KARTELA TË TJERA NGA REALIZMI I DËNUAR

nga Visar Zhiti

Copa kujtese dhe akuza copë-copë, biobibliografi minimaliste fare dhe qëndrime të forta, të harruara, totalitarizëm permanent dhe ndëshkime morale, dëshmi dhe dokumentacion i mpakur, rivlerësime vetmitare që thërrasin dhe kujtesë e përtërirë bashkërisht, etj, etj, ndjehet, kur shfletoj(më) sprovën letrare “Kartela të Realizmit të Dënuar”, prej së cilës sjellim një kapitull tjetër, me interes: një ishull si mbyllje dhe dënim për idealin dhe ikjet si i mundur në kërkim të fitoreve të brendshme, pse jo, të atdheut.

Detyra e të kujtuarit është dhe mision, si qortim i vetvetes kolektive, që sa më qartë dhe larg të shohim pas, aq më larg prapë dhe më mirë do të shkojmë përpara…

BREGU TJETËR,

Disa kartela nga ishulli i huaj:

Itali. Bregu i bukur në qytetin e Napolit. Kam shëtitur andej dhe kam ndalur të shikoj ishujt e famshëm. Ischia, Capri. Procida, ku ka qenë burgu i fëmijëve dhe unë kam shkruar një poezi të trishtë. Po unë kërkoja më përtej, edhe në kohë.

Ja, sikur tretej midis qiellit dhe detit, vegim i zbehtë i kaltëryer, por dhe tronditës: Ventotene. Ishull që është dhe në kujtesën e shqiptarëve, madje dhe në këngë.

“Ventotene” ku fryn shumë erë… veee-ntoo… eeee si iso… Sa shumë shqiptarë u mbyllën në atë ishull. Rastësi? Jo. Ishte thirrja.

Pushtuesi fashist aty degdiste kundërshtarët më të rrezikshëm. Kamp internimesh që s’kishte nevojë për tela me gjemba, ishte i rrethuar me ujanën.

Patriotë, luftëtarë, personalitete të spikatura kanë në fatin e tyre, më saktë në fatalitetin, bashkërisht dhe këtë “ishull”, ku, si të thuash u takohen rrugët dhe bëmat prej heronjsh, përpjekjet që atdheu të mos mbetej në pushtim, por as që të kalonte në perandorinë komuniste si në një tjetër katastrofë, kur të mbaronte lufta, se ajo do të mbaronte një ditë, ndërkohë të tjerë e donin këtë kalim, e kishin ideal, duke e parë si shpëtimin.

Në këtë ishull janë kryqëzuar fate, që sikur iknin me erërat, humbnin nëpër ca shkulme e vorbulla të mëdha, jo në ato të detit.

Ç’ka ndodhur me të mbyllurit tanë atje, cilët ishin, nga i merrnin dhe pse e ç’bëhej më pas, kur shkuleshin prej andej? Pse sa më shumë të luftoje për idealin, për lirinë, për atdheun, aq më pak fitoje ideal, liri, atdhe, ndonjëherë dhe duke i humbur ato përgjithmonë. Madje edhe jetën. 

Orakulli i erës së atij ishulli sikur bëri disa paralajmërime alarmante, që e paraprinë historinë e së ardhmes.

Dëgjojeni erën si ulërin:

 

Një vetëvrasje si profeci:

Pedagogu Safet Butka

(1901 – 1943)

Ishte në Ventotene.

…Bir i luftëtarit patriot, mitikut Sali Butka. Pasi shkollohet në Austri, do të jetë arsimtari i disa gjimnazeve të vendit, reformator në edukim, studiues në pedagogji, autor shkrimesh problemore si: “Për të nesërmen shqiptare”, “Për zhvillimin e gjuhës”, “Mbi edukatën kombëtare”, “Po shqiptarizmit dhe Perëndimit” etj., dhe mbiquhet “Pestaloci i Shqipërisë”.

Nismëtar në sjelljen e eshtrave në atdhe të poetit kombëtar, Naimit, u prin intelektualëve dhe studentëve në demonstratat e para kundër fashizmit dhe pushtimit më 1939. E arrestojnë dhe e burgosin në Tiranë dhe më pas internohet në ishullin Ventotene, e mbajnë për tre vjet së bashku me intelektualë të tjerë bashkatdhetarë antifashistë.

Kthehet në atdhe për të vazhduar detyrën, të luftojë kundër pushtuesit. Bashkohet me Mit’hat Frashërin e nacionalistët e tjerë. Është në krye të Ballit Kombëtar.

Por kur kjo luftë ndërron kah e bëhet vëllavrasëse, luftë civile, ai tronditet së tepërmi ashtu si toka nga tërmetet. Kjo çmenduri kolektive, që ia çoroditte konceptet, donte një çmenduri tjetër, të mençur, që të frenohej sa do pak, një protestë dhe apel ndërgjegjes kombëtare. Një theror. Dhe zgjodhi veten. E vret… Dhe ishte 42 vjeç, me grua dhe fëmijë.

Kështu kishte bërë dhe shkrimtari Stefan Cvajg. E kishte njohur në Austri?

Lufta për liri do të kthehej në fitore tjetër.

Gjithsesi ajo krismë e vetmuar arme do të jehonte në kujtesën kolektive, që secili do ta ndiente brenda vetes si një akuzë mes gjëmimeve të tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore.

 

Vrasja si rivalitet:

Europianisti Zai Fundo

(1899 -1944)

…e vrasin partizanët me të ardhur nga Ventotene, ku e kishin internuar fashistët si luftëtar kundër pushtimit. E morën zvarrë dhe e vunë pas një muri andej nga Kukësi. E pushkatuan dhe urdhri, siç u zbulua më pas, kishte ardhur nga lart, nga diktatori i ardhshëm, Enver Hoxha. Apo më shumë nga lart, nga Beogradi a Moska. Nga Stalini drejt për së drejti…

Korçari Zai Fundo, pasi mbaron liceun francez në Selanik, studion në Paris, në Sorbonë për drejtësi dhe kthehet në atdhe të bëjë juristin. Pas vrasjes së Avni Rustemit, zgjidhet ai kryetar i Shoqërisë “Bashkimi” dhe drejton gazetën po me këtë emër.

Me të rënë Qeveria e Fan Nolit në 1924 ikën në mërgim, në Itali, pastaj në Austri, në Gjermani, prapë në Francë dhe kalon në Bashkim Sovjetik. Diplomohet për filozofi në Moskë, jep leksione në Leningrad dhe anëtarësohet në Komintern. Do të jetë dhe punonjës i ambasadës ruse në Berlin…

E braktis ideologjinë komuniste që “ia kalon dhe Satanait për nga ligësitë”, i shkruan Imzot Fan Nolit dhe del hapur kundër regjimit pervers të Stalinit (fjalët e tij) dhe Kominterni e dënon me vdekje.

Kur Shqipëria pushtohet nga Italia, në 1939, kthehet në atdhe, që ta luftojë fashizmin, ndërkaq punon si mësues gjimnazi. E pushojnë nga puna dhe e internojnë si veprimtar i Ballit Kombëtar në Ventotene.

Atje, krahas me bashkatdhetarët e internuar, do të bashkëpunojë me personalitetet italiane si Sandro Pertini, gazetar dhe Presidenti i ardhshëm  i Italisë apo me politikanin Altiero Spineli, federalist Europian, një nga etërit e themelimit të Bashkimit Europian, i cili në autobiografinë e tij “Si jam përpjekur të bëhem i ditur”, do të shkruante dhe për Zai Fundon, ja disa pjesë:

“…ishte autoritar… me një përvojë politike të gjatë dhe komplekse… besimit të tij i shtohej inteligjenca dhe njohja jo pak e gjuhëve, përkushtimi politik i Zai Fundos ishte përtej Shqipërisë dhe, kur Dimitrovi u arrestua pas djegies së Reichstag-ut, Fundoja ishte në Berlin si bashkëpunëtor i tij. Iku, se mos e arrestonin… dhe shkoi… në Moskë… Më vonë i shkëputi marrëdhëniet edhe me Internacionalen, teksa përndiqej prej saj…  ai, i edukuar në një atmosferë kulturore liberale… në Ventotene… shëtiste i qetë, i drejtë, i bukur me flokët bjondë që ia merrte era, duke mërmëritur me zë të ulët fjalët e Platonit që ishte duke lexuar në greqisht…

…kur u lirua… kaloi në Shqipëri, u njoh me partizanët komunistë duke u thënë se kush ishte duke u thënë që po vinte të luftonte me ta, u vu pas murit dhe u pushkatua. Ishte a s’ishte dyzetë vjeç. Dua të shpresoj se përveç meje ka ndonjë shqiptar në botë që e kujton.”

(“Come ho tentato di diventare saggio”,
Ventotene 1939 – 1943, fq. 265-267).

“Dua të shpresoj se përveç meje ka ndonjë shqiptar në botë që e kujton”.

Të them që jam dhe unë dhe nuk jam vetëm, shpresoj? Faleminderit për këtë thirrje për kujtesë, kaq prekëse, njerëzore po aq, që vjen nga internimet e largëta bashkë me erën.

Rrugës së kujtesës po eci, në kujtesën e së ardhmes.

Dhe e di, përfytyrimi i një Ballkani bashkë, i një Evrope të Bashkuar, është tjetër gjë nga projektet uzurpuese të një perandorie komuniste.

Një njeri që ëndërroi ashtu, duket sikur e vrasin çdo ditë…

 

IKJET

Teksa mbaronte Lufta e Dytë Botërore, bisha nazi-fashiste e Boshtit Gjermani, Japoni dhe Itali po sprapsej gjithnjë e më shumë duke iu afruar shtrofullës nga doli dhe fitorja e aleatëve, e shteteve të Europës dhe e Bashkimit Sovjetik dhe mbështetja jetike e SHBA, dukej e sigurtë.

Po kështu u krijua dhe Aleanca e Madhe e Bashkimit Sovjetik, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA.  

Shqipëria për fat kishte marrë anën e duhur të historisë, me aleatët. Fitimtarët shqiptarë i besonin mizorisht kauzës së tyre (a mizorisë si kauzë) dhe ende pa ardhur në pushtet, kur po afronte dita e tyre, shtuan sulmet ndaj pushtuesit të huaj dhe reprezaljet ndaj vendasve, gjithçka ta mposhtnin me hekur dhe gjak që ishte kundër tyre e që mund të ishte më pas, front, parti, ide, vepra, njerëz të veçantë, grupe.

Shpërthyen ikjet. Dhe do të vazhdonin. Panik dhe pasiguri për të sotmen dhe ende më shumë për të nesërmen.

Po iknin patriotë, burra të shquar, mendimtarë, shkrimtarë, ikte një pjesë e tronditëse e historisë. Që të shpëtonin kokën dhe që të vazhdonin qëndresën dhe përpjekjet ndryshe, nga jashtë, në të mirë të atdheut.

 

Për ta vazhduar luftën nga jashtë:

Mit’hat Frashëri

(1880 – 1949)

Do të ikte…

I biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Poetit Kombëtar Naimit dhe i ideologut të Rilindjes, Samiut.

Lider dhe vetë, politikan, historian dhe shkrimtar. E urrente luftën e armatosur, donte qëndresën e mençur.

Luftëtar i pavarësisë në krah të Ismail Qemalit, ministër i punëve botore i qeverisë së parë.

Gjatë Luftës së Parë Botërore e internojnë, ikën në Zvicër,  kthehet, bashkohet me kryengritjet shqiptare, boton revista shqiptare, pikërisht kjo ishte lufta që donte,

Kur Shqipëria pushtohet nga fashistët, nis veprimtarinë politike, bashkon nacionalistët, në Dekalogun e Ballit Kombëtar, kundërshtar i komunistëve, merr pjesë në Marrëveshjen e Mukjes për ta luftuar pushtuesin së bashku, ikën në Itali, kur tradhtohet çështja e po e marrin pushtetin ata që do të vendosnin diktaturën në atdhe.

Organizon shqiptarët jashtë, “Shqipëria e lirë” ishte programi i tyre, shkon në Nju Jork për këtë punë dhe vdes papritur atje. Apo e helmuan? Djajtë e kuq arrijnë ç’duan e ç’urrejnë…

Fundi i rrugëtimit të Mit’hat Frashërit ishte SHBA. Si për t’u thënë shqiptarëve: shikoni këtej, larg, por ja, aleati ynë i sigurtë. Nga këtej shpëtuam pa u copëtuar…

 

Mustafa Merlika-Kruja,

(1887 – 1958),

do të ikte.

Kryeministër i Shqipërisë, i diplomuar për shkencat politike jashtë vendit, bashkëpunëtor i Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit në Shpalljen e Pavarësisë, që përveç punëve si patriot dhe historian, shquhet dhe si gjuhëtar i klasit të parë dhe la në dorëshkrim një Fjalor prej 2.400 faqesh, me 30.000 fjalë shqip.

Kjo lëndë madhore mbeti në kthetrat e fitimtarëve dhe ata e dinë ç’bënë me të, si e shqyen, e përvetësuan, e dogjën.

Libra të tjerë të Mustafa Merlika-Krujës janë: “Anthologji Historike”, “Letërkëmbim 1947-1958”, “Kujtime vogjlije e rinije”, “Aleksandr’ i Madh” dhe “Vëzhgime Iliro-shqiptare”, punime shkencore origjinale, si dhe përkthime prej tij të veprave themelore që lidhen me ilirët dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët, një ndihmesë e vyer dhe me rëndësi.

Gazetari i famshëm italian Indro Montaneli, autori i një libri trallisës për Shqipërinë, ja ç’do të shkruante për qeverinë e Mustafa Krujës në “Corriere della sera”: “Ministrat shqiptarë… të gjithë vishen thjesht, janë pak të ashpër, por të përgatitur mirë teorikisht. E kaluara e tyre është njëlloj: kanë vuajtur për vendin e tyre. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore: njësia territoriale e Shqipërisë, autonomia e brendshme, mbrojtja e racës dhe e pasurisë kulturore, bashkëpunimi me Italinë mbi bazën e të drejtave dhe të detyrimeve të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë”.

Dhe për vetë kryeministrin: “Suksesi e nderimet nuk kanë mundur ta shndërrojnë natyrën dhe sjelljen e jashtme të këtij burri… (që) nuk i jep rëndësi vetes me poza e me fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë me maturi e… thotë të vërtetën… Jeta e tij ngjan me atë të Mazzini-t e programi i tij është ky: dua një Shqipëri të bashkuar në kufijtë e saj natyrorë.

Kryeministri Kruja dhe qeveria e tij do të ishin dhe mbrojtës të pashoq të hebrenjve, që përndiqeshin kudo. Jo vetëm që nuk do t’i dorëzonin te pushtuesi nazi-fashist, por do të vinin të tjerë nga të mundnin dhe Shqipëria do të ishte vendi që do të kishte hebrenj më shumë pasi mbaroi lufta, sesa kur nisi.

Dhe pikërisht do të iknin si hebreu në shkretëtirë, personalitete të tjera të vendit, intelektualë…

Themeltar në letrat…

Ernest Koliqi

(1903 – 1975)

Do të ikte…

…mësues, poet, shkrimtar, përkthyes, ministër i arsimit… u lind në Shkodër, kur Shqipëria po përgatitej të dilte nga robëria e gjatë otomane, në vitin e tretë të  shekullit të kaluar, në majin plot petale të ngrohta si puthjet, mes të cilave përzihet edhe ajo, puthja e Judës.

Do të merrte dije të gjera në Itali e Kroaci, mbartës i traditës dhe mbrujtës i risive letrare, themeltar i modernes në tregime, stilist dhe qëmtues i fjalës, aq sa duket sikur i mblidhte si bimët e rralla mjekësore maleve të Veriut, njohës i jetës, i mekanizmit të konflikteve, i brengave të moszgjidhjes, i muzgut dhe dritës në rrugët e njeriut, sidomos i rrugicave të Shkodrës, që e donte aq shumë, aq sa e bëri emblemë të këngës së vet…

Kur emërohet Ministër Arsimit (1939) është ai që çon institucionalisht në Kosovë arsimin shqiptar, dërgon 200 mësues nga më të përgatiturit, duke hapur të parën shkollë të mesme atje, më 1941, kur këtej, 200 të tjerë, jo mësues, por komunistë, me ndihmën jugosllave, sapo kishin krijuar një parti, e cila do të vendoste diktaturën më të rëndë, duke e braktisur Kosovën, që do të dënonte Koliqët dhe veprën e tyre…

Mbarimi i luftës do ta gjejë me punët e albanologjisë në Itali duke iu mbyllur përjetë rrugët e kthimit në atdhe, kur e dënuan në mungesë me vdekje.

Gjatë mërgimit të detyruar politik Ernest Koliqi nuk do të reshtë së punuari, themelon katedrën e albanologjisë në Romë, hap revista, bashkon diasporën, ringjall shpirtin arbëresh, harton antologji të poezisë mbarëkombëtare, ndjek me vëmendje jetën politike dhe kulturore në atdhe, shkruan poema, romane dhe do të ndikojë fshehtas edhe në vepra madhore të mëvonshme të letërsisë shqipe.

Vdes papritur në dhjetor të vitit 1975, në Romë. Ende atje prehen eshtrat e tij.

Nacionalistë:

Stavro Skëndi

(1905 – 1989)

…shqiptar tjetër i Ventotene-s, mik dhe ky me ideatorët e Europës së Bashkuar, i internuar si kundërshtar aktiv i pushtimit italian, që, me t’u liruar nga ishulli plot erëra i dhembjes, shkon të vazhdojë luftën për çlirimin e vendit, bashkohet me Ballin Kombëtar.

Kishte studiuar në shkollën amerikane të Stambollit, në Robert College, (Gjej se aty më vonë është diplomuar dhe shkrimtari Orhan Pamuk, nobelisti i parë turk), pastaj kryen universitetin për studime ndërkombëtare në Gjenevë. Kthehet në atdhe dhe jep leksione në shkollën tregtare.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore bashkohet me frontin e Ballit Kombëtar. Komunistët nuk mund t’ia falnin këtë, aq më tepër që ai ishte kundër revolucioneve, por për evolucionet, për zhvillimin shkencor dhe kulturor të Shqipërisë.

Shkon në SHBA në vitin 1946, punon në Columbia University, i përkushtohet Albanologjisë, boton studime dhe libra për Shqipërinë, për ekonominë dhe politikën e izolimit, Rilindjen, alfabetin, poezinë e letërsinë më gjerë, në Ballkan, etj.

Jeta e tij përmbledh 8 dhjetëvjetësha të historisë së vendit, Shpalljen e Pavarësisë, mbretërinë, Luftën e Dytë Botërore, vendosjen e komunizmit, që ai e shikon si tragjedi kombëtare dhe emigracionin, veprimtaritë e diasporës.

E trondit dhe e dëshpëron së tepërmi mbyllja e atdheut, shtypja që i bëhej intelektualëve dhe artistëve si gjithë popullit..

Vdes në Nju-Jork, atë vit kur do të shembej Muri i Berlinit dhe do të fillonte të binte perandoria komuniste dhe diktatura në atdhe.

 

Shkrimtari Isuf Luzaj

(1913 – 2000)

…shet tokën e vet me ullinj në Vlorë për të studiuar jashtë vendit, në Universitetin e Sorbonës në Paris, ku do të mbrojë dy doktoratura, në filozofi e në letërsi.

Në atdhe punon në Normalen e Elbasanit dhe në Liceun e Korçës. Përmbledhja e parë poetike e tij “Rrëfime” nuk arrin të shpërndahet, e ndalin edhe autorin nga shkaku i poezisë “Neroni”.

Si kundërshtar aktiv, e shpërngulin në Itali në ishullin e të dënuarve, Ventotene. Me ndërhyrjen e Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqit, lirohet nga burgu dhe rikthehet për t’u bashkuar me nacionalistët, që luftonin për çlirim, por kur kishte nisur vëllavrasja dhe pabesitë.

Pasi humbin, me të mbaruar lufta, ikën duke lënë familjen, por në Itali e dënojnë, akuza: dyshime për vrasje e një gjenerali italian gjatë luftës.

Me ndihmën e Sandro Pertinit, Presidenti i ardhshëm i Italisë, me të cilin ishin njohur në Ventotene, punon në Bibliotekën e Vatikanit.

Fati i tij që në Argjentinë kërkohej një profesor filozofie me diplomën e Sorbonës. Do të njihej me shkrimtarin Jorge L. Borges. Mbas 18 vjetësh punë atje, e ftojnë në SHBA, ku e zgjedhin kryetar të Ballit Kombëtar në Kongresin e Nju-Jorkut.

Isuf Luzaj, krahas titullit “Professor emeritus”, merr edhe dekoratën “Profesor i Amerikës”, të cilën ia jep vetë Presidenti Reagan. Mban leksione në universitetet amerikane. Ka lënë në dorëshkrim edhe 32 vëllime, poezi, filozofi, histori, ditarë, romane etj., të gjitha të panjohura në atdhe, por edhe të dënuara të gjitha.

 

 “Histori e Shqipnis”

Tajar Zavalani

(1903 – 1966)

Zavalanët njiheshin si fis i shquar me tradita atdhetare në qytetin e Manastirit, në Maqedoni, por të Veriut siç quhet sot me këmbënguljen e grekëve, ndërsa ne, lehtësisht mund t’i themi Maqedonia e Jugut..

Në fillim të shekullit të kaluar shkolla shqipe s’kishte dhe babai i Tajarit, kryeredaktor i gazetës “Bashkimi i Kombit” që dilte në qytet (1907), e çoi Tajarin e vogël në shkollën franceze, të hapur nga misionarët katolikë, “Vëllezërit Maristë”. Ndërkaq shqipen ia mësonte njëri nga familja e Qiriazëve, që më vonë do të hapnin në Korçë të paren shkollë shqipe femërore shqip.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, pasi francezët bombarduan dhe dogjën Manastirin, Tajari shkon në Selanik dhe vazhdon studimet dhe do të jetë “laureati më i ri në universitetet franceze”.

Më 1922 vjen në Tiranë për të filluar punë në Ministrinë e Jashtme dhe emërohet Sekretar i Legatës Shqiptare në Romë dhe kontaminohet me idetë komuniste Dhe shkon në Bashkimin Sovjetik në vitin 1925 për të studiuar shkencë dhe politikë. Bëhet anëtar në Grupin Komunist Shqiptar, ka pseudonimin “Zoniev”.

Në Rusi i pushkatojnë vëllanë, Hysen Zavalanin, e përfshijnë “ngjarjet antistaliniste të vitit 1937-38 në Saratov”. Tajari ndërkaq kishte ikur Zvicër dhe kthehet te i ati në Selanik si një antikomunist.

Në Shqipëri që viti 1933 punon si gazetar dhe përkthyes, kur po shkëlqenin shkrimtarët Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Migjeni, Branko Merxhani, Petro Marko, Vedat Kokona, etj dhe dilnin gazetat dhe revistat “Illyria”, “Minerva”, “Bota e re”, “Përpjekja shqiptare”, “Koha e Re”, “Besa”, “Shtypi”, “Shkëndija”, “Leka”, “Vatra”, “Rilindja”.

Gjithë kjo begati jo veç titujsh, por dhe idesh e mendimesh moderne.

Tajar Zavalani me të shoqen internohen në Itali, sepse ai kishte përkthyer romanin “Nëna” të Gorkit dhe jo vetëm, por ata arratisen në Francë dhe më pas shkojnë në Angli.

Qysh në vitet e Luftë së Dytë Botërore Tajari në Londër fillon punë në Radio BBC, në Seksionin Shqiptar të Shërbimit për Europën dhe mban një sërë konferencash mbi Shqipërinë.

Do të jetë anëtar i PEN Clubit, të themeluar nga shkrimtari nobelist Xhon Gollsuorthi për të mbrojtur shkrimtarët nga persekutimi dhe dënimet dhe do të zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i Pen Clubit të Shkrimtarëve në Mërgim, të atyre që vinin nga vendet e robëruara dhe në revistën që nxirrnin, “Arena”, do të botonte letërsi shqipe, do të përkthente dhe nga Gjergj Fishta.

Në Komitetin e Kombeve të Robëruara ACEN do të jetë delegat i Komitetit Shqiptar, detyrë që mbajti deri në fund të jetës.

Po ai i takon më së shumti botës së librave, përkthimit, ku është themeltar. Ja, ç’solli ai në shqip, me radhë: “Sonata e Krojcerit” dhe “Ana Karenina” të Tolstojit, “Novelat” e Çehovit, “Nëna” e Gorkit, “Zonja me kamelje” e Alekasandër Dymas-birit, “Tartarini i Taraskonit” i Alfons Dodesë, “Gobseku” i Balzakut. La në shtyp, kur po ikte nga Shqipëria “Jeta e Napoleonit” e E. Ludwig, e pjesën shqip nga “Larousse”, etj.

Në mërgim përktheu nga rusishtja në frëngjisht librin e kolonelit G.A.Tokaev “Kujtimet e mia mbi parajsën e Stalinit” (Mes memoires – Le Paradis de Stalin), që u botua në Paris më 1957. Dhe nxori librin në gjuhën angleze “How strong is Russia?” (“Sa është e fortë Rusia?”, ku i tregoi botës se “Ariu i bardhë” nuk është aq i rrezikshëm sa ç’duket apo hiqet, se Rusia sovjetike nga brenda është e dobët gjithandej,

Puna e gjerë e Zavalanit mbart vlera letrare e gjuhësore, është e begatë në leksik, morfologjia aty ndërthur dialektin e toskërishtes me trajta të gegërishtes, ajo “ue”-ja foljore kumbon si muzikë elegjiake për diktaturën që do te binte më pas dhe mbi gjuhën.

Si vepër origjinale, me rëndësi të madhe e të veçantë mbetet “Histori e Shqipnis”, monument me dy vëllime, të botuara shqip në Londër, ku përfshihen kohët që nga ilirët e deri te pushteti i komunistëve dhe mbaron me vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, deri kur Tajar Zavalani vdes, në 1966, pikërisht kur doli dhe vepra..

Kjo kryepunë ka thellësitë e mjegulluara të së kaluarës së largët dhe largpamësinë e qartë për të ardhmen si epilog:. “Do të vijë dita, herët a vonë, kur edhe demokracija do të triumfojë mbi diktaturën komuniste dhe do të krijohen kushtet për të bashkue Shqiptarët mbrenda kufijve etnikë të atdheut të tyre mijvjeçar”, – kështu e mbyll historinë e tij eruditi i shkëlqyer europian, Tajar Zavalani ynë, që dhe vetë u bë “Histori e Shqipnis”.. 

*   *   *

…do të iknin dhe të tjerë nga ata që po bënin histori dhe që e shkruanin ndërkaq historinë, luftëtarë, patriotë të lartë, kryeministra, ministra, shkrimtarë, shkencëtarë, antropologë,  mendimtarë, gazetarë, etj, po boshatisej…

Mehdi bej Frashëri, At Zef Valentini (Italian), Branko Merxhani, Ago Agaj, Kol Bib Mirakaj, Abaz Ermënji, Namik Resuli, Sejfi Protopapa, Kadri Cakrani, Xhelal Koprenca, Mentor Çoku, Tahir Kolgjini, Reshat Agaj, Ismail Boçari, Gjon Sinishtaj, etj.

Po drejtori i parë i Bibliotekës Kombëtare kush ishte, Karl Gurakuqi? Do të ikte dhe ai Tmerri u kishte hyrë dhe librave…

…të dënuar me vdekje në atdhe, do të iknin ku të mundnin, në Itali, Turqi, Egjipt, në asgjëkund, sa më larg të keqes, në Francë, Angli, SHBA… që të luftonin të lirë dhe ndryshe nga kudo, të shkruanin…

Nuk do të ktheheshin dot, në një atdhe pa liri, dhe ata që kishin mbetur jashtë, piktorët e njohur Ibrahim Kodra, Lin Delija, fotografi me famë botërore Gjon Mili, studiuesja dhe shkrmtarja Nermin Vlora Falaschi, etj.

*  *  *

Gjithmonë më pas një fletë e bardhë si harresa, për ta vazhduar të tjerë…

(c) 2021, Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin