KUR TË EMANCIPON TJETRI (III)

Ka antropologë që kontaktin e një kulture relativisht të prapambetur me një kulturë relativisht të përparuar – sa i përket teknologjisë në të gjitha shfaqjet e saj – do ta analizonin si një formë të arkeologjisë së të ardhmes: kultura më e prapambetur përballet me të ardhmen e vet dhe ka shans ta eksplorojë atë. I ngjashëm me këtë është edhe koncepti i future shock, i përpunuar nga Alvin Toffler*.

Historia globale e komunikimit mes kulturave shkruhet si variacione rreth së njëjtës temë: kulturat inferiore rrëgjohen, pësojnë kolaps ose edhe zhduken krejt, në përpjekjet për t’iu përgjigjur kulturave superiore; madje edhe kur këto të fundit kanë pasur synime relativisht beninje ndaj të parave. Gjasat janë që kolapsi të vijë si efekt objektiv i vetë kontaktit mes kulturave, jo synim i palës më agresive, ose më predatore.

Megjithatë, kjo nuk e përjashton rolin që luan, në shkatërrimin e kulturës inferiore, pritja ose shpresa, e pabazuar në logjikë ose eksperiencë, se teknologjisë superiore të Tjetrit i përgjigjet edhe një moralitet superior; dhe se arsyeja e shfaqjes së tij në horizontin tënd është që të të shpëtojë ty. Ky lloj interpretimi magjik i kontaktit i ka rrënjët në infantilizmin e kulturës inferiore, nevojën e institucioneve të saj për ‘baba’, ose udhëheqësi të jashtme ndaj sistemit.

Shqiptarët e kanë bërë këtë gabim rregullisht në historinë e tyre, duke vështruar me përgjërim, sipas rastit, ndaj Venedikut, Vatikanit, osmanëve, Athinës, Romës, Beogradit, Londrës dhe kështu me radhë, për të përfunduar në lidhjet groteske me Moskën, Pekinin dhe Uashingtonin: lidhje të cilat mishërojnë, para së gjithash, shpresën tonë të qëndrueshme se shpëtimi do të na vijë nga jashtë; por edhe dëshirën tonë për një autoritet që të na tërheqë për dore në xhunglën e marrëdhënieve ndërkombëtare – edhe pse, nëse metafora e xhunglës qëndron, atëherë gjasat janë që në këtë mjedis të sundojë një klasë predatorësh të sofistikuar.

Nga njëra anë, ne sot ia atribuojmë Perëndimit një profil moral epror, të cilin ajo kulturë nuk e ka as mund ta ketë; nga ana tjetër, ne besojmë se Perëndimi shqetësohet mirëfilli për të ardhmen tonë, njëlloj siç shqetësohet prindi për të ardhmen e fëmijës. Duke ia lejuar vetes qëndrimin egoist dhe egocentrik si qëndrim default, ne presim prej Perëndimit që të sillet me ne në mënyrë altruiste, meqë është detyrë e autoritetit (patriarkal, prindëror, etj.) që të kujdeset për më të voglin, më të pazotin dhe më të varfrin e fëmijëve.

Të kapur rob ndaj këtyre dëshirave fëminore, ne e shohim Perëndimin si një bllok ose një agjenci të vetme, monolitike dhe unike në synimet, strategjitë dhe taktikat e veta; madje, në skemat tona mendore, në anticipimet që ia bëjmë të ardhmes, gjithnjë nisemi nga një model komunikimi one-to-one: Shqipëria nga njëra anë, Bota nga ana tjetër (kam frikë se edhe kjo trajtesë imja nuk i shpëton herë-herë këtij kurthi). Ky model bëhet pastaj burim ose i nënshtrimit total dhe i pretendimeve të ekzagjeruara për ndihmë, lëmoshë, pará, udhëheqësi dhe mbështetje ndaj këtij apo atij shteti, organizmi ndërkombëtar ose partneri të huaj; ose i paranojës ksenofobike, se të huajt ‘nuk na duan.’ Është një farë algjebre perverse, me të cilën kompleksitetin e qëndrimeve ndërkombëtare ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve e reduktojmë në një model linear komunikimi dypalësh, të mbështetur mbi mirëdashjen (si formë etikisht korrekte të dëshirës).

Në fillim të viteve 1990, si pasojë edhe e një reaksioni të ekzagjeruar ndaj izolimit të rreptë dhe autarkik gjatë periudhës totalitare, Shqipëria ia hapi krejt dyert Perëndimit, duke bërë të mundur kontakte masive, ekstensive dhe intensive, në të gjithë spektrin: në njerëz, në mallra, në ide, në zakone, në rituale dhe në seks. Mirëpo kulturës shqiptare, të mbajtur prej dekadash në serë dhe të mbrojtur nga realiteti i ashpër i ballafaqimit me kultura të tjera, jo doemos miqësore, i mungonin mekanizmat e nevojshëm për t’u mbrojtur ndaj agresivitetit të natyrshëm të këtyre kulturave të tjera, më të suksesshme. Për pasojë, shoqëria dhe kultura shqiptare u sëmurën.

Sëmundja, nëse mund ta quajmë kështu, u manifestua në të gjitha aspektet e jetës: në ekonomi dhe në politikë, në rendin publik dhe në familje, në institucione dhe në moral.

Përballë pushtimit të krejt hapësirës publike nga teknologjitë perëndimore, duke përfshirë këtu teknikën e mirëfilltë, mjetet e komunikimit, burokracitë, aparatin ligjor dhe administrativ, sistemin bankar, etj.; dhe në përgjithësi mënyrat si i zgjidh problemet Perëndimi, shqiptarët nuk mund të reagonin ndryshe, përveçse me një paralizë të institucioneve ekzistuese, një demoralizim të gjithanshëm, të shprehur si anomi.

Natyrisht, klasa të ndryshme të shoqërisë shqiptare e përjetuan këtë paralizë në mënyra të ndryshme: ndryshe do të reagonin punëtorët e qendrave të mëdha industriale, ndryshe fshatarësia malore, ndryshe intelektualët në Tiranë dhe ndryshe anëtarët e ish-nomenklaturës komuniste, ndryshe të persekutuarit e djeshëm dhe ndryshe viktimat e freskëta të reformës radikale në ekonomi dhe në shtet (privatizimet, ndalimi i prodhimit, paraliza e tregut). Disa madje arritën të përfitojnë nga anomia, për të dalë në krye të punëve dhe për të marrë përsipër, herë me forcë dhe herë me dredhi, rolin e ndërmjetësuesve midis shqiptarëve dhe Tjetrit, të bindur se ky rol, si mëkëmbës të Perëndimit në Tiranë, do t’u siguronte vetvetiu supremacinë në Shqipërinë e nesërme.

Efektet e kësaj paralize të gjithanshme që vjen si efekt i ‘infektimit’ të shoqërisë shqiptare nga virusi Perëndimor, prekin të gjitha sferat e jetës, publike dhe private: përballë teknologjisë perëndimore superiore dhe nivelit të lartë të jetesës në Perëndim, shqiptari i sapodalë nga izolimi totalitar nuk mundej veçse të binte në krizë demoralizimi; dhe aq më përfshirëse do të ishte kjo krizë për shoqërinë shqiptare në tërësi.

Në fakt, individë të shkëputur edhe mund ta arrijnë, me përpjekje titanike, të ligjshme dhe të paligjshme, mirëqenien që ia lakmojnë aq shumë Tjetrit; por shoqëria, me institucionet e veta tradicionale, këtë nuk e arrin dot. Prandaj paraliza e institucioneve merr trajta më të thekshme sesa paraliza e individëve – të cilët, tek e fundit, mund edhe të dalin nga kurthi ose fataliteti i komuniteteve ku janë përftuar, për ta kërkuar fatin gjetiu.

Siç mund të merret me mend, kriza e institucioneve shfaqet, para së gjithash, si krizë e autoritetit, e cila e përshkon sot e kësaj dite shoqërinë shqiptare në mënyrë transversale: që nga familja, ku as babai nuk di si të jetë më baba, as nëna si të jetë nënë, as djali si të jetë djalë dhe vajza vajzë, bashkëshorti bashkëshort dhe kështu me radhë, e deri te institucionet publike më elementare: qeveria, administrata, shkolla, shëndetësia, feja.

Nga njëra anë, njerëzit e kuptojnë se Shqipëria e shekullit XXI është përfshirë në struktura mbishtetërore, në të cilat ende luan rolin e pariah-ut; nga ana tjetër, vetë përfaqësuesit e Perëndimit në Shqipëri e shohin të nevojshme të ndërhyjnë në administrimin e punëve, duke marrë në dorë drejtimin e tyre, ose ‘timonin’. Që këtej edhe ambivalenca me të cilën shoqëria shqiptare e tanishme e përcjell protagonizmin e ambasadorëve në Tiranë: nga njëra anë, ata përçojnë pushtetin dhe vullnetin e Zotave të përtejdetit dhe janë garancia e vetme përballë abuzimit që mund të vijë dhe që, në fakt, vjen prej autoriteteve të brendshme ose vendëse; nga ana tjetër, këta ambasadorë që marrin përsipër të udhëheqin de facto politikat në një vend demokratik, nuk përfaqësojnë gjë popullin as janë zgjedhur me votë; por thjesht përfaqësojnë interesat e palëve përkatëse, prandaj edhe ndërhyrjet e tyre shkaktojnë irritim, ose akuzohen rëndom për favoritizëm ndaj këtij ose atij qehajai lokal. Ironikisht, vetë krerët lokalë, të zgjedhur me votën e popullit, kërkojnë ta legjitimojnë pushtetin e tyre duke marrë mbi vete detyrat (dhe privilegjet) e ambasadorit ose të përfaqësuesit dhe interpretit të interesave të kësaj apo asaj fuqie të madhe. S’është për t’u habitur, në një kontekst të tillë, që njerëzit u besojnë më shumë institucioneve ndërkombëtare sesa atyre lokale, duke i perceptuar këto të fundit si zgjatime të panevojshme ose parazitare të të parave.

Perëndimi, nga ana e vet, qoftë i përfaqësuar veçmas nga shtete me interesa të veçanta në Shqipëri, si Italia ose Greqia; qoftë në trajtat më ‘fisnike’ të institucioneve të Europës së Bashkuar, ka ndjekur gjithnjë interesat e veta në marrëdhëniet me Shqipërinë – të cilat nuk kanë qenë as detyrimisht dashamirëse, as detyrimisht dashakeqëse, por më tepër të diktuara nga strategjitë e mbijetesës së Perëndimit vetë. Synimi kryesor i Perëndimit, në kontaktet me Shqipërinë, ka qenë dhe mbetet neutralizimi i rreziqeve reale dhe potenciale që mund t’i vijnë botës perëndimore prej shqiptarëve dhe Shqipërisë; dhe kjo sa kohë që Shqipëria nuk do të perceptohet si anëtare me të drejta të plota e asaj bote. Në skenarët më të skajshëm, ky neutralizim mund edhe të përfytyrohet si humbje tërësore e karakteristikave që e bëjnë shqiptare kulturën shqiptare; dhe logjikisht prej Perëndimit nuk mund të pritet ajo farë ndjeshmërie që tregojnë, bie fjala, ekologjistët, për ndonjë breshkë ose hardhucë të rrallë, që kërcënohet me zhdukje.

*Veprën e Toffler-it dhe konceptin e tij themelor që meriton analizë më vete në kontekstin shqiptar, ma sugjeroi, gjatë një bisede online tani vonë, kolegu Julius.


Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin