MBISHKRIMET E LASHTA: MAGJI DHE FALL

Turbo-albanologët duket se e kanë veçanërisht për merak leximin e mbishkrimeve të vjetra anembanë botës nëpërmjet… shqipes. Disa nga këto presin ende të interpretohen prej dijetarëve, të tjera janë deshifruar dhe interpretuar tashmë kënaqshëm – por kjo nuk ia ndal dot bulldozerin shqipes über alles! Tejet të preferuara mbeten mbishkrimet etruske, ndjekur nga ato në sistemet shkrimore të njohura si lineari A dhe lineari B i Kretës[1]; stela e Lemnosit; mbishkrimet shumere dhe hieroglifet e Egjiptit; të cilave tanët u qasen me metoda groteske të përafrimit analogjik dhe të gjahut të ngjashmërive sipërfaqësore.

Mbishkrimet e mbetura nga lashtësia, të shkruara në gjuhë përndryshe të panjohura ose, në çdo rast, të padeshifruara (pa folur pastaj për shkrimet e padeshifruara), përbëjnë dëshmi të vyera – me kusht që të lexohen dot me ndonjë farë sigurie. Specialistët e paktë që guxojnë të merren me to janë njohës të rrallë të realiteteve gjuhësore të lashtësisë, por edhe të antropologjisë së mbishkrimit si akt dhe si entitet kohor, e cila ndryshon nga ajo e shkrimit në përgjithësi. E megjithatë, mbishkrimet e shkurtra të lexueshme[2] – si në rastin e mesapishtes, por edhe, deri-diku, të etruskishtes – nuk kanë arritur ende të japin informacion të mjaftueshëm për gjuhën e kulturës që i ka përftuar (fonetikën, gramatikën, leksikun); dhe kjo kryesisht ngaqë mbishkrimet kanë funksione tejet specifike dhe të kufizuara: p.sh. votive (u drejtohen zotave), funerare, përkujtimore, kufitare e kështu me radhë.

Për hir të argumentit, le të mendojmë për një çast se, për të përftuar një mbishkrim, duhet jo vetëm që dikush të dijë të shkruajë (aftësi e rrallë në lashtësi, shpesh e profesionalizuar) dhe të gdhendë shkronjat në një medium, p.sh. në gur ose në metal, por edhe që dikush (shkruesi ose një tjetër) ta gjejë mbishkrimin të dobishëm dhe informativ për komunitetin, për besimin fetar, për ritualin, për të përkujtuar ngjarje me rëndësi, për ekonominë (p.sh. për të regjistruar inventarë), për veten e kështu me radhë; dhe më në fund, si praktikë, mbishkrimi kërkon një komunitet ku të paktën disa vetë të dinë të lexojnë, madje të tillë që të jetë familjarizuar edhe me shkurtimet karakteristike – për shembull, në një pllakë varri romake, atje ku do të shënohet mosha e përafërt e të vdekurit, në vend të latinishtes “vixit annos plus minus” (jetoi përafërsisht… vjet) do të përdoret shkurtimi V.A.P.M. Po ashtu, në pllakën e varrit romake, emri i të vdekurit do të dalë zakonisht në dhanore, meqë dhanorja tregon personin të cilit iu ngrit varri; ndërsa emri i atij që e ndërtoi varrin do të dalë në emërore, ndonjëherë i shoqëruar me fjalët feci/fecerunt (“e bëri/e bënë”). Për dikë që e njeh latinishten, por nuk i njeh këto konvencione, edhe mbishkrimi më i thjeshtë do të jetë i vështirë për t’u interpretuar. Dua të them: leximi korrekt i një mbishkrimi kërkon edhe familjaritet me rregullat e përdorimit të mbishkrimit si praktikë sociale – çfarë e ndërlikon shumë interpretimin e mbishkrimeve nga kultura që nuk njihen mirë. Nga ky këndvështrim, një mbishkrim i ngjan një eshtre të fosilizuar, nga i cili deshifruesi (historian, arkeolog dhe gjuhëtar) do të përpiqet të ndërtojë kafshën përkatëse dhe të krijojë një ide për pamjen e saj, sjelljen, biologjinë, riprodhimin e kështu me radhë.

Nga ana tjetër, që mbishkrime të padeshifruara mund t’i përkasin një gjuhe të afërt me shqipen e sotme, kjo nuk mund të përjashtohet a priori.[3] Por sa më i lashtë të jetë një mbishkrim, aq më kujdes duhet bërë me format e shqipes, që përdoren për deshifrimin e tij – shqipja e dy- a tremijë vjetëve më parë, në mos më e hershme, nuk do t’i ngjante shumë kësaj të sotmes, sepse do të kish strukturë tjetër fonetike dhe gramatikore dhe leksik tjetër. Për këtë arsye, nuk do të ishte e arsyeshme që një fjalë a formë e shqipes së sotme të krahasohej drejtpërdrejt me një element të një mbishkrimi të hershëm: më parë do të na duhej ta “vjetronim” fjalën shqipe, duke rindërtuar trajtën e saj të dikurshme. Për shembull, shqipja e sotme GJAK vjen nga një formë më e vjetër proto-shqipe *źak-, e cila i referohet një rrënje indoeuropiane *sokʷos; njëlloj si GJARPËR mendohet se vjen nga një më e vjetër *serp-en-o-s (khs. latinishten serpens). Në të dy rastet, një gj- nistore e shqipes së sotme është refleksi i një s-je më të vjetër; dhe nuk do të kishte kuptim që një fjalë si *GIAKU, në një mbishkrim tremijëvjeçar të padeshifruar, ta krahasonim drejtpërdrejt me shqipen e sotme GJAKU.

Pra, nëse ka mbishkrime të lashta që mund të shpjegohen nëpërmjet shqipes, atëherë duhet treguar kujdes i madh me SHQIPEN që shtiem në punë qoftë edhe vetëm tentativisht, për t’i lexuar. Për të njëjtën arsye, një fjalë si FTUA nuk mund ta identifikojmë si fjalë shqipe një mbishkrim të vjetër (para-grek), sa kohë që FTUA në shqipe është etimologjizuar tashmë kënaqshëm, si huazim i shqipes nga latinishtja cotōneum; prandaj nuk mund të ketë e shqipes, kur u përftua mbishkrimi në fjalë. Ky gabim metodologjik – në fakt elementar – i karakterizon pothuajse të gjitha ndërmarrjet deshifruese, shpjeguese dhe etimologjizuese të turbo-albanologëve, aq sa mund të merret edhe si kriter për të dalluar amatorin nga profesionisti në fushë.

Thashë më lart se mundësia që ndonjë nga mbishkrimet e padeshifruara të mund të interpretohet me ndihmën e shqipes mbetet e hapur; për shembull, ashtu është vepruar dhe po veprohet, nga studiuesit që merren me mbishkrimet mesape. Joachim Matzinger ka shkruar një monografi për ato mbishkrime[4], ku i referohet rregullisht shqipes, dhe që të interesuarit do të bënin mirë ta studionin, për të kuptuar sa e vështirë është shkoqitja e mbishkrimeve të shkurtra, nga një gjuhë dhe kulturë e panjohur. E megjithatë, mesapishtja ende premton material të vyer, për të rindërtuar – mes të tjerash – edhe proto-shqipen e lashtësisë.

Përkundrazi, shembull flagrant i një përpjekjeje të bujshme, por nga një dijetar jo-specialist i historisë së shqipes, janë dy punimet e frëngut Zacharie Mayani, që u orvat t’i lexonte mbishkrimet etruske nëpërmjet shqipes.[5] Pa e vënë në diskutim kompetencën e tij në lëmin e etruskishtes dhe të lashtësisë mesdhetare, Mayani u tregua tejet i shkujdesur (në mos i papërgjegjshëm), në zgjedhjen dhe rindërtimin e gjymtyrëve shqipe të ekuacioneve të tij, duke ua hapur dyert deri edhe turqizmave nga më të rëndomtit, që hynë në gjuhën tonë diçka si 2500 vjet më vonë.

Edhe pse ekspert i sprovuar i parahistorisë së Mesdheut, ai iu qas çuditërisht me mospërfillje historisë së asaj gjuhe, shqipes, që kish zgjedhur të përdorte si instrument njohës: enigmës etruske. Gabime kaq elementare një dijetari si ai nuk i LEJOHEN, aq më tepër në një kohë kur etimologjia dhe gramatika historike e shqipes pak a shumë ishin përvijuar (Mayani vizitoi edhe Shqipërinë dikur në fund të viteve 1960). Në një fushë tjetër, p.sh. në kriminalistikë, ekspertin përkatës do ta kishin pushuar nga puna, për neglizhencë në administrimin e provave materiale.

Çfarë u mungon turbo-albanologëve, në përpjekjet e tyre – do të thoja foshnjore – për të deshifruar gjithfarë mbishkrimesh enigmatike, është rrokja e përmasës kohore të gjuhës. Mbishkrimet, edhe ato krejt të padepërtueshme, mund të datohen; sepse përveçse dëshmi gjuhësore, janë edhe objekte materiale, që u konformohen rregullsive të caktuara, p.sh. në formën e shkronjave, ose drejtimin e të shkruarit dhe konvencione të tjera epigrafike (pa folur për vlerësimin me radiokarbon të suportit material). Prandaj edhe ata që kanë arritur të lexojnë me sukses mbishkrime parahistorike, si Bedřich Hrozný me hetitishten, ose Michael Ventris me linearin B ose Henry Rawlinson me shumerishten, para se të kuturiseshin në lexime, i vendosën tekstet në kontekstin historik dhe arkeologjik përkatës dhe në marrëdhënie me gjuhë të tjera të epokës.

Nuk di nëse ka ende kuptim që të kërkosh prej turbo-albanologëve të kenë mësuar ndonjë gjë, rreth fushës ku pretendojnë të arrijnë zbulime tronditëse; përfshi këtu edhe njohuritë më elementare të epigrafisë (studimi i mbishkrimeve), të cilat do t’u shpjegonin funksionet kryesore të mbishkrimeve në kulturat e lashtësisë. Për t’u shënuar këtu që Matzinger-i, në monografinë e cituar, procedon hap pas hapi nëpërmjet krahasimesh të imta midis target-it të hulumtimeve të tij (mesapishtes), dhe greqishtes, përkatësisht latinishtes, të cilat i shërbejnë si referencë, dhe e ndihmojnë të arrijë të panjohurën nëpërmjet të njohurës. Edhe sistemin e emrave të përveçëm të emrave të mesapishtes ai përpiqet ta shkoqitë, duke e përqasur hap pas hapi me sistemet e ngjashme në greqishten e vjetër dhe latinishte – dhe nuk ka nevojë që unë të kujtoj këtu rëndësinë e këtyre emrave (antroponimeve) në leximin dhe interpretimin korrekt të mbishkrimeve: siç dihet, të tilla dëshmi arkeologjike-gjuhësore përmbajnë në masë të madhe elemente antroponimike dhe në përgjithësi onomastike, që janë në thelb emra njerëzish dhe vendesh.

Tani, kam ndeshur në “lexime” turbologjike tonat të një mbishkrimi të mirënjohur dhe ende të pashpjeguar, të quajtur “stela e Lemnos-it”, gjuhën e të cilit disa e mbajnë për formë të etruskishtes, disa të tjerë për një “motër” të etruskishtes, dhe ndonjë deri edhe për pellazgjishte. Pseudot tanë i janë futur këtij mbishkrimi derrçe[6], duke e ndarë në rrokje sipas dëshirës dhe duke gjetur atje përkime (fantazmagorike) me shqipen – por pa u merakosur të hulumtojnë lidhjet e atij teksti me mbishkrimet etruske, ndonjë element nga greqishtja e vjetër ose nga gjuhët anatolike, fundja edhe nga fenikishtja ose ndonjë gjuhë tjetër semite e kohës; por edhe pa e vrarë mendjen për aspektet mirëfilli epigrafike të mbishkrimit apo analizën e imazhit të cilit ai mbishkrim i shoqërohet. Edhe një herë, me gjasë për shkak të inkompetencës dhe të padijes, turbologët zgjedhin të injorojnë aspektet historike të një entiteti si mbishkrimi, që merr kuptim, madje edhe ekziston vetëm në histori.

Ajo çfarë duket se i vë në lëvizje amatorët e sportit mbishkrimor është që të besojnë përnjëmend se do t’i lexojnë këto nëpërmjet shqipes së sotme, një operacion që nuk është më racional, por magjik, në atë masë që kërkon të qark-shkurtojë mijëvjeçarët, dhe ta shtrijë një dukuri sinkronike, siç është shqipja në bashkëkohësi, përtej horizontit të mijëvjeçarëve. Këtë lloj alkimie pseudo-epigrafike e ka të vështirë njeriu që deri edhe ta marrë seriozisht; edhe pse, sa më ambicioze të jetë ndërmarrja, aq më shumë i afrohet të vërtetës metafizike, po të ulemi për një çast dhe të mendojmë se nuk ka gjuhë në botë, që të mos ketë dalë nga rrënojat e Babelit…

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 


[1] Edhe pse ky i dyti është deshifruar tashmë.

[2] Them të lexueshme, në kuptimin që përdorin alfabete të njohura.

[3] Për të njëjtën arsye, nëse një mbishkrim çfarëdo mbetet i palexuar ose i padeshifruar, kjo nuk do të thotë se ai duhet zbërthyer nëpërmjet shqipes. Por kjo arsye nuk funksionon me tipa që deri edhe greqishten e vjetër të Homerit duan ta “deshifrojnë” nëpërmjet shqipes (gegnishtes).

[4] Einführung ins Messapische, 2. Version – Wien 2014. Mund të shkarkohet nga Academia.edu.

[5] Mayani pat botuar dy libra me hipotezat dhe interpretimet e tij: Les Etrusques commencent à parler, 1961; dhe La Fin du mystère etrusque, 1970. Të dy i janë përkthyer në shqipe, i dyti pothuajse menjëherë, ndërsa i pari pas 1990-ës.

[6] Me të njëjtin zell që do të lexonin “nëpërmjet shqipes” gjurmët e kalit në baltë.

2 Komente

  1. I pata lexuar një herë një kapitull librit “L’etrusco lingua viva” të Nermin Vlora Falaschi-t dhe u trazova shumë kur lexova aty se paskësh gjetur në një pllakë varri fjalën “hair” të cilën e interpretonte si vërtetim të vazhdimësisë në shqipen e sotme, meqë hair është – me demek – fjala hajër e shqipes së sotme. Paçka se fjalën hajër na e sollën kardashët osmanë.

  2. Kombet si vinte ne dukje ai cifuti i mencem ne librin “Sapiens” jane mite nocione fiktive ne kokat e njerezve ,pra jane c’ka njerezit besojne se jane e jo se cfare jane ne te vertete .Turbo albanologet po fitojne terren sepse poplli eshte i lodhur nga disa dekada te veshtira e eshte i perveluar per te degjuar dicka te mire per veten apo rrenjet e tij ,e vertete apo jo .Ne kete aspect ndoshta ky lloj masturbimi patriotic duke ia mbushur mendjen miletit se jane me te lashtet e dynjase eshte ndoshta me i dobishem se sa pesimizmi i viteve 90 kur krenaria kombetare kishte rene pertoke .

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin