EDHE POPULLARIZIMI ËSHTË DIJE

A duhet t’u përgjigjen ekspertët albanologë amatorëve që kanë mbushur portalet dhe ekranet, me teoritë e tyre të marrëzishme për lashtësinë e shqipes dhe të shqiptarëve dhe rolin e supozuar të shqipes në ngjizjen e gjuhëve të botës?

Një pyetje që po e dëgjoj të bëhet poshtë e lart, madje nga një pjesë “mënjanësish” që të këshillojnë se eksperti nuk duhet të harxhojë kohë me amatorët dhe lajthitjet e tyre, por të merret me “studime të mirëfillta”; ndërsa një pjesë tjetër të mbrojnë idenë se edhe pseudot kanë rolin e tyre të dobishëm, ngaqë ngrenë humorin e masave të paditura, duke ua lehtësuar këtyre vuajtjet e përditshme.

Për këtë pyetje nuk kam ndonjë përgjigje të prerë. Nëse përpjekjet e amatorëve mbeten në periferi të komunikimit dhe të kulturës, duke u artikuluar si një lloj argëtimi provincial, atëherë këto mund edhe të shpërfillen prej ekspertëve (siç ndodh në kultura më të stabilizuara se jona). Nëse vijnë e zënë vend në qendër të komunikimit dhe të kulturës, atëherë ekspertët nuk mund t’i injorojnë. Këshilla që ekspertët duhet të merren me punët e tyre të specialitetit është SUPER-ELITISTE; ajo zgjedh të mos marrë parasysh përgjegjësinë morale të institucioneve të dijes dhe arsimore, por edhe të dijetarëve vetë, për edukimin e publikut dhe mbrojtjen e qytetarit nga pseudologjitë.

Një sistemi që kërkon të jetë demokratik, nuk i lejohet të shpërfillë edukimin e qytetarit dhe mirëmbajtjen e raportit të këtij të fundit me arsyen, dijen dhe të vërtetën.

Veç kësaj, edhe dyndja e pseudologëve në mass mediat, dhe egërsimi si i tyre, ashtu edhe i ndjekësve të tyre të shumtë, ndaj çdo zëri që i kundërshton në emër të dijes, kërkon ajo vetë vëmendje dhe STUDIM nga afër, si dukuri masive, që prek drejtpërdrejt vetëdijen sociale dhe opinionin publik. Nëse ka ende dijetarë, në Shqipëri dhe gjetiu, që vazhdojnë të studiojnë rapsoditë, kanunet, legjendat dhe bestytnitë, aq më tepër duhet të ketë dijetarë që të merren me atë çfarë beson dhe gjykon “populli”, në lidhje me historinë dhe dijen albanologjike.

Në momentin e tanishëm, publiku i është ekspozuar një trysnie të pashembullt me informacione të rreme, të pasakta dhe fryte të fantazisë, e cila po jep rezultate që tani dhe do të japë rezultate edhe më shqetësuese më pas. Institucionet e dijes, duke filluar nga Akademia e Shkencave dhe nga Universiteti i Tiranës, preken vetvetiu nga kjo dukuri dhe nëse hiqen mënjanë, duhet të mbajnë përgjegjësi – morale, qytetare, por edhe institucionale.

Është edhe çështja e tonit dhe qasjes, ose si u duhet drejtuar amatorëve. Besoj se këtu nuk ka vend as për fodullëk, as për fyerje, as për poshtërime – aq më tepër që këto lloj komunikimesh lexohen edhe nga shumë kureshtarë, që kërkojnë sinqerisht të sqarohen e të ndriçohen. Pseudologëve u duhet njohur – në parim – qëllimi i mirë në përpjekjet e tyre; gjithnjë duke pasur parasysh që reagimet e ekspertëve nuk synojnë t’u kthejnë mendjen atyre autorëve, por më tepër të rivendosin një balancë dhe një normalitet, në një situatë komunikimi, e cila tani është jashtë çdo kontrolli të arsyes.

Ekspertët vetë mbase mund të përfitojnë nga momenti i një interesi eksponencialisht të shtuar, për çështje të gjuhës dhe të historisë; dhe ashtu të thonë fjalën e tyre në shërbim edhe të lexuesit jo-ekspert, i cili kërkon të dijë më shumë për temat që trajtohen. Kjo nuk do të thotë që të hyjmë në debate të drejtpërdrejta, me amatorë me të cilët ndonjëherë nuk gjen dot as gjuhë të përbashkët; mjafton që dija, në forma të popullarizuara, të mbetet e pranishme në mass mediat.

Albanologjia, edhe ajo e bërë nga dijetarët shqiptarë, ka një traditë të pasur, e cila nuk mund t’u lihet amatorëve në dorë që ta përdhosin, herë nga padija e herë me dashje. Institucionet publike duhet të investojnë seriozisht, që kjo traditë të mos mbetet e mbyllur në biblioteka dhe arkiva, por t’i vijë publikut me po aq zell dhe entuziazëm, sa ç’i vijnë interpretimet alternative, fantazitë dhe paranojat e atyre që i janë vërsulur albanologjisë tradicionale, për t’i dhënë dërmën.

Gjatë përplasjeve në distancë, nuk mungojnë akuzat, nga ana e disa amatorëve, se ekspertët akademikë u qenkan “shitur” interesave të armiqve tradicionalë të kombit shqiptar, “serbëve” dhe “grekëve”. Këto akuza përgjithësisht janë retorike dhe nuk duhej të gjenin vend në tekste me natyrë diturore – por tani që janë bërë dhe përsëritur, duhen adresuar edhe ato. Në fakt, çdo agjenci dhe agjenturë armike e interesave kombëtarë të shqiptarëve, do të investonte jo pak, për të dëmtuar dhe diskredituar traditën albanologjike, tashmë dy-shekullore, që është pasuri e paçmuar e dijes dhe e vetëdijes sonë kombëtare.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin