SHTERIMI MAJTAS E DJATHTAS

nga Ismail Ademi

Tre vitet e fundit kanë qenë vite elektorale për shumë vende të Evropës me 27 shtete. Viti në të cilin ndodhemi ka qenë ndoshta më domethënësi për të kuptuar së paku drejtimin që po marrin tendencat politike në kontinentin tonë.

Në Itali u mbajtën zgjedhjet rajonale, mjaft të rëndësishme pasi rajonet kanë një pavarësi ekonomike shumë domethënëse. Në këto zgjedhje leit motivi kryesor ishte mos pjesemarja në proçesin zgjedhor të pothuajse 40% të atyre që gëzonin të drejtë vote. Aspekti tjetër, njësoj i rëndësishëm, ishte dhe rezulati i zgjedhjeve. Italianët, të paktën ata që votuan, dhanë një konsensus të papritur për parti “proteste” si Lega Nord, apo Italia dei Valori që, edhe pse në koalicione me parti të tjera, nuk mund të kalsifikohen as si të majta dhe as si të djathta. Sot Lega Nord ka disa nga ministritë më të rëndësishme në qeverinë Berluskoni dhe drejton dy nga krahinat më të pasura të Italisë. Dëshirë për ndryshim, apo thjesht një votë proteste kundër një të majte dhe një të djathte më tashmë statike në panoramën politike?

Në Angli u rizgjodh parlamenti dhe u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme. Për herë të parë pas shumë vitesh, në fushatë elektorale rolin e protagonistit të rëndësishëm e mori dikush që nuk vinte as nga konservatorët dhe as nga laburistët, ishte Nick Klegg i liberaldemokratëve. Në këtë rast, pothuajse të ngjashëm nga numrat me Italinë, pothuajse 40 % e britanikëve nuk votuan, dhe partia e “tretë”, liberal demokratët u shndërruan në forcë vendimtare në formimin e qeverisë. Për herë të parë qysh nga viti 1974, Anglia nuk njihte një situatë me qëndrueshmëri kaq të brishtë sa ajo aktuale. Liberaldemokratët drejtojnë disa nga ministritë kyçe në qeverinë britanike.

Në Republikën çeke zgjidhjet e majit, happen një skenar të ri. Dy partite më të mëdha në vend (socialdemokratët dhe ODS) respektivisht të parët të majtë dhe të dytët të djathtë, humbën më shumë se 1,5 milion vota në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Ndodhi kësaj here që dy parti që prezantoheshin për here të parë në zgjedhje qëndrore, TOP09 dhe VV, duke mbledhur votat e të pakënaqurve nga politika, arritën rezultate me dy shifra, duke u shndëruar kështu në faktorë të domosdoshëm për krijimin e çfarëdolloj qeverie.

Para pak ditësh në Belgjikë, vend në të cilin ka qendër Bashkimi Evropian dhe Nato, partia separatiste që kërkon ndarjen e vendit, mori një konsensus si asnjë herë më parë, duke detyruar formimin e një qeverie tepër të brishtë për të qeverisur një moment krize kaq të thellë ekonomike si ky që po jetojmë.

Mund të vazhdojmë këtë listë me arsyetime pak a shumë të ngjashme në thelb, edhe për shtete të tjera evropiane. Mund të pohojmë se partitë e mëdha tradicionale, ndoshta dhe nga fakti që qeverisin prej shumë vitesh, nuk janë më në gjendje t’u ofrojnë qytetarëve të tyre zgjidhje dhe përgjigje për problemet që ata i ndiejnë më urgjente.

Nuk mund mos të nënvizojmë, me një fare shqetësimi, se në parlamentet evropianë sot ulen parti ekstremiste që deri para pak vitesh e kishin ëndërr një prani të tyre në organin më të lartë të përfaqësimit qytetar. Kjo ndodh në Itali, Hungari, Hollandë, Belgjikë dhe në shumë vende të tjera. Bëhet fjalë për parti, në shumicën e rasteve, që nuk japin një perspektivë afatgjatë për zhvillimin e vendeve, por kufizohen në amplifikimin e frikës që ka kapur Evropën. Kanë në qendër të politikave demagogjinë e politikave kundër emigracionit, kundër shumëllojshmërisë shoqërore që duhet të përbëjë një shtet të shëndetshëm demokratik.

Ndoshta ka ardhur koha që partitë e mëdha evropiane, qofshin këto të majta apo të djathta, të dalin nga dhomat e tyre dhe të kuptojnë se bota po ndryshon me rritme marramendëse, dhe mbyllja në ideologji të paracaktuara me siguri nuk ndihmon askënd.

Shënim: titulli ështi imi (Pishaku). Titulli origjinal i artikullit është: “Shterimi i të majtës dhe të djathtës, Evropa në kërkim të diçkaje ndryshe”.

Nuk ka komente

  1. Ne Itali Berlusconi humbi shume pike ndaj Bosit ne veri. Kjo si rezultat edhe i frikes ndaj emigranteve qe mbjellin mediat e tij per te goditur te majten. Po vazhdoi keshtu, il Popolo della Liberta’ brenda pak vjetesh mund te shnderrohet ne nje dege te Lega Nord.

  2. Pa dashur te fyej askend, analiza e Ademit ketu me duket fare e percipte. Per shembull, perfundimi “Mund të pohojmë se partitë e mëdha tradicionale, ndoshta dhe nga fakti që qeverisin prej shumë vitesh, nuk janë më në gjendje t’u ofrojnë qytetarëve të tyre zgjidhje dhe përgjigje për problemet që ata i ndiejnë më urgjente” nuk rrjedh nga faktet qe parashtron autori, por duket sikur eshte perfundim i paracaktuar qe ne fillim te argumentit. E para, sipas fakteve qe paraqet Ademi, partite e medha kane humbur mazhorancat kontrolluese por mbeten ende ne qeverisje te vendeve te sjella si shembull. Kjo kundershton kryekeput perfundimin qe partite kryesore nuk ofrojne me zgjidhje, por mund te themi vetem qe tashme nuk jane me te vetmet ne loje. Me tutje, autori duket se mendon qe fajin per humbjet e pjesshme te ketyre partive tradicionale e kane ideologjite e tyre te mbyllura, nderkohe qe ato qe parashtron si fakte mbeshtetese te ketij perfundimi nuk te cojne detyrimisht ne ate drejtim. Shume arsye te tjera mund te kene ndikuar ne kete renie te partive tradicionale: lodhja nga politikanet e tanishem ( Ceki dhe po shtoj SHBA ku cajdashuruesit po behen gjithnje e me influente), arsyet objektive etnike ( Belgjika eshte shtet i krijuar artificialisht i cili ka patur gjithmone nje dinamike etnike separatiste), kriza ekonomike qe i ka frikesuar ne kulm njerezit (te cilet jane te gatshem te provojne cdo gje pervec status kuose), apo edhe forca tradicionale e partive ekstremiste (ne Itali dhe Hollande Lega dhe partite fashiste kane qene gjithmone ne pozita deridiku te forta ne disa rajone) e cila arrin me shume rezultate kur “pjesa e shendoshe” e elektoratit nuk ka shume arsye per te dale ne zgjedhje. Te gjitha sa me siper ose nje kombinim i tyre mund te kene patur ndikim ne formezimin e skenes politike europiane ne kete fillim 2010 dhe si pasoje i gjithe argumenti eksluziv i Ademit se fajin e paskerka ideologjia e vjeteruar e partive tradicionale mbetet hipoteze e paprovuar.
    Edhe nje here, analize disi e percipte dhe pa shume vlere.

  3. Analiza e autorit eshte tejet e zbehte,aq sa eshte veshtire te cilsohet si e tille,madje eshte nje rrefim i percipte mbi cka ngjare.Personalishte si qytetare europiane nuk ka sesi mos jem i ‘entuziazmuar’ nga kto ndryshime domethenese.Padyshime kjo ishte nje goditje per mbare politiken europiane,nje goditje me se e merituar.Megjithese Europa (Sh.B.A te perfshira) konsiderohet si djepi i demokracise,kjo seshte aspak e vertete.Kush mund te gjeje nje vend sot(perjashto ndoshta vendet Skandinave) qe drejtohet nga shumica,nga vete populli,e jo nga nje grushte i vogel njerzish?C’fare aksesi ka populli sot ne vendimarrje?!Sot fjala ‘popull’tingollon me abstrakte se kurr me pare.Perrallen se Amerika eshte simboli i demokracise nuk e beson me askush.Mesazhi i votuesve ishte i qarte: MJAFT!
    Le te shpresojme ne nje reflektim te te ashtuquajturve politikane,qe bejne gjithshka,pervec se detyres se tyre;Ti sherbejne popullit.
    E ashtuquajtura krize deshmoi se kur vjen puna per te vjedhur(popullin,ke tjeter)nuk paska shume dallime midis politikaneve,qofshin kto Europiane,Afrikane,Aziatike,Amerikane…
    Megjithate efektet dhe thellesia e ‘ndryshimeve’ ngelet per tu pare.
    Fatkeqesishte ne Shqiperi nje sensibilizim i tille,megjithe deshtimet spektakolare te politikes nuk po ndodhe.Megjithese politika i vjedhe,i fyen me rende se kushdo madje edhe i vret,kur vjen puna per te votuar cohen bagtite e mbajne radhe qe ne sabah.Nje here te vetme qe ‘politikanet’ ia kane nevojen(jo dhe aq),nje here te vetme qe bicim kane dicka ne dore te varfrit,shkojne e shiten falas.E per rjedhoje e vetmja shprese(pervec mrekullive,qe spo ngajne shume,per hire te se vertetes) eshte degradimi i tejskajshem.Ka edhe me keq?!?!??!?!?!
    Sinqerishte nuk e di,ndoshta vetem nje shkatarrimi total i vendit(qe sic duket ka shume gjase te ngjaje).Qe do te thote,se shpetimi i vetem ne kete derexhe qe ndodhemi do te ishte VETEVRASJA!!!
    Mbasi mbijetuam per mijra vjete,nje fund i tille do te qe tejet cinik,prandaj SOT rruga drejt nje fundi te tille duhet REFUZUAR;por druaj se mbas kaq vjetesh zvarritje drejt humneres,thjeshte refuzimi nuk do te mjaftonte per te evituar fundin e pritshem,edhe sepse eshte dikush qe me zell te jashtezakonshem(burimi i te cilit eshte i mistershem,por duhet medoemos te kerkohet) po na shtyn drejt fundit tragjike .Duke qene se jemi shume te vonuar duhet REAGUAR ME FORCE(menjehere,Sot,TANI),e jo thjeshte refuzuar.Mbase kaq vjet zvarritjesh kemi harruar nga jemi nisur,kush jemi.Duhet se zben ta shtrydhim mendjen e te kujtohemi,sa me pare.
    Kush e di c’zbulojme?!?!
    Ndoshta do te jete pikerishte ‘zbulimi’ qe do te na SHPETOJE.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin