LIRI NË XHUNGËL

Lirinë që na e solli rënia e Murit të Berlinit ne e trajtuam sikur të ishte lirim nga ushtria, ose dita e fundit të shkollës, ose më keq, dalje nga burgu. Është njerëzore, natyrisht. Mirëpo edhe ushtari kufitar që s’kishte parë leje me sy për muaj të tërë, ose nxënësi që e urrente shkollën për vdekje, ose burgaxhiu që kishte tentuar të vetëvritej, pas dy ose tri ditësh pijeje të rëndë me raki, uzo, fërnet dhe verë molle, vendosnin t’i ktheheshin më në fund realitetit. Pas dhimbjes së kokës, sëkëlldisë së rastit – edhe këto njerëzore – kërkonin punë, shoqëri, familje, stabilitet. Për fat të keq, po të shihen kolektivisht, shqiptarëve duket se nuk po u del dehja prej vitesh, sepse po vazhdojnë ta konsiderojnë lirinë si hapësirë shthurjeje ku mund të zbrazen të gjitha instinktet pa kurrfarë dallimi.

Interneti përbën hapësirën ideale të lirisë, meqë edhe kufijtë kombëtarë tradicionalë, por edhe ato kulturorë, vijnë e zbehen gradualisht për t’u shkrirë në një unicum që bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u përcaktuar. Mirëpo edhe vende të tjera që në ujërat e lirisë po lundrojnë prej vitesh e kanë pothuajse të pamundur ta evitojnë shpërdorimin e lirisë. Forumet e lira, që po rriten dita ditës jo vetëm për thjeshtimin programor të tyre, por edhe për tërheqjen e përdoruesve për arsye komerciale, po shndërrohen në mejhane virtuale, ku e merr fjalën edhe pijaneci më fjalëndyrë, për të mos folur për lloj lloj provokatorësh që diskutimet i shohin gjithnjë si nxehmje për të vijuar me grusht pa doreza.

Xha Xhai na solli këtu disa shembuj diskutimesh delirante. Them se nuk e ka pasur të vështirë t’i gjejë. Ligjërimi publik shqiptar është përplot me fundërrina të tilla. Në rast se nga një anë del hapur përgjegjësia e autorëve të këtyre mesazheve, nga ana tjetër nuk mund të mohohet përgjegjësia e atyre që nuk e moderojnë hapësirën e ligjërimit publik. Nuk ka pikë dyshimi se ka një farë kaosi në konceptimin dhe në menaxhimin e ligjërimit publik shqiptar. Kjo vërtetohet edhe nga vetë shtypi shqiptar, organe të të cilit u japin tituj disa artikujve dhe letrave lexuesish që si rregull duhet të përfundonin drejt e në kosh të plehrave. Nuk mungojnë as rastet kur gazetat u hapin dyert shkrimeve absurde, që në vende normale do të gjenin hapur vetëm portat e çmendisë ose të gjykatës.

Nuk është ende e qartë nëse kaosi që ekziston në hapësirën e ligjërimit publik vjen nga mungesa e një kulture të mirëfilltë demokratike apo thjesht sepse dikujt i intereson që të vazhdohet me një pështjellim të tillë. Ka mundësi që të jenë të dyja. Mirëpo, siç na mëson trafiku, kryqëzimi bllokohet kur nuk ka polic (në rastin e Shqipërisë), ose kur nuk punon semafori (në rastin perëndimor). Kuptohet që abuzimi me pushtetin gjatë historisë së Shtetit shqiptar e ka denigruar figurën e autoritetit rregullues, por kjo kurrsesi nuk mund ta zhvleftësojë plotësisht. Përndryshe, dikush do të kalojë nga trotuari duke shtypur njerëz, dikush do të nxjerrë koburen, dikush do të ulërijë, e kështu me radhë drejt përplasjes. Dëmi tjetër është se komunikimi inflacionohet aq shumë saqë nuk dëgjohen as ata që kanë përnjëmend diçka për të thënë. Edhe qytetarët kanë nevojë të dëgjojnë dikë, ndërkohë që para se të protestojnë e t’i bien burisë me të madhe duhet të shohin brenda vetes, nëse ata vetë i respektojmë rregullat deri në fund; porse ka hapësira, si ato të forumeve internetiane, ku i vetmi rregull është se rregulla nuk ka. Nuk them se duhet eliminuar. Përkundrazi. Vetë qenia e këtyre forumeve, na vërteton se kur liria abuzohet lindin përbindësha, midis tyre edhe diktatura.

Sidoqoftë, kjo situatë përbën çmim të lartë për shumë vende, kurse për Shqipërinë është absolutisht luks i palejueshëm.

2 Komente

  1. Po më pëlqeka shumë metafora e semaforit në shkrimin e mësipërm… Ka dalë vallë kush të protestojë ndonjëherë se semaforët pengojnë lirinë e qarkullimit?

  2. Vërtet semaforët/policët(në Shqipëri) rregullojnë trafikun… por vetëm rregullojnë trafikun dhe s’janë bërë për të ndaluar ata që nuk ecin me “ferrarin” e mentalitetit të shumë prej nesh.
    Nëse panorama e ligjërimit publik është e mbushur akoma me ‘qerre’ ose ‘karroca me kuaj’, kjo vjen edhe nga mungesa në qarkullim gjithnjë e më shpesh e “ferrarit” tonë.
    Nuk mund të rri pa e shtuar, sepse ndërsa po shkruaja komentin e mësipërm, mu kujtua një foto tek peshkupaujë e para ca kohësh, ku mblidhej misër duke e ngarkuar mbi një mercedes (pra rritja e numrit të mercedesave, sjell ‘eliminimin’ e mjeteve anakronikë , gjë që ‘forcon’ mendimin e shprehur më sipër nga unë.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: