(shënime)
Një diskutim për prejardhjen e fjalës skllav më bëri t’i shkruaj këto radhë. Jo se etimologjia e kësaj fjale është dhe aq e diskutueshme – bashkë me italishten schiavo, gjermanishten Sklave, frëngjishten esclave, holandishten slaaf, anglishten slave, portugalishten escravo, spanjishten esclavo dhe fjalë gjuhësh të tjera europiane, shqipja skllav e ka origjinën – në analizë të fundit – nga një latinishte mesjetare sclavus ose greqishte bizantine Σκλάβος (Sklábos), që shënjonte origjinalisht “sllavin”. Kalimi nga një etnonim, te një fjalë që shënjon statusin juridik të një personi, ka shpjegimin e vet historik te fakti që, në Mesjetë, një numër i madh skllevërish ishin sllavë.
Si etnonim, sllavët përmenden për herë të parë në shekullin e VI e.s., kur Prokopi i quajti me emra të ndryshëm por të ngjashëm, si Sklaboi (Σκλάβοι), Sklabēnoi (Σκλαβηνοί), Sklauenoi (Σκλαυηνοί), Sthlabenoi (Σθλαβηνοί), ose Sklabinoi (Σκλαβῖνοι), ndërsa një bashkëkohës i tij, Jordani, i quajti latinisht Sclaveni. Në gjuhët sllave, etnonimi (autonimi) del si Slověne (Словѣне), duke filluar nga shekulli IX i e.s. Burimet arabe, të Mesjetës së hershme, i quanin sllavët me emrin Saqaliba, fjalë e huazuar nga greqishtja bizantine slavos/sklavenos, e cila në arabishten e Spanjës filloi të përdorej për skllevërit sllavë, dhe më pas për skllevërit e huaj në përgjithësi.
Emile Benveniste i kushton vëmendje etimologjisë së emrit për skllavin në gjuhët indoeuropiane, duke filluar nga greqishtja doûlos (δοῦλος), e cila del që në mikenishte dhe, me gjasë, është huazim nga një gjuhë jo-indoeuropiane e pellgut të Egjeut; çfarë nuk duhet të habitë, meqë për popujt indoeuropianë skllavi është detyrimisht “i huaj”. Kjo vjen edhe për latinishten servus, që – gjithnjë për këtë autor – është me gjasë huazim nga etruskishtja (kujtoj se i kapuri rob në luftë, në latinishte, ishte captus, captivus i kapur”). Edhe frëngjishtja moderne esclave thotë ai, është emri i sllavëve i marrë nga një gjuhë sllavo-jugore (serbisht ose një dialekt i lidhur me këtë), emri etnik Slověninŭ. Nga Slověninŭ ka rrjedhur forma greqishte bizantine Sklavēnoí (Σκλαβηνοί) (italisht Schiavoni) që, duke u konsideruar si e prejardhur – me etimologji popullore, prodhoi emrin etnik Sklávoi (Σκλάβοι). Ky ishte edhe burimi, thotë Benveniste, në gjithë botën perëndimore i fjalës skllav dhe fjalëve të ndërlidhura me të. Një zhvillim paralel në botën anglo-saksone do të ishte wealh “skllav”, që ka kuptimin zanafillor “kelt”, populli i nënshtruar prej anglo-saksonëve. Ashtu, vazhdon ai autor, çdo gjuhë e huazon nga tjetra fjalën për “skllav”; madje edhe e quan skllavin me emrin e fqinjit të vet, nëse e ka nënshtruar. Këtu po dua të shtoj se edhe në spanjishten dhe portugalishten mesjetare (p.sh. të shekullit XI) emrat latinë për skllevërit, mancipius dhe servus erdhën duke u zëvendësuar nga sarracenus, maurus, pra me emrin e të huajit fqinjë.
Nga ana tjetër, në ligjin romak, mancipium kishte këto kuptime: “(1) statusi i një njeriu të lirë, subjekt i pushtetit dhe kontrollit të kreut të një familjeje romake, i ngjashëm me atë të një skllavi, përveçse ai nuk mund të keqtrajtohej ose të vritej pa shkak ligjor; (2) pushteti, ose kontrolli i ushtruar në këtë mënyrë, nga një kryefamiljar, ndaj këtij njeriu të lirë; (3) blerje ose marrje në zotërim e mallrave të blera; pronë dhe pastaj (4) skllav.” Të krahasohen këto me kuptimin e fjalës famulus “shërbëtor, skllav shtëpiak”, e cila pastaj dha në latinishte familia, fjalë që, në ligjin romak, shënjonte krejt grupin që jetonte së bashku: ata me lidhje gjaku mes tyre, skllevërit dhe shërbëtorët e tjerë. Etimologjikisht (gjithnjë sipas Benveniste-it) familia shënjon tërësinë e skllevërve që jetonin në një shtëpi.
Për t’u kthyer tani te shqipja, kjo skllav për nga forma duket si huazim i vonë libror (i gjuhës së shkrimit); shumësi metafonik, skllav/skllevër duhet të jetë analogjik. Topalli te Fjalori etimologjik e cilëson si fjalë të toskërishtes, të përgjithësuar në standard; dhe që i përgjigjet gegnishtes rob. Ky autor e nxjerr skllav si huazim nga greqishtja e re σκλάβοσ (me gjasë, duke iu referuar Schuchard-it). Përkundrazi, latinishtja mesjetare (ballkanike) sclavus, e ardhur edhe ajo nga greqishtja σκλάβοσ por me kuptimin “sllav”, pat dhënë shqipen shqa “sllav i jugut, serb, bullgar” (shih këtu analizën nga Bardhyl Demiraj, cituar në bibliografi). Nga forma dhe kuptimi, kjo shqa e shqipes – që do të ketë hyrë në gjuhë para se kuptimi “skllav” i sclavus të konsolidohej në latinishte ose të paktën në gjuhët romane të Ballkanit – përkon me rumanishten șchiau, në shumës șchei (shcljau në arumanishte). Ngjashëm me shqipen moderne, edhe rumanishtja moderne e quan skllavin sclav.
Para se të përdorte skllav, shqipja do të ketë përdorur një fjalë tjetër me kuptim të ngjashëm: rob, me gjasë të huazuar nga një gjuhë sllave e jugut, serbo-kroatishtja rob ose bullgarishtja роб me të njëjtin kuptim, “skllav, bujkrob, i burgosur, shërbëtor”; nga një proto-sllavishte orbъ “skllav”, që rrjedh nga proto-indoeuropianishtja h₃órbʰos “jetim”, por edhe “shërbëtor, skllav, punëtor”; e cila në greqishten e vjetër është pasqyruar si ὀρφανός dhe në latinishte edhe si orphanus (që në shqipe ka dhënë (i) vorfën/ (i) varfër). Nga ana e vet, proto-sllavishtja orbъ “shërbëtor, skllav” ka dhënë foljen orbiti, “punoj”, dhe emrin orbota, më pas rabota, fjalë e përbashkët e shumë gjuhëve sllave, me kuptimin “punë” (khs. работа). Me greqishten ὀρφανός, latinishten orphanus dhe sllavishten orbъ lidhet edhe gjermanishtja Arbeit “punë”.
Fjala rob në shqipe, sipas Anila Omarit,
Del që te Buzuku: e ishnë votë m Israel, e kishnë sjellë robinjë një vajzë të vogëlë (51r31) “et captivam duxerant de terra Israel puellam parvulam”; E mbassi klenë dalë n robiet së Babilonisë, Jekonia leˆu Salatiel (79v21 =99v21) “Et post transmigrationem Babylonis, Iechonias genuit Salathiel”. Budi: e me ndimuem e me çpërbleem robtë (DC 102. 22), e u kuur qeshë rob i zanë (DC 133. 7), ndo me tjetër kuvënesë robtë tanë me lëshuom? (DC 212. 13), ke qenë keq ndë robii (DC 201. 17), robinjë. Bardhi rob mancipium (= skllav) 54 9. Bogdani “schiavo”: për urdhëni të Faraonit banke tullë e të tjera punë të liga posikur t’ishinë kjanë rob (I 86 3), gjithë të parëlemitë djelm t’Misirit, birit së regjit ndjerë mb atë të robit (I 91 22), me rrjedhojën robī: Prashtu dergjetë dheu ndë robī errëtë e verbuem (Të primitë XIV), ku kuptimi i skllavit të mirëfilltë del te Bardhi: mancipium; dhe pastaj edhe te Bogdani me kuptimin “schiavo”.
Sot fjalën rob e ndesh më shpesh me kuptimin “rob lufte”, dhe në kundërvënie kuptimore me “i burgosur”. Me interes është përdorimi me kuptimin abstrakt “njeri”, si në shprehjet rob i mirë, rob për së mbari, rob i squt, robt(ë) e shtëpisë, ku e di robi se nga i vjen dhe, më në fund, rob zoti: kalimi nga “person me të drejta të kufizuara, që i është hequr liria,” në “njeri çfarëdo” e kërkon një shpjegim. Që shumësi i emrit me këtë kuptim është rob(t), ndryshe nga shumësi robër i emrit me kuptimin “skllav, i burgosur, bujkrob”, tregon se zhvillimi kuptimor duhet të ketë ndodhur në gegnishte; por ndryshimi i prapashtesës së shumësit mund të tregojë edhe nevojën për diferencim morfologjik të kuptimit të ri. Edhe tek Omari lexoj që “nga dialektologët Beci jep rob “pjesëtar i familjes” për Mat (BUST 1963/3), për Reç-e-Dardhë (SF 1965/1), për Shkrel (DS I), për Mirditë (DS IV).”
Gjithsesi, sot rob dhe skllav dalin krah për krah, me kuptime të ndryshme dhe përgjithësisht jo të ndërkëmbyeshme, përveçse kur përdoren si metafora. Skllav tashmë ka monopolizuar kontekstin historik, sidomos kur është fjala për marrëdhëniet ekonomike të lashtësisë (skllevërit në Greqinë dhe në Romën e lashtë), ndërsa rob në kuptimin e parë i referohet zakonisht rezultatit të një “kapjeje” të ndërlidhur me luftën. Dinamika kuptimore lejon edhe interpretimin se shumë robër kanë përfunduar pastaj në skllevër; por te robi heqja e lirisë është më e përkohshme, mbase më e paqëndrueshme dhe më pak juridike se te skllavi.
Se si ka filluar kjo rob të përdoret në kuptimin “njeri”, “pjesëtar i familjes”, mbase e ndriçon ndonjë shprehje si rob zoti, që mbase i ka rrënjët në botëkuptimin religjioz. Kujtoj se te Romanos 1:1, Pali e quan veten δοῦλος Χριστοῦ (latinisht servus Christi), ku δοῦλος dhe servus janë fjalët standard të greqishtes, përkatësisht latinishtes për “skllav”; ndërsa te Filemonit, i njëjti Pal e quan veten δέσμιος Χριστοῦ Ἰησοῦ (latinisht vinctus Christi Jesu), ku δέσμιος, përkatësisht vinctus kanë kuptimin “rob, i burgosur” – këtë të fundit, në Biblën shqip, e gjej të përkthyer si “i burgosuri i Jezu Krishtit”; më tej, ideja se të gjithë njerëzit janë “skllevër” të Zotit nuk po më duket fare pa lidhje me një interpretim të fjalës ʿAbd (Arabic: عبد), si “shërbëtor, skllav”, që këtej edhe emra si Abdyl, Abdullah (kjo e fundit, “shërbëtor i Allahut”); në Kuran, edhe Jesui e quan veten Abdullah, “shërbëtor i Zotit”. Semantikisht, Zoti dhe robi duken si dy skaje të kundërvëna. Por kuptimi “pjesëtar i familjes” objektivisht na çon edhe tek etimologjia e latinishtes familia (shih më lart, citimin nga Benveniste) si “tërësia e skllevërve” që jetojnë në një shtëpi. Gjithsesi, sot lidhja kuptimore mes rob në kuptimin “skllav, i burgosur” dhe rob në kuptimin “njeri” nuk është më e tejdukshme, dhe nuk besoj se ka ndonjë ndërmjetësim të raportit të njeriut me Zotin; dhe as të individit me kryefamiljarin. Rob është thjesht version bisedor i njeri.
Por mungesa e motivimit të qartë kuptimor nuk është se e neutralizon implikimin filozofik të këtij vështrimi të njeriut si rob; aq më tepër si rob zero, si skllav pa zot; të thuash se gjendja e palirë është gjendja e natyrshme, défault, e parazgjedhur e Tjetrit, madje edhe kur nuk është e qartë se rob i kujt është; njeriu me gjasë nuk ka nevojë të jetë pronë e dikujt, për të qenë skllav. Të krahasohen shprehje si ky tipi m’u duk fytyrë e pame dhe ky robi m’u duk fytyrë e pame; ku tipi dhe robi dalin si sinonime pothuajse të plota, por prapë shprehja e dytë më duket sikur përcjell familjaritet më të madh, mes folësit dhe atij tjetrit, se e para; atje ku ky tipi distancon, ky robi afron. Robi lidhet, njëfarësoj, me një proksemikë a deiktikë të afërsisë, afinitetit, simpatisë; duke shënjuar dikë “si ne (si unë dhe ti)”, ndryshe nga tipi. Robi përcjell një solidaritet elementar, që ashtu rikthehet duam s’duam te koncepti kristian i grigjës. Edhe sharja të q*fsha robt ose shprehja e ndërlidhur ia q*va robt në vështrim të parë duket sikur lidhet me robt e shtëpisë, por mbase shkon edhe më thellë, duke e vënë robt të shënjojë rrjetin social të tjetrit; atë grup njerëzish, me lidhje gjaku por jo detyrimisht, që qëndron pas individit dhe që, në rrethana normale, e përfton. Këtë gjendje a priori inferiore, të persekutuar, të robit njeri si të tillë, e përcjell edhe shprehja robi i shkretë, si në ”çfarë të thotë robi i shkretë?”, “çfarë të bëjë robi i shkretë?”, “I bie robi i shkretë celularit të VIP-it, por ai nuk përgjigjet…”, “nuk di robi i shkretë nga të sillet”, ku kjo robi i shkretë shënjon individin anonim, shifrën abstrakte të njëshit në mes të turmës, njeriun e thjeshtë. Në role të ngjashme del edhe orientalizmi tashmë i vjetruar, fakir, ndonjëherë në trajtën fakir-fukaraja, kjo e dyta emër kolektiv për “të vobegtët”, dhe që, sipas Dizdarit, është krijuar si kombinim a kompozitë brenda shqipes; siç dalin edhe mbiemra të emërzuar, të tillë si ky i varfri, ky i ziu, ky i shkreti, ky mavria, ky i mjeri, ky qyqari; të gjitha këto manifestime të një prirjeje të ligjërimit bisedor dhe thjeshtligjërimit për ta paraqitur tjetrin anonim si të vuajtur, inferior, pa privilegje; të tillë që të meritojë keqardhje a mëshirë si qasje emocionale default; në thelb, si rob.
© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim: lutem mos sillni kontribute tuaja etimologjike origjinale në komentet.
Bibliografi minimale:
Emil Benveniste, Le vocabulaire des institutions indo-européennes T1, Minuit 1969.
Verlinden Charles. L’origine de Sclavus = esclave. In: Archivum Latinitatis Medii Aevi, tome 17, 1942. pp. 97-128.
Georg Korth, Zur Etymologie des Wortes ‘Slavus’ (Sklave), Glotta, 48. Bd., 1./2. H. (1970), pp. 145-153
Bardhyl Demiraj, Shqiptar dhe shqa: një histori e dy popujve përmes etnonimeve, botimet “Naimi”, Tiranë 2014
Anila Omari, Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe, Botimet Albanologjike, Tiranë, 2012
Nga kno trajtesë sa tërheqëse aq edhe shteruese më vjen ndërmend një toponim relativisht i njohur, në një zonë shumë të rrahur vitet e fundit, por që jo më larg se tri dekada më parë ishte thuajse e virgjër.
Midis pyllit të pishave bregdetare që përqafonin ranishten në jug të Shkâmbit të Kavajës (i quajtur Sasso Bianco nga detarët e bregut përballë, apo Petra në antikitet) ngrihet një kodër e butë, sot e mbuluar nga pisha e pemë të tjera të larta. Ajo mban emrin e çuditshëm Mali i Robit. Natyrisht që kodra mal nuk është, por Mal emrin e ka. Por Mali i kujt?
Ç’të jetë vallë ky Rob mitik? Si mund ndriçojët ky toponim i çuditshëm prejardhjen e fjalës, ose përndryshe, si mund të ndihmojë prejardhja e fjalës kuptimin e vërtetë të Robit të Malit?
Falemnderit, Agron. Interpretimet e toponimeve janë shpesh shtjellime të mënyrës si e ka marrë emrin ky ose ai vend; dhe ashtu marrin formën e historive, rrëfimeve dhe legjendave. Mund të thuhet edhe e kundërta – një emër vendi shihet shpesh si rikujtesë për një histori që ka ndodhur atje; thumb i ngulur në hartën e kujtesës kolektive. Mu për këtë arsye, shumë rrëfime të tilla bazohen në folk-etimologji: për shkak edhe të atij tensioni që ekziston midis emrit të pamotivuar të një vendi, dhe nevojës për ta mbushur atë emër me kuptim. Një emër vendi si Elbasan në shqipe është sot i mbushur me narrativën e qytetit vetë, krejt pasurinë kuptimore që evokon emri; por mund të tundojë edhe sajimin dhe qarkullimin e shpjegimeve motivuese, nga osmanishtja il-basan te asocimi me shqipen elb; Gjirokastra është lidhur sa me princeshën legjendare Argjiro, aq edhe me një Gjin (të parotacizuar). Në mënyrën e tyre, edhe këto narrativa bëhen pjesë e emrit dhe jetojnë bashkë me të.
Nuk di si ta gjej ne kete ore Dizdarin, po dihet se skllavit ne turqishten osmane i kane thene dicka qe ne perdorimin e hershem vendas tonin del si QOLE. Kur ishim te vegjel dikujt qe poshterohej ne loje prej nje tjeter kalamani i thoshin ‘e beri qole’ (kur dikush i ikte gjate dikujt me top, fjala vjen, ai qe s’zinte dot top me kembe ishte qolja). Me perdorim te ngjashem te rriturit degjoheshin te thonin per dike ‘ e ka bere gruaja qole’ (e kunderta nuk para perdorej ose perfytyrohej)
Saktë: QOLE. Sapo e verifikova.
Në gjermanisht “servus” përdoret edhe në vend të “hallo”. Ndoshta mund të jetë si shqipja “urdhëro” ose anglishtja “(at your) service”. Meqë edhe “servus” dhe “service” kanë ngjashmëri.
Ashtu më del edhe mua. “Në shërbimin tuaj!” Po shoh se përdoret kryesisht në Gjermaninë e Jugut dhe në Austri, por origjinën e ka në hapësirën kulturore të Austro-Hungarisë. Kuptimisht – por jo aq nga përdorimi – ngjan edhe me italishten ciao që vjen nga një s’ciao (vostro), literalisht “skllavi juaj”, por më shumë “në shërbimin tuaj.” E vjetëruar dhe bisedore në shqipe është lepe, turqizëm me kuptimin “urdhëro”.
Me intuitë, do ta gjeja zanafillën e kësaj “servus” të gjermanishtes në komunitetet universitare ku studiohej dhe praktikohej gjerësisht latinishtja; por këtë nuk e konfirmoj dot online.