Jorida Pasku, te Shekulli, shkruan për ekspozitën “Kush ka frikë nga e kuqja, e verdha, jeshilja”, të hapur në Vlorë, me punë të artistëve shqiptarë bashkëkohorë Anri Sala, Alban Muja, Adrian Paci, Driant Zeneli, Artan Shabani dhe Fani Zguro.
Ekspozita, në thelb, ka dështuar, meqë nuk ka arritur të tërheqë vizitorin dhe artdashësin.
Sipas drejtuesit të galerisë, Artan Shabani:
[Q]arqet ku lëvrohet dhe pëlqehet arti figurativ, vazhdojnë t’i qëndrojnë indiferent artit bashkëkohor dhe të mos kuptojnë gjuhën që zgjedh për të komunikuar.Në kulturën kitsch triumfon shija e vulgares dhe antiestetika. Kjo është tepër evidente edhe në arkitekturën që kemi krijuar pa identitet dhe pa harmoni. Vizitori shqiptar ende nuk ka krijuar një konfidencë me estetikën kontemporane.
Me fjalë të tjera, faji i mbetet publikut; në një kohë që, “miqtë e ekspozitës”, gjithnjë sipas Shabanit:
janë studentët perëndimorë, më të ndjeshëm ndaj bashkëkohores, më të hapur për ta pranuar dhe kuptuar atë. Duket sikur koncepti “artist i botës” është i afërt për të gjithë këta artistë, që nuk i drejtohen vetëm një realiteti dhe artin e tyre nuk e preferojnë vetëm një grusht njerëzish.
Shto këtu edhe faktin që pothuajse të gjithë artistët pjesëmarrës ekspozojnë kryesisht në Perëndim, për të arritur në përfundimin se ekspozita rikrijon një cirkuit komunikimi ku artistë shqiptarë që krijojnë për shijet dhe për tregun e artit vizual në Perëndim, ekspozojnë veprat e tyre për një publik shqiptar që është formuar estetikisht në Perëndim.
Pse u rri larg publiku shqiptar këtyre veprave, e pyet Shabanin gazetarja.
Mosnjohja e gjuhës bashkëkohore nga pjesa që është mësuar me artin tradicional-figurativ, krijon një lloj defiçence. Paragjykimi nuk është vetëm në art, por në shumë aspekte që njerëzit i ndeshin në jetën e përditshme. Shpesh në kulturën “kitsch” triumfon shija e vulgares dhe antiestetika.
Artistët në fjalë e kanë ndërruar, ndërkohë, këtë publik me një publik tjetër, “që ka krijuar konfidencë me estetikën kontemporane”; edhe pse gjithnjë mund të pyetet se si do ta kishte krijuar ai publiku tjetër këtë “konfidencë”, sikur të ishte trajtuar me të njëjtin snobizëm nga artistët e vet.
Ja përshkrimi i një vepre të ekspozitës:
Ekspozita e merr titullin prej njërës nga punët e prezantuara, videos së Anri Salës, “Who Is Afraid of Red Yellow and Green”, e realizuar në vitin 2008. Në këtë video artisti trajton nëpërmjet planesh fikse një situatë jo të zakontë, ku merimangat endin folenë e tyre pikërisht mbi dritat e një semafori, pa iu friguar aspak tensionit që ato krijojnë.
Ç’të jetë ky tension? Ndoshta duhet parë videoja vetë, për të nxjerrë përfundimin përkatës. Mirëpo si mund të nxitesh për të parë videon, kur kjo përshkruhet në këtë mënyrë? Kujt i bëhet vonë për merimangat që thurin pezhishka në semaforët?
Vazhdon Shabani:
Kjo video është (2:35 Min) Loop; ED. Courtesy e Johnen Galerie, Berlin. Titulli i punës në ambiguitetin e vet, të bën të imagjinosh edhe mesazhin që artisti me elegancë transmeton. Kjo mund të ndodhë rastësisht teksa një natë ndalesh në rrugë apo bulevard dhe pret që të ndizet drita jeshile.
Por ajo nuk mund të ndizet. Të paktën për atë moment, jo! Sepse mbi të një merimange ka ndërtuar shtëpinë e saj, pikërisht aty mbi dritat e semaforit, në vendin më absurd të mundshëm, ku e kuqja bëhet e verdhë dhe jeshile, dhe pastaj prapë e kuqe e kështu në infinit, pa u ndalur kurrë, natë dhe ditë. Pikërisht aty.
Duke lexuar gjithë këto përshkrime të një vepre e cila, në të vërtetë, komunikon në mënyrë vizuale, më kujtohet menjëherë një thënie e Matisse: “gjëja e parë që duhet të bëjë kush dëshiron t’i kushtohet pikturës, është të presë gjuhën.”
Ti nuk duhet të bësh tjetër veçse të dokumentosh situatën dhe gjithçka është flagrante. Rikthehesh me një telekamerë të vetme dhe filmon ngjarjen, e cila shndërrohet me plane stative dhe tingulli përsëritës i semaforit, shoqërohet nga kënde te ndryshme xhirimi: afër, larg, majtas, djathtas, poshtë, pastaj prapë afër, ballore dhe kështu rrëfehet historia e merimangës në folenë e saj të endur midis të kuqes, të verdhës dhe jeshiles, midis zhurmës së ndërrimit të ngjyrave të cilat nuk krijojnë kurrfarë konflikti për të. Atëherë: “Who is afraid of red yellow and green?” Padyshim që merimanga jo!
Ndoshta publiku ka pak frikë – meqë këtu ka një kontradiktë ende të pazgjidhur.
Thotë Shabani:
Titulli i punës në ambiguitetin e vet, të bën të imagjinosh edhe mesazhin që artisti me elegancë transmeton.
Unë nuk shoh ndonjë ambiguitet në titull, përveç referencës intertekstuale te një dramë e njohur e Edward Albee (Who’s Afraid of Virginia Woolf) e cila, nga ana e vet, i referohet një kënge dikur shumë të njohur për publikun amerikan, “Who’s Afraid of the Big Bad Wolf” nga filmi The Three Little Pigs i Walt Disney-t. Të gjitha këto referenca dhe nënkuptime nuk i drejtohen publikut shqiptar, sepse ky nuk i njeh dhe nuk ka pse t’i njohë. Që këtej edhe mesazhi “me elegancë i transmetuar” mbetet pa marrës.
Who’s afraid of the Albanian public?
Më kujtohet tani edhe historia e një incidenti që ka ndodhur dikur në një galeri të njohur; një artist i madh, tepër i madh, kishte ekspozuar disa plehra çfarëdo; pastruesja turke e galerisë, gjatë turnit të natës, i kishte kujtuar këto plehra si mbeturina dhe u kishte dhënë trajtimin përkatës.
Sa herë që e kujtoj këtë histori, vë buzën në gaz; dhe e plotësoj, me mendje, me një histori që nuk ka ndodhur [ende]; një grup vizitorësh në një galeri bashkëkohore (kontemporane, siç thotë Shabani) që e kujtojnë rojen e galerisë për vepër të ekspozuar, e fotografojnë, e admirojnë duke perënduar sytë.
Natyrisht, publiku ka nevojë të edukohet, për të shijuar veprat e artit bashkëkohor – dhe jo vetëm të arteve vizuale, por edhe të muzikës, të filmit, të letërsisë, të baletit. Mass mediat nuk ndihmojnë shumë për këtë, në një kohë që shkolla ka mbetur shumë mbrapa. Në këto rrethana, barra e përpjekjeve për komunikim u mbetet artistëve, organizatorëve të ekspozitave dhe kritikëve të artit, të cilët duhet të gjejnë mënyra për të tërhequr vizitorin në galeri.
Nga ana tjetër, dhe pa kurrfarë paragjykimi për artistët shqiptarë që ekspozojnë në botë, më duhet të shtoj se nëse artin e traditës e rrezikon, rregullisht, kitsch-i, artin bashkëkohor e kërcënon, përkundrazi, bullshit-i. Edukim i publikut, në këtë rast, do të thotë imunizim ndaj të dy rreziqeve – por sa artistë do t’u shpëtonin dot pastaj filtrave?
Edhe diçka tjetër: emrat “e fortë” të ekspozitës, artistët shqiptarë të njohur në skenën ndërkombëtare të artit bashkëkohor, si:
Sala, Paci, Muja etj., bashkëpunojnë me galeri prestigjioze si: “Marian Goodman Gallery” në Nju Jork, “Hauser & Wirth” në Zyrih, “Center for Contemporary Art-CCA” në Tel Aviv, “Francesca Kaufmann Gallery” në Milano apo muzeume si “PS 1” dhe “Solomon Guggenheim Foundation” gjithashtu në Nju Jork, “Museum of Contemporary Art North” në Majami etj. Do duhej të përbënin një interes më specifik për publikun dhe veçanërisht për koleksionistët e artit bashkëkohor.
Unë këtë argument nuk e kuptoj mirë: pse vallë u dashka të tërhiqet publiku në Shqipëri nga një artist i cili ekspozon, ta zëmë, për Hauser & Wirth në Zurich? Ky argument ndoshta vlen për publikun në Zvicër, ose gjetiu në Perëndim – por kjo nuk i jep ndonjë vlerë universale. Apo vallë Shabani mendon se do të mjaftonte informacioni se këtë artistë janë celebrities, që të dyndeshin shqiptarët në galeri për t’i parë? Mua vetë ky lloj arsyetimi, në rastin më të mirë, më duket kontradiktor, sidomos në raport me vetë temën e intervistës (“në kulturë ka zënë vend vulgarja”); sepse nuk ka gjë më vulgare dhe kitsch, sa ta mbështetësh komunikimin artistik mbi konceptin e famës dhe të celebritetit.
Unë për vete e lexova artikullin dhe u binda pas një rileximi të dytë se artisti Shabani kthen përgjigje boshe, porsi ato gazetarët që s’marrin shumë vesh nga arti, por që mundohen t’ia paraqesin publikut. Sikur ekspozita të ishte bërë me emra të panjohur dhe dëshirë për t’i dhënë publikut diçka më tepër se arti tradicional duke krijuar dhe workshop-e, takime etj., do të kishte pasur më shumë publik. Por në Shqipëri arti bashkëkohor nuk e pranon publikun shqiptar, artistë që akoma ekzistojnë me video apo punë disa vjeçare, nuk arrinë ta bëjnë dallimin midis publikut vlonjat apo tiranas me atë amerikan, italian apo anglez.
…”Sa herë që e kujtoj këtë histori, vë buzën në gaz; dhe e plotësoj, me mendje, me një histori që nuk ka ndodhur [ende]; një grup vizitorësh në një galeri bashkëkohore (kontemporane, siç thotë Shabani) që e kujtojnë rojen e galerisë për vepër të ekspozuar, e fotografojnë, e admirojnë duke perënduar sytë…”
E come no. L’hano gia fatto.
I madhi Alberto Sordi ne “La visita alla Biennale”.
(me shpresen se do kete mundesi ta shohe edhe Shabani kete clip, sepse e’ piuttosto giovanne lui, e magari pensa che certe cose sono nate con lui)
http://www.youtube.com/watch?v=lj438bBpX9w
dod,
unë e pashë filmin që sugjeroje ti dhe nuk është e nevojshme të them, se Alberto Sordi është si gjithnjë i jashtëzakonshëm. Nuk ka dyshim se figura që parodizon ai është zgjedhur qëllimisht për të vënë në dukje kontrastin midis njeriut intelektulaisht më pak se të zakonshëm dhe artit modern.
Megjithatë po të dëgjohet se çfarë shpjegon ai profesori dhe para të gjithash nëse dëgjuesi është në gjendje të kuptojë përmbajtjen e shpjegimit mund të vihet re, se gjithçka në dukje ndoshta abstrakte ka një kuptim normal për dikë tjetër.
Ky më duket se është edhe thelbi i artit bashkëkohor parë nga perspektiva e shikuesit apo konsumatorit të jashtëm. Dikush kupton më shumë se dikush që kupton më pak.
Ai që kupton më shumë merr edhe impulse të tjera nga ai që kupton më pak. Ndodh që shikues kuptojnë edhe gjëra të ndryshme intelktualisht të krahasueshme me njëra-tjetrën për nga vëllimi dhe thellësia dhe edhe kjo do parë si një gjendje e zakonshme dhe normale.
Arti bashkëkohor nuk është në rolin e tij primar deklarativ por më tepër udhërrëfyes. Se ku arrin shikuesi i është lënë atij në dorë. Përballë një imazhi abstrakt dikush mundohet të zbulojë se sa lakuriq nate fluturojnë njëkohësisht, dikush realizon ndoshta nga pikëpamja grafike tensionet e brendshme të tij emocionale dhe një i tretë thotë se është një paçavure, që mund ta bëjë dot çdo nxënës mesatar i një shkolle të ulët profesionale sikur t’i duhej të nxinte një sipërfaqe muri.
Te tre në rregull janë.
Dikush përfiton më shumë se dikush tjetër, pasi vepra në fjalë ka pak të bëjë me lakuriqtë e natës apo nxirjen e një sipërfaqeje, apo ekskursione psikologjike ekstrovertive apo kriza emocionale indiskrecioni, por megjithatë pak kundrimit për këdo është ndryshe nga ç’ishte përpara kundrimit.
Tërësia e impulseve intelektuale të fituara është në fund të fundit përfitimi personal i konsumatorit të artit dhe kjo nuk matet dot duke i vënë gjërat në një emërues të përbashkët.
Arti bashkëkohor është elitar dhe elitat përfaqësojnë nga pikëpamja demografike pakica të papërfillshme, por ato janë tharmi i zhvillimit cilësor intelektual, etik dhe estetik të shoqërisë.
Mënyra si e kultivojnë elitat shijet e tyre qëndron në thelb të zhvillimit progresiv apo regresiv të shoqërisë vetë. Nuk është shija estetike e masave ajo që përcakton frymën revolucionare të zhvillimit të gjërave, por vetëm mendimi intelektual i gjeneruar fillimisht në mënyrë abstrakte vetëm brenda qarqeve të mbyllura të pak njerëzve të (vetë)zgjedhur në rolin e priftërinj të lartë të një epoke. Natyrisht që ky mendim i referohet një realiteti shumë të gjerë që përfshin gjithë shoqërinë vetë, por ai lind dhe kultivohet dot vetëm brenda një rrethi të ngushtë.
Dështimi i ekspozitës së Vlorës tregon në mënyrë simptomatike mospërputhshmërinë e predispozicioneve në veçanti estetike dhe në përgjithësi intelektuale shqiptare me frymën perëndimore kontinentale evropiane të kohës.
Shqiptarët e matin integritetin e tyre evropian vetëm në integrimin e vendit në NATO, që nuk është dot më shumë se një fakt vetëm dhe vetëm i rëndësisë konvencionale si dhe në interesimin e tyre për surrogate të djeshme të formatit të San Remo-s apo të sotme të formatit Big Brother.
Në kë vijueshmëri nuk është më për t’u çuditur, se pse edhe reforma institucionale e 20 viteve të fundit përfundoi në kthimin e vendit nga një diktaturë funksionale në kuptimin institucional të fjalës në një kuplara po aq funksionale edhe kjo kjo në kuptimin institucional të fjalës.
Arti bashkëkohor si art pretendon vëmendjen e shikuesit dhe të shijes së tij. Të dyja këto janë dhunti të lindura por edhe të kultivuara në vijim të proceseve kulturore e sociale. Nëse ndodh që midis artit të ekspozuar dhe kundruesit të tij nuk lind dot një marrëdhënie interaktive, sigurisht që faji i artit nuk është, pasi pritshmëria që arti i shërben kundruesit (masave thonin dje) është një mendësi e kapërcyer si e gabuar. Askujt nuk i shërben askujt, ose e shumta masa e njerëzve me problematikën e përditshmërisë së vet i shërben artistit si masë potencialisht artistike. Këtu mbaron gjithçka.
…”Dështimi i ekspozitës së Vlorës tregon në mënyrë simptomatike mospërputhshmërinë e predispozicioneve në veçanti estetike dhe në përgjithësi intelektuale shqiptare me frymën perëndimore kontinentale evropiane të kohës…”
Hmmm…
Thjeshte. Drink ’til she’s pretty…
Arti bashkekohor shpesh tenton drejt hermetizmit, kthehet ne nje qark te mbyllur brenda te cilit mund te rrotullohen vetem ata qe dijne te luajne brenda tij. Tek ajo qe ti quan bullshit, debati eshte i hapur, ku pyetja themelore mbetet c’eshte nje veper artistike sot? apo me sakte, si ndertohen vlerat e nje vepre arti sot?
Me habiti shume titulli i artikullit “ne kulture ka zene vend vulgarja”. Une besoj se nuk ka nje kulture, por ka disa kategori te konsumit kulturor. Kuratori flet nga klasa e tij per “estetiken” qe klasa e tij konsumon. Per cilen estetike behet fjale? ate kantiane qe pershkruan shijen ndaj te bukures si universale (“arti eshte art mer vlla”). por a nuk eshte gjykimi ndaj te bukures sot thjesht nje ndertimi sociohistorik i klasave dominuese? Kjo e artit bashkekohor eshte nje estetike qe klason, qe diskriminon, qofte spektatorin, por dhe vetem klasuesin, dhe eshte ne fakt nje vegel ne duart e nje grupi qe kerkon te bej diferencen me masen, ate qe eshte “bon gout” (elitat) me ate qe eshte vulgare dhe e konsumon populli. Kam pare disa punime te anri sales dhe, sinqerisht, nuk shoh te kete ndonje ndryshim, ne thelb, midis punes se tij dhe, le ta zeme, nje videoklipi te Ponit. Madje nga ana estetike ky i fundit, ndoshta, ka dhe disa elemente interesant. I vetmi ndryshim eshte fakti qe pune e anrit eshte trumpetuar nga mediumet qe konsakrojne punen e tij. Nuk dua te them qe puna e tij artistike eshte bullshit, por dua te ndalem tek vlera e punes se tij, si ndertohet ajo, kush ia atribuan ate. Reagimi i popullit nuk eshte reagimi i atyre qe konsumojne vulgaren (sigurisht ka dhe nga keta), por mbi te gjitha i ndertimit social te SYRIT te tyre. Kjo ekspozite ishte e destinuar te deshtonte nese keta prisnin ovacione nga qyteti. Ndoshta, organizatoret kane kerkuar pikerishte kete gje!!!
“(…) e kuptonte fare mirë se bashkëjetesa e njerëzve, sistemet që ka krijuar njeriu, vetë historia e njerëzimit ka në thelb absurditete me të cilat mund të matesh jo duke i pasqyruar ato “në mënyrë realiste”, por duke krijuar botë paralele përmes letërsisë, po aq absurde, me një dukje pa aq të rregullt – sikurse është e rregullt gjuha – sa ç’kërkon shoqëria dhe njeriu të duken logjikë.
Ose edhe më thjesht, (…) kap dhe shkruan ëndrra. Kjo është si të thuash pjesa më e lehtë e misionit që ndjen në vetvete. Sepse pjesa më e vështirë është krijimi i botëve që nuk ekzistojnë, si përqeshje e kësaj që ekziston.”
Fragmenti i mesiperm, mendoj, do sherbente me mire te kuptohej edhe fenomeni i artisteve qe flitet ne te dy shkrimet, te J. Paskut dhe te Xha ketu, se sa supozimet dhe leximet e leximeve te fjaleve per punet e artisteve ne ekspozite, dhe aq me teper te pergojimit te gjith krijimtarise se tyre si artist ne shkrimet tuaja.
Premisa e shkrimit Xha me duket e dobet per te ndricuar gje tjeter, vetemse kontradikten e krijuar per vepren e artit, apo artistin, te shihet per cfar eshte/jane dhe jo per cfare duam.
Me fjale te tjera, ne se shkrimi merret me intervisten, nivelin e saj, apo me punet e ekspozuara dhe nivelin e tyre jasht faktorit publik.
Me duket i pa justifikueshem ‘ngaterrimi’ qe fut veten Xha ne shqetesimin e A. Shabanit, per zhgenjime publik-art te kesaj ekspozite dhe me gjere, duke me dhene te kuptoj se kjo premise e gabuar e Shabanit te pagezon shkrimin edhe ty.
p.s. Fragmenti i mesiperm eshte marr nga shkrimi i Ardian Klosit, perkthyesi i Kafkes, botimit te prozes se shkurter ne 600 faqe te vepres se Franc Kafkes, qe seshpejti do jet ne qarkullim.
Ne kete fragment shoh edhe fjalet se si mund te te sugjerohej per artistet ne fjale, jo per krhasim mes tyre se sa si princip.
Ankimi i kuratorit, edhe pse mund ta kuptojmë si një keqardhje se pse publikut shqiptar nuk i intereson arti bashkëkohor, është me të vërtetë patetik. Nuk mund të pretendojmë që estetika që përdor Sala apo të tjerë artistë të frymëzuar nga vernisage-t, Biennalet, work shop-et, biblioteka e tjembushura me libra kritikësh, artistësh, të kuptohet nga publiku shqiptar që ndeshet me të tjera halle e vuajtje që gazetat e përditshme na i përshkruajnë. A ka elita (në Shqipëri) që t’ia pëlqejnë punët artistit të sprovuar në artikuj mediash, Sala? Nuk besoj. A ka metoda shteti me anën e ministrive përkatese që të edukojë brezin e ri me këto estetika, si p.sh vizitat në ekspozita, futja në programet shkollore të Historisë së Artit bashkëkohor? Edhe mundet, nuk mund ta konfirmoj.
Pra kuratori Shabani duhet të jetë më i qetë kur ia mvesh “fajin” publikut i cili (shumica) përpiqet të gjejë lekë për të paguar korrentin elektrik për të zier fasulet, apo për të mbledhur ndonjë kursim për të ardhmen e fëmijëve. Shabani nuk duhet të sillet si Leo Castelli apo të tjerë komisarë që i dhanë një shtysë të madhe artit dhe artistëve që i prodhonin veprat e tyre në një harmoni me kohën, historinë e teknologjinë e mjeteve të komunikacionit. Sot, shumica e artistëve që krijojnë dhe që i janë pëkushtuar artit bashkëkohor, atë që është në modë sot, duket sikur vetëm kopjojnë dhe ripërsërisin veten me koncepte për të cilat fjalët i kanë të pakta.
“A ka elita (në Shqipëri) që t’ia pëlqejnë punët artistit të sprovuar në artikuj mediash, Anri Sala? Nuk besoj.”
Jo pse punet e Sales nuk vlejne (personalisht ja kam pare disa syresh, dhe me kane pelqyer fort, biles), por per arsyet qe kam renditur ne mesazhin e me poshtem, me vjen te therras : “KURRE MOS U KRIJOFTE AJO FAR ELITE !”.
Me eshte dhene te shikoj para pak kohesh “PRIMITIVE” [http://filmjournal.net/autori/2009/11/19/primitive-instalacion-video-nga-apichatpong-weerasethakul-tailande/], ekspozitë video (art kontemporan, do thosh i intervistuari i artikullit te cituar) të A. Weerasethakul (Palme e Arte ne Kanë 2010), nje nga artistet me te mire te llojit te vet. Pergjate dy oresh, ishim gjithesej… dy vete ne salle ! Dua te them se sallat e artit kontemporan se pari jane bosh ne New York, Paris, Rome apo Zurich, pa jane bosh ne Vlore e Tirane !
Ne kete prizem, ndaj opinionin me xhaxhain, teksa eshte skeptik me elitarizmin (celebrities-zmin) e te investuarit, i cili, gjithe duke qene ne dijeni te frekuentimit mizerabël te artit kontemporan neper bote, perpiqet te na servirë nje tabllo mjerane te shijeve te supozuara te publikut shqiptar, qe nuk na paskerka ende krijuar, citoj : “(një konfidencë me estetikën kontemporane” !
Une, salla espozitash te mbushura plot (nuk flas per muze, qe per mendimin tim, siç e tregon vetë fjala, jane krejt tjeter gjë !) kam pare vetem nje here në jetë : në femijerinë, adoleshencen ose të themi në rinine time, pra ne kohen e satrapit Enver. Arti (a ishte vertet art ?? krejt tjeter debat ky !) vinte nga populli e i sherbente popullit. Mua, si popull qe isha, nuk me zinte gjumi nje nate perpara se te hapej ekspozita e rradhes te fund-Nentorit !
Ndersa sot, nuk jam ne gjendje te citoj asnje artist kontemporan, biles as dhe nga të vendit ku jetoj ! As dhe nje te vetem piktor, skulptor apo videoast qofte (per dreq, po me vjen ne mend emri i Anish Kapoor-it, por amà, nuk me vijne ne mendje edhe 10 emra te tjere, siç do te me vinin kur isha 12 vjeç : asokohe, sikur te me zgjonin ne 2 te nates dhe te me pyesnin : “Cili eshte piktori më i shquar i rrethit te… Fierit ?”, do pergjigjesha menjehere : Minella Saro !).
Per poetët, njesoj : asnje syresh nga kontemporanët (poetë moderniste- me demek !) nuk do isha ne gjendje sot te citoja ! Dhe, nese keto 10 vitet e fundit më ka pasionuar kinematografia, kjo lidhet kryesisht me dyshimin tim nese ky art ishte deontologjikisht (professional ethics) artificial dhe komercial, apo ishte shek i XX-te (produkt i te cilit eshte arti filmik) ai qe e denatyroi ne kete pike ! Rezultoi kjo e dyta. Por dua te them se, normalisht, eshte anormale qe njoh emrat dhe filmat e Pedro Costës, Jia Zhang-ke apo Albert Serra-s, perderisa punet e tyre, nuk ndiqen nga me shume se 0.5 % e publikut perendimor ! I cili ndjek, te themi ne masën mbi 70 % punet e James Cameron-it. Dmth “Avatar”-in.
Te gjitha keto, per te thene se, per mendimin tim, eshte pistë e gabuar per nje artist (qe e quan veten te tille) harxhimi i kohes duke numeruar publikun qe ndjek vepren e tij. Rendesi ka cili eshte ky publik, dhe jo sa eshte ai në numer ! Me këto te fundit, me numrat, merret ose kultura socialiste (masivizimi i kultures), ose ajo komerciale (box-office, psh).
Edhe pse, per dy arsye krejt te kunderta.
Artistët bashkëkohorë edhe ata francezë), mund t’i gjesh (gjërmosh) nëpër ekspozita, përsonale apo kolektive, apo dhe në shtypin përkatës (Artpress).
Filmi Avatar s’ka nevojë për asgjë, ai e fton publikun mu në derë të kinemasë. Dhe milionat e spektatorëve (turmat) kënaqen me këtë kinema popullore. Kurse për të parë një film të Pedro Costa, apo Alberto Serra, apo dhe Socialisme të Godard, duhet pak kujdes me daljet e tyre në kinema dhe qëndrimin e tyre në salla.
Nuk jam dakord që galeritë janë bosh edhe në New York, Paris apo Berlin. Kam vizituar disa në Mikano, Paris dhe nuk më është dukur se ishin pa interes për publikun. Këtej është një tjetër sistem që në Shqipëri nuk mund të ekzistojë sepse nuk ka baza, nuk atë fillesë që këtu (New York, Milano, Paris, Berlin) të gjithë e kanë patur. Në Shqipëri akoma ka një brez që njeh vetëm Minella Saro-n, Sali Shijakun apo Odhisa Paskalin. Kurse ata që njohin emrat e publikuar nga gazetat shqiptare, janë të paktë sepse nuk e kuptojnë se si mund të jetë një vepër arti fotografimi i një pështyme, apo lehja e një njeriu qen për një gjysëm ore. Po, në Shqipëri ka akoma publik komunist që s’kupton absurden, filozofinë e Deleuze apo vargjet e Allen Ginsberg, shkrimet e mrekullueshme të Jack Kerouac. Warhol e njohin si një homoseksual, të përdalë, Basquiat si të dashurin e tij, Artin povera si një bajgë e bërë nga disa përtacë en manque d’idées.
Mua me duket se e keqja vjen nga masivizimi i artit. Po te shohesh se si zhvillohej arti ne te shkuaren, del se ishte eksluzivisht elitar. Arti mund te krijohej nga kushdo me talentin e nevojshem, por ne cdo rast porositej, paguhej, perhapej nga kisha, monarket, aristokracia, intelektualet e pasur. Ishte nje rreth i mbyllur midis krijuesve dhe publikut.
Pastaj erdhen muzeumet, ekspozitat, ankandet etj. Dhe arti filloi te masivizohej. Ne ekspozite shkoj une, qe nuk e kuptoj fare artin modern, s’me jep asnje kenaqesi estetike apo intelektuale (a propos, shume faleminderit per ate klipin e Sordit, me shkoi drejt e ne zemer) Ne ekspozite shkon edhe ai kuratori i artikullit, qe mesa duket kupton goxha nga arti bashkekohor.
Nuk besoj se mund te biem dakord ai dhe une per vlerat/mosvlerat e artit ne ate ekspozite. Secili ka idene e vet sec eshte art. Ai me quan mua injorante, une e quaj ate….kushedi c’e quaj. Ata qe jane me te mencur se kuratori, kane lista njerezish te interesuar per aksh lloj arti, dhe i njoftojne per ekspozitat sipas shijeve. Prandaj duket sikur nuk ka shume njerez neper ekspozita neper bote. Se ekspozitat e artit nuk jane stenda me ushqim falas, ku kushdo hyn, dhe ka shume probabilitet te gjeje ndonje gje qe mund ta haje.
Kjo eshte thjesht sa per vleresimin estetik te artit. Se po erdhi puna per te paguar per te, atehere eshte tjeter histori. Zoti i bekofte ata qe paguajne miliona per hekurishte e kanoce me nje emer “te famshem” perbri.
Vezhgim me vend ky i Shabanit por si te shpjegoj qe naten e hapjes te ekspozites te Adrian Pacit te Peter Bloom ne NY prezenca e shqipetareve numerohej me gishta nderkohe qe ne ekspozita mediokre si “Albanian Women Exposed” mblidhen si miza dheu ne emer te kitschit patriotik. Kaq dhe per shijet e kultivuara ne perendim.
Dy here tentova te lexoj artikullin e Paskut diten qe doli dhe mu duk e pamundur ta shtyj me tej 2 fjalive te para. Aq dhe e kuptova pse ka nje ndarje kaq te madhe mes estetikes bashkohore dhe vizitorit shqiptar. Kemi nevoje urgjente per gazetare qe dine te shkruajne me art (mundesisht dhe per artin). Kjo motra te corienton e fyen ndjeshmerinte estetike me kete vulgaritet alla hartim i klases se tete! Shabani vetem sa i ve kapakun…
Nuk jam shume dakord per krahasimin me rastin e ekspozites “Albanian Women Exposed”.
Ajo cfare i mblodhi njerezit nuk ishte materiali i ekspozuar, por reklamimi i mire ne komunitet, pjesemarrja e mbi 10 “fotografeve” nga komuniteti qe nuk kishin lene familje e shoqeri pa ftuar, muzika, alkooli, festa e nje nate vone, ne nje nga fundjavat e fundit te stines se ngrohte ne Nju Jork etj etj.
Mund te kishin varur tullumbace ne mur dhe perseri njerezit do te ishin mbledhur ne kete aheng te maskuar si ekspozite. (Megjithese ne fakt, tullumbacet e varura ne mur rrezikojne te konsiderohen art ne ate ekspoziten tjeter ku shqiptaret nuk kane shkuar.)
Ajo qe me zbavit me disa nga keta artistet tane “kontemporane” eshte se disa syresh pasi pretendojne se bejne art elitar habiten e merziten pse nuk vershon qe t’i shohe masa dhe e quajne ekspoziten te deshtuar.