KU ‘FLE LEPURI’ NË LIBRIN E LEA YPIT?

nga Kaon Serjani

Libri “Të lirë” i autores shqiptare Lea Ypi (profesore e Teorisë Politike në “London School of Economics”), i botuar njëkohësisht në disa gjuhë dhe i sjellë në shqip nga shtëpia botuese “DUDAJ”, ka tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe kritikës. Reklamës së jashtëzakonshme që iu bë librit në mediat europiane, mbase si asnjë libri tjetër të shkruar nga një autor shqiptar (i viteve të fundit), iu bashkua edhe promovimi i Tiranës, në të cilin ranë në sy edhe disa nga figurat me profil të lartë politik nga radhët e së majtës qeverisëse.

Nga një vëzhgim i përciptë ky detaj të bën përshtypje kur merr parasysh që libri rrëfen kujtime të jetës së autores, rreth perceptimit të kufizimeve të lirisë në komunizëm dhe sidomos kur i shton këtij konteksti faktin që autorja vetë vjen nga një familje e përndjekur nga diktatura. Megjithatë, për shkak se ajo nuk i fsheh bindjet e saj, lexuesi nuk ndihet i surprizuar. Përmes punës së saj akademike Lea Ypi është kontribuese e teorive të majta si dhe anëtare e Partisë Laburiste (parti e majtë) në Angli ku edhe jeton. Për këto arsye prezenca e qeveritarëve të majtë nuk kërkon më shpjegim.

Po çfarë lidhjeje ka libri në fjalë me kontekstin e mësipërm? A nuk është ai thjesht një libër me kujtime? Mësa duket, jo. Autorja, e cila ka rrëfyer treqind faqe si një romanciere, papritur e përmbyll librin si një profesoreshë filozofie. Ja se çfarë shkruan ajo në epilog:

Çdo vit, i filloj leksionet për Marksin në “London School of Economics” duke u thënë studentëve se shumë njerëz besojnë se socializmi si teori, bazohet tek analiza e marrëdhënieve materiale, lufta e klasave dhe nevoja për drejtësi shoqërore. Në të vërtetë, ai frymëzohet nga diçka shumë më thelbësore. Socializmi, ngul këmbë unë, ka në themel lirinë.

Autorja duket se po na thotë që ne mund ta kemi paragjykuar socializmin sepse na është prezantuar përmes lenteve komuniste totalitariane. Tani që ajo e njeh më mirë këtë teori politike na jep sigurinë se në themel të asaj doktrine politike qëndron liria.

Një mbyllje e pazakontë për një libër kujtimesh, apo jo!? Përse kjo simpati për socializmin në përmbyllje të rrëfimit të përjetimeve të lirisë dhe mungesës së saj në një regjim, i cili u përpoq të na bindte se socializmi është rruga e duhur, dhe që përfundoi në kaos?  Kjo nuk duket aspak si një lajthitje e autores. Përkundrazi, duket si një orientim për lexuesin për të kuptuar se ku “fle lepuri”, nëse mund të shprehemi kështu për thelbin e librit. Por si të sigurohemi që po e interpretojmë saktë?

Në një intervistë në emisionin “Spotlight” të gazetarit Alban Dudushi në Televizionin “Vizion Plus” Lea Ypi, mes të tjerave, ofroi edhe një sekret të interpretimit të librit, që lidhet me filozofinë kantiane, për të cilën ajo ka një ekspertizë të admirueshme akademike. Le të kujtojmë këtu shkurtimisht se thelbi i filozofisë së Emanuel Kantit kishte të bënte me dallimin mes mënyrës si na SHFAQEN gjërat (Phenomena) dhe mënyrës si JANË ato në të vërtetë (Noumena).  Çfarë çelësi intepretimi na jep ky nocion kantian për librin?

Mund të ishte si vijon: nëse ne do të pyesnim se si është SHFAQUR përjetimi i lirisë njerëzore në komunizëm, autorja do të priste që ne të shpreheshim se në atë sistem është dukur sikur nuk ka pasur kurrsesi liri. Por si ËSHTË e vërteta? Ndonëse ky përcaktim është përgjithësisht i saktë për autoren, në rrëfimin e saj ajo na ka treguar se ka ekzistuar një dimension personal i lirisë edhe në atë periudhë; në rastin e saj liria e përjetuar si fëmijë.

Nga ana tjetër duket se ka edhe një dallim midis mënyrës si na është SHFAQUR liria dhe se si ËSHTË ajo në të vërtetë në sistemin që pasoi komunizmin në shoqërinë shqiptare. Për autoren kapitalizmi na është shfaqur si lirisjellës, por si është ai në fakt? Sipas saj kapitalizmi doli se ishte shpresëvrasës. Në pjesën e dytë të librit është një koment i autores mbi konfliktin e vitit ’97-të, i cili mendoj se i thotë të gjitha. Lea shkruan:

Më dukej vetja sikur isha kthyer në vitin 1990. I njëjti kaos, e njëjta frikë, i njëjti rrënim i shtetit, e njëjta katastrofë ekonomike, por me një ndryshim. Në 1990-ën nuk kishim asgjë veç shpresës. Në 1997-ën e kishim humbur edhe atë. E ardhmja më dukej si një arkivol i gjatë, i zi.” (fq.301-302)

Besoj se pasazhi i mësipërm tregon që synimi i autores në libër nuk është thjesht të regjistrojë kujtimet fatkeqe personale apo familjare për kalvarin e vuajtjeve në komunizëm, por më tepër të krahasojë përjetimet e mungesës së lirisë në diktaturë me lirinë e rreme që ofroi kapitalizmi.

Pra autorja, përmes episodeve të jetës, po reflekton mbi lirinë për të kritikuar të dyja sistemet, totalitarizmin komunist dhe liberalizmin kapitalist. Ajo nuk e gjeti lirinë në asnjë prej tyre, ndaj vazhdoi kërkimin. Për këto arsye libri i Leas më duket se meriton të konsiderohet më tepër si një shprehje e një botëkuptimi politik sesa thjesht si një libër kujtimesh.

Nëse e kemi gjetur folenë se ku ‘flinte lepuri’, ka gjasa të mos jemi të gabuar në interpretimin tonë po të themi se autorja ka përdorur teknikën e rrëfimit imagjinativ për të komunikuar me ne të njëjtat ide që mund t’i kishte shprehur përmes një serie leksionesh rreth teorisë së saj politike.

Notat e saj pesimiste për vitet ‘91-’97-të në libër nuk janë thjesht një rrëfim kujtimesh, por një zhgënjim, i cili i mjafton asaj për të justifikuar motivet e riinterpretimit të Marksit dhe për të gjetur aty një socializëm me vlerë, të cilin e ka përqafuar si pjesë të botëkuptimit të saj. Nëse kjo i mjafton lexuesit është çështje tjetër dhe për ta mësuar këtë mbase do të duhet të shprehen shumë lexues.

Megjithatë, sa për përshtypjen time si njëri prej lexuesve, autorja bën një kapërcim të madh tek epilogu kur na ofron socializmin si një shpresë për lirinë. Lea Ypi sigurisht që na ka treguar episode të zhgënjimit të saj me kapitalizmin shqiptar të tranzicionit, por ajo nuk na tregon se pse socializmi ofron themelin për të ndërtuar botëkuptimin më të mirë për lirinë njerëzore.

Mendimi se socializmi i vërtetë, i nxjerrë nga një lexim i ri i Marksit, është i mirë (që sipas autores Shqipëria nuk e ka njohur përmes komunizmit) nuk është i mbështetur në ndonjë argument në libër, ndaj më së shumti mund ta marrim si një tezë që ngre libri, por pa e provuar. Mbase autorja e ka bërë edhe këtë me qëllim, që t’i lërë shteg vetes për një libër tjetër, që të na mbushë mendjen se teza e saj qëndron.

Dhe derisa të ndodhë kjo, do na duhet të themi se e kemi pranuar dëshminë e jetës së Leas së vogël dhe adoleshente, por ende jo tezën e Leas si profesore e teorisë politike.

(c) 2021 Kaon Serjani. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin