NJË ATRAKSION PA MBARIM

(mendime dhe reflektime mbi librin e Teuta Toskës “Parashqevi Qiriazi dhe viti i saj 1919”)

nga Emine Sadiku

Shkrimin e kam titulluar “Një atraksion pa mbarim” për shkak të mbresave të shumta e të forta që libri ka përcjellë vazhdimisht tek unë. Leximi i librit ka qenë për mua një proces i gjatë në kuptimin që unë i jam kthyer e rikthyer disa herë. Dhe çdo herë kam zbuluar e përjetuar situata të reja, kuptime më të thella, emocione gjithnjë e më trazuese.

Vlerësim paraprak

Po të kërkosh në kohën e sotme histori monografike të personave të veçantë ndeshesh së pari me një situatë të turbullt. Prej kohësh konsiderohet si i kapërcyer mendimi që figura të spikatura “shkruajnë” histori të spikatura. Në një plan të gjerë europian dhe botëror raporti me figurat individuale është disi i ngrirë. Por tendenca për të shkruar e për të sqaruar ngjarje historike duke u nisur, duke u mbështetur në strukturat sociale, në modelet kulturore, në interesat ekonomike, në mentalitetin e përgjithshëm ka prodhuar dhe dukurinë e kundërt: pa figura të veçanta, pa faktorin subjektiv historia është e mangët. Njeriu nuk mund të jetë vetëm një marionetë e drejtuar nga forca, qofshin dhe anonime. Figura të veçanta ndodh të pozicionohen në pika të tilla nga ku mund të ndikojnë dukshëm dhe të kanalizojnë disi rrymën historike. Po cilat figura të historisë sonë mund të vlerësohen si përfaqësues e përfaqësuese të denja të shqiptarisë? Janë shumë ato. Një prej tyre është, pa dyshim, Parashqevi Qiriazi. Në librin e saj Teuta Toska e vendos atë në piedestalin e duhur (që i takon), duke i dhënë përjetësinë e merituar.

Atraksioni i veçantë, që prodhon/ushtron te lexuesi monografia mbi jetën dhe veprën e Parashqevi Qiriazit (“Parashqevi Qiriazi dhe viti i saj 1919”) shpjegohet me shumë veçori tejet evidente të formës dhe të përmbajtjes. Me kompleksitetin dhe vlerat që shfaq, monografia ofron dhe lejon qasje të ndryshme. Një qasje e përshtatshme do të ishte ajo filozofike. Po fillojmë me të.

Reminishenca dhe aspekte filozofike

Fjalë hyrëse

Një nga tiparet e dukshme të filozofisë në studimet historike është fakti që kjo degë e filozofisë është relativisht e re në kompleksin e dijeve filozofike. Ndryshe nga degët klasike, si teoria e njohjes, etika etj., që përbëjnë domenin filozofik që prej antikitetit, filozofia e historisë vjen vonë në këtë fushë. Lindja e saj përkon me kohën e racionalizmit; krijimi i termave i dedikohet, në masë të madhe Volter-it. Kulmin e zhvillimit e arrin me Hegelin (Hegel, G.W.E.: Vorlesungen über die Philosophie der Geschichte, 12, Suhrkamp, 1970). Një brez njerëzor më vonë, Marksi formulon tezën e tij materialiste, të kundërt me teorinë hegeliane, materializmin historik. Filozofia është thirrur në arenën e dijeve historike për të garantuar vërtetësinë e tyre. Parimet e saj praktikohen si në zbulimet, grumbullimin e lëndës, ashtu dhe në hulumtimet e analizat e materialeve historike.

Sot filozofia e historisë është disiplina që merret me kuptimin e historisë, me çështjen e zbulimit të kuptimit të fshehur pas fakteve të hetuara, si dhe me ligjësitë dhe strukturën historike (është disiplinë e historisë që merret me historinë njerëzore). Kjo filozofi zhvillohet në dy drejtime: së pari, ajo shpaloset si shtysë për të përpunuar vrojtimin mbi rrjedhën dhe qëllimin e historisë, për të zbuluar praninë e ligjësive dhe të kuptimeve të tyre. Nga ana tjetër, ajo reflekton metodat shkencore të historianit studiues. Që të mos jetë spekulacion, ajo duhet të bazohet në realitet, në fakte, si dhe në dijet e në eksperiencën e studiuesve të veçantë.

Vlen të përmendim që në fillim se trajtimi i studimit në pikëpamje filozofike nuk ka të bëjë me ndërtimin, montimin nga jashtë të një aparati filozofik, me gjetjen paraprake të një teorie, së cilës do t’i përshtatim lëndën në lexim e shqyrtim. Jo! Në rastin tonë zbulimi filozofik, këndvështrimi teorik-filozofik kushtëzohet nga vetë teksti. Në pikëpamje të filozofisë historike teksti është një model dhe një burim ligjësish që vlejnë dhe për hulumtime të tjera në këtë lëmë.

Kështu, këndvështrimi ynë filozofik nuk do të fillojë nga postulate, teori, thënie shumë ose pak të njohura teorike-filozofike, pastaj të kalojmë në tekst, por do të nisemi nga korpusi tekstor, nga dukuri dhe elemente të punimit, që me përmbajtjen e domethënien e tyre referojnë në qëndrime të njohura filozofike. Kur themi qëndrime të njohura filozofike, kemi parasysh kontribuuesit më të mëdhenj, më në zë të shkencës filozofike – historike, Hegel, Nietzsche, Jaspers etj.

Reminishenca filozofike

Në trajtimin e kësaj dukurie me pamje të spikatur në punimin e T. Toskës jemi nisur nga premisa: “Sa më shumë reminishenca, referime dhe aspekte filozofike përmban dhe prezanton një studim, aq më bindës, ndikues dhe tërheqës është ai!”

Filozofia, që spikat në tekstin e studimit, ka të bëjë, së pari, me dijet e grumbulluara dhe të ofruara, me analizat, me argumentimin. Dijet i fiton autori në mënyra të ndryshme. Si burim, si zanafillë e dijeve në këtë rast ka shërbyer literatura e gjerë e kërkuar, e zbuluar dhe e shfrytëzuar; kontaktet e shumta me dëshmitarë dhe të interesuar të tjerë. Një tjetër rrjedhë informacioni është gjeografia, “udhëtimi dhe orientimi” në vendet ku u gjendën figurat e përshkruara në korpusin historik. Gurrë e veçantë dijeje (siç thotë dhe vetë autorja, f. 15) është eksperienca vetjake, para dhe gjatë studimit. Duke qenë se dijet janë të domosdoshme në ndërmarrjen e një vepre serioze me bazament filozofik-historik, ato përbëjnë dhe pyetjen e parë në “katër pyetjet bazore” të filozofisë kantiane: “Was kann ich wissen”? (Çfarë mund të di?). Nuk besoj që Teuta është nisur nga kjo premisë e formuluar në formë pyetjeje e Kantit. Intuita, serioziteti, formimi e kanë nxjerrë në këtë hulli. Siç del dhe nga vepra, asaj i është dashur një kohë e gjatë, një angazhim intensiv, një frymëzim i veçantë për të fokusuar e zhvilluar objektin e saj. Analiza dhe argumentimi zhvillohen si aftësi gjatë punës. Autorja Teuta Toska nuk e lë të rrjedhë rrëfimin vetëm si histori. Ajo ndërhyn vazhdimisht me analiza dhe argumentime. Brenda tekstit, por zakonisht në shënimet në fund të faqes, vendosen informacione shtesë, shpjegime, arsyetime dhe argumente që shërbejnë më së miri për ta kuptuar tekstin me informacionin dhe emocionin që ndryn.

Imanuel Kant pyetjen e katërt (të fundit) filozofike- bazore e formulon kështu: “Was ist der Mensch?“ (Ç’është njeriu?) Si përgjigje të kësaj pyetjeje, teksti i veprës së T. Toskës jep shumë material. Çdo studimi me potencial filozofik (dhe kështu duhet të jenë studimet me vlerë) e përmban një përgjigje për katër pyetjet – bazore filozofike të I. Kantit. Që në fillim të shtjellimit të objektit të saj T. Toska shprehet: “Ky është dokumenti (ditari) që mund të më zbulojë anë të panjohura të historisë së shqiptarëve? …Mirëpo, duke bërë gjurmimin, e drejtuar prej vetë Parashqevisë, po përjetoja mahnitje të vogla për një lexues…” (f. 16)

Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, teza filozofike ekzistencialiste e K. Jaspers është e vërtetueshme si në jetën e përditshme dhe në atë të përshkruar në literatura llojesh të ndryshme: “Njeriu është gjithnjë më shumë nga ajo që dihet për të…ai është gjithnjë në zhvillim…” (Schüßler, Werner: …Existenzphilosophie von Karl Jaspers, në: der Mensch als homo viator, München, 2021, f. 24)

Imperativi kategorik është principi themeltar i sjelljes morale në filozofinë e I. Kantit. Kjo teori përfshihet në “Kritikën e arsyes praktike” (Kant, Immanuel: Die drei Kritiken, Anaconda, 2021, f. 72). Në kuptimin e saj kryesor ajo do të thotë: “Vepro sipas maksimave të tilla që ti do të doje të ishin ligje të përgjithshme.” Po të donim ta ilustronim një premisë, një imperativ të tillë, figura e Parashqevisë në librin e T. Toskës do të ishte një shembull “par excellence”. (Me etikën e tij universale I. Kanti është më pranë nesh, më afër jetës sonë nga sa mendohet.) Krahas etikës, një domen i rëndësishëm – bazor i filozofisë është logjika. Ndërtimi i punimit me tri pjesë, siç argumenton edhe autorja, mbështetet në një logjikë të drejtë dhe të arsyeshme. Ky organizim mundëson fokusimin në “Ditarin” e Parashqevisë. Pastaj kalohet në informacion plotësues-saktësues. Mundësohet kështu maksimalizimi i njohurive të emetuara. Pas ditarit vijojnë të gjitha shkrimet e përmbledhura në “Fleta e editorit”, të botuara në revistën “Ylli i mëngjesit” (nga viti 1917 – 1920). Studimi përmbyllet me materiale shtesë që hedhin një dritë të posaçme në ditarin dhe në jetën e Parashqevi Qiriazit.

Filozofi gjerman G. W. F. Hegel i ka kushtuar një vepër të tërë, voluminoze, filozofisë së historisë: “Vorlesungen über die Philosophie der Geschichte” (Leksione mbi filozofinë e historisë, Suhrkamp, 1970). Po të përdornim disa terma të tij për ta klasifikuar tipologjikisht tekstin historik të autores, do të thoshim që pjesa historike e prezantuar në libër është një përzierje e tipave “histori reflektive” dhe “histori filozofike” (shih për informacion: Hegel, G.W.F.: Vorlesungen über die Philosophie der Geschichte, Suhrkamp, 1970, f. 11- 30 ). Tipari kryesor i përbashkët i historisë reflektuese dhe asaj filozofike është reflektimi ndaj lëndës historike, argumentimi, shpjegime llojesh të ndryshme. Karakteri filozofik ka të bëjë, para së gjithash, me qëndrimin e arsyeshëm, me arsyen që lidhet ngushtë me qëllimet e autorit. Te Hegeli arsyeja dhe qëllimi i historianit janë në unison. Kështu persekutimi nga regjimi komunist i familjes Dako – Qiriazi në historinë zyrtare komuniste do të shikohej si një masë represive e arsyeshme ndaj “armikut të klasës”. Në tekstin historik të autores T. Toska bëhet fjalë për një përndjekje dhe një injorim çnjerëzor të familjes: “Në Shqipëri nisi dhe varrosja e tyre për së gjalli…”(f. 11). “Janë të rëndësishme principet që autori praktikon në përpunimin e stondit historik… Një betejë, një fitore, një rrethim, një ngjarje nuk janë ata vetë, por thyerja e tyre në këndvështrimin e historianit…”, thotë Hegel-i (f. 14).

Është i njohur raporti i tensionuar midis filologjisë dhe filozofisë. Në fakt, të dyja fushat janë të lidhura reciprokisht. Filologjia përdor, shërbehet nga terma, që s’janë gjë tjetër veç reflektime filozofike. Filozofisë i duhet gjithnjë stofi dhe shprehja gjuhësore, në këtë kuptim është e varur vazhdimisht nga rezultatet e studimeve filologjike. Duke u nisur nga premisa të tilla, konsideratat filologjike të shfaqura me bollëk në vepër po i përfshijmë në këtë paragraf mbi reminishencat dhe aspektet filozofike. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për vërejtjet, shpjegimet, korrigjimet etj. gjuhësore. Gjuha dhe përdorimi i saj referojnë gjithnjë në filozofi. Madje ekziston një disiplinë “filozofi gjuhësore”. Kjo teori merret me gjuhën dhe kuptimin, sidomos me raportin gjuhë – realitet; gjuhë – ndërgjegje/ mendim. Ajo është gjithashtu pjesë e semiotikës, teorisë së shenjave. Filozofia gjuhësore është e afërt me logjikën. Duke u marrë me çështje dhe probleme gjuhësore, autorja T. Toska i ka dhënë studimit të vet një substancë të padiskutueshme gjuhësore – filozofike. Ditari, shkrimet në “Ylli i mëngjesit”, letrat e Parashqevi Qiriazit dëshmojnë të gjitha formimin e gjithanshëm të saj. Mbi gjithçka spikat dhe ndrit erudicioni dhe botëkuptimi filozofik. Njohëse e filozofëve dhe e filozofive të vjetra e bashkëkohëse, ajo përfaqëson dhe prezanton mendimin politik – filozofik më përparimtar për kohën dhe për kohërat. Si ilustrim për këtë vlen më së miri fragmenti i marrë nga libri (f. 13): “Lexuesi do ta kuptojë vetë se ato që shkruan Parashqevia para 100 vjetësh mbesin të rëndësishme edhe sot, e ndoshta mendon si unë, se realizimi i atyre ideve është ilaçi që i mungon shërimit të trupit të shoqërisë shqiptare në vendnumëro prej dekadash.” Unë i takoj grupit/masës së lexuesve që mendojnë si autorja. Nisur nga ajo që na ofron libri mbi personin, personalitetin, idetë, botën e P. Qiriazit, do ta quaja atë jo vetëm iluministe, por dhe racionaliste. (Në kuadrin e përpjekjeve racionaliste pati dhe angazhime për të drejtat e grave). 

Aspekte emocionale – estetike

Këtu do të rendisim, së pari, pathosin, emocionin e veçantë të autores kur fillon e shfaqet në jetën e P. Qiriazit si biografe, si admiruese, si vlerësuese plot përkushtim për një person iluminist në periudhën pasiluministe (ose joiluministe). Që qëndrimet e saj pasionante i përcjell të plota dhe me rezonancë te ne, kjo është e padyshimtë. Nuk mjaftojnë vetëm rreshtat ku rrjedh i hidhur mjerimi dhe persekutimi shpirtëror-intelektual i Parashqevisë dhe familjarëve të saj, por shfaqen dhe fotografitë, që edhe pse kanë diçitura të kursyera, zgjojnë e stimulojnë përjetime të forta te ne (te mua). Po përmend këtu një fotografi që sa herë e shoh, helmi dhe pezmi ma pushtojnë zemrën. Fotografia në faqen 452 paraqet nënën, Sevastinë, dhe dy djemtë e saj, ende të vegjël. Është një pamje idilike, ku spikat lidhja dashurore – familjare. Po pse më prek kaq shumë kjo foto e viteve të hershme, kur djemtë ishin ende të vegjël e nëna ishte e lumtur me ta? Kjo ndodh për shkak të projeksionit. Nuk mund ta shikoj fotografinë pa e projektuar pamjen në të ardhmen e asaj familjeje. Ç‘u bë me ata djem të edukuar, të rritur në një familje patriotësh. Të merr të qarët kur sjell paralelisht ndër mend tragjizmin e jetës së tyre, vuajtjen në kampe përqendrimi e në burgjet komuniste, vdekjen e Gjergjit… Autorja T. Toska e ka në tip emocionin. Edhe fakti që ajo tematizon biografinë e një personaliteti të tillë (dhe familjes së saj) dëshmon për natyrën emocionale të autores. Por emocioni as e zhbën dhe as e zbeh racionalitetin. Me një arsye dhe një logjikë të fortë e të ftohtë ajo analizon historinë personale, familjare, aspekte të historisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Emocioni estetik dhe racionaliteti logjik rrinë pranë e pranë në këtë studim madhor. Është interesant fakti që emocionaliteti këtu realizohet shpesh me pasazhe të tëra. Duket se nuk mjaftojnë mjetet e veçanta, elemente leksikore me ngarkesë emocionale, figura letrare artistike, por duhen paragrafë të tërë për të shprehur emocionin autorial. Komentuesi shpreh trishtimin se “historia ka harruar t’i japë Sevastisë, Parashqevisë dhe Kristo Dakos meritën që u takon për veprimtarinë e tyre… Instituti i Lartë Bujqësor nuk ka vendosur asnjë pllakatë që dëshmon për punën vetëmohuese 40-vjeçare të Sevasti Qiriazit…Miq të huaj të Shqipërisë i kanë cilësuar motrat Qiriazi si dy heroina duke ditur se në asnjë vend tjetër të Ballkanit nuk ka patur gra që mund të krahasohen me këto dy motra shqiptare“… (f. 32) Edhe nëse mungon shprehja me elemente konkrete gjuhësore – stilistike, me pasazhe me domethënie direkte, edhe kur autorja rrëfen e argumenton me një intelektualitet “maskulin”; një frymë e një mllef, një mosaprovim total i asaj që ka ndodhur me këta veprimtarë të harruar ndihet qartë në çdo kapitull e në çdo pjesë të librit. Se edhe ndjenjat kanë anën e tyre racionale. Ato janë të tilla që në gjykimet tona për situata nga më të ndryshme të jetës, në mënyrë të rrufeshme, na ofrojnë një orientim fillestar. Libri është, ndër të tjera, dhe një apel për kujtesën dhe vlerësimin historik. Por po të vështrosh e të kërkosh (pas botimit të këtij libri – kujtesë) se sa kanë ndryshuar qëndrimet e instancave, të individëve, ndaj atyre që shkruan me dinjitet e sakrificë copëra të historisë, do të zhgënjehesh edhe njëherë. Dhe do të kujtosh thënien latine “Të trokasësh në vesh të shurdhër” (surdas aures pulsare). Gjithnjë kam shpresuar (e pritur) një efekt utilitar të librave të tillë. Në rastin konkret: pllaka përkujtimore, emërtime rruge/sheshi/shkolle, aktivitete përkujtimore, vendosje në programe mësimore, ka dhe shumë mundësi të tjera. Shumë persona të njohur, bashkëbisedues, vlerësues të librit në shqyrtim, më kanë pohuar me sinqeritet se, po të mos ishte ky libër, ata nuk do ta kishin kurrë informacionin, dijen për atë kohë, për ato momente të ndritura të historisë kur vepruan e milituan Motrat Qiriazi, familja Dako dhe veprimtarë të tjerë të sjellë në këtë studim.

Ditari si medium genuin i refleksionit vetjak

Ditari i Parashqevisë është pjesa qendrore e studimit rreth të cilit grumbullohen pjesët e tjera që e plotësojnë dhe e furnizojnë atë me reflektime herë të nivelit informativ-shpjegues, herë e mbështjellin si atmosferë afektive, duke i shtuar ngrehinës leksiko – gjuhësore një element të rëndësishëm për zhanrin “ditar”. Se ditarët tematizojnë jo vetëm ngjarjet dhe mendimet mbi to, por edhe ndjenjat që zhvillohen gjatë receptimit të tyre. Në gjysmën e parë të shekullit të 20-të ditari ishte një mënyrë e përhapur të shprehuri. I realizuar si rrëfim në vetën e parë, ai rreh të përshkruajë botën e rrokur nga uni, nëpër thënie e nëpër tekst spikasin qëllimet, dëshirat e autorit. Ditari i P. Qiriazit, i botuar nga studiuesja T. Toska, i përmban të gjitha veçoritë dhe veçantitë që mund të kombinojë një lloj i tillë tekstor. Kështu që unë nuk e kuptova komplet Teutën kur thotë se fillimi i leximit të ditarit e zbehu pak entuziazmin e saj për shkak të prezantimeve të jetës së zakonshme të një gruaje. Teuta Toska e kapërcen menjëherë këtë situatë dhe zhvillon shpejt mekanizmin e duhur për ta lexuar, për ta vlerësuar e për ta dashuruar objektin e studimit të saj. Ajo vendos madje një lidhje krejt të veçantë me rrëfyesen e ditarit, një lidhje që të emocionon të: “…një të gjalli, që kërkon me kureshtje të papushuar jetën e një të ikuri, dhe një të ikuri që me një energji të panjohur, të paperceptueshme dhe të parrëfyeshme të zbulon të fshehtat e jetës së vet edhe pse përpara 100 viteve.” (f. 42) Ditari i botuar është një dëshmi e gjallë historike e kohës që prezantohet (viti 1919), si i tillë është një burim i rëndësishëm (dhe autentik) për studimet historike. Kalimi ndërkohë nga ditari i mëparshëm me një substrat letrar, me një përmbajtje klishe, produkt i vetëreflektimit të një uni të izoluar, në një ditar që tematizon ngjarje e fakte me rëndësi të përgjithshme, flet për zhvillimin e unit reflektues në kuptimet e në interesat e tij mbi botën në shekullin e 20-të, dëshmon për një kulturë më të gjerë të subjekteve rrëfyese. Ka kohë që ditarët nuk shikohen vetëm si burime krejt subjektive (sidomos pas ndryshimeve historike-kulturore që prej viteve 1990). Kërkimet në fushën e krijimeve diaristike (ku përfshihen dhe ditarët) kanë evidentuar rëndësinë e tyre jo vetëm si shkrime letrare, por edhe si burime historike me vlerë. I tillë është dhe ditari i Parashqevisë ashtu siç na e prezanton studiuesja, me tekstin origjinal të shtypshkruar, me ndryshimet e bëra nga personat e familjes, me shënimet e shpjegimet e T. Toskës. Siç thotë studiuesi i letërsisë, Arno Dusini, për zhanrin ditar, ai përmban dy dimensione, kohë dhe material. “Kush lexon një ditar, ka në duar materialin dhe kohën…” (Dusini, Arno: Tagebuch. Möglichkeiten einer Gatung, München, 2005, f. 9) Të dyja këto veçori, koha dhe materiali (ose përmbajtja) e përcaktojnë dhe ditarin në shqyrtim. Në botimin e shtypshkruar të ditarit jepet qartë rendi kronologjik dhe njësitë që përmbajnë informacionin e ditës. Ditari shikohet shpesh dhe si një praktikë. Në këtë kuptim ditareshkruesit (diaristët) i kushtojnë shumë rëndësi aktit të shkrimit. Kjo të çon në konceptin “diskurs” (trajtim, shpesh shkencor, i një teme të caktuar). Diskursi mund të shikohet edhe si praktikë. Një praktikë e tillë kërkon një shkrues/subjekt dhe një rregullsi. Subjekti shkrues është pjesë e një mjedisi shoqëror. Nuk mund të merresh me shkruesin pa e integruar atë në një rreth social. Ditari i P. Qiriazit e dëshmon mirëfilli këtë. Diskursi i praktikuar në ditarin në fjalë mund të analizohet në dy drejtime: historikisht dhe gjuhësisht. Këtë e realizon me kompetencë T. Toska. Autorja e studimit ka manovruar gjithashtu me zgjuarsi dhe shkathtësi për të shmangur atë “rrezik” që krijohet në fushën e tensionuar ku takohen diskursi që i drejtohet publikut, dhe tekstit privat të një autoreje/subjekti.

Në rrëfimin e shkrueses së ditarit më ra në sy dhe më bëri përshtypje të veçantë (këtë e evidenton dhe T. Toska) prezantimi i personave historikë, përndryshe të njohur në historinë dhe letërsinë tonë. Edhe pse rrëfimi bëhet në vetën e parë dhe si ditar është një diskurs për vetveten, shkrimi (ditari) u jep një vend të rëndësishëm, mbresëlënës për lexuesin, edhe të tjerëve. Ata shfaqen në marrëdhënie me unin. Nuk janë vetëm njerëzit e familjes, por dhe figura të tjera, persona historikë, që ne i takojmë në një format tjetër. Në përditshmërinë e tyre, në një çast historik, që bashkoi aq shumë veprimtarë të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare, shfaqen “të gjallë” para nesh Mihal Grameno, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi, Midhat Frashëri e shumë të tjerë. “Takimi„ me ta në ditarin e Parashqevisë është shumë më ndikues dhe emocionues sesa ballafaqimet me këto figura në librat e historisë dhe të letërsisë.

Receptimi

Receptimi është pjesë përbërëse e shkrimeve të ofruara për lexim. Edhe pse si çdo ditar tjetër rrëfimet e P. Qiriazit janë tregime mbi vetveten, me shumë përshkrime nga jeta e përditshme, e zakonshme e një gruaje, përshkrime ku mungon politika në kuptimin e mirëfilltë, ditari jep mundësinë të lexohet si tekst politik. Për këtë do të mbështetesha në thënien “das Private ist politisch” (privatja është politike). Është fjala për gratë e angazhuara në lëvizje dhe në veprimtari të ndryshme shoqërore – politike. (Lang, Sabine: Politik, Öffentlichkeit, Privatheit, Wien, 2004, f. 65 – 81) Në ditar prezantohen shumë ngjarje dhe pikëpamje politike, herë të vështruara nga afër, herë  në distancë. Dukuria dhe kuptimi “politikë”, në kuptimin e ngushtë të fjalës, mplekset me kuptime të tjera, që ngjyrosen gjithashtu politikisht. Diskursi politik është ai më i rëndësishmi në ditar.

Ekskurs: Një krahasim historik

Monografia në shqyrtim manifeston, përveç vlerave njohëse, filozofike, etike; përveç forcës sugjestionuese, edhe forcë sugjeruese. Leximi i librit, reflektimi mbi të na solli në një moment krejt intuitiv krahasimi. Po e përcjellim krahasimin duke e menduar si komponente të leximit dhe interpretimit.

Krahasimi historik (zakonisht) është ballafaqimi i dy ose më shumë madhësive historike (vende, krahina, kombe, qytetërime, personalitete etj.). Me anë të tij synohet evidentimi i ngjashmërive dhe dallimet, afria dhe distanca ndërmjet objekteve të krahasimit. Në gjendjen kontemporane krahasimi historik përqendrohet më shumë te dallimet (por nuk përjashtohen asnjëherë afëritë). Krahasimi historik është sot një metodë efikase për të kuptuar më mirë veten dhe të tjerët. Si pjesë e historisë “transnacionale” ai operon duke pranëvendosur e ballafaquar dukuri, fakte e persona nga historia e vendeve të ndryshme.

E bëmë këtë hyrje të shkurtër si parathënie për krahasimin që vijon. Është fjala për tri figura historike: Parashqevi Qiriazi (Sevastia e të tjera figura – gra të prezantuara e të analizuara në librin e Teuta Toskës), Edit Stein, shenjtorja gjermane dhe Klara Cetkin, figurë me peshë të veçantë në romanin e shquar të Lui Aragon “Les cloches de Bale” (Këmbanat e Bazelit)

Veprimtaria e këtyre tri figurave historike u shpalos (kryesisht) në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Ato i shfaqen dhe i ofruan kontributet e tyre në vende të ndryshme. Evidentimi i jetës dhe veprës së tyre përbën sot një arritje që duhet përshëndetur. Të  tria figurat e përmendura janë në qendër të studimeve e shkrimeve të ndryshme. Ne do të ndalemi posaçërisht në studimin e Teuta Toskës kushtuar Parashqevi Qiriazit (sidomos në vitin 1919). Me anë të krahasimit synojmë të skicojmë, ndër të tjera, një sfond socio-historik që do të evidentojë e ndriçojë më mirë këto figura të veçanta.

Klara Cetkin dhe viti i saj 1912

Një nga drejtimet kryesore të aktivitetit të saj politik ishte lufta për të drejtat e gruas, për mbrojtjen ligjore të gruas në të gjitha veprimtaritë njerëzore. “Ne kërkojmë një emancipim të plotë tonin si në jetën profesionale, në jetën sociale (në raport me burrat) dhe në garantimin e të drejtave politike.” (Wikipedia) Me Klara Cetkin figura jonë, Parashqevi Qiriazi, është e krahasueshme në shpirtin luftarak, në vendosmërinë e pashoq për të mbrojtur idetë e tyre. Për Klara Cetkin, për vitin e saj 1912, për fjalimin e saj në Kongresin e Bazelit (24 – 25 nëntor 1912) ka shkruar Lui Aragoni në librin e tij sa historik, aq edhe artistik “Këmbanat e Bazelit” (botimi i parë më 1934; botimi i dytë më 1965, i treti më 1972). Kongresi i Bazelit u mbajt në prag të Luftës së Parë Botërore. Në kapitullin e fundit të librit të tij L. Aragon citon dhe nënvizon pjesë nga fjalimi i K. Cetkin-it në Kongres: “Si nous, les meres, nous inspirion a nos enfants la haine la plus profonde de la guerre …il n’y aurait pas sur terre de pouvoir capable d’arracher cet ideal de leurs coeurs.” (Nëse ne, nënat, do të frymëzojmë te fëmijët tanë urrejtjen më të thellë ndaj luftës …, nuk do të ketë forcë në botë që ta shkulë këtë ideal nga zemrat e tyre). Duke e zhvilluar figurën e K. Cetkin si një flamur në luftën kundër poshtërimit shekullor të femrës, në luftën për emancipimin e saj nga dominanca mashkullore, autori deklaron në fund të romanit: “La femme des temps modernes est nee, et c’est elle que je chante. Et c’est elle que je chanterai.” (Ka lindur gruaja e kohëve moderne, dhe për këtë këndoj unë. Dhe për këtë do të këndoj).

Edith Stein (1891 – 1942), emri i urdhrit fetar – Teresia Benedicta a Cruce OCD, ishte një filozofe gjermane, një luftëtare për të drejtat e gruas me origjinë hebreje. Në vitin 1911 përfundon gjimnazin (në Breslau) me një maturë të shkëlqyer. Po në Breslau filloi studimet në universitet në degën mësuesi me lëndët psikologji, filozofi, histori dhe gjermanistikë. Siç shkruan më vonë, ajo donte t’u shërbente njerëzve. Më vonë i vijoi studimet në Universitetin e Gëtingen-it dhe në Freiburg. Pas provimeve shtetërore dhe mbrojtjes së disertacionit, në vitin 1916 ajo shërbeu si asistente e udhëheqësit të saj shkencor, filozofit Edmund Husserl, në Freiburg. Edhe pse promocioni i saj u vlerësua me “shkëlqyeshëm”, ajo nuk u lejua të habilitohej. Në vitin 1919 ajo paraqet tezën e saj të habilitacionit në Universitetin e Gëtingen-it (“Kauzaliteti psikik”). Por nuk u pranua. Edhe në Freiburg e Breisgau u refuzua kërkesa e saj për habilitacion. Fakulteti filozofik në Gëtingen e motivonte mospranimin e tezës profesoriale me arsyen “Pranimi i një femre për habilitim paraqet ende vështirësi”. Nga viti 1920 ajo e vazhdon vetë kërkimin shkencor. Shkrimin e saj për një habilitacion të mundshëm e mbaroi në kohën nacionalsocialiste, në vitin 1936. Ky punim me titullin përfundimtar “Endliches und ewiges Sein” (Ekzistencë e pafundme dhe e përjetshme) u botua në vitin 1950 (pas luftës). Në këtë vepër E. Stein analizon dhe bën polemikë me mendimet e Th. Akuinit, Husserl-it dhe Heidegger-it. Në vitin 1922, pas pagëzimit, konvertohet në fenë katolike. Nga semestri veror i vitit 1932 ajo është pedagoge për filozofi dhe pedagogji në Institutin Pedagogjik, Münster (një institucion katolik). Nga janari 1933 nacionalsocialistët i intensifikojnë veprimet dhe programet kundër hebrenjve. Në mes të prillit 1933 Edith Stein i shkruan një letër Papa Piut XI me lutjen e thekshme që të ndërhynte/ të protestonte kundër persekutimit të hebrenjve. Nuk i erdhi asnjë përgjigje. Prandaj zhgënjimi i saj ndaj Vatikanit ishte i madh. Në fund të prillit 1933 ajo largohet nga vendi i saj i punës në Mynster që të mos e vinte institucionin në vështirësi. Ajo nuk mori njoftime për ndalimin e veprimtarisë mësimore ose për pushimin nga puna. Në tetor 1933 Edith Stein hyn në një manastir në Këln, ku pas gjashtë muajsh u pranua si murgeshë në urdhrin “Terezia Benedicta a Cruce”. Dy vjet më vonë i bashkohet asaj dhe e motra, Roza. Pas progromit më 9 prill 1938, ajo e lë manastirin në Këln dhe zhvendoset jashtë Gjermanisë, në një manastir në Echt, në Holandë (bashkë me motrën). Më 2 gusht 1942, 244 hebrenj të konvertuar në katolikë, midis tyre dhe Roza me të motrën, Edith Stein, u arrestuan nga Gestapo. Më 7 gusht 1942 i deportuan në kampin e vdekjes Ausshwitz- Birkenau. Mendohet që i ekzekutuan më 9 gusht 1942 në kabina me gaz helmues. Kanë mbetur proverbiale fjalët e saj thënë motrës kur po i arrestonte Gestapo: “Komm, wir gehen für unser Volk!“ (Eja, të shkojmë për popullin tonë.)

Më 1 maj 1987 Edith Stein u shpall “e lumturuar” nga Papa Johanes II në Këln. Më 11 tetor 1998, në Romë, shpallet “e shenjtë”. Në vitin 1999 ajo me “të shenjtat” Birgita dhe Katharina nga Siena shpallen “mbrojtëse të Europës”. Maria Amata Neyer OCD, drejtore e arshivës “Edith Stein” në manastirin e Këlnit, e përfundon parathënien e saj në përmbledhjen me artikuj mbi jetën dhe veprën e Edith Stein (“Edith Stein, das entscheidendes Jahr in Münster”/ Edith Stein, viti vendimtar në Münster; Münster 2003) me fjalët prekëse, sugjestionuese dhe shpresëdhënëse: “I lutemi shenjtores-mbrojtëse të Europës të lutet dhe për ne, për qytetin Münster, që e donte mbi gjithçka, për atdheun tonë, Gjermaninë, për mbarë Europën dhe për tërë njerëzimin” (f. 10).

Fati tragjik i Edith Stein lidhej jo vetëm me origjinën hebreje, por dhe me qenien e saj grua.

Vendosja paralele e momenteve biografike edhe të dy figurave të tjera të shquara femërore, K. Cetkin dhe E. Stein, synon vizatimin e një sfondi më të gjerë, shprehës e domethënës të situatës ku jetonin, punonin dhe vuanin intelektuale të ndritura në periudhën para dhe pas Luftës së Parë Botërore. Synohet gjithashtu që me anë të krahasimit, të spikaten dhe të evidentohen më mirë veçoritë e secilit person të analizuar. 

Difficile est ad bona accedere (është vështirë t’u qasesh gjërave të mira)

Conclusio: Po e filloj konkluzionin me thënien e mençur latine që e përdora si nëntitull. Nuk jam nisur nga bukuria dhe mençuria e thënies, por nga fakti që përmbajtja e thënies i përgjigjet tërësisht gjendjes dhe pozicionimit tim në harkun kohor kur konceptoja dhe shkruaja reflektimet e mia mbi veprën e T. Toskës, “Parashqevi Qiriazi dhe viti i saj 1919”. Provova t’i qasesha tekstit në mënyra të ndryshme, disa herë provova, disa herë u tërhoqa. Ishte e vështirë të shprehesha për një studim aq të kompletuar dhe të realizuar. Pas disa përpjekjesh u fokusova në qasjen e mësipërme që, gjithsesi, nuk është më e plota. Është vështirë të gjesh një qasje gjithëpërfshirëse dhe plotësisht të kënaqshme për punimet serioze që sjellin shumë informacion të nevojshëm, shumë estetikë ndikuese për të tashmen e për të ardhmen.

Ja ku qëndrojmë ne në të tashmen tonë, në mes të historisë. E tashmja nuk mund të qëndrojë pa spirancën e hedhur në të shkuarën. E tashmja është gjithashtu pa vlerë nëse humbet në horizontin e ngushtë të përditshmërisë dhe nuk zbulohet në të e ardhmja, tendencat e së cilës nuk rroken plotësisht nga mendimi ynë, por gjithsesi janë të imagjinueshme dhe sugjestionuese. Këtë na e mëson dhe studimi i Teuta Toskës.

© 2022 Emine Sadiku. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin