SHQIPJA SI ESPERANTO

Një pyetje e rastit prej një kolegu blogtar më bëri të mendoj për disa vështirësi strukturore që ka shqipja e librave, ose formale, për t’i shprehur konceptet abstrakte me rrugë e mjete leksikore.

Kush shpenzon sado pak kohë duke shfletuar një fjalor të shqipes, do ta vërë re menjëherë se shumë folje në –oj (të cilat përbëjnë rreth 90% të të gjitha foljeve shqip) krijojnë rreth vetes, pothuajse vetvetiu, një familje fjalësh të prejardhura, sipas modelit të mëposhtëm:

Kërkoj – folja bazë

Kërkohem – trajta pësore/vetvetore e foljes

Kërkim – emri foljor abstrakt i veprimit

Kërkues – mbiemri prejfoljor i vepruesit

Kërkuese – forma femërore e këtij mbiemri

Jokërkues – mbiemri që tregon një tipar të kundërt me kërkues

I kërkuar – mbiemri prejpjesor me kuptim pasiv/pësor

I kërkueshëm – mbiemri që tregon mundësi për të pësuar veprimin

Kërkimor – mbiemri lidhor, që tregon marrëdhënie me emrin e veprimit ose veprimtarisë përkatëse

Kërkesë – emër foljor abstrakt që shpreh zakonisht veprimin si akt pikësor ose rezultatin e veprimit

Moskërkim – mungesa e veprimit të shprehur nga kërkim

Kërkimtar – emër vepruesi që e shpreh konceptin në një plan më abstrakt se kërkues

Kërkimtari – emër abstrakt që shenjon veprimtarinë përkatëse, në një plan më abstrakt se kërkim

Kërkueshmëri – emër abstrakt që shpreh mundësinë e veprimit, i ndërtuar mbi temën e mbiemrit i kërkueshëm

Shkruesit e shqipes, në një farë mënyre, stërviten që t’i krijojnë fjalë të tilla njëlloj siç do të krijonin format gramatikore të një fjale të eptueshme, për shembull të një foljeje:

kërkoj, kërkon, kërkon, kërkojmë, kërkoni, kërkojnë

Me të drejtë është vënë re se ky gramatikalizim i fjalëformimit, artificial në vetvete dhe krejt tipik për shqipen e njësuar sidomos burokratike ose librore, shpie në të ashtuquajturin esperantizim të gjuhës.

Kush i njeh sado pak përpjekjet e Leibniz-it ose të John Wilkins ose të shumë filozofëve, logjicienëve e mendimtarëve gjithëfarësh për t’ia dhënë një gjuhë hiper-racionale iluminizmit që po merrte trajta gjatë shekujve XVII-XVIII do të më kuptojë më mirë… Ja një shembull çfarëdo i nxjerrë nga vepra e Letellier (1850), të cilin po e citoj sipas një eseje të Borges-it:

a do të thotë “kafshë”; ab, “gjitar”; abo, “mishngrënës”; aboj, “felin”; aboje, “mace”; abi, “barngrënës”; abiv, “kalë”; etj.

Kjo natyrisht u ngjan sistemeve arbitrare të emërtesave kimike, ose klasifikimit të informacionit që përdorin sot bibliotekat; por asnjë gjuhë natyrore nuk funksionon në këtë mënyrë, as mund të funksionojë… (disa mendojnë se komponentja irracionale në gjuhët natyrore i detyrohet faktit që këto, si objekte, ekzistojnë edhe në histori, kanë shtrirje, si të thuash, kohore).

Njëlloj sikurse u ngjan edhe disa strukturave të Newspeak, ose anglishtes totalitare në romanin “1984” të Orwell-it (ose fjalëve të tilla si goodthinkful, të të ashtuquajturit Fjalor B).

Me të drejtë është vënë re edhe se, duke i trajtuar këto forma si fjalë të pavarura të gjuhës, Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe i vitit 1980 e ka fryrë artificialisht numrin e fjalëve të shqipes, duke quajtur të tilla edhe forma që, në thelb, sillen si të ishin forma gramatikore.

Për ta sqaruar edhe më tej këtë koncept, ju ftoj të mendoni për një çast për një folje e cila në të vërtetë nuk ekziston në shqipe, për shembull lugëtoj.

Gramatikalizim i leksikut do të thotë, në këtë rast, që shqipshkruesit, sapo të marrin vesh se një fjalë e tillë si lugëtoj ekziston në gjuhë, do të pranojnë vetvetiu si të shqipes fjalë të tilla si lugëtohem, lugëtim, i lugëtuar, lugëtues, i lugëtueshëm

Mirëpo ky lloj prodhimi hiper-racional në seri e vret gjuhën, sepse e trajton si të ishte krejtësisht në shërbim të logjikës e përpiqet t’i veshë fjalët me uniformë ushtarake; edhe pse e ruan njëfarë vlere brenda kufijve të neologjisë për qëllime terminologjike.

Arsyet e shumimit pothuajse bakterial të këtyre formave kanë të bëjnë me (1) nevojën për t’i dhënë shqipes një leksik abstrakt, i cili deri dje i mungonte dhe (2) nevojën për të shmangur përdorimin e fjalëve të huaja të panevojshme.

Nëse ndokush do të merrte guximin të përkthente, bie fjala, Hegelin ose edhe Aristotelin në shqip, me siguri do të detyrohej ta mbushte tekstin me fjalë të tilla të frikshme, një pjesë të të cilave ndoshta të përdorura atje për herë të parë.

Për shembull, fjalori i shqipes më siguron se fjalë si jetërsoj dhe jetërsim tashmë janë pranuar prej gjuhës dhe sanksionuar si leksema, ose njësi leksikore të pavarura (ndryshe nga fjalë të tilla si jetërsofsh, të cilat nuk janë leksema të pavarura, por forma të foljes jetërsoj).

Tani, askush nuk e pengon përkthyesin që, i ndeshur me një fjalë italishte si inalienabile, t’i drejtohet modelit përkatës, dhe ta japë këtë fjalë me shqipen i pajetërsueshëm. Në këtë rast, përkthyesi nuk e vret mendjen nëse një fjalë e tillë është përdorur më parë në shqipe apo jo; sepse është i sigurt që lexuesi nuk do të ketë problem ta kuptojë fjalën i pajetërsueshëm, njëlloj sikurse nuk ka problem të kuptojë një formë foljore të rrallë, si jetërsofsh, edhe sikur kjo e fundit, statistikisht, të mos jetë përdorur kurrë më parë në tekstet shqipe (unë vetë ashtu kujtoj).

Më tutje, përkthyesi ynë ndesh në fjalën inalienabilità; dhe sa kohë që e ka përkthyer inalienabile me i pajetërsueshëm, asgjë nuk do ta pengojë që ta përkthejë inalienabilità me pajetërsueshmëri.

Siç mund të shihet, përkthyesi është i detyruar të kalojë nga përkthimi i tekstit në përkthim fjalësh sipas pjesëve të tyre (ose kalkim, siç e quajnë gjuhëtarët); duke u dhuruar lexuesve një krijesë të re e të çuditshme, e duke i ftuar ta admirojnë ose, përkundrazi, urrejnë.

Çështja me fjalë të tilla si pajetërsueshmëri është se janë kaq të reja, sa tërheqin vëmendjen pikërisht me risinë e tyre; duke e bërë tekstin opak; prandaj edhe veprat filozofike e kemi më të lehtë t’i lexojmë në italishte, frëngjishte, gjermanishte ose anglishte, sesa në shqipe.

Nga ana tjetër, gramatikalizimi i leksikut nuk është pa lidhje edhe me raportet e shqipes së njësuar me diskursin totalitar; ose me nevojën e regjimit të Hoxhës për ta përdorur shqipen e njësuar si instrument të dhunës policore e ideologjike mbi mendimin. Por edhe kjo temë meriton të trajtohet më vete.

5 Komente

  1. Pse blogtar?
    Fjala bloger ose blogues që janë gjërësisht në përdorim, janë të gabuara?

    -inalienabile
    [i-na-lie-nà-bi-le] agg.

    1 dir. Che non può essere ceduto, trasferito, venduto ad altri: proprietà i.

    2 fig. Di cui non si può essere privati SIN intangibile: diritto i. dei cittadini

    • sec. XVII
    ______________
    ———————-
    -inalienabilità
    [i-na-lie-na-bi-li-tà] s.f. inv.

    • dir. Impossibilità giuridica di vendere, cedere, trasferire beni o diritti

    • sec. XVIII

    vedi qui (almeno io uso questo):
    http://dizionari.corriere.it/dizionario_italiano/I/inalienabilita.shtml

    Lo detto perchè non vedevo un nesso con la parola jetersim 😉

  2. Edrus, blogues e bloger nuk them se janë të gabuara, por janë fjalë të reja, që nuk kanë zënë rrënjë. Mua më pëlqen blogtar, sepse më tingëllon mirë…

    Sa për lidhjen e termit juridik italian alienare (dhe të familjes përkatëse) me shqipen (t)jetërsoj këtë e kanë vendosur terminologët, prandaj nuk na mbetet gjë ne përdoruesve për të vendosur.

    Mbingarkimi i fjalëve shqipe me shumë kuptime është problem më vete, edhe pse gjithnjë lidhet me varfërinë relative të gjuhës sonë, kur vjen puna për fjalë abstrakte.

  3. “nuk them se janë të gabuara, por janë fjalë të reja,”
    Përse, blogu/blogimi janë të ‘lashta’??

    Natyrisht bëj shaka, por blogtar, sikur e fut blogerin në kategorinë e nderuar të :treg-tar/ëve :).

    Seriozisht tani:
    Detyra juaj, është që përveç diskutimeve me njëri tjetrin, kur të ndeshni raste të tilla të vendosura arbitrarisht nga terminologët(!! Kush janë ata për të vendosur ç’të duan??), t’ju thyeni kokën atyre nga lartësia e njohurive tuaja, dhe ndershmërisht, jo se e adhuroj dhe e dua SI vëlla atë blogtarin tjetër, por keni njohuritë e mjaftueshme për të bërë gjëra shumë më të mëdha se këto diskutime.
    Sa të tjerë si ju mund të jenë??
    Shumë?!
    Pak?
    E ç’rëndësi ka, gjeni gjuhën e përbashkët dhe vetëm mirë do të ketë dhe për ne dhe për të tjerët që do vijnë pas nesh.

  4. Nga ana tjetër, gramatikalizimi i leksikut nuk është pa lidhje edhe me raportet e shqipes së njësuar me diskursin totalitar; ose me nevojën e regjimit të Hoxhës për ta përdorur shqipen e njësuar si instrument të dhunës policore e ideologjike mbi mendimin. Por edhe kjo temë meriton të trajtohet më vete.

    Shume urime per artikullin, eshte nga me te mirat analiza qe kam lexuar per shqipen. Tani po te kerkoj nje nder; a na i shkruan dhe nje artikull se si shqiptaret jane dhunuar ideologjikisht me gjuhen. Qe kjo ka ndodhur nuk kam dyshim, por pervoja ime e paket ne kete fushe dhe mosha ime relativisht e re nuk ma lejojne ta kutpoj mire.

    Si thua?

  5. ””’Arsyet e shumimit pothuajse bakterial të këtyre formave kanë të bëjnë me (1) nevojën për t’i dhënë shqipes një leksik abstrakt, i cili deri dje i mungonte dhe (2) nevojën për të shmangur përdorimin e fjalëve të huaja të panevojshme.””’

    Po mendoja mbi mundesine qe shqipja perballe abstraktes te kete vepruar me gramatiken (ruajtjen e zhvillimin) ne dem te leksikut. Ndarja e lakimit ne ‘e shquar- e pashquar’, besoj eshte tregues i nje metafizike shqiptare.
    Pse pikerisht metafizike?
    Sepse nese do ishte perfundim i nje pervoje, dmth njohje ‘a posteriori’, atehere ne gjuhet indoeuropiane do kishim nje perfundim te ngjashem, gjithmone duke ndjekur parimet e gjuhesise se krahasuar.
    E vetmja mundesi qe kjo te jete njohje ‘a posteriori’ eshte te qenit e nje ‘pervoje unike’. Ne kete rast kjo pervoje unike, do e perjashtonte mundesine e perdorimit te parimeve te gjuhesise se krahasuar gjate pervojes ne fjale.

    Pra nese do pohonim se skemi te bejme me nje metafizike shqiptare por me nje pervoje unike, atehere cdo perfundim i gjuhesise se krahasuar qe ka te beje me periudhen e kesaj pervoje, do hidhej vetiu poshte.
    E thene ndryshe, nese periudha e shek 5-8 do ishte koha e pervojes unike atehere cdo perfundim i nxjerre deri me sot mbi shqipen e asaj periudhe del te jete i gabuar, ose me sakte metodologjikisht i gabuar.

    Tani meqe perfundimet e asaj periudhe, te nxjerra me ane te gjuhesise se krahasuar i quajme shkencore dhe i marrim te mireqena, atehere kjo ndarje nuk mund te mos jete vecse mberritje fale nje njohjeje ‘a priori’, dmth metafizike.
    Pra kemi nje metafizike shqiptare.
    Mirepo si mund te linde ‘a priori’/paraprakisht ndarja e shquar – e pashquar ?

    Kjo mundesohet nga nje perqendrim i posacem i vemendjes mbi ‘qenien’. Pra kemi te bejme me nje individ krejt te panjohur, krijues te ndarjes, i cili fale vemendjes se vecante mbi qenien, arriti tek perfundimi ‘a priori’.
    Kjo sepse ne ndryshim nga perfundimet ‘a posteriori’, njohjet ‘a priori’, nuk mund te arrihen ne grup, biles kjo njohje ka ngelur plotesisht e erret per joshqiptaret.

    Ceshtja tjeter qe ngrihet eshte:

    A perben kjo njohje, nje te vertete apo shqiptaret genjejne veten kur dallojne ‘nje njeri’ nga ‘njeriu’ ?

    Per shqiptaret, nuk gaboj nese them se eshte gjeja me e logjikshme ne bote, sigurisht qe ‘nje njeri’ dallon nga ‘njeriu’ dhe per kete sillen shembuj te pafundme.

    Mirepo shembujt e pafundme, jane pasoje e nje deduksioni logjik, pra merret e mireqene vertetesia e ndarjes dhe rrjedhimisht cdo shembull eshte i vertete.

    Dikush do thote me te drejte, qe ne te vertete cdo rregull gjuhesor eshte nje aksiome, perfshire kete perfundim ‘a priori’.
    Ne kete pike biem dakort me Popper-in qe thote se shkenca niset ne zanafille nga parime metafizike.

    Tani, nese kemi nje metafizike shqiptare aktive ne shek 5 – 8, e cila i dha mundesine ‘dikujt’ gjate ketij procesi intelektual te krijoje ndarjen, kjo nuk mund te mos jete me zanafille nga metafizika qe percaktoi rregullat gjuhesore indoeuropiane, ato qe merren si te verteta ‘a priori’, meqe shqipja eshte gjuhe indoeuropiane, dmth shqipja per krijimin gramatikor, do ndjeke logjiken indoeuropiane te krijimit.

    Si perfundim, mund te thuhet qe ndarja e lakimit; ‘e shquar -e pashquar, eshte vijim logjik i zhvillimit indoeuropian te abstraktes nepermjet gramatikes, e thene ndryshe, shqipja perfaqeson te vetmin variant aktiv te logjikes indoeuropianane.
    Nderkaq gjuhet e tjera, sidomos latinet, e kane humbur zhvillimin e abstraktes nepermjet gramatikes duke e lidhur abstrakten me leksikun.

    Mirepo nese gramatika eshte logjika e gjuhes, atehere zhvillimi i saj perfaqeson nje zhvillim cilesor, ndersa ai i leksikut nje zhvillim sasior.

    Ne kete pike, mendoj se shqipja ka baza cilesore per abstrakten por jo sasiore, pra shqipja zoteron nje ‘know-how’ te mire, por ska krahe pune.

    Me krahe pune duhen nenkuptuar njerez qe merret me ceshtje abstrakte.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: