FACEBOOK APO ARKIV?

Më ndodh gjithnjë e më shpesh të lexoj, në Facebook, statuse të zgjeruara të kolegëve që në fakt do të zinin vend mirë në një revistë online, ose edhe medium tjetër më të specializuar.

Nuk mund t’i marr me mend arsyet që i shtyjnë disa autorë të botojnë me përparësi në Facebook. Aty një status mund të ekspozohet më mirë se gjetiu, por po aq shpejt sa ç’botohet, edhe del nga vëmendja e lexuesve dhe humbet në kakofoninë e përgjithshme.

Vlera e një statusi të menduar mirë i tejkalon caqet e momentit – dhe këtë e dinë edhe autorët që i nxjerrin. Ka statuse që i referohen kontekstit të ditës, ka të tjera që lidhen horizontalisht me statuse të tjera. Por edhe më të rëndësishme janë, për mendimin tim, ato statuse që ndërtojnë mbi statuse dhe shkrime të mëparshme dhe mundësojnë artikulime argumentesh në rrjedhë të kohës.

Rrjeti social mund t’i shërbejë ekspozimit, por nuk është dhe aq i përshtatshëm për arkivim. Unë vetë, që botoj ndonjëherë statuse pa i replikuar në Peizazhet, e kam të pamundur të gjej materiale të – bie fjala – një viti më parë, për të mos folur më të vjetra. Duket sikur memoria e Facebook-ut i gëlltit këto dhe nuk i rinxjerr lehtë në dritë, meqë rrjeti, si çdo rrjet tjetër social, nuk është dizajnuar për t’i shërbyer shtresimit dhe aq më pak për t’u ofruar si arkiv.

Ma merr mendja se më të kujdesshmit, mes kolegëve të mi, e kuptojnë këtë rrezik dhe marrin masa për t’i ruajtur statuset e tyre, që t’i botojnë pastaj në mediume më të qëndrueshme. Por do të ketë mes tyre edhe shumë që ulen të shkruajnë të shtyrë nga një impuls i çastit dhe pastaj kalojnë te një temë tjetër, duke i lënë kontributet e tyre në mëshirë të një përbindëshi, që di të jetojë vetëm në të tashmen.

Nuk më duket rastësi që sot gjithnjë e më shumë përdorues të rrjeteve sociale po zgjedhin opsionin e të ashtuquajturit self-destructing messaging, ose “mesazhimit efemer”, një zgjidhje teknike që e garanton zhdukjen e gjurmës nga kujtesa e të tjerëve. Diçka të ngjashme lejon edhe Facebook-u, me stories të cilat mund të shihen vetëm për 24 orë. Këto zgjidhje teknike mbase shprehin edhe kontradiktën mes çastit të tanishëm, që bën ligjin në rrjet, dhe permanencës së gjurmës, të cilën e sjell me vete shkrimi si teknologji.

Me gjasë mes atyre që lënë statuse të vyera ka edhe nga ata që parapëlqejnë t’i lëshojnë fjalët e tyre në fluturim, ose kontekstin e oralitetit; duke refuzuar edhe vetë efektin arkiv, që parakupton teksti i shkruar. Meqë jetojmë në kohë kur gjithçka përgjohet, regjistrohet, ruhet, analizohet dhe përdoret nga makinat, efemeriteti – ose shansi për të jetuar vetëm një çast – po përjetohet si virtyt; dhe gjithnjë e më shumë do të jenë ata që, me vullnetin e tyre, do të duan t’i fshijnë me kujdes gjurmët që lënë pas.

Nëse kjo është apo jo një metodë e sigurt për të ruajtur kontrollin ndaj figurës sate publike, për këtë mund të diskutohet. Por si botues i një reviste online, Peizazhe të fjalës, që jep e merr me një mijë fije edhe me rrjetet sociale, unë do të doja që t’i shihja shumë nga këto statuse të botuara, dhe – pse jo – të botuara në revistën tonë. Madje Elona dhe unë, si botues dhe administratorë, jo rrallë u jemi drejtuar kolegëve, për t’u kërkuar që një status që veçanërisht na ka pëlqyer, ta konsiderojnë për botim tek ne.

Por edhe më i rëndësishëm se botimi te Peizazhet, është botimi si i tillë, në një medium që të garantojë qëndrueshmëri, përdorshmëri të lehtë dhe vizibilitet për motorët e kërkimit, edhe shumë vjet më pas; sepse nëse ka një gjë që sot po i mungon mendimit publik shqip, kjo është përmasa kohore, ose shtresimi i arkivit. Duket sikur debati tek ne ka qenë në self-destructing mode që pa u normalizuar kjo në rrjet – dhe pronarët e mediave, qëllimisht, i kanë asgjësuar arkivat për të hequr qafe një trashëgimi jo-komode.

Pasojë e këtij resetimi periodik të kujtesës publike, ne jemi të dënuar t’u kthehemi e t’u rikthehemi të njëjtave tema, në pamundësi për t’i shfrytëzuar arritjet e djeshme, për ta çuar përpara dialogun, debatin dhe shkëmbimin e opinioneve. Asnjë shans nuk ka lexuesi sot, dhe as publicisti, që t’i referohet një debati – sado të çmuar – që është pasqyruar, të themi, në gazetën “Shekulli” të fundviteve 1990 ose të fillimviteve 2000. Ai virtyt i uebit, që shumë kolegë tanët gjetiu e marrin si të mirëqenë, ose aftësia për të funksionuar si arkiv, neve ende na është mohuar; dhe nuk ka nevojë njeriu të jetë konspiracist, që të besojë se kjo ka ndodhur qëllimisht.

Çdo vit janë me mijëra e mijëra nxënësit dhe studentët që vijnë të kërkojnë, të lexojnë dhe të shfrytëzojnë materiale nga arkivi – me mijëra tituj – i revistës Peizazhe të fjalës. Nuk më duket se e teproj, po të them se shumë prej statuseve që lexoj në Facebook do t’u shërbenin më mirë lexuesve, veçanërisht atyre më të rinj, po të viheshin në dispozicion të tyre në një medium të menduar për arkivim; dhe aq më mirë sikur ky medium të ofronte edhe lehtësi të tjera kryq-referimi dhe hiper-lidhjesh, të cilat një rrjet social nuk i ofron dhe as ka arsye pse. Prandaj le të shërbejë ky shkrim imi edhe si një ftesë për të gjithë kolegët, që botojnë në Facebook: provoni t’i nxirrni shkrimet tuaja edhe gjetiu, për t’i bërë më të dobishme për lexuesit. Të gjithë do të përfitonim nga kjo lojë me shumë pozitive (positive-sum game), madje edhe ju vetë, që do të integroheshit më lehtë, në një hapësirë të komunikimit edhe në kohë.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa leje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin