PERSEVERARE DIABOLICUM

devil-maskËshtë hera e tretë, brenda një periudhe relativisht të shkurtër, që jemi marrë në Peizazhet me mashtrimet e rëndomta që vijnë prej mediave në Tiranë, të cilat rreken të paraqitin si dokumente gjëra të sajuara, falsifikime dhe sajime gjithfarësh.

Besoj se do t’ju mbahet mend kur, një lajm për një super-aparaturë përgjimi në Ministrinë e Mbrojtjes, u shoqërua me një foto të marrë nga Interneti (Përgjues dhe të përgjuar); ose kur një lëvere e shkruar në banakun e kuzhinës, na u paraqit si memo e Departamentit Amerikan të Shtetit (Memo në shishe).

Së bashku me këtë fiaskon e tanishme të Katovicës, bëhen tre të tilla, brenda pak më shumë se një viti; dhe tre janë mjaft, besoj unë, për të na lejuar të flasim për një shkollë të deformimit nëpërmjet falsifikimit, të kristalizuar në mediat e Tiranës.

Këtu do të futja edhe një tjetër lëvere, kinse të nënshkruar nga Kryepeshkopi Janullatos, dhe që ka arritur t’u hedhë hi syve deri edhe të një historiani hero, si Kristo Frashëri (Corpus delicti).

I kemi shpuar të gjitha këto tullumbace në blog, jo sepse na pëlqen të luajmë me gjilpëra, por sepse ndihemi moralisht të detyruar të vëmë sado pak rregull, në këtë skenë cirku, në të cilin është shndërruar kërkimi për të vërtetën.

Publiku mund të mashtrohet veç e veç nga secili prej këtyre pseudo scoop-eve; por me kalimin e kohës, sidomos në rrethanat kur bomba të tilla informative shpërthejnë dhe veç bëjnë dritë, si të ishin fishekzjarrë, edhe publiku bindet se ka diçka që nuk shkon – dhe pikërisht, bindet se janë duke e manipuluar.

Aq më e vërtetë është kjo, kur falsifikimi i dokumenteve, në mediat, çon doemos në falsifikimin e debateve politike; dhe kur këto debate nuk bëhen më rreth të vërtetave dhe informacionit që zotërohet për to, por në bazë gënjeshtrash që me kohë vijnë dhe fosilizohen, për t’u shndërruar në armë retorike dhe në shenja betejash rituale, që shpesh maskojnë gjithfarë shantazhesh dhe bashkëfajësish.

Dhe të mos harrojmë: fshehja e së vërtetës, transformimi i saj në farsë, perdet e tymit dhe marifetet e prestigjiatorëve, u shërbejnë para së gjithash interesave të atyre që kontrollojnë pushtetin.

Nuk ka komente

  1. Eshte me se e vertete qe kohet e fundit jane shtuar keto “tollumbace”, por nuk do nxitoja ta shihja kete fenomen si tipik autokton.
    Nese eshte gje e qellimshme, do me shkonte mendja tek spjegimi qe ke ofruar ne fund te shkrimit: Eshte gjithmone me e lehte te merresh me pseudo-probleme te sajuara se sa me ata te vertetet. Por edhe deshira e lloj-lloj gazetarucesh per tú bere te famshem brenda nates ushqen prirjen per te patur “tollumbace” me shumice.
    Nga ana tjeter duke krijuar nje inflacion te vertete me teori konspirative qe fusin uje, ulet pragu i alarmit per fenomene krejt reale shume me kercenues.
    Mos harrojme thenien e famshme “Fakti qe vuan nga paranoja kjo nuk do te thote se “they are not after you”.
    A nuk po shohim kur planeti eshte ne dite te veshtira elitat te merren me problemin kardinal te homoseksualeve?

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: