MANGËSI DHE MËKATE TË NJË MANUALI (III)

Brenda 100 faqeve të Manualit që i kushtohen shqipes, vend relativisht të spikatur zë nënkapitulli për morfologjinë (shkruar nga Matzinger dhe Schumacher). Që në krye, lexuesit i sqarohet se morfologjia e shqipes,

“[S]iç paraqitet në kapitullin më poshtë, bazohet ekskluzivisht në dëshmitë e shqipes së vjetër, dhe pikërisht, të dialektit të saj të gegnishtes së vjetër […] Kjo preferencë në favor të gegnishtes së vjetër nuk është problematike, meqë gegnishtja e vjetër dhe toskërishtja e vjetër, sado që ndryshojnë mes tyre fonologjikisht dhe sintaktikisht, kanë morfologji shumë të ngjashme.”

Shembujt e sjellë janë zakonisht nga Buzuku, por janë transkriptuar në drejtshkrimin modern.

Sa e përligjur është kjo zgjedhje? Toskërishtja e vjetër, të paktën e periudhës së Buzukut, nuk njihet mirë – prandaj ngjashmëritë morfologjike mes saj dhe gegnishten e vjetër janë të supozuara, jo të provuara. Me pak mundim, trajtesa mund të kish përfshirë edhe tekste dhe shembuj nga arbërishtja e vjetër, e cila mund të ish zgjedhur si surrogato për toskërishten. Nga ana tjetër, supozimi – nga shumë anë i detyruar – se shqipja e librit të Buzukut përfaqëson morfologjikisht gegnishten e vjetër, nuk merr parasysh se Meshari është tekst i shkruar, i ndikuar thellë nga latinishtja dhe italishtja (mjaft të vërehet, këtu, se mbizotërimi i gjinisë asnjanëse në sistemin nominal mund të jetë artifakt i përkthimit dhe i nevojës së Buzukut për emra abstraktë). Në fakt, përdoruesi i manualit do të pështjellohet nga fakti që gegnishtja e vjetër përdoret vetëm te nënkapitulli kushtuar morfologjisë, por jo te nënkapitujt e tjerë, përfshi ato të fonologjisë dhe të sintaksës e të leksikut. Prandaj këtë idiosinkrazi të nënkapitullit për morfologjinë e shqipes do ta konsiderojmë si mangësi, pavarësisht nga kompetenca e analizës; dhe studiuesi që i qaset shqipes nëpërmjet manualit nuk do të gjejë atje atë që kërkon, përveçse po të interesohet drejtpërdrejt për morfologjinë e shqipes së teksteve të vjetra liturgjike të Veriut.

Këtu nuk është vendi për t’u futur në analiza të imta të trajtesave të morfologjisë historike të shqipes – aq më tepër që këto kërkojnë një ekspertizë të posaçme për t’u gjykuar. Do të thoja se autorët e kapitullit për morfologjinë mbështeten kryesisht në studimet e tyre, dhe më pak në ato që u kanë paraprirë këtyre studimeve, përfshi edhe monumentalen Gramatikë Historike të Shqipes, nga Shaban Demiraj (të cilën me siguri e kanë shfrytëzuar dhe cituar në studimin e tyre monografik përkatës). Përshtypja ime është se morfologjia e shqipes, ashtu siç parashtrohet në nënkapitull, rezulton e thjeshtuar dhe e de-problematizuar në shumë anë, por mbase kjo i detyrohet kufizimeve të botimit vetë. Nga ana tjetër, vërehet një paralelizëm i panevojshëm mes nënkapitullit për morfologjinë e shqipes dhe atij për sintaksën (shkruar nga B. D. Joseph), meqë një numër temash trajtohen edhe atje edhe këtu (si ai i diatezës së foljes ose i trajtave të shkurtra të përemrave vetorë); një bashkërendim më i mirë mes autorëve do të kish ndihmuar për ta shmangur pështjellimin e lexuesit.

Një gjë që më ra në sy për keq, dhe që nuk e prisja në një botim të këtij kalibri, është numri i madh i gabimeve – si typo por jo vetëm – në shembujt e sjellë nga shqipja; i cili tregon pjesërisht pakujdesi në korrektimin teknik, por edhe mos-zotërim të plotë të materialit shqip nga ana e autorëve.

Shembulli më poshtë është marrë nga nënkapitulli kushtuar dokumentacionit të shqipes (autori A. Rusakov) dhe dëshmon si fjala bejtexhi – term kyç për temën – është shkruar keq disa herë dhe në mënyrë të tillë që lë të kuptohet se nuk është fjala aq për një typo, sa për një gabim të autorit vetë, i cili nuk ka arritur ta drejtshkruajë:

Të vërehen versionet bejtexhinjt, dhe pastaj versioni beytexhi që nuk është ekzaktësisht shqip; dhe pastaj forma tjetër, bejtexinjt, e cila rimerret edhe më poshtë. Këto gabime i bën edhe më serioze fakti që shfaqen te një paragraf i cili u kushtohet bejtexhinjve.

Veçanërisht të shumta janë pasaktësitë – si dëshmi të mosnjohjes së mjaftueshme të gjuhës – në pjesën e shkruar nga B.D. Joseph.

Ja një shembull ku ilustrohet përshtatja e mbiemrit të nyjshëm me emrin paraprijës:

Çdo folës i shqipes do ta ndiente menjëherë se mora librat të mëdhenj nuk është shqip; meqë thënia do të duhej të ishte ose: (1) i mora librat e mëdhenj, ose (2) mora libra të mëdhenj, ose (3) i mora librat të mëdhenj – shembulli i tretë, me të mëdhenj në pozicion kallëzuesori. Përkthimi anglisht “I took the big books” sugjeron se versioni (1) do të ishte ai që kërkonte autori. Natyrisht, shembulli dështon në synimin e vet, që të ilustrojë sjelljen e mbiemrave të nyjshëm dhe morfologjinë e nyjeve të tyre.

Lexuesit nuk do t’i ketë shpëtuar edhe se shembulli tjetër, kam një mik djaloshar, nuk tingëllon tamam shqip, meqë mbiemri djaloshar është përdorur jo saktë, edhe pse thjesht nga pikëpamja leksikore.

Ja edhe një rast tjetër i një fjalie që nuk tingëllon shqip:

Nuk besoj se ka folës të shqipes që të formulojë fjali të tipit NUK/S’ + folje kalimtare + një emër në kallëzore të pashquar: S’lexuam një libër thjesht nuk ka kuptim në shqipe (për mua, nuk ka kuptim as anglishtja “we did not read a book” – por këtë po ua lë amtarëve që ta shkoqisin).

Shembulli më poshtë, pretendon të ilustrojë përdorimin e trajtave të shkurtra të kallëzores:

Sërish, një folës amtar do të kish parapëlqyer rendin Ikën pa e parë, dhe kjo pa e parë ikën nuk tingëllon shqip. Le të vërejmë këtu edhe typon te fjala parë e cila është shkruar pare.

Ja edhe një listë shembujsh, që synojnë të ilustrojnë dinamikën e marrëdhënieve mes ndërtimeve me lidhore dhe atyre me paskajore:

Këtu, propozimi të shkojmë në Shqipëri nuk është shqip, meqë i mungon një  (propozimi të shkojmë në Shqipëri); vijmë në shkollën që të mësojmë sërish nuk e kalon klasën, sepse parafjala këtu pranon vetëm emrin në kallëzore të pashquar (drejt do të ishte: vijmë në shkollë që të mësojmë); edhe puna me e shue këtë politikë nuk më tingëllon mirë. Dhe nuk po filloj të flas për gabimet drejtshkrimore.

Shembulli që vijon, mëton edhe ai të ilustrojë paskajoren perifrastike të toskërishtes dhe të standardit:

Por ata folja nuk është shqip; “these verbs” do të ishte përkthimi i “ato folje”; në atë rast edhe kallëzuesi shërben duhej të ishte në shumës (shërbejnë). Unë u kam dhënë disa vjet mësim shqip të huajve dhe më duhet të them se po të më shkruante studenti i vitit të parë ata folja shërben për të emërtuar një veprim, do ta konsideroja dështim timin personal.

Më duket e papranueshme që, për një botim të kësaj rëndësie dhe kalibri, shqipja të pasqyrohet me mangësi të tilla; të cilat, nga ana e tyre, dëshmojnë se jo të gjithë studiuesit e huaj, që merren me këtë gjuhë, e shohin zotërimin e saj si kusht minimal për të dalë në pazar dhe për ta bërë lexuesin t’i respektojë si autoritete. Kjo nuk është çështje teknike – nëse një autor si B.D. Joseph nuk e sheh se shembujt që ka sjellë, në thelb, nuk janë shqip, atëherë lexuesi do të ketë pikëpyetje edhe për kompetencën e tij për t’u marrë me një temë kaq të koklavitur, sa ç’është sintaksa historike e shqipes.

Me pak modesti nga ana e autorëve të nënkapitujve dhe kujdes nga ana e editorëve të Manualit, këto gabime në shembujt mund të ishin shmangur, qoftë edhe nëpërmjet bashkëpunimit me gjuhëtarë që e kanë shqipen gjuhë amtare dhe që sot i gjen deri edhe në katedrat më prestigjioze të shqipes, anembanë botës. Për fat të keq të lexuesit, i vetmi specialist i shqipes që e kënaq këtë kriter është Bardhyl Demiraj, autor i nënkapitullit kushtuar Evolucionit të shqipes; i cili dëshmon si mund të kish qenë krejt kapitulli i shqipes, po t’i ish besuar i gjithi këtij studiuesi.

Në përgjithësi, përdoruesi i Manualit të Gjuhësisë Krahasuese dhe Historike Indo-Europiane (Handbook of Comparative and Historical Indo-European Linguistics) do të priste më shumë nga kapitulli për shqipen – përfshi këtu edhe një trajtim të mëvetësishëm të pozicionit të kësaj gjuhe brenda familjes indo-europiane dhe bashkëpërkimeve të pjesshme me gjuhë të tjera; por edhe të karakteristikave të shqipes si gjuhë e Sprachbund-it ballkanik. Dhe sidomos, do të priste më shumë drejtpeshim dhe koherencë brenda kapitullit, çfarë mund të ish siguruar me bashkërendim më të mirë të përpjekjeve. Më duket e palejueshme, në shekullin XXI, që shqipja e shembëllzuar në Manual vende-vende të dëshmojë gabime elementare dhe jo vetëm typos ose drejtshkrimore, por edhe prova – të trishtueshme – se njohja e shqipes nga ndonjë studiues nuk është në lartësinë e kompetencave të tij mirëfilli linguistike. Dhe më duket e palejueshme, sepse autorët dhe editorët e Manualit i kanë pasur mundësitë për t’i ndrequr këto mangësi, siç i kanë pasur mundësitë për të ftuar bashkëpunëtorë që e kanë shqipen gjuhë amtare dhe nuk i qasen si të ishte gjuhë e vdekur ose e deshifruar rishtas.

(fund)

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Tw gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin