MOTRA MBË TENËZONË

nga Bardhyl Demiraj

(LMU München)

Debati i hapur së fundi në “Peizazhe të fjalës” mbi gruan (shqiptare) dhe përsiatjet, qofshin këto edhe individuale, ndaj pozicionit të saj në jetën sociale dhe atë kulturore (po-shqiptare) glorifikon rishtas alternativën që përcjell si nëntitull kjo revistë, sepse, ja!!!, kështu qenka e thënë: është gatuar e sendërtuar për “natyra jo aq të qeta”. Prashtu për këtë arsye dhe me këtë rast u josha edhe unë t’i rikthehem një çështjeje të mbetur pezull dikur gjatë analizës gjuhësore-filologjike të tekstit Mallkimet që lëshon ipeshkvi të Enjten e Madhe[1], i cili i takon trashëgimisë së hershme në kulturën e shkrimit shqip në Arealin të Veriut (katolik) e që shpresojmë ta kemi saktësuar ndërkohë se është hedhur së pari në letër më 1704 prej Imz. Ndue Babit (= Msgr. Antonio Babbi) dora vetë gjatë periudhës kur mbarështonte grigjën e vet si ipeshkëv i Dioqezës së Shkodrës: 1703-1728.[2] Bëhet fjalë në këtë tekst për shkishërimet në formë mallkimi që jo vetëm i lejohej, por edhe duhej t’i bënte ipeshkvi gjatë Javës së Pashkëve, bash të Enjten e Madhe, një ditë para të Premtes së Zezë, që përkujton Kryqëzimin e Krishtit. Këtë të drejtë e gëzonte atëbotë vetëm ipeshkvi dhe vetëm atë ditë me anatemuar sipas rastit besimtarë e klerikë që kishin kryer herezi ose shkelje të rënda, përka­tësisht sosh që binin në kundërshtim të hapur me të drejtën kanonike dhe nomet e Kishës Katolike-Romake.

Ndër mallkimet e numëruara në tekst me shifra arabe është shi ai i fundit (nr. 19) që bart ende enigma të rastit, sa i përket zbërthimit kuptimor të frazës që ngërthen edhe titullin e këtij punimi: /Kjoft mallëkuem kush baft motra mbë Tenëzon./ Më shumë se një sekuencë sintaksore e rastit ndërmjet njësish të ndryshme leksiko-semantike brenda një fraze komplekse emërore, kemi të bëjmë këtu padyshim me një sintagmë të ngulitur të natyrës frazeologjike, që vjen me thënë se kuptimin e saj nuk e përcjell mirëfilli rrjedha kuptimore që përftohet nëpërmjet bashkëlidhjes së njësive leksiko-semantike në varg. Këtë situatë e qartëson bindshëm përqasja e saj me gjegjësen italisht në të njëjtin mjedis tekstor: it. sorelle giurate, të cilën lejohemi ta përkthejmë fjalë për fjalë, pra qoftë edhe ad hoc si “motra të (për)betuara”, çka mundëson paraprakisht perifrazimin, përkatësisht zbërthimin e kuptimit të sekuencës sonë si motra në besë ndaj Zotit.

A kemi të bëjmë në këtë rast me një përkthim të lirë (ad sensum) të Imz. Babit për gjegjësen italisht (qoftë edhe me radhë të përkundërt), apo hasim këtu sintagma të ngulitura në dy gjuhë të ndryshme që bartin në vetvete të njëjtin funksion, duke shenjuar si të tilla kategori a grup të veçantë personash të gjinisë femërore: ‘femër’, ‘motër’, ‘morgë, murgeshë’ etj.,  që gëzonin a mëtonin të gëzonin dikur një status të veçantë brenda bashkësisë katolike shqiptare? Kësaj pyetjeje i kam anashkaluar në shkrimet e mia të mëparshme, sepse thjesht nuk isha në gjendje të jepja një përgjigje bindëse, andaj edhe u mjaftova atëbotë paraprakisht t’i përcillja lexuesit në një fusnotë të përbashkët mendime të vjela deri atë kohë për këtë çështje.[3]

Asgjëmangut, edhe në këtë shkrim modest nuk synoj assesi të analizoj në detaj njërën apo tjetrën tezë ase mendim të kumtuar deri sot, por thjesht dhe vetëm dua t’i përcjell lexuesit dashamir një përsiatje alternative timen lidhur me kuptimësinë dhe funksionin përkatës të kësaj sintagme të ngulitur, duke e mbështetur me material dokumentar, të qëmtuar ndërkohë në dy burime kohësh të ndryshme, si vijon:

a) (Kopje) dekreti i Kongregacionit të Shenjtë të Propaganda Fide-s, dërguar Imz. Pal Pema Kampsit (dt. 30. nëntor 1743) – AQSH F.132/A, V.1744, D.1 46:

“Dekret i së sipërthënës Kongregatë të Shenjtë:

Shumë i ndritur e i nderuar Imzot si vëlla!

Meqenëse kjo Kongregatë e ka çmuar si detyrë të mbikëqyrjes së saj të hetojë se çfarë është saktësisht zakoni i quajtur vëllazëri [= vëllamëri – B.D.] në besë, të cilin e ka dëgjuar të përdoret në këto anë jo vetëm ndër laikë shekullarë, po edhe ndër klerikë, ka ardhur në dijeni se ky është pikërisht ai zakoni shumë i keq, për të cilin foli aq shumë Shën Gjon Gojarti në Omelinë Contra eos, qui apud se fovent Sorores adoptivas [= Kundër atyre që përkrahin motra të adoptuara – B.D.]. Për këtë arsye ngarkon me anë të kësaj letre zellin baritor të Shenjtërisë Suaj, që të përdorë çdo mënyrë e përpjekje me e zhdukur në Dioqezë këtë zakon kaq të dëmshëm, nga i cili nuk mund të rrjedhin veçse skandale të pahijshme dhe mëkate, duke marrë parasysh afërsinë e familjaritetin që hyn me anë të këtyre gjoja vëllamërive të paligjshme mes personash gjinish të ndryshme dhe me një statusi të ndryshëm. Por klerikëve, e sidomos priftërinjve Ju duhet t’ua ndaloni shprehimisht, me dënime që do t’i gjykoni të përshtatshme, për të zhdukur prej tyre një çrregullim të tillë. E duke pritur rezultatet e veprimit tuaj, mbetem duke lutur Zotin që t’ju ruajë e t’ju mbrothësojë,

Romë, më 30 nëntor 1743…”[4]

Sqarime:

Në këtë dekret mësojmë se Kongregacioni i Shenjtë është i përditësuar me dukurinë sociale të vëllamërisë në besë ndaj Zotit së paku në Dioqezën e Shkodrës, një dukuri kjo që paska rrokur në larminë e saj edhe bashkëjetesën mes personash gjinish të ndryshme jo vetëm ndër besimtarët e krishterë por edhe sish në vetë klerin. Kongregacioni dekreton me këtë rast marrjen e masave të rrepta ndaluese ndaj kësaj dukurie, që vjen me thënë mënyre bashkëjetese, e cila krijonte mundësi abuzimi konkret, pas gjase ndaj Sakramentit të Martesës sikurse ndaj detyrimit të Celibatit. Që në këtë dekret citohet expressis verbis omelia në fjalë e Sh. Gojartit, është kjo një tregues fare i qartë sidomos ndaj rrezikut të cënimit të Celibatit në radhët e klerit e të famullitarëve që strehonin në ospicet e tyre besimtare të seksit tjetër që u ishin përkushtuar tërësisht besimit ndaj Zotit e në të njëjtën kohë përkujdesnin edhe mbarështonin nevojat e jetës së përditshme në kishë.

2) Një pasazh në veprën postume në dorëshkrim të misionarit austriak Msgr. Ernesto Cozzi (1903), Kreu. VII: Gruaja shqiptare, §§ 520-529: Virgjiniteti:

[….. § 529] Veçse në arkivin e famullisë së Shoshit ka një dokument, i cili na tregon se në fisin e Planit ka pasur shumë vajza të reja që, me anë të predikimit dhe të shembullit të mirë të P. Angelo da Braciliano, nga viti 1715 vendosën të marrin statusin e virgjëreshës dhe t’i përkushtohen Zotit, një gjë e pazakonshme në këto krahina. Kur e panë këtë, banorët e vendit menduan të ndërtonin një shtëpi të veçuar për ato murgesha, në mënyrë që t’i kryenin më lehtë punët fetare. Mirëpo Kongregata e Shenjtë romane, me urdhër të Klementit XIII e ndaloi këtë tubim murgeshash në vitin 1763, megjithëse ua lëvdonte qëllimin e mirë dhe dëshirën për dëlirësi, dhe urdhëroi që secila prej tyre të qëndronte në shtëpinë e vet. Ndërtesa ku banonin këto murgesha mund të shihet [sot] e shkatërruar nën kopshtet e shtëpisë së famullitarit të Planit, të cilit i përket edhe sot.

Por me ndalimin e këtij grupimi murgeshash nuk u ndërpre zakoni i të bërit murgeshë [kursiv prej nesh – B.D.]. Dhe shumë vajza tashmë të fejuara pa pranimin e tyre, kur mbërrinin në moshë martese e duke dashur t’i shmangen dhunës, ngjyenin rrobat në të zezë dhe lidheshin me një litar të trashë si murgeshat e hershme të Shën Kjarës, gjë që shkaktoi shumë thashetheme në popull. Misionarët u përpoqën me gjithë fuqinë e tyre t’i bënin të hiqnin dorë nga kjo veshje e çuditshme, por më kot. Madje, një ditë u paraqitën që të gjitha në kishë dhe në mes të popullit të grumbulluar u betuan për virgjëri të përjetshme. Por me kalimin e kohës ky zakon fetar erdhi duke u zhdukur, dhe sot nuk ka mbetur më gjurmë tek malësorët; përveç tre-katër lëneshave që, duke qenë rritur në ndonjë institut fetar në Shkodër, por pa përqafuar urdhrin fetar, u vunë në shërbim të ndonjë misionari, duke çuar një jetë shembullore murgeshash në çdo gjë, edhe në veshje, saqë vetë malësorët i quajnë me emrin murgesh-a(1), për t’i dalluar nga “virgjëreshat” e tjera për të cilat fola më lart, dhe me të cilat nuk kanë të bëjnë fare.

[….] [Fusnotë (1)]: ose thjesht morg-a. Në malësi përdoret zakonisht ky emërtim për të shenjuar edhe “virgjëneshat” e tjera. Edhe në qytetin e Shkodrës janë me shumicë murgesha të tilla, të veshura tërësisht në të zeza, [e] të mbuluara me shall në këtë ngjyrë. Por vitin e shkuar (1910), krerët e krishterë të qytetit nxorën një ligj, me fuqinë e të cilit “qysh nga ky çast e më pas u ndalohet vashave të mbeten ‘murgesha’ përpos atyre që do të donin të hynin në kuvend. Gjithsesi sosh që e kanë përqafuar ndërkohë këtë status, ato mund të vijojnë në vetvete të mbajnë shallin e zi. Veçse ato murgesha që do të dilnin nga shtëpia jo me këtë shall, por të mbuluara me çarçaf (lenzuolo), tregojnë se do të donin të martoheshin.”[5]

Sqarime:

Pasi është ndalur më parë në përshkrimin e të shpallurit “virgjëneshë” te malësoret shqiptare si dukuri sado anësore e jetës sociale ndër bashkësitë e ndryshme fetare në Shqipërinë e Veriut së bashku me larminë dhe arsyet e shfaqjes, përkatësisht njohjen dhe ndërkalljen e saj në nomet e së drejtës zakonore (§§ 520-528: Verginità), autori i përcjell lexuesit në fillim të paragrafit përmbyllës (§ 529) përfundimin e vet, se gjithçka kishte përshkruar e interpretuar më sipër ishte pjesë integrale e jetës zakonore e nuk kishte të bënte assesi me përkushtimin tërësor vetëm ndaj Zotit, Kishës, përkatësisht kalimit në jetën e murgeshave bash në një vend ku nuk ekzistonin as institucione kulti, të tilla si manastiret.

Parë nga perspektiva e studimit tonë pjesa më domethënese e këtij paragrafi është vazhdimi i tij, ku autori përcjell raste të ngjashme të shpalljes së virgjinitetit vajzëror në bashkëlidhje pikërisht me përkushtimin jetik-shpirtëror vetëm ndaj Zotit, e kushtëzuar kjo me shkëputjen e vetëdijshme, në mos të dëshiruar prej jetës zakonore dhe sociale-ekonomike të bashkësisë ku bënin pjesë. Po aq domethënës është gjithashtu edhe kumti i autorit se këto raste dokumentohen qysh prej fillimit të shek. XVIII dhe se kjo dukuri, megjithë masat parandaluese, të marra kohë pas kohe e rast pas rasti prej Kurisë së Shenjtë, vijoi të gjëllijë në një formë a një tjetër edhe përgjatë shek. XIX e fillimet e shek. XX, anipse gjithnjë në rrëgjim. Tejet domethënëse është sidomos arsyeja, në mos njëra ndër arsyet themelore, se përse vajzat e besimit katolik ndërmerrnin një hap të tillë e krejt të pazakonshëm në jetën sociale-zakonore të bashkësisë që i përkisnin. Ani, sipas autorit “…E shumë vajza, të fejuara ndërkohë pa pëlqimin e tyre e që kishin ardhur në moshë martese, duke dashur t’i shpëtojnë ushtrimit të dhunës [= detyrimit martesor – B.D.], ngjyen robat me të zezë dhe ngjeshën në brez një konop të thjeshtë në mënyrë të ngjashme me murgeshat e vjetra të Sh. Klarisës, [= Santa Chiara-s – B.D.], çka shkaktoi thashetheme të shumta në popull. Misionarët u përpoqën me të mirë për t’i bindur ato që të hiqnin atë veshje të pazakontë, por më kot. Dhe ja që një ditë ato të gjitha u shfaqën në kishë dhe para popullit të mbledhur bënë betimin e përhershëm të dëlirësisë [ndaj Zotit].”

Facit

Edhe pse jemi të ndërgjegjshëm se po shkelim në një fushë të panjohur, që vjen me thënë ende të pastudiuar sa e siç duhet deri sot, shpresojmë të kemi gjetur fillin lidhës midis dukurisë që i nënshtrohet mallkimi i 19-të në listën e shkishërimeve që bënte ipeshkvi të Enjten e Madhe dhe asaj forme të re virgjiniteti – pa tumirje as në familje, fis a Kanun!!! – që ndërmorën qysh në shek. XVIII do Hana shqiptare, parë e konceptuar ky si çlirim prej vargojve të jetës patriarkale dhe normave zakonore diskriminuese ndaj saj. Që kjo dukuri nuk u mbështet madje u luftua në vazhdimësi prej Kurisë së Shenjtë, kjo ka të bëjë më fort me zbatimin papërjashtimor të nomeve dhe kanoneve të Kishës Katolike[6] e pas gjase edhe me rrethanat sociale dhe kushtet materiale-ekonomike aspak të përshtatshme për mbarështimin e kësaj dukurie në trevat malore të Arealit Kulturor të Veriut (katolik) shqiptar.

Priten e janë të mirëseardhura ndërkohë studime në detaj që mund ta tumirin ose ta hedhin poshtë këtë përsiatje paraprake që shtruam këtu për diskutim. Debati aktual në Pejzazhet e Fjalës – një revistë e gatuar (vetëm?) për natyra jo të qeta!!! – është një shtysë fanmirë, e bërë në mot më se të përshtatshëm.

 

(c) 2021 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa lejen e autorit.


 

Bibliografi e cituar

AQSH   Arqipeshkvia; Nr. F.132/A, V.1744, D.1 (Bleu i dytë dhe i vetëm i Regjistrit të Arqipeshkvisë së Shkodrës, alias R. i Famullisë së Tophnës)

Cozzi, Ernesto

1903    Fra i Monti d’Albania. Cenni su gli Usi e Costumi delle Montagne di Scutari” Vol. 1 (material në dorëshkrim i redaktuar nga Zef Valentini = Msgr. Giuseppe Valentini e që po përgatitet për shtyp prej Peter Bartl dhe Bardhyl Demiraj.)

Demiraj, Bardhyl

2014    Mallkimet që lëshon ipeshkvi të Enjten e Madhe (1744 ?), në: „Hylli i Dritës” 3-4, f.  140-163, Shkodër

2017    Areali Kulturor i Veriut në shek. XVI – XIX, Onufri, Tiranë

Kamsi, Kolë

1958 Një dokument gjuhësor shqip dhe disa vjersha e materiale gjuhësore të kolonive arbëreshe të Kalabrisë e të Basilikatës, në: BUSHT SSHSH 2 210vv.

Nika, Nevila

2001    Dioqeza e Shkodrës gjatë shek. XVIII sipas dorëshkrimeve arkivore. Shkodër.

Palnikaj, Mark

2020    Dëshmi shkrimi shqip në Regjistrin e Kishës së Shalës në Dioqezën e Pultit (shek. XVIII), në: „Hylli i Dritës” 2, f. 193-197.

Sinani, Shaban

2014    Kodikët kronografikë të Shqipërisë. Shkrime dhe dorëshkrime prej Rilindjes Europiane deri në Rilindjen Kombëtare. Naimi Tiranë

Sheldia, Gjush

1957/8 Kryeipeshkvia Metropoliane e Shkodrës e dioqezat sufragane (Shënime historike). Shkodër.


Shënime:

[1] Demiraj: 2014 140-162; 2017 456-480 – Titujt origjinalë: <Maλekimet chi lescion Vpesckepi Teinten Emaξe> ~ it. <I Scommunicati nel Giovedi Santo>

[2] Demiraj 2017 6vv.

[3] Kështu p.sh. Kolë Kamsi (1958 211), që është, në mos zbuluesi, të paktën botuesi i parë i tekstit shqip, sqaron se: “…baft motra [mbë] Tenzon: probateshë, motrë. Duket se n’at kohë jo vetëm dy djelm u bajshin probatina tue i pi gjakun njeni tjetrit, në nji filxhan me pak raki, por probatinoheshin edhe vajzat. Edhe Arbneshet e Italisë e kanë ruejtë këtë rit që e quejnë “vlamje” e probateshën “motërmë”.” Në atë fusnotë janë shtuar gjithashtu mendimet e dhëna gojarisht ose me rrugë elektronike nga disa kolegë, si vijon: “Sillet si aluzion edhe episodi biblik i dyshimit të motrave të Shën Vasilit ndaj fuqive shëruese të Jezu Krishtit (kumtim nga Matteo Mandalà dhe Shtjefën [Tefë] Topalli), ose ndalesa që i bëhet me kanun femrës për të ushtruar benë si akt kanunor-juridik (kumtim nga Italo Sarro).” (Demiraj 2014 157; 2017 476); ndërsa Sinani (2014 335) pa ndërmarrë paraprakisht historikun e studimit, d.m.th. pa cituar, i bie shkurt si “ndalim kundër vllamërisë e motërmave pa dallim feje.”

[4] Teksti origjinal: “Decreto d[ell]a Sac[r]a Cong[regatio]ne sud[dett]a

Ill[ustrissim]o e Re[verendissim]o M[onsigno]re come Fr[at]ello. Avendo questa Sagra Cong[regatio]ne stimato debito di sua vigilanza indagare in che precisam[en]te consista l’uso, comunem[en]te détto delle Fratéllanze giurate, che hà più volte udito correre in codeste parti non solo frà le persone Secolari, mà ancora frà gl´Ecelasiastici è venuta in cognizione, esser appunto questo quel grande abuso, sul quale fin da suoi tempi declamò tanto S. Gio[vanni] Crisostomo nell’Omelia contra eos, qui apud se fovent Sorores adoptivas. Incarica pertanto in virtù della presente il zelo pastorale di V[ostra] S[antita], che voglia impiegare ogni studio, e premura per abolire in codesta sua Diocèsi un tal pernicioso costume, dal quale non possono derivare che inconvenienti scandali, e peccati atteso l’attaccam[en]to e familiarità, che per mezzo di somiglianti abusive fratellanze s’introduce fra persone di diverso sesso, e di differente stato. Agl’Ecclesiastici però, e singolarm[en]te ai Sacerdoti Ella dovrà esspressam[en]te proibirlo sotto le pene, che crederà convenienti, per più èfficacem[en]te togliere da Essi un tal disordine. E nell’ attendere i riscontri del suo operato resto pregando Dio Il S[ignore] che la conservi, e la prosperi

Roma 30. Novembre 1743

Comme Fr[at]ello

V[ostro] Card[inale] Petra Pref[ett]o

Mons[igno]re Vesc[ov]o di Scuttari                           N. Antonelli Prosegret[ari]o”

[5] Pasazhi origjinal në tekst: Cap. VII: La donna albanese, §§ 520-529: Verginità:

“529. Devo inoltre notare che questa dichiarazione di verginità non ha alcunché di comune col voto di castità della chiesa, e collo stato monacale religioso che in queste montagne non esiste.

Solo nell’archivio parrochiale di Shoshi avvi una memoria, la quale ci racconta che nella tribù di Plani vi furono molte giovane che mediante la predicazione ed il buon esempio del P. Angelo da Braciliano[5] stabilirono verso l’anno 1715 di abbracciare lo stato verginale e consacrarsi a Dio, cosa insolita in queste contrade. Veduto ciò gli abitanti del luogo pensarono di fabbricare una casa appartata per le dette monache, acciò potessero più facilmente attendere alle cose spirituali. La S. Congregazione Romana però per ordine di Clemente XIII abolì per giusti motivi questa adunanza di monache nel 1763, sebbene ne lodasse il buon proposito e il desiderio di castità, e ordinò che ognuna avesse a rimanere nella propria casa. L’abitazione, ove dimoravano queste monache, si vede demolita sotto gli orti della casa parrochiale di Plani, a cui tutt’ora appartiene. Cessata quella adunanza non cessò però il costume di farsi monaca. E molte ragazze già fidanzate senza il loro consenso, arrivate all’età maggiorenne volendo sottrarsi alla forza, si tingevano in nero le vesti, cingevansi con una rozza fune a guisa delle antiche monache di S. Chiara, il ché cagionò grandi dicerie fra il popolo. I missionari cercarono a tutta possa di persuaderle a deporre quell’insolito vestire, ma indarno. Anzi un dì si presentarono tutte alla chiesa ed in mezzo al popolo congregato giurarono perpetuo voto di castità. Però coll’andar del tempo quest’uso religioso andò scomparendo, ed ora non ne rimane traccia presso i montagnoli; se togli però tre o quattro zitelle che essendo state allevate presso qualche istituto religioso di Scutari, senza abbracciarne poi la regola, si posero al servizio di qualche missionario conducendo in tutto, anche nel vestito, una vita monacale esemplare, si che gli stessi montagnari le chiamano col nome di murgésh-a(1) = monaca, per distinguerle dalle altre „vergini“ delle quali tenni parola, e colle quali non hanno a che fare.

[Shënim/fusnotë (1)]: Oppure semplicemente morg-a. Nelle grandi montagne usassi di solito quest’ultimo termine per designare anche le altre „vergini“. Anche nella città di Scutari si danno in abbondanza di tali murgesha vestite completamente in nero, velate con uno sciallo di questo colore. L’anno scorso (1910) però i capi cristiani della città emanarono una legge in forza della quale „d’ora in poi è vietato alle ragazze di rimanere ‘monache‘ ad eccezione di quelle che volessero entrare in convento. Inoltre quelle che già hanno abbracciato questo stato, potranno perdurare in esso ed usare tutte lo sciallo nero; quelle murgesha invece che uscissero di casa non con lo sciallo ma coperte col çarçaf (lenzuolo), indicano che desiderano di maritarsi.” “529. Duhet të vërej gjithashtu se kjo deklaratë virgjërie nuk ka asgjë të përbashkët me betimin e dëlirësisë që ka kisha dhe as me gjendjen fetare të murgjërisë që në këto male nuk ekziston.

[6] S. Gio[vanni] Crisostomo nell’Omelia (V) Contra eos, qui apud se fovent Sorores adoptivas; ndër të tjera në: Sancti patris nostri Ioannis Chrysostomi Archiepiscopi Constantinopolitani Opera omnia [in duodecim tomos distributa]. Graece et Latine coniunctim edita: ex Bibliotheca Christianissimi Francorum et Navarrae Regis. Fronto Ducaeus Burdigalensis; Societatis Iesu Theologus, variantes lectiones ex Mnss. Codd. erutas selegit, veterem interpretationem editarum olim homiliarum recensuit, aliarum novam edidit, utramq[ue] notis illustravit. Tomus Quartus. Parisiis, Apud C. Morellum, Typographum Regium, via Iacobaea ad insigne Fontis MDCXXXVI / Paris, C. [Claudius] Morellus 1636.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin