HORRORI DHE FRIKA AMERIKANE

nga Jori Vero

Tetor. Muaji i gjetheve të arta, freskisë mbrëmësore, xhiboksave, dhe sidomos muaji i Halloween. Sezoni i shtrigave mbërriti, dhe në familjen tonë kjo festë është kthyer në një traditë e këndshme. Ime shoqe nxjerr zbukurimet e “frikshme” (shumica të bëra nga vetë ajo), ndërsa unë e ndihmoj me sugjerime të gabuara se ku t’i vendosë. Kjo është një periudhë e vitit ku shumë njerëz duan të tremben dhe t’ia kalojnë bukur duke u trembur. TV, rrjetet sociale, libraritë mbushen me histori fantazmash, vampirësh, zombie-sh dhe lloj-lloj lugetërish të tjerë, me qëllimin e qartë për të kokrrizuar mishin e atyre që i dëgjojnë/lexojnë. Ajo që është makabre merr një sharm të veçantë dhe ne na pëlqen të flirtojmë me të.

Në një nga tentativat e mia për t’u bërë i dobishëm me zbukurimet “e frikshme” mendimet më dërguan tek frika në vetvete. Ky emocion shumë intim, i vendosur në kanalet më primitive të psikologjisë sonë. Një emocion shpeshherë i shmangur dhe shpeshherë i kërkuar, kjo për shkak të adrenalinës që trupi ynë prodhon. Frika është personale, histori abuzimi fizik ose psikologjik, varësi, sëmundje, vështirësi ekonomike etj. Ajo gjithashtu mund të shfaqet dhe si kolektive, luftë, katastrofë natyrore, trazira sociale ose politike, si dhe krizë financiare. Ekspertiza ime në analizimin e frikës në kontekst psikologjik dhe social ka kufizimet e veta, ndaj dua të shkruaj për frikën në kontekst krijimtarie, dhe impakti që ajo ka.

Shumë mediume, si gojëdhënat, letërsia, televizioni apo kinemaja e kanë shfrytëzuar frikën nëpërmjet rrëfenjave të ndryshme, të përmbledhura nën të njëjtin emërtim, atë të horrorit. Edhe pse rrëfimi i tmerrit merr forma të ndryshme, është kinemaja horror ajo që zotëron përqindjen më të lartë të aksioneve në industrinë e frikës. Horrori, si zhanër kinematografik, ka qenë gjithmonë i lidhur me vendin nga i cili del, me kontekstin socio-ekonomik dhe mentalitetin e popullatës që i prezantohet. Popuj të ndryshëm kanë histori të ndryshme horrori në brendësinë e tyre.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një vend pionier i kinemasë horror, e përdori këtë të fundit si një mjet për të komunikuar me masën, për arsye propagandistike ose sensibilizimi, të cilat evoluuan me kalimin e viteve. Le t’i marrim me radhë.

Boom-in e parë kinemaja horror e njohu në fund të viteve 20 dhe 30 të shekullit XX si periudha me emigracionin më të madh në SHBA prej viteve 1880-1930, ku popuj nga çdo cep i botës kërkonin fatin në kontinentin e ri. Kjo solli që në vend të përhapej ksenofobia, frika (si dhe paragjykimi) ndaj të ardhurve, atyre që flisnin gjuhë tjetër dhe silleshin ndryshe.

E ja ku kemi në vitin 1931 filmin “Dracula”, me aktor protagonist Bela Lugosin, nga Hungaria. Një kont misterioz dhe fjalëpak vjen në SHBA, me sjellje të edukuar, por me qëllimin e errët për të rrëmbyer vashën, për t’i thithur gjakun dhe për ta bërë skllaven e tij. “Mumja” (1932) rrëfen për Princin Imhotep nga Egjipti, i luajtur nga Boris Karloff, që vjen në qytetërimin modern dhe rrëmben vashën për ta bërë skllaven e tij.

“Cat People” (1942), Irena Dubrovna, një vajzë nga Serbia, transformohet sa herë ndihet e eksituar në një panterë që vret burra. Skllavëria nuk ishte opsion.

Këta filma horror kishin të përbashkët që monstra/i keqi kishte ardhur nga vende të largëta, shpeshherë nga lindja, me qëllime të errëta. Jo rastësor ishte fakti që shumë aktorë që luanin këto personazhe ishin gjithashtu të lindur jashtë. Nuk mund të imagjinohej që James Stewart apo John Wayne të bënin keq.

Vitet ’50 dhe ’60, kulmi i Luftës së Ftohtë do të sillte përhapjen e horrorit fantastiko-shkencor. Pushtime alienosh, si “The War of the Worlds”, “Invasion of the Body Snatchers” “It Came from Outer Space”, përkëdhelte frikën e propaganduar nga shteti për një pushtim të mundshëm nga Murtaja e Kuqe, ose e thënë ndryshe, komunistët e Bashkimit Sovjetik. Frika më e madhe me të cilën protagonisti përballej nuk ishte ajo e vdekjes fizike, por kontrolli i mendjes dhe tjetërsimi i njeriut të lirë amerikan.

Trazirat e mëdha politike dhe sociale në vitet ’60 deri në fund të viteve ’70 sollën një vetëdije të re tek populli amerikan. Vrasja e John Kennedy, Marthin Luther King ose lufta në Vietnam hodhi një dritë të re në imazhin që populli amerikan, sidomos rinia kishte për qeverisjen dhe vlerat që pushteti reklamonte.

Arti u bë më realist dhe më i prirur të vendosej kundër establishmentit të kohës. Kinemaja horror nuk kishte më në qendër të saj përbindësha ekzotikë apo jashtëtokësorë, por vrasës të maskuar që kishin si pre të preferuar të rinjtë amerikan.

Skena hapëse e “Texas Chainsaw Massacre” përdor elementët e një dokumentari dhe së bashku me kinematografinë jokonvencionale i jepte filmit në tërësi një ndjenjë autenticiteti shqetësues për publikun e asaj kohe. Gjithashtu dhuna u bë më grafike. Vrasjet, gjaku, trupat e gjymtuar dhe të zhveshur u kthyen në një sfidë të madhe për censurën në vend.

Periferia amerikane, një imazh i paqes dhe sigurisë, kthehet në një arenë makthi tek filmi “Halloween” i John Carpenter. Në 1973 në kinematë e gjithë vendit doli ai që mund të quhet sot e kësaj dite si horrori më tronditës në histori. “The Exorcist” i William Friedkin tregon për një vajzë të vogël e cila pushtohet nga demonët, duke e transformuar në një krijesë të dalë nga thellësitë më të errëta të ferrit. Ai film jo vetëm që shfaqi shfrytëzimin në mënyrën më makabre të një person të pafajshëm, por ishte edhe një goditje ndaj besimit kryesor të njeriut, atë në Zot.

Vitet ‘80 quheshin vitet e eksesit, ku çdo gjë ishte me shumicë. Rritja ekonomike solli rritjen e konsumit. Teknologjia pësoi një zhvillim të shpejtë. Stili i jetesës u bë më i mbushur dhe gjithçka ecte me 100 km/orë. Horrori hyri në mainstream dhe shumë filma jo vetëm patën sukses, por krijuan dhe franchise, duke sjellë fitime të mëdha. Tanimë nuk ishte vetëm kinemaja dhe TV, por edhe VHS (Video Home System).

Ti mund të blije ose të merrje me qira një videokasetë dhe ta shikoje në shtëpi në çdo kohë. Pas filmave si “Friday 13th”, “A Nightmare on Elm Street”, “The Shinning” apo “The Thing” u formua një kult ndjekësish që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Kjo dekadë ishte piku i horrorit.

Edhe siç ndodh pas pikut, fillon edhe kurba e rënies dhe staniacionin e dekadës së 90-es e ndoqi pika fundore e fillimshekullit 21, ku SHBA përjetoi tragjedinë më të madhe brenda kufijve të saj. Më 11 shtator 2001 horrori u materializua në dy avionë, përplasja e të cilëve me kullat binjake në Nju-Jork shkaktuan vdekjen e mijëra personave. Ajo ndjenjë sigurie pas çdo britme frike u venit dhe njerëzit u ndien për herë të parë të pambrojtur. Gogoli nuk qëndronte më mbrapa ekranit.

Përpos propagandës së aparatit shtetëror dhe agjendës së tij miliardavjelëse, njësoj si në vitet ’60, në vetëdijen e qytetarit amerikan zuri vend ideja fikse që shumë frikëra buronin nga brenda shoqërisë dhe se përbindëshat krijoheshin çdo ditë mes tyre. Edhe pse tek-tuk nëpër histori kishte raste të filmave horror komentues të shoqërisë (“They Live” [1988] i John Carpenter), dekadat në vazhdim sollën disa tituj filmash të cilët preknin disa plagë sociale deri në nivel familje.

“Get Out” dhe “US” nga Jordan Peele kanë në qendër racizmin ndaj njerëzve me ngjyrë dhe stigmatizimin e minoriteteve në SHBA. “It Follows” 2014 është një film alegori e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe substancave narkotike. “Hereditary” tregon shkatërrimin e një familjeje tradicionale përballë një tragjedie. “Midsommar” prek ankthin e shkaktuar nga një lidhje toksike, ndërsa “The Invisible Man” flet për dhunën martesore etj.

Siç shkrova në fillim, frika vjen në shumë forma. Ajo evoluon me njeriun dhe kombin, qoftë ajo traumë fëmijërie apo tronditje e një komuniteti. Ta shpjegosh, është e vështirë, sepse intimiteti i kësaj ndjenje bën që kërkimi i së vërtetës të vijë nga shumë thellë. Jo çdokush ka aftësinë mendore ose përgatitjen emocionale për ta ndërmarrë këtë udhëtim. E këtu unë, si dashamirës i kinemasë, vlerësoj krijimtarinë horror, pasi ajo të ballafaqon me frikërat e tua më të fshehura dhe të ndihmon jo vetëm t’i luftosh, por edhe të bashkëjetosh me to. Horrori i bërë mirë ofron një katarsis shpirtëror për atë që e shijon dhe kjo është vlera më e madhe që ai ka.

Imagjinoni një sallë të mbushur kinemaje. Një film horror po shfaqet. Skenë kulmore. Të gjithë të fokusuar përpara ekranit gjigant. Protagonisti i afrohet një porte, e hap dhe sheh që nuk ka asgjë përtej saj. Pastaj – duke përdorur një nga truket më të vjetra në kinema – ai kthehet dhe direkt shfaqet përbindëshi, i shoqëruar me një crescendo muzikore shurdhuese. Salla mbushet me britma çjerrëse dhe kokoshka fluturuese. Rrahjet e zemrës shtohen dhe prej saj adrenalina mbush trupat e të pranishmëve.

Pas kësaj vjen e qeshura.

(c) 2023 Jori Vero. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin