TË FLESH ME MULLIXHIUN

E kuptoj që pozicionet dhe hipotezat (dhe marifetet dhe fantazitë) e turbologëve mund të ndiqen me simpati nga shumë njerëz që nuk e kuptojnë si bëhet profesionalisht historia e gjuhës, historia e shkrimit dhe etimologjia – dhe që ende kanë nevojë t’u tregosh përralla, për t’i zënë gjumi natën.

Por më shqetëson qëndrimi i disa të tjerëve, studiues me përvojë dhe që kanë aq ekspertizë në fushat përkatëse, sa të kuptojnë se prurjet turbologjike nuk qëndrojnë as në qiell as në tokë, por që po i relativizojnë gjërat, duke i lidhur pretendimet turbologjike (pseudo-albanologjike) me nevojën për t’u çliruar nga establishmenti akademik “sovjetik”, “enverist” ose “pro-sllav” e “pro-grek”.

Njoh kolegë të cilët, për arsye më shumë politike, janë rreshtuar KUNDËR ekipit që drejton sot Akademinë e Shkencave dhe institucionet albanologjike në Shqipëri, dhe e konsiderojnë këtë ekip si trashëgimtar të hegjemonisë së dijes enveriste dje. Kritika e tyre më duket normale, sidomos kur ushqen dhe mban gjallë një atmosferë të debatit dhe të shkëmbimit të ideve.

Çfarë më duket e papranueshme, edhe shkencërisht edhe moralisht, është që këta kolegë po ua shkelin syrin turbologëve, me shpresë se do t’i përdorin – ata dhe ndjekësit e tyre të panumërt – për të minuar autoritetin e institucioneve të dijes; madje ndonjëherë edhe duke iu referuar pozave turbo-kombëtariste të turbologëve. Këta janë gati të flenë me mullixhiun, për inat të vjehrrës.

Nuk e kam me ata që, ngaqë janë të mangët ose inkompetentë ose jo dhe aq inteligjentë, mendojnë se turbologëve u duhet hapur vend, në tryezat e dijes dhe të debatit shkencor, madje edhe të teksteve shkollore, qoftë edhe vetëm për hir të pluralizmit në ligjërimin akademik dhe universitar. Përkundrazi, e kam me ata që, të nxitur nga motive thjesht politike ose ndonjëherë edhe mirëfilli personale, duan t’i shfrytëzojnë turbologët, për të sjellë pështjellim në establishmentin e dijes.

Besoj se kushdo që merret me kërkime në lëmin albanologjik dhe jo vetëm, është në drejtën e vet që të kritikojë politikat e dijes dhe orientimet e Akademisë së Shkencave dhe të Universiteteve Publike; edhe unë nuk jam kursyer në kritika të tilla, kur ka qenë rasti. Sa i përket albanologjisë, Albert Doja – ai vetë anëtar i Akademisë së Shkencave – ka formuluar tashmë prej vitesh kritika sistematike, të cilat marrin në pyetje vetë statusin e albanologjisë si fushë kërkimesh, dhe që ende nuk më rezulton të kenë marrë vëmendjen dhe përgjigjen e duhur, nga palët e prekura.

Por kritika – ose më mirë “kritika” – që ia bëjnë institucioneve të dijes turbologët, jo vetëm që ka natyrë thellësisht politike, por edhe nuk i plotëson as kriteret elementare, për t’u konsideruar si pjesë e ndonjë diskursi shkencor çfarëdo. Ajo mbështetet në lexime të gabuara, keqinterpretime, injorancë, keqdashje, ksenofobi, shtrembërime dhe gënjeshtra.

Prandaj më duket i padenjë tundimi i disa kolegëve të mi për t’u afruar “taktikisht” me turbologët kinse në emër të pluralizmit dhe të freskimit akademik, por në të vërtetë thjesht për të minuar politikisht institucionet, me argumente të llojit populist, që synojnë nxitjen e zemëratës popullore dhe të përbuzjes anti-intelektuale për “elitat”.

Aleanca të tilla të paskrupullta, që ndonjëherë funksionojnë mirë në politikë, nuk mund t’i shërbejnë dijes dhe as administrimit të dijes. Nga të gjitha modelet për të organizuar kulturën dhe diskursin publik, ai i politikës – dhe veçanërisht pragmatizmit të shfrenuar të politikës sot në Shqipëri – është më i mbrapshti që mund të adoptohet.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është krijuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin