TURPËROHEM PRA JAM

(pudet autem me, ergo sum)

nga Silvin Pasku

Po ndiqja një muhabet për moralitetin e një poezie dhe ndikimin moral të poetit.

Më shkoi mendja se i fundit person, të cilit duhet t’i referohemi si autoritet moral, është poeti.

Aty m’u kujtua edhe se vajza ime në Pesaro, kur ishte rreth 3 vjeç, pat elaboruar një sistem moral të plotë për gjykimin e tjetrit, të themeluar mbi një dikotomi të thjeshtë estetike.

Kur një person ose një gjë nuk i pëlqente, ishte “brutta”; kur i pëlqente, “bella”.

Nuk di a është e njëjta gjë; në fakt një poet mund të jetë edhe njeri i urtë, por një njeri i urtë nuk është e thënë të jetë poet.

Sokrati dhe Diogjeni mbase nuk do ta kalonin këtë test, por kushedi fjalët dhe thëniet e tyre po.

Gjithsesi, problemi sot është se poetë kemi sa të duash, por të urtë jo. As të urtë për veten e tyre, as të urtë për Tjetrin.

Pyeta veten: kujt i ka mbetur autoriteti moral, kur na është topitur deri edhe shqisa për ta pikasur të urtin?

Dhe më tej: a kemi akoma nevojë për autoritet moral? A ia vlen akoma të luftojmë për virtytin? Për drejtësinë, të mirën, të vërtetën, guximin, altruizmin, respektin, besën?

Nëse duam të luftojmë, kë kemi aleat?

Ngado që kthehemi, ndeshim hipokrizi – njerëz që ua kërkon interesi të predikojnë moral, por që mezi durojnë pa shkelur syrin (njerëz që mbajnë syze dielli, ngaqë nuk e kontrollojnë dot shkeljen e syrit).

Por edhe kjo hipokrizi vetë, që aq na shqetëson, vallë nuk është provë se moralit njëfarësoj i falemi ende?

Sërish: kujt i ka mbetur në dorë autoriteti moral sot, përtej teorisë së lojërave?

Shteti, feja, kombi, shkolla, OJQ-të, universitetet, komuniteti, tregu. Tregu nuk funksionon dot pa mirëbesimin. Sikurse komuniteti, që nuk funksionon dot pa solidaritetin. E kështu me radhë.

Shto këtu edhe artin, që na mëson e na stërvit të imagjinojmë; dhe imagjinata e ndihmon virtytin, qoftë edhe ngaqë na lejon të jetojmë në shumë botë njëherësh.

Përfshi edhe këtë botë ku njerëzit nuk janë të besës, nuk thonë të vërtetën, nuk e kanë sensin e drejtësisë (përveçse kur u ndodh diçka e keqe), nuk e vlerësojnë madje kanë turp ta promovojnë të mirën.

Edhe realitetin do ta kuptojmë më mirë, po ta imagjinojmë.

Por kur dua t’i jap përgjigje pyetjes pse duam aq shumë që t’i mveshim artistët – përfshi këtu edhe poetët – me autoritet moral, më kujtohet batuta në një poster të zgjedhjeve presidenciale dikur në SHBA, me fytyrën e Niksonit dhe me diciturën:

Would you buy a used car from this man?

Që i referohet, në fund të fundit, marrëdhënies së pamjes së dikujt me integritetin moral. Ose sistemit që përshkrova më lart, që e reduktonte dilemën morale në dallimin mes brutta dhe bella.

Paçka se artisti që fillon të predikojë, nuk mund ta bëjë këtë si artist, përkundrazi.

Tradicionalisht autoritetin moral e kemi kërkuar dhe gjetur te prindi, te plaku, te prifti dhe hoxha, te mësuesi, te shtetari (gjinia mashkullore në këto fjalë është konvencionale).

Sot disa u besojnë fort modelave, aktorëve, futbollistëve, moderatorëve në televizion, influencuesve në mediat sociale.

Madje edhe kur këta rezulton se paguhen me miliona nga inceneritorët.

Midis karkasës së autoritetit të vjetër dhe flluskës së këtij të riut, më duket sikur shoh të shtrirë trupin e një gruaje të sapovrarë, të cilin po e fotografojmë të gjithë.

Ka pastaj nga ata që i besojnë skandalit; që të thonë God is dead (çfarë klisheje), që duartrokasin çdo kloun që u del përpara.

Këta nuk i qasen kurrë përgjegjësisë morale; më mirë i kap të vdekur, se duke marrë përsipër diçka a duke i dalë zot një parimi që u vjen së brendshmi.

Mbase u duket sikur kanë dalë përtej së mirës dhe së keqes.

Ia shohin vetes një të ardhme në botën e tipit dog eat dog dhe ku paraja (muti i qenit) nuk mban erë.

U duket sikur i kanë ngrënë tashmë qentë që kishin kundër.

Në fakt, ajo çfarë shoh ta kaplojë nietzscheanin e mbramë është frika: frika se mos humb statusin, se mos humb vendin e punës, se mos humb respektin e një gasbag-u çfarëdo, se mos zhgënjen pritjet e një grupi që dëshiron t’i përkasësh, se mos…

Dhe sidomos, frika se mos për një çast harron të konformohet… me antikonformizmin.

Por – se ka gjithnjë një por – kur tërhiqen të gjithë nga përgjegjësia morale, atëherë çdo antikonformizëm dhe provokacion degradon në pornografi.

Ashtu, pyetja merr formë tjetër: mos ishim më mirë kur kujtonim se morali nuk ishte veçse aftësia për të pikturuar gjethe fiku?

© 2022-2024 autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim i redaksisë: imazhi është krijuar me Midjourney.