shkuar tek publiku, do të flisja për kinemanë dhe epokën dixhitale që po jetojmë.
    Sipas shumë studime, mbi 1000 000 filma në ditë qarkullojnë nëpër peer to peer. Milionat e vjedhura nuk kanë fund dhe këtu vetëm një industri e madhe mund t’ai dali, kurse industria kinematografike nuk është ajo e automobilëve apo aeroplanëve. Një film prodhohet dhe autori/ët mundohen të marrin frutet e punës, të paguhen për krijimtarinë, të vlerësohen për ngjarjet dhe trajtimin e historisë njerëzore. Kurse teknollogët që projektojnë lëvizjen e shprehjeve artistike nëpër kabllo të hollë optike, një lëvizje që nuk ndjehet, nuk preket, mendojnë ndryshe. Ato shtojnë megat për t’i ndihmuar vjedhësit që të kenë më shumë forcë shkarkuese me linjën internet. Mjafton të përkthesh reklamat që haptazi na thonë: hajdeni tek ne, ne jua shtrojmë rrugën me trëndafilë të kuq; filma, muzikë, sport, lajme, gjithçka që sot duket normale për t’u parë.
    Njeriu nuk dëgjon muzikë sot, nuk sheh filma, nuk viziton muze, nuk lexon, nuk bën dashuri, nuk nevrikoset, por mbetet i mbyllur në ekranin e tij dhe kërkon, përgjon, kontrollon, uzurpon, vjedh, harron, grabit krenari dhe krijimtarinë e dikujt që i është dashur shumë për ta nxjerrë nga uzina përsonale. Por gjithë kjo mesele bën pjesë e standarteve perëndimore që me satelitët e fuqishëm i dha një forcë botës post komuniste. Muri i Berlinit ndoshta shënon një ndarje me një botë të kontrolluar disi butë, kurse sot ajo është krejtësisht e zbuluar, me lakuriqësinë e saj ajo mahnit, por edhe ndryshon mendimet dhe kompozimet e shpirtit.

  7. Nuk e kuptoj perse e quan njeriu ‘i perfytyruar’ kur ne fakt kemi pasqyrimin e ketij njeriu ne shume fusha te jetes.
    Ndoshta kthimi i njeriut perendimor ne bime barishtore nuk mund te quhet ende i perfunduar, por nuk po shoh gjekundi ndonje kritike aq te ashper saqe te pengoje procesin ne fjale.

    Nese masa kete kritike e quan pjelle te prapambetjes dhe e perkufizon kritikun si anadollak, atehere ci ngelet kesaj karakteristikes perendimore( kritike e vijueshme vetvetes) pervecse vendi ne muze ?

    Nese mund te flasim per ndikim politik te; teknologjise qe nderthuret me korporativizmin , atehere fjala fashizem nuk mendoj se eshte e pershtatshme per kritiken , pasi masa nuk mund kurre te arrije te beje lidhjen e zhvillimit ekonomik me totalitarizmin ,duke qene se zhvillimi ekonomik trumbetohet si arritje specifike e demokracise (sidomos pas rrenimit te komunizmit).

    Ne nje teme tjeter kam shkruar se e ardhmja i perket oligarkise jo tiranise (fashizmit). Sesa kohe kjo oligarki do rrije e fshehur nen petkat e demokracise nuk jam ne gjendje ta percaktoj, por me keto zhvillime ku demokracia po zevendesohet me shpejtesi nga plutokracia e ku politika eshte faqja e piste e plutokracise, nuk do e kete dhe aq te gjate,ceshtje dekadash.

  8. Une jam nga ata qe sherbehem nga komunitetet e sistemeve te hapuara (open source systems), marr filma dhe muzike larte e poshte. Ne kompjuterin tim nuk ka psh. programe qe paguhen me para (propertiary softwares), vetem linux dhe ato qe jane falas dhe te hapura (perjashto browserin tim “opera”). Ky komunitet eshte i vetmi komunitet sot ne bote qe i ka dale perball hegjemonise se firmave private dhe korporatave, dhe me nje alternative konkrete, jo keshtu ne retorik ose duke dale ne demonstrata te G7 ose G8 etj.

    Ne, dmth. anetaret shoqerive periferike, shqiptaret etj., the underdogs of the capitalist systems, the rank and files, te botes se trete duhet ta pershendesim kete zhvillim. Sepse deri dje ishim te perjashtuar nga mundesite e teknologjise. Deri dje bibliotekat me te mira ne bote ishin privilegj i nje klase elitare qe kishte mundesi te paguante pagesa te larta psh. ne Harvard, Princeton, Yale etj. Ndersa sot interneti ofron mundesi per cdokend te edukohet, dhe ka care monopolin informativ te klases ne sundim. Sot shqiptaret kane mundesi te perballin faktet historike, studimet ne bote, me genjeshtrat qe deri dje jane ushqyer baballaret e tyre.

    Sot po te mos ishte komuniteti i linux, do te ishim pa frike 10 vjete mbrapa ne teknologjine e internetit, te sigurise ne internet, dhe ne zhvillimin e programeve, sepse koncerne monopoliste si Microsoft kontrollonin cmimet dhe tregun.
    Shume thone se industria e muzikes dhe e kinematografise po vuan nga keto borsat e internetit. Kjo eshte legjende e ketyre firmave qe se fundi kane futur dhe DRM per te kufizuar perdoruesit dhe per tu vjedhur atyre cdo lloj nocioni te prones vetjake. Nuk eshte e vertete qe keto koncerne kane humbje. Nese une vjedh nje film nga interneti, psh. mora se fundi nje nga Lars von Trier, une nuk i sjell firmes kinematografike, ne rastin tim, Dogma, asnje humbje. Sepse une nuk jam klient i saj. Une nuk shkoj ne kinema underground, se nuk kam para te paguaj (L. von Trier i paguan filmat e tij me fitimet nga filmat porno). Po te mos ta mirrja filmin, nuk do te ishte ndonje problem per mua, nuk eshte cope buke, eshte “option”, eshte mundesi. Por edhe kur vjedh film hollivudi, une prape nuk u sjell atyre humbje, se une nuk jam klient i tyre. Nuk shkoj ne kinema te paguaj per pacavure.
    E njejta gje me muziken, psh. une perdor LastFm., ka edhe muzike falas, nuk ke nevoje te vjedhesh. Porse edhe kur kam vjedhur, prape nuk kam sjellur humbje, pasi une nuk llogaritem si fans i nje grupi, dhe si pasoj klient. Une as shkoj ne koncerte, as blej cd. Dmth. nje segment i tere shoqeror, ku bej pjese edhe une, jane indiferent ndaj tregut, dhe si pasoj nuk bejne pjese ne llogarite afrofe te ketyre koncerneve qe flasin me shifra. Humbjet qe kane keto koncerne kane te bejne me humbjen e cilesise, dhe jo se klientela po sherbehet diku tjeter. Keto jane ato rrafshet analitike qe shume i ngatarrojne. Psh. ka nje korrelacion pozitiv midis shkarkimeve te paligjshme dhe blerjeve. Kjo flet per cilesine, por edhe per ecurine pozitive te artikullit ne treg. Pra firmat kete mund ta perdorin si indikator, dhe jo si shkak per “gjueti shtrigash”.

  9. Duke shkëputur një togfjalësh prej fillimit të shkrimit të Xha Xhait dhe një prej fundit të shkrimit të kapedanit, përkatësisht: revolucioni MP3 dhe humbjen e cilësisë po bëj një novelë me gjashtë fjalë alla Heminguej me pretendimin se ajo përmbledh gjithçka ndodhi. Po e titulloj…
    Regresi
    Revolucioni MP3 solli humbjen e cilësisë [së dëgjimit].
    Të shkruaj pak për MP3, paçka se ju i dini këto.
    Si pjesë e standartit MPEG-1, MP3 është një format që përdor ngjeshjen me humbje të të dhënave bazuar në rate-distortion theory (rezultati i përpjekjeve të mia për ta shqipëruar nuk ishte i kënaqshëm) e cila përcakton shtrembërimin e sinjalit dalës me sinjalin hyrës, që në këtë rast është muzikë. Kështu muzika prej audio-CD-se në MP3 kalohet me humbje, dhe kështu i shitet dëgjuesit; një MP3 ka pothuajse cilësinë e CD. Kjo humbje e papërfillshme (që përfillet po të bëni vetë një provë symbyllasi me një cd dhe një mp3) mund të modelohet sipas kapjes së veshit të zakonshëm, por pse duhet të mos bëhet kjo Xha Xhai ka shkruar boll; një rrjetë thuajse e padukshme vihet midis artistëve dhe dëgjuesve si në stadiumet e bejsbollit, thua se zëri që mezi dëgjohet apo ai që s’dëgjohet fare për veshin e zakonshëm vret njeri.
    Kur storage-t ishin të limituara e modemet e ngadalshëm kishte kuptim. Por pse vazhdohet t’ju shitet konsumatorëve MP3 dhe AAC pasardhësin gjithashtu me humbje të MP3, dhe të dashurin për Applen kur si Apple ashtu dhe të tjerët mund të përdorin formate të tjera ku ngjeshja bëhet pa humbje? Pse Apple nuk përdor ALE (Apple Lossless Encoder) e saj e tu shesë dëgjuesve muzik.m4a? Sepse këngët 32MB të CD kthehen në MP3 3MB, ndërsa me M4A 15MB, kështu dëgjuesit do të kishin më pak këngë, do të harxhonin më shumë kohë, sepse në një modem dial-up 56kbit/s… Dokrra! Sepse Apple e të tjerët duan ti rrjepin të gjithë ata që rip-in muzikë. Sepse ata duan që dëgjuesit të shkarkojnë sa më shumë dhe të ruajnë sa më shumë në pajisjet e tyre. Kur ta kenë shitur gjithë arkivën, do të kalojnë në formatet pa humbje (me çmim më të lartë për këngë-thonë) për të rishitur nga e para, arkivin dhe i-pajisjet përkatëse. Kjo është industria e plaçkitjes, e ideuar dhe e ndërtuar për këtë qëllim. Më duket se gishti i Xha Xhait nuk drejtohet tek teknologjia si nuk drejtohet tek shkenca që mundëson atë, por tek ata që bëjnë plaçkë mbi kufomat.

    p.s. zgjidhja ime është një pocket-pc

  10. …”pasi masa nuk mund kurre te arrije te beje lidhjen e zhvillimit ekonomik me totalitarizmin ,duke qene se zhvillimi ekonomik trumbetohet si arritje specifike e demokracise (sidomos pas rrenimit te komunizmit)…:

    A nuk ka dale ne skene kohet e fundit nje shprehje qe quhet “kapitalizmi totalitar”, ku Rusia me Kinen merren si shembuj, qe vertetojne se demokracia nuk eshte prerequizita sine qua non per te siguruar zhvillimin ekonomik te nje vendi? Kjo i ve dinamitin te gjithe themeleve te nderteses se ndertuar me kaq kujdes keta 60-70 vjete e fundit si nga besuesit e vertete ashtu edhe nga mashtruesit e vertet me qylaf.

    Une mendoj se demokracise kemi per t`ia “pa sherrin” gjthnje e me shume. Vec me pas fryme.

  11. “Njeriu nuk dëgjon muzikë sot, nuk sheh filma, nuk viziton muze, nuk lexon, nuk bën dashuri, nuk nevrikoset, por mbetet i mbyllur në ekranin e tij dhe …”

    Kush tha!!? “Perendimi” dhe teknologjia ka vend edhe per ipod edhe per “Tanglewood”. E vetmja “e keqe” ne kete mes eshte qe sot kemi me shume choices dhe per kete arsye me shume tundim, ndaj dhe njerzit e kane te veshtire te dallojne se kujt ideali i perkasin, muzikes dhe librit apo bisnesit e parase. I lumtur eshte ai qe arrin dhe gjen dot vetveten dhe i sherben asaj.

    Esencen e Bethovenit e degjon sot mjaft mire nese pranon te paguash, ose perndryshe mjaftohesh me nje ipod sa per te perkedhelur sedren teknologjike.

  12. Cilitdo qe degjon shume,

    Teknologu nuk i prish pune.

    LP, MC, CD dhe MP3,

    Qe te gjitha per tu kenaqur Ti.

    Jam ne nje mendje me disa ketu qe teknologjia kap peshkun e cektesires dhe jo ata qe zhyten thelle. Dhe ne cektesire jane te gjithe te vegjlit.

  13. I dashur xhaxha..
    Me vjen keq qe te bera te reagosh pak me kompleks e te thuash fjali te tilla si “..Ta kam fjalën që mua vetë teknologjia më merr të keqen…”

    Thelbin permua eshte, qe tekonologjia nuk mund ta vrase artin. Ata qe dine e bejne art do te dine gjithmone te perdorin dhe teknologjine per kete

    Sidoqofte po te them qe dje pashe Gary Moore live, dhe me beso pa ato kitarat elektrike, nuk do te na riluante aq larte ato pjese te paperseritura te tij.
    Me kitare elektrike ama … imagjino c’kane thene xhaxhallaret e asaj kohe kur krahas akustikeve pane te dalin dhe keto “dranga drungat”, kitarat elektrike 😀

  14. Më duhet të bëj disa sqarime, për të shmangur keqkuptimet. Kur flas për përdorimin e dështuar të instrumentimit elektronik në muzikën pop, nuk e kam fjalën për muzikën elektronike si të tillë – meqë në këtë fushë disa autorë, si Vangelis, kanë arritur të krijojnë pjesë të mrekullueshme (madje edhe Isao Tomita ka disa albume të qëlluara, prej të cilave më ka mbetur në mendje një Arabesque no. 1 e Debussy-së, me të cilën hapej nuk di ç’emision nokturn lajmesh i Radio Shkupit në vitet 1970; për të mos folur pastaj për Pink Floyd të periudhës së hershme, të cilët u pëlqejnë shumë disave por jo mua; po ashtu Kraftwerk, Tangerine Dream, dhe të tjera grupe gjermane-kontinentale me flokë bojëqielli; si dhe krejt muzika techno; David Bowie dhe Depeche Mode; i ashtuquajturi math rock i King Crimson dhe Trey Gunn; muzika e Brian Eno & Co., ose në nivele më abstrakte ose pompoze, Steve Reich). Nuk e kam fjalën as për instrumente të tilla si kitara elektrike, ku elektronika përdoret për të amplifikuar ose shtrembëruar tingullin – meqë kitara elektrike është tashmë prej dekadash kolona kryesore e muzikës pop. Përkundrazi, e kam fjalën te përpjekjet për t’i zëvendësuar instrumentet muzikore me kompjuterin; p.sh. për ta prodhuar tingullin e saksofonit ose të oboes ose të fizarmonikës nëpërmjet modulimit elektronik të një sinjali të përftuar nga një tastierë elektronike e zakonshme. Pikërisht kjo u përqafua me entuziazëm të madh në vitet 1980, por me sa duket tanimë sikur po i bie vrulli, duke shkëlqyer sidomos si lodër fëmijësh, koromane “orkestrash” me buxhet të paktë ose perspektivë muzikantësh të robotizuar. Unë kam në shtëpi një tastierë elektronike relativisht të mirë (“Roland”), e cila prodhon nuk di sa qindra timbre instrumentesh të ndryshme; megjithatë, nuk mund t’i bie dot përveçse si piano, edhe pse tingulli që prodhon nuk mund të krahasohet kurrsesi me atë të pianos reale. Nga ana tjetër, ka muzikantë seriozë, si Pat Metheny, që ende këmbëngulin me tinguj të moduluar elektronikisht me Synclavier.

  15. Xhaxha, nuk te kundershtoj ne te gjitha ato qe thua. Por nuk jam dhe fare dakort t’i turres fenomenit te perdorimit te teknologjise ose me sakte abuzimit me te per te perfituar nga arti.
    P.sh une faktikisht jam fanse e periudhes muzikore te viteve ’80 deri ’90 dhe per sot po ashtu tregohem shume e kujdesshme ne perzgjedhjen e grupeve qe degjoj dhe ndjek.
    Ajo puna e single apo albums eshte pak me e komplikuar, se une kam pare shume dokumentare rreth grupeve muzikore, dhe ne ate kohe, kompanite muzikore i “detyronin” grupet apo artistet te mbushnin nje album me te pakten 10 kenge.
    Kete e kam degjuar nga vete kengetare te intervistuar.
    Nese te kujtohet dhe nga rinia jote, edhe pse “detyroheshim” ta degjonim te gjithe kaseten apo diskun, aty mund te vecoje minimumi deri ne tre dhe vetem ato degjoheshin,sado t’i thoshe vetes ja dhe kjo mire eshte.

    Ajo puna e albumeve me minimumi 10 kenge, ka qene si puna e ores se hartimit qe kishim ne, nje ore e caktuar e detyruar nga zysha, dhe tema po ashtu nga zysha! Hajt te te qellonte te kishe dhe frymezimin po atehere kur donte zysha .. kshu qe une s’besoj shume se kane qene patjeter aq te lidhura e te renditura me synimin qe thoni ju, kane qene po aq resultat i tregut sa dhe keto qe kritikoni ju sot.

    Dhe eshte shume natyrale qe arti nuk eshte nje vije e drejte e ngritur papritur atje lart, por ne varesi te frymezimit dhe te gjendjes se vete krijuesit do te kete kulme ose renie drastike

    Kuptohet qe krijues madheshtore nuk mund te quhet nje qe papritur pati nje sukses me nje single, po ja qe kulm arti i paperseritshem mund te dale dhe nga nje moment/faktor shume i thjeshte dhe te ngelet po aq lart sa dhe arti i atyre qe s’ju harrohet emri kurre.
    Kujto pak kengen “Lady in Red”

    Une sot p.sh. kete rawe music nuk para e kam shume per zemer, sepse eshte pure extacy noise.
    Por qe kam iPod apo Mp3 player dhe kam mundesi ta kem muziken time te perzgjedhur kudo ku shkoj, kete e quaj vertete fat. Qe kam e-mundesi te perzgjedh dhe koleksionoj te gjithe artin tim te preferuar kaq shpejt e pa u dashur te rend neper disko shops apo te gjej miqte e mi andej ketej te me bejne nder e kopjojne nje CD, edhe kete e quaj vertete clirim te madh.

    Nga pervoja ime te siguroj qe arti nuk vritet nga teknologjia, perkundrazi eshte kjo qe ndan mire artin e vertete nga ai fals, si dhe shtresat qe kuptojne art nga ata qe jane thjesht nje pjese e turrmes dhe ekxaltohen me pipizane 😉

    Sidoqofte diskutimi eshte i hapur ..

    By the way, po nese te them qe vdes per AC/DC edhe keta do m’i shash e quash rrugecer qe bejne “zhurme” dhe jo art ? 😉

  16. Ndryshe nga bashkekomentuesit une mendoj se teknologjia do te ndikoje perkundrazi ne diversifikimin e muzikes e jo ne standartizimin e saj.

    Kjo sepse tek vete teknologjia e informacionit po ndodh aktualisht ne menyre krejt te natyrshme nje revolucion i ri i ngjashem me ate te fillimviteve 90-te ku PC-te u perhapen masivisht. Gjate viteve 90-te sistemet e bashkeveprimit me kompjuterat u thjeshtesuan nepermjet miut (mause) dhe siperfaqeve grafike te programeve te ndryshme. Ne kete periudhe kaluam nga bashkeveprimi me gjuhe programimi -“art” 🙂 ky qe vetem pak vete e zoteronin- tek bashkeveprimi vizual dhe miu. Dhe ky vizualizim i bashkeveprimit me kompjuterin ishte elementi kyc qe solli dhe masivizimin e teknologjise dixhitale.

    Aktualisht po kalohet nga mause dhe tastiere ne kontrollin e sistemeve dixhitale nepermjet prekjes apo dhe levizjve trupore. Bashkeveprimi me sistemet dixhitale po behet gjithnje e me i ngjashem me bashkeveprimin me objektet reale dhe filozofia e “interface dizajnit” po i pershtatet ketyre mundesive te reja qe ofron tashme teknologjia. Ky eshte nje revolucioni i vertete me pasoja afatgjata shume me te medha sesa ato qe kemi pare ne vitet 90 si edhe tani.

    Te kthehem tani tek muzika. Te berit muzike ne menyre te vecante ne Europe eshte kushtezuar gjithnje nga veshtiresia e perdorimit te mjeteve ekzistuese muzikore. Veshtiresia e perdorimit te mjeteve muzikore solli ne menyre te pashmangshme dhe specializim. Per te mesuar mire pianon psh. duheshin/duhen dhjetra vite ushtrimesh te rregullta disa oreshe ne dite.

    Problemi i mjeteve muzikore ishte/eshte sistemi i komplikuar i bashkeveprimit me to. Ky sistem i komplikuar bashkeveprimi ka mbetur akoma sot pa ndryshime te medha ne pjesen me te madhe te mjeteve muzikore. Pianoja e sotme psh. ka mbetur pak a shume e njejte me pianon e para 300 viteve, te pakten ne menyren e bashkeveprimit me te (tastieren). Dhe me te verte teknologjia dhe sistemi i bashkeveprimit me mjetet muzikore eshte akoma sot ai i para 300 e kusur viteve. Pikerisht nga kjo muzika eshte akoma sot nje fushe qe dominohet nga profesionistet nje grup ky relativisht i vogel.

    Teknologjia dixhitale sipas te gjitha gjasave do ta ndryshoje raportin, krijues e instrumentist vs. degjues pasiv. Kjo sepse teknologjia dixhitale ka potencial te madh ne thjeshtesimin e menyres se bashkeveprimit me mjetet muzikore. Ne kete menyre ajo do te demokratizoje krijimin muzikor duke e kthyer muziken ne statusin e saj te natyrshem te nje arti popullor.

    Le te shpjegohem pak me mire me sistemet e bashkeveprimit me instrumentet muzikore. Instrumentet aktuale muzikore mund ti percaktosh ne menyre abstrakte si instrumente qe kane nje pjese marrje dhe perpunimi informacioni (informacioni jepet nga instrumentisti) dhe nje pjese per te nxjerre tingujt bazuar nga informacioni i dhene nga instrumentisti. Ne rastin e pianos psh. tastiera do te perbente pjesen e marrjes se informacionit nga instrumentisti dhe telat e pjanos ne brendesi jane ato qe nxjerrin tingujt. Pothuaj te gjitha instrumente muzikore te sotme pjesen e marrjes se informacionit e kane te bazuar ne nje teknologji mekanike te para disa shekujve!! Per zoterimin e sistemit te dhenies se informacionit te pianos duhen dhjetra vite ushtrime te rregullta gje qe sjell ne menyre te pashmangshme dhe specializim. Pikerisht tek menyra e dhenies se informacionit (jo tek ajo e nxjerrjes se tingullit) teknologjia dixhitale ka perparesi te jashtezakonshme ndaj teknologjive mekanike te deritanishme. Fatkeqesisht deri tani instrumentet dixhitale ne rastin me te mire kane kopjuar sistemet e bashkeveprimit te mjeteve klasike muzikore duke mos sjelle ndonje perfitim real te perdorimit te tyre. Por kjo po ndryshon. Per te ilustruar ate cka dua te them mund te shihni nje sequencer te ideuar nga artisti japonez Toshio Iwai. Me menyren shume te lehte e intuitive te perdorimit te ketij sequencer-i kushdo mund te krijoje muzike cilesore pa ndonje trajnim te vecante. Poashtu lojrat elektronike si Rock band apo guitar hero te cilat jane natyrisht lojra e jo mjete muzikore jane ndertuar nen te njejten filozofi te ndryshimit te sistemit te bashkeveprimit me mjetin muzikor

    Pra teknologjia do te mundesoi kalimin per shume nga ne nga konsumues muzike ne krijues. Dhe krijimi vetjak muzikor zhvillon ne menyre te padiskutueshme dhe vete shijet dhe perqasjen e njerezve ndaj muzikes komerciale apo karamele muzikore etj.

  17. …great Eni,plotesisht dakort!
    Dhe qe te vazhdoj pak argumentin tuaj, sa me shume krijues aq me e madhe mundesia per perzgjedhje natyrale te talenteve me te mira,sipas ligjit te Darvinit!
    😉

  18. Pse nuk i shkoni deri ne fund? Krahasoni dhe teknologjine me veshin. Teknologjia ka perparesi te jazhtezakonshme edhe ndaj veshit, por mos duhet te nise prodhimi industrial i implanteve te vesheve. Darvini do t’u shkulte kufjet kur te mesonte sa “natyralisht” kerkoni te beni perzgjedhjen e talenteve.

  19. Si mund te besoni se ne te kaluaren perzgjedhja e talenteve paska qene natyrale, kur dihet qe arti ka qene luks i shtresave te larta?

    Nese sot teknologjia iu jep mundesine, nje numri shume me te madh njerezish te jene ne kontakt te ndersjellte me artin, ju kete e quani “perzgjedhje teknologjike”?
    Come ooon!

    Dhe sa per teknologjite e veshit ju zoti Diabolis, besoj se dolet pak jashte teme ose me sakte e devijuat temen atje ku ju intereson t’i turreni teknologjise.

  20. Gjithe c’kam thene permblidhet keshtu:
    MP3 kane cilesi me te keqe se audio-cd, cilesi te cilen e bejne akoma me te keqe kufjet. Keto jane fakte.
    Nuk ka rendesi ne te kaluaren apo sot, une kerkova qe veshi te jete autoriteti ne muzike dhe jo MP3 me kufjet e saj, mbeshtetur vetem mbi ato dy faktet lart. Keto nuk perballin teknologjine me moralitetin, por teknologjine me vetveten. Rilexoni entuziazmin tuaj per koncertin live.
    Per implantet e veshit une i turrem teknologjise qe ta pergezoj, (edhe sepse kam lexuar Never let me go te Kazuo Ishiguro-s) por jo kur tentohet te perdoren si mini qendra zeri, jo prej teknologjise, prej industrise se plackitjes.
    Duket keq nje bote ne te cilen teknologjia heq dore prej ndertimit te kushtueshem te roboteve, e fillon per 99 cent kthimin e njerezve ne robote.

  21. teknologjia esht nje lami shum e bukur nese kemi te perparuar teknologjin ne do te kemi te perparuar gjdo gje ne bot une nuk po flas per teknologjin e plaqkitjs por vetm per teknologjin se per teknologjin e plaqkitjes skom qkam me fol ato gjera i dim te gjith por kampionat e plaqkitjes ne vendin ton jan politikant e tan si : hashim thaqi,ramush haradinaj,daut haradinaj,lutfi haziri,fatmir limaj etjera.
    se mi ja fillu me fol per secilin dot duht nje nat e ter per te shkruajtu po une i permenda vetm keta me bosat ose kryesort e ktyre gjerave ne kosove njerzit e zgjuar ka mbetur albin kurti adem demaqi dhe negjat daci po mos te ishin keta tre njerz vendi yn do te merrte fund ja pra kan mbetur dhe kto tri teknologji te vendit ton sepse dis jan shkatrruar domethn kan vdekur shum njerz te zgjuar vendi yn sa po e le nj te keqe po e mer nj tjetr tani kemi dhe disa cijapa me mjekrra disa qe mbajn fejen muslimane paguhn kete e dim te gjith ndonj dite ata njerz me mjekrra dote mbushn ekspluziv nga koka te kembet ne duht ta mbajm fejn muslimane por siq duht ta mbajm e jo ta bejm te tepruar se jeta jetoht por vendi keshtu do te shkatrroht

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: