SHENJA TË ÇMOBILIZUARA

Vitin që shkoi u përfshiva në një studim shumëplanësh për lapidarët në Shqipëri, të ndërmarrë nga Departamenti i Shqiponjave, dhe që tashmë është botuar (vëllimi i parë mund të shkarkohet falas këtu, vëllimi i dytë këtu; dhe i treti këtu).

Kontributi im kish të bënte kryesisht me tekstet në mbishkrimet e lapidarëve, dhe pikërisht me funksionin e këtyre teksteve brenda rolit që duhej të luanin lapidarët – normalizimin e historisë, në masë të madhe të historisë së Luftës Na-Çl, nëpërmjet projektimit në gjeografi.

Si shenja komplekse, lapidarët kanë qenë ngarkuar me një larmi funksionesh – duke zënë vend diku midis obeliskëve, gurëve të varrit dhe piramidave të kufirit; ato janë shenja indeksikale, me elemente ikonike dhe simbolike; dhe u ngjajnë shigjetave ose pineskave, të cilat i japin kuptim historik truallit mbi të cilin janë ngulur, duke e organizuar dhe shndërruar në hartë.

Studimi për lapidarët është tanimë publik dhe i konsultueshëm lirisht (këtu disa foto); dhe këtu nuk dua të përsërit çfarë kam shkruar aty – por vetëm të tërheq vëmendjen për një dukuri kurioze të ndërrimit të funksionit, që ka ndodhur me lapidarët, pllakat përkujtimore dhe me monumente të tjera të periudhës së socializmit.

Dhe që ka të bëjë me autoritetin shënjues.

Po të kthehemi, me imagjinatë, në periudhën kur po ngriheshin lapidarët, do të vërejmë se kjo përkon me një kohë kur shteti totalitar po e konsolidonte edhe burimin e vet të legjitimitetit, ose Luftën Nacional-Çlirimtare; duke hartuar dhe botuar versionet “zyrtare” të historisë së kësaj lufte dhe të Historisë së PPSh-së që lidhet tërthorazi me të; por edhe vëllime biografike kushtuar të rënëve (“Yje të pashuar”) etj.

Deri atëherë, historia e Luftës Na-Çl ekzistonte në forma të ndryshme, si rrëfime të shpërndara ose kujtime ose në mendjet e protagonistëve; por ende e panormalizuar, e pakonsoliduar.

Lapidarët luajtën një rol këtu, sepse ndihmuan para së gjithash, për ta ngulitur (mapuar) historinë në gjeografi, ose për t’i lidhur ngjarjet e ndryshme – betejat, pritat, masakrat, themelimet, etj. – me vendet ku këto kishin ndodhur; në mënyrë që edhe këto ngjarje të fitonin një natyrë po aq “të përhershme” sa edhe gjeografia.

Megjithatë, përtej elementeve ikonike dhe indeksikale, funksionin e normalizimit e mundësonte teksti i lapidarit – që mund të merrte thjesht trajtën e një liste dëshmorësh, ose të përmendte shkurtimisht ngjarjen dhe të jepte një vlerësim për të, si p.sh.:

tumblr_nhpzlcnToy1twoeeoo2_1280KËTU MË 13 SHTATOR 143 U BË PËRPJEKJA E PARË E FORCAVE TË BRIGADËS SË 1-RË S NË RRETHIN TONË KUNDËR OKUPATORËVE GJERMANË. NË PËRPJEKJE RA HEROIKISHT HASAN MHILLI, KOMISAR KOMPANIE.

(Lapidar në hyrje të Pogradecit, marrë nga këtu.)

Të gjitha këto janë pohime me natyrë historiografike, të cilat jo vetëm thjesht rrëfejnë, por edhe sanksionojnë një version të caktuar të historisë; i cili mund të kish qenë disi fluid deri atëherë, por që tash e tutje do të normalizohej dhe nuk do të mund të ndryshohej më, ose të paktën nuk do të mund të ndryshohej më lehtë[1].

Pra nuk kemi të bëjmë thjesht me rrëfim, ose një version të ngjarjeve, por me një akt që është njëkohësisht edhe rrëfim, edhe sanksionim; një akt pra edhe performativ, të cilin nuk mund ta kryejë kushdo, në kuptimin që jo kushdo mund të shkojë dhe të ngrejë një lapidar ose një pllakë dhe të shkruajë atje versionin e vet për një ngjarje historike; mund ta bëjë, por ky artifakt nuk do të ishte lapidar.

Performativiteti do të thotë se monumente të tilla i kumtojnë publikut dy lloj mesazhesh: i pari, që ka të bëjë me narrativën dhe ankorimin e saj në kohë dhe në hapësirë dhe në emra të përveçëm (“në këtë vend, në këtë datë, u zhvillua kjo betejë”) dhe i dyti i llojit “kjo që thuhet këtu certifikohet si e vërtetë”, ose garancia e vërtetësisë, të cilën mund ta japë vetëm një autoritet certifikues.

Me fjalë të tjera, teksti i pllakës, ose i lapidarit, e merr fuqinë e vet performative, ose arrin të kryejë funksionin e vet rrëfyes nëpërmjet autoritetit të atij që shprehet – dhe që, në rastin tonë, nuk mund të jetë veçse shteti totalitar, si historiograf i vetvetes.

Është ky autoritet që e lejon lapidarin (ose pllakën) të luajë rol normalizues në historiografi dhe të shërbejë pastaj si vend për rituale kolektive të përkujtimit – në raste festash ose përvjetorësh ose datash jubilare[2].

Natyrisht, edhe sikur të gjitha ngjarjet e stabilizuara nga lapidarët, pllakat dhe mbishkrimet përkatëse t’i përgjigjen së vërtetës historike, kjo nuk ia sanksionon gjë vërtetësinë praktikës së përkujtimit të historisë në totalitarizëm; sepse gjithnjë duhet të kemi parasysh edhe çfarë është lënë jashtë nga përkujtesat; meqë thjesht përjashtimi ose përzgjedhshmëria mjaftojnë për ta falsifikuar seriozisht versionin zyrtar të historisë së Luftës Na-Çl.

Gjithsesi, pas 1990-ës, me rënien e shtetit totalitar, ky funksion normalizues i historisë, që luanin lapidarët anembanë Shqipërisë, u trondit; sepse “përdoruesit” nuk e gjenin më autoritar tekstin në monument. Teksti mund të mos kish ndryshuar, madje as ngjarja historike e referuar mund të mos ish vënë në dyshim – tek e fundit, dëshmorët gjithnjë do të nderohen – por autoriteti historiografik ka pushuar së vepruari.

Lapidarët tani funksionojnë si gërmadha ose rrënoja të një qytetërimi tjetër, të cilit nuk i del më kush zot[3].

Madje sa më shumë që i largohemi Luftës Na-Çl dhe sa më shumë vjen e dobësohet madje kotësohet roli i asaj periudhe si legjitimuese e pushtetit që pasoi, aq më fort do të perceptohen, këto shenja monumentale, si referenca jo ndaj Luftës Na-Çl, por ndaj vetë periudhës totalitare.

Dukuria meriton vëmendje, sepse ka lidhje me ndërveprimin midis historisë dhe shenjës përkujtimore të kësaj historie; në kuptimin që tani edhe vetë lapidarët kanë historinë e tyre.

Në kuptimin që, për çdo lapidar, dihet pak a shumë data se kur u ngrit dhe, sidomos, data se kur teksti i mbishkrimit ose në përgjithësi edhe gjesti monumental erdhën dhe e humbën autoritetin për të normalizuar.

Autorët e anketës për lapidarët, që brodhën anembanë Shqipërisë dhe dokumentuan një numër të madh monumentesh të këtilla, vërejtën se këto monumente tanimë janë lënë pas dore ose braktisur – ndonjë edhe mund të jetë dëmtuar qëllimisht dhe mbuluar me graffiti (kryesisht të PD-së); ndonjë tjetër prishur dhe thyer; por ka edhe lapidarë që janë restauruar rishtas ose që mirëmbahen nga bashkësitë lokale.

Çfarë ka rëndësi, për argumentin që po dua të shtjelloj, është se lapidarët tani po vijnë duke e humbur funksionin si shenja të historisë në gjeografi; për t’iu afruar një funksioni tjetër, të paparashikuar – atë të monumenteve ose shenjave simbolike, të trashëguara nga periudha totalitare.

Me ndërrimin e brezave, pakkujt që nuk është historian do t’i bëhet vonë se ku pikërisht është zhvilluar një betejë e caktuar gjatë Luftës ose është themeluar një brigadë ose është kapërcyer një përrua në dimër; në një kohë që shumëkush do të tërhiqet nga prania pak a shumë enigmatike e këtyre artifakteve në gjeografi.

Si të thuash, periudha totalitare do të vijë duke u ri-mishëruar në monumentet që ajo vetë kish ngritur për të përkujtuar legjitimimin e vet, ose për të normalizuar historinë e Luftës Na-Çl; dhe tekstet zyrtare të këtyre monumenteve do të funksionojnë si shenja ose gjurmë të performativitetit të djeshëm (autoritetit totalitar), pa fituar ndonjë performativitet të ri.

Dukuria nuk është tipologjikisht e re; për shembull, kur vizitojmë Romën, kolonën e Trajanit e shohim si një monument të Romës klasike dhe të perandorëve; por nuk është se interesohemi veçanërisht për luftrat e Trajanit në Daki, të cilat i nderon kjo kolonë; ose, për t’iu afruar historisë sonë, Pllaka e ashtuquajtur e Sulejmanit në Kalanë e Lezhës vjen e shënjon pushtimin turk në sytë e publikut, edhe pse ata që e ngjitën në mur të kalasë kishin ndërmend të sanksiononin datën dhe autorin e një (ri)ndërtimi. Në raste të tilla, paradoksi ka të bëjë drejtpërdrejt me rrëgjimin e performativit, ose pamundësinë për të njohur autoritetin që “flet”.

Çfarë habit, në rastin tonë, është shpejtësia e rrëgjimit historik; ose, njëlloj, shpejtësia me të cilën shenjat përkujtimore dhe sanksionuese të historisë përfunduan ato vetë në dëshmi historike.

© Peizazhe të fjalës

[1] Për një analizë më të hollësishme të këtyre teksteve, e referoj lexuesin tek eseja ime në vëllimin e lartcituar.

[2] Do të sugjeroja që të lexohej, për një kontekstualizim të dukurisë, edhe një kontribut i vyer nga Konstantinos Giakoumis & Christopher Lockwood, në vëllimin e parë të përmbledhjes së lartcituar.

[3] Matthias Bickert e ka trajtuar këtë gjerësisht në përmbledhjen e lartcituar, edhe pse nga një këndvështrim disi të ndryshëm nga imi; por shkrimi im i tanishëm nuk mund dhe nuk duhet lexuar as si kritikë, as si koment i esesë së Bickert-it.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: