VJELËSIT E QERSHIVE (I)

Ajo që në zhargonin akademik anglo-sakson njihet si cherry picking, është një rrejshmëri logjike (logical fallacy) e quajtur edhe rrejshmëria e provave të paplota dhe që ndodh kur një studiues përdor shembuj individualë, të dhëna ose referenca specifike që duket sikur konfirmojnë një pozicion të caktuar, por njëherazi lë jashtë një pjesë tjetër shembujsh, të dhënash ose referencash të ngjashme, që e kundërshtojnë atë pozicion.

Rast shembullor i kësaj rrejshmërie do të ishte këmbëngulja e medias tabloide, për t’i paraqitur patologjitë kardiake të disa sportistëve të njohur kohët e fundit – të tilla si aritmitë ose probleme të tjera me zemrën – si efekte anësore të vaksinës anti-Covid, duke shpërfillur rezultate të tjera, me domethënie të kundërt, nga analizat e dendurisë statistikore të kësaj dukurie në rrjedhë të viteve (para dhe pas Covid-it).

Emri i rrejshmërisë – cherry picking, ose zgjedhja e qershive – bazohet mbi atë që ndodh zakonisht kur një vjelës përzgjedh vetëm qershitë e pjekura, për t’i këputur nga pema; dhe një person i dytë, që sheh se çfarë është vjelë, mund të krijojë bindjen e gabuar se të gjitha qershitë në pemë janë pjekur.

Një ilustrim komik të kësaj rrejshmërie e sjell anekdota e atij që pyet si shpjegohet që delfinët gjithnjë e ndihmojnë një person në vështirësi në det, duke e shtyrë afër bregut për ta shpëtuar; dhe tjetri i përgjigjet se mbase duhen faktorizuar edhe rastet kur delfinët i shtyjnë në drejtim të kundërt personat në vështirësi në det (kjo mund të jetë edhe instancë e selection bias).

Formalisht, cherry picking e kanë paraqitur kështu:

Prova A mbështet argumentin e Personit 1
Prova B mbështet argumentin e Personit 2

Atëherë personi 1 sjell, në debat ose në vështrim, vetëm provën A, duke e shpërfillur provën B. Prova A, në vetvete, mund të jetë e mbështetur, por e humbet vlerën, në qoftë se sillet jashtë krahasimit dhe kundërvënies me provën B.

Për shembull, në fillim të pandemisë së Covid-it, u përhapën në rrjetet sociale, por jo vetëm, disa njoftime se një bar antimalarik, hydroxychloroquine-a, jepte rezultate edhe kundër virusit shkaktar të Covid-it; në fakt, në situata krize, pritet që mjekët të eksperimentojnë me barna të ndryshme, dhe nuk është për t’u habitur që ndonjë mjek ose laborator të shpallë rezultate të mira, që pastaj nuk konfirmohen dot. Cherry picking nisi që nga momenti kur promovuesit e hydroxychloroquine-s qëllimisht e bënë veshin të shurdhër, ndaj të tjerëve që po i përgënjeshtronin. Diçka e ngjashme ndodhi më pas me një bar tjetër, ivermectin-ën.

Një lloj cherry picking e lehtë dhe e pafajshme ndodh sa herë që studiuesi e ka të pamundur të marrë në shqyrtim krejt provat dhe referencat, që lidhen me objektin e studimit; por sot shfrytëzimi selektiv i burimeve rrezikon objektivitetin dhe vlerën e një numri në rritje të kontributeve akademike; dhe jo vetëm ngaqë studiuesit nuk arrijnë të kontrollojnë pasurinë bibliografike dhe as ta shfrytëzojnë atë si duhet. Këtë e sheh të ndodhë – më shpesh se ç’do të pritej – në klimatologji, ku pozicionet e debatit janë të fortifikuara dhe njëra palë ngul këmbë te kriteri joshkencor i consensus-it, ndërsa pala tjetër merret me cherry picking. Nëse kërkimi shkencor varet nga fondet, që zakonisht janë publike, shkencëtarët e shohin veten të detyruar t’i hekurosin arritjet e kërkimeve të tyre, duke anashkaluar kundërshtitë dhe çështjet e hapura.

Edhe më serioze është rrejshmëria në lëmin e dijeve humane, ku objektiviteti shkencor kërcënohet rregullisht nga ideologjia dhe nevoja politike për të nxjerrë përfundime të caktuara. Këtu rrejshmëria e cherry picking njihet edhe si card stacking, duke iu referuar emri, metaforikisht, një teknike propagandistike që kërkon të theksojë vetëm një anë të argumentit, duke lënë jashtë anët e tjera; siç bën një marifetçi me letrat e bixhozit. Ligjërimi politik është i krimbur në cherry picking dhe card stacking, aq sa këto e anulojnë pothuajse krejt orientimin e tij ndaj së vërtetës.

Vëmendja ime, në këto shënime, mbetet e fokusuar në cherry picking ashtu si kjo shfaqet në ligjërimin publik (popullarizues) rreth dijes, veçanërisht në fushat e historisë, të gjuhësisë historike, të arkeologjisë dhe të tjera që lidhen me tema që mbahen si kyçe, për identitetin kombëtar. Ndodh rregullisht që edhe specialistë të këtyre fushave, të nisur nga “qëllime të mira”, ose edhe thjesht për “t’ua përplasur greko-serbëve”, ia lejojnë vetes rrejshmëri nga më banalet, të cilat ua zhvlerësojnë argumentet, madje edhe kur mund të kishin, në parim, të drejtë.

Në vijim do të sjell disa nga këto cherry picking, të cilat praktikisht janë bërë normë në ligjërimin publik:

Dëshmia e murgut Brocardus

Brocardus-i (Brocardus Monacus) ishte një murg a prift dominikan, prelat i Kishës Latine në Perandorinë Bizantine dhe Armeni, i cili u pat angazhuar për të bindur botën katolike që të ndërmerrte një kryqëzatë dhe të restauronte katolicizmin në trojet e Arbërisë të pushtuara nga serbët; dhe kish përgatitur, me atë rast, një dokument me titullin Directorium ad passagium faciendum, ku ndër të tjera kish shkruar:

Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in usu et in omnibus suis libris

(Me përkthimin e Robert Elsie: Shqiptarët në të vërtetë kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, ndonëse përdorin shkronjat latine në të gjitha librat e tyre)

Elsie dhe të tjerë me të kanë komentuar kështu thënien më sipër:

Ndonëse çka përmendet për ekzistencën e gjuhës është e qartë, ajo për shkrimin e shqipes është e dyshimtë. Nuk mund të thuhet me siguri nëse Brokardi ka pasur parasysh libra në gjuhën shqipe të shkruar me alfabet latin apo thjesht libra të shkruar në gjuhën latine. Mundësia e parë është ajo që natyrisht ka rrëmbyer imagjinatën e brezave pasardhës të studiuesve, dhe me këtë qëllim ky tekst shpesh citohet në historitë dhe studimet për letërsinë shqiptare. Është shkruar apo jo gjuha shqipe nga ndokush gjatë kësaj periudhe kur Shqipëria luhatej midis sferave të influencës së Venedikut, Perandorisë së Bizantit dhe Perandorisë Serbe që po shembej, për këtë nuk është zbuluar ende ndonjë dokument.

Në fakt, teksti i Brocardus-it lë vend për interpretime të ndryshme – që shqiptarët kishin librat në gjuhën e tyre (shqip) ku përdornin alfabetin latin, ose që shqiptarët, edhe pse kishin gjuhën e tyre të ndryshme nga latinishtja, përdornin latinishten në librat e tyre. Ky ambiguitet varet nga mënyra si do të përkthehet shprehja litteram latinam: “gjuhë latine” apo “shkronja latine”?

Siç mund të merret me mend, dhe siç e vëren edhe Elsie, shumë studiues shqiptarë kanë preferuar versionin e parë të përkthimit, gjithë duke e lënë versionin e dytë në heshtje. Çfarë është vetëm një mundësi interpretimi, e gjen të paraqitur si provë të sigurt; dhe kjo e zhvlerëson argumentin, edhe pse mund të duket sikur e mbështet. Duke e analizuar në hollësi fjalinë e Brocardus-it, mund të thuhet se aty linguam i referohet gjuhës së folur, ndërsa litteram gjuhës së shkruar; siç mund të thuhet edhe se variacioni ka thjesht arsye retorike, për të mënjanuar përsëritjen.

Fare pak citohet, në këtë kontekst, një thënie e ngjashme e kalorësit gjerman Arnold von Harf, e vitit 1497 (cituar sipas Çabejt) se shqiptarët “kanë një gjuhë më vete, e cila ndërkaq nuk mund të shkruhet, meqë nuk kanë një shkrim (një alfabet) të vetin, në vendin e tyre”. Natyrisht, mund të argumentohet se Von Harf-i nuk ka pasur mundësi t’i njohë librat e shkruar në shqip, që me gjasë përdornin shqiptarët; por thënia e tij e plotëson atë të Brocardus-it, dhe nuk mund të lihet në heshtje, thjesht ngaqë neve sot nuk na pëlqen.

Dëmi i cherry picking, në këtë rast, është se e nxjerr si të padiskutueshme çfarë nuk e kapërcen kufirin e interpretimit, duke vënë në dyshim jo burimet vetë, por integritetin e ligjëruesit.

“Zbulimi” befasues i Schmitt-it

Në monografinë që ia ka kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, historiani O.J. Schmitt i jep rëndësi të madhe një letre të zbuluar në arkivat e dukatit të Milanos, e cila ndriçon – sipas tij – motivet e kryengritjes dhe qëndresës antiosmane të Skënderbeut.

Letra, që i është dërguar dukës Francesco Sforza të dukatit të Milanos prej të dërguarve të vet në Romë, diplomatëve apo ambasadorëve Sceva de Curte dhe Jacobo Trivulzio më 10 janar 1454, përmban – sipas Schmitt-it – një provë vendimtare, se Skënderbeun e ka motivuar dëshira për t’u hakmarrë ndaj “turkut”, që ia ka vrarë babanë:

“Mbërriti këtu një kalorës i dërguar i një zoti që dikush thotë është nga Greqia e dikush nga Arbëria, zot i quajtur Xandrebech, është i pafe dhe i kërkon papës që t’i dërgojë 10.000 luftëtarë e ai do vërë të vetët të shumtë në numër për të sulmuar turqit e këtë jo për çështje feje pasi ai është i pafe por për arsye të urrejtjes personale që ka kundër turkut, se ky turk ka vënë t’i vrasin babanë e atij zotit e ky zot ka vënë të vrasin një vëlla të turkut.”

Vlera e letrës, si dokument historik, është relativizuar, mes të tjerash edhe nga një artikull i botuar në Peizazhe të fjalës (ku edhe jam mbështetur në vijim; artikulli është nga Fatma, në tri pjesë, që mund të lexohen këtu, këtu dhe këtu). Diferencimi i tepruar, që ia bën kësaj letre Schmitt-i, kundrejt numrit të madh të interpretimeve që janë sjellë rreth motiveve që e shtynë Skënderbeun të ngrinte krye dhe pastaj të luftonte për 25 vjet kundër superfuqisë osmane, është për mua shembull i cherry picking.

Ajo letër do të duhej gjykuar në kontekstin e dokumenteve dhe interpretimeve ekzistuese; e nxjerrë më vete, e bjerr vlerën historike, për t’u kthyer në shenjë të bindjeve subjektive të historianit që e citon.

(vijon)

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Kopertina është krijuar me Midjourney.

2 Komente

  1. E pat theksuar njëherë Carlo Ginzburg, në hyrje të një seminari publik:

    “Që historiani duhet të jetë objektiv, i paanshëm, kërkues i të vërtetës, është e gjithëpranuar. Sidoqoftë bëhet fjalë për një rregull dykëndore, mohuese dhe pohuese në të njëjtën kohë. Mohuese pasi e shtrëngon historianin që të mos shtrembërojë të dhënat e dala nga hulumtimi; pohuese pasi e shtrëngon atë që të shprehë gatishmëri të pakufishme karshi çdo risie që mund të mbijë nga ky hulumtim. Në rastin e parë, «e vërtetë» do të thotë thjesht mishërim i rregullave të lojës, çka lidhet me atë që njëherë e një kohë dëftohej si «vërtetësi»; çdokush që bën pjesë në esnafin e historianëve duhet t’i nënshtrohet pa kushte. Në rastin e dytë, «e vërtetë» do të thotë mungesë pikënisjesh – a së paku gatishmëri për t’i braktisur apo për t’i ndryshuar si rrjedhojë e rezultateve të kërkimit: sa një gjë e tillë është pasqyrim i praktikës së përditshme historiografike, këtu vlen të ngremë një pikëpyetje të madhe. Jo gjithmonë gjendet ajo çka kërkohet, por vështirë se mund të gjendet ajo për të cilën mungon dhe vetë dëshira e gjetjes”.

    Carlo Ginzburg – Adriano Prosperi, Giochi di pazienza. Un seminario sul «Beneficio di Cristo», Einaudi, Torino, 1975, fq. 9-10.

    1. Ka ende mâ, sic me suellen dje kumtin e nji akademikut tane sqime e cen, si gjegje ndaj peticionit te do intelektualvet shqyptare lidhun me mrrokullat e mediave: “Sipas librave te shenjte, njeriu u be njeri me aktin e tij te pare, ate te gabimit. Dhe ate gabim, monumental qe lindi njeriun e beri nje grua, Eva madheshtore. Pastaj duke bere po ate gabim, njeri u be dhe burri. Kjo eshte metafora e urtesive te para njerezore….” Prashtu, ju lumshin ment e penda atynet qi persiasin, bajen e shkruejn vecese gabime!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin