KALI DHE KOMBI

Pati shumë reagime refuzuese dhe negative, ndaj një statuje publike të Skënderbeut, të vendosur tani së fundi në Prizren; personalisht, për aq sa vlen, mendoj se statuja – të paktën në fotografi – dukej tejet e shëmtuar; por është mirë që ta gjykoj pasi ta kem parë live, ose ashtu siç e ka menduar skulptori që të shihet.

Dhe gjithsesi, reagimet ndaj statujave të tilla “ndryshe” nuk kanë munguar as më përpara; në kuptimin që publiku, i mësuar ta përfytyrojë Heroin Kombëtar në një mënyrë të caktuar, nuk i pranon lehtë alternativat.

Kur flas për “mënyrë të caktuar”, kam parasysh statujat ekuestre, si ajo që hijeshon sheshin kryesor të Tiranës, por jo vetëm; le t’i quajmë paraqitjet klasike të Skënderbeut, që i përgjigjen përfytyrimit kolektiv, në pamje, në detaje dhe në monumentalitet.

Kur kam shkruar dikur për lapidarët e Luftës Na-Çl në Shqipëri (lexoni edhe këtu), kam vënë në dukje se këto monumente e “shënjojnë” historinë sipas dy koordinatave kohore: datës së ngjarjes që përkujtojnë dhe datës kur janë ngritur. Me kalimin e kohës, kjo e dyta – për arsye komplekse që i kam shtjelluar gjetiu dhe që lidhen me “normalizimin”[1] e historisë – merr përparësi ndaj së parës; në kuptimin që lapidarët tashmë përfaqësojnë, për shumë prej nesh, periudhën totalitare të shënjimit publik dhe të përkujtimit të së shkuarës.

Sipas kësaj logjike, do të thoja edhe që një monument si ai i Skënderbeut në Tiranë shënjon jo vetëm rolin qendror të këtij prijësi në historinë e shqiptarëve dhe identitetin kombëtar, por edhe periudhën specifike kur u vendos në shesh: vitet 1960, kremtimet e 500-vjetorit të vdekjes dhe kthesën, jo aq të dukshme por vendimtare, të ideologjisë sunduese në Shqipëri nga internacionalizmi proletar drejt kombëtarizmit.

Por një monument i asaj forme, si statuja e Skënderbeut në kalë, i referohet simbolikisht edhe një date, ose më mirë periudhe të tretë: asaj kur kombet europiane filluan t’i përkujtonin heronjtë e vet duke u ngritur monumente të tilla që i paraqisnin kaluar; dhe që për shumë vende përkon me ngjarje themeltare të historisë, të përfytyruar kjo si një kronologji betejash dhe luftërash në spirale ngjitëse. Anembanë Europës dhe Amerikës ndesh në statuja të tilla publike burrash shteti, monarkësh e perandorësh, udhëheqësish ushtarakë dhe gjeneralësh hipur në kuaj, të cilët kanë sunduar, pushtuar dhe çliruar, në pajtim me versionet zyrtare të historisë përkatëse, dhe që tani legjitimojnë hapësirën publike dhe shtetin që e garanton këtë hapësirë për qytetarët.

Kjo praktikë e ngritjes së monumenteve të tilla tashmë i përket edhe ajo historisë; një gjeneral i hipur në kalë do të pranohet, po të jetë fjala për një monument tashmë pjesë të peizazhit urban dhe të semiotikës civike, por do të shihet shtrembër, po të ngrihet rishtas. Anembanë Perëndimit, statujat ekuestre në hapësirat publike urbane shënjojnë jo vetëm historinë e shkruar nga burrat e hipur mbi kuaj, por edhe historinë e përdorimit të këtyre hapësirave, në shërbim të kujtesës civile dhe të riprodhimit të shtetit – këtë të dytën tërthorazi, duke iu referuar vullnetit për t’i ngritur këto monumente dhe vetë aktit të ngritjes së tyre.

Skënderbeu në kalë, në Tiranë dhe gjetiu, duhet parë si një përjashtim kuptimplotë ndaj kësaj prirjeje: po të kish qenë Shqipëria shtet edhe në shekujt XVIII-XIX, ai monument do të ish ngritur tashmë, në kohën kur të tilla i ngrinte “gjithë bota”; që kjo nuk ndodhi, ishte për shkak të një “aksidenti”, ose ngaqë shqiptarëve si komb ende nuk u ishte restauruar kujtesa kolektive (lexoni edhe këtu). Si të thuash, monumenti në shesh i jep simbolikisht Tiranës (dhe Shqipërisë) një shekull të XIX që nuk e ka pasur.

Prandaj, një statujë ekuestre në hapësirën publike shqiptare i referohet simbolikisht edhe një të kaluare fiktive, ose një Shqipërie të imagjinuar, ku heronj të tillë nderoheshin në format përkatëse – ose duke i paraqitur në majë të kalit.[2] Të gjitha shtetet (kombet) në Perëndim kanë statuja të tilla (do të thoja: “ruhen” simbolikisht nga centaurë të tillë), të cilat zakonisht i kanë ngritur kur ashtu ishte e udhës të përkujtohej historia dhe riprodhohej shteti; shqiptarët nuk i ngritën dot këto me të tjerët, por mund t’i ngrenë tani, sipas motos “edhe ne.”[3]

Kësisoj, Skënderbeu në kalë, si monument publik, shënjon dhe normalizon jo vetëm përpjekjet anti-osmane të Arbrit dhe jo vetëm momentin kur u ngritën statujat në hapësirën shqiptare, por edhe një kohë të tretë – haptazi të imagjinuar – kur një komb shqiptar me vetëdije historike të formuar do t’i kishte ngritur monumente të tilla, po të kish mundur. Këto monumente i japin kështu vetëdijes kombëtare kolektive edhe një koordinatë a referim historik fiktiv, i cili i detyrohet shumë kultit të kargove, ose dëshirës për t’u qytetëruar a për t’iu bashkëngjitur një modeli qytetërues specifik, duke adoptuar rituale të thjeshta dhe imitative.

Kjo do të shpjegonte edhe pse një estetikë alternative, si ajo e monumentit të Prizrenit, edhe pse jo-anakronike si ajo e centaurëve që njohim, refuzohet menjëherë, madje sulmohet nga sistemi imunitar i vetëdijes kombëtare: sepse ajo estetikë vë në krizë jo kujtimin e Skënderbeut, as rolin e tij qendror në ideologjinë kombëtare, por modelin historik fiktiv të zhvillimit të kësaj ideologjie në kohë, ose gjakimin për ta bërë kombëtarizmin shqiptar të ngjashëm me kombëtarizmat europianë dhe Perëndimorë edhe për nga kronologjia. Monumente si ai në qendër të Tiranës thonë: ne jo vetëm kemi pasur një Skënderbe dhe jo vetëm e nderojmë sot, por edhe e kemi nderuar në një kohë kur edhe “të tjerët” i kujtonin heronjtë e tyre me monumente ekuestre.

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa leje. Shkelësit dhe vjedhësit do të përndiqen ligjërisht.


[1] Lapidari e “normalizon” ngjarjen historike të përkujtuar, sepse ia “kolapson” variantet në një të vetëm, duke i dhënë statusin e së vërtetës, sipas një silogjizmi të kthyer mbrapsht: derisa e thotë lapidari, atëherë ashtu ka ndodhur.

[2] Në këtë rast normalizohet realiteti fiktiv i një praktike të tillë të shënjimit të hapësirës publike.

[3] Një operacion kulturor i ngjashëm, por edhe më haptazi kitsch, është arkitektura e muzeut Gjergj Kastrioti në Krujë, të cilën e sheh ndonjëherë të referuar në broshura turistike si “kështjella e Skënderbeut”.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin