PSE JEMI

“Peizazhe të fjalës” botoi, më 6 shtator 2023, esenë TEL QUEL: O-POZITARIZËM I KEQDREJTUAR KULLASH, nga Skënder Luarasi, arkitekt, pedagog dhe eseist, që aktualisht drejton drejton Fakultetin e Kërkimit dhe Zhvillimit në Universitetin POLIS në Tiranë.

Mes reagimeve ndaj këtij botimi, më tërhoqi vëmendjen njëri që qortonte revistën tonë, pse i kishim bërë vend një autori dhe një eseje që, sipas reaguesit, binte ndesh me qëndrimet tradicionale, të shprehura në “Peizazhet”, për çështjet e trajtuara në ese. Qenkësh detyrim i revistës sonë, sipas këtij kolegu, që të tregonte kujdes ndaj botimeve të tilla, që “legjitimonin të keqen” dhe mund të kanalizonin drejt lexuesit “propagandë helmuese”.

Në fakt, ne e mirëpritëm esenë e Luarasit, ngaqë i plotësonte standardet tona për cilësi, por edhe nisur nga kredencialet e autorit; gjithnjë kemi dashur që faqet tona të tërheqin ekspertët, të cilët ta shfrytëzojnë revistën tonë, për të komunikuar me publikun. “Peizazhe të fjalës” nuk është, megjithatë, revistë e arkitekturës dhe as manifest i lëvizjes politike të momentit;  e shumta që mund të bëjmë në kontekste të tilla, është të ofrohemi si platformë për debat.

Dhe, për fat të mirë, eseja e Luarasit nxiti debat, ku ndërhynë, me komente të gjata në revistën tonë, të paktën tre profesionistë të fushës, përfshi këtu edhe autorin. Krahas artikullit vetë, edhe debati – që tashmë do ta shoqërojë sa kohë që të jetë funksional arkivi i revistës – do t’u shërbejë lexuesve të interesuar për t’u njohur me problematikat e urbanistikës së qendrës së Tiranës.

Janë me dhjetëra shkrimet me këtë temë, që ka botuar “Peizazhe të fjalës” në rrjedhë të viteve. Një pjesë e mirë e tyre kanë përfunduar në botime të ndryshme, me dhe pa lejen tonë. Ato janë shfrytëzuar nga shoqëria civile dhe politika, dhe u janë sugjeruar studentëve si literaturë. Edhe kontributi i tanishëm i Skënder Luarasit do të bëjë, tash e tutje, pjesë te ky kontribut i vijueshëm që jep revista, për debatin publik.

Si botues i revistës, unë e falënderova autorin që mori pjesë në diskutimin pasues, duke mbrojtur qëndrimet e veta dhe duke ndihmuar për ta pasuruar më tej eksperiencën e lexuesit. Përtej atyre që duan ta përdorin revistën tonë për synime të politikave të ditës, ka një kategori përdoruesish që e kanë vlerësuar dhe, shpresoj, do të vazhdojnë ta vlerësojnë jo vetëm si platformë debati, por edhe si arkiv të mendimit kritik, ku edhe plaçkitësve u lejohet të ndalojnë pak vrapin, të rregullojnë frymën dhe t’i lexojnë ato që vjedhin.

Në kundërshtim me tallavanë e akuzave dhe të kundërakuzave të talk show-ve dhe të portaleve të reja e të vjetra, që njëlloj si futbolli narkotizojnë vetëdijen publike 24 orë në ditë; dhe që tashmë e kanë degraduar ballafaqimin e ideve në një shkëmbim të përshtatshëm për sallat e gjyqeve ku flitet rëndom jo më për qëndrime por për krime; revista “Peizazhe të fjalës” ende shpreson se ka vend, në debatet, për kundërvënie të tilla që të mos synojnë as urojnë arrestimin dhe burgosjen e kundërshtarëve, në mbyllje të argumenteve (dhe të dritave të skenës).

Mbase kështu do të ndihmohet sado pak edhe vetë sistemi gjyqësor që të bëjë punën e vet.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

4 Komente

  1. Përshëndetje Ardjan,

    Po lë këtë koment thjesht sepse dua të reagoj tani, dhe jo të pres më vonë, deri sa të piqet një shkrim në lidhje me temën e nxehtë të hapësirës publik në Tiranë.

    Autori i shkrimit në fjalë ka patjetër si të drejtën si aftësinë për të artikuluar një qëndrim mbi sheshin, kullat, planet, Tiranën.

    Personi që ka reaguar në lidhje me botimin e shkrimit mendoj se artikulon atë këndvështrimin gjithmonë e më të trembur të atyre njerëzve të cilët mendojnë se hapësira publike, ose harroje publike, thjesht hapësira e pambushur me shumëkatëshe në Tiranë, kërkon një qëndrim të unifikuar, sidomos nga profesionistët që nuk janë pjesë e projekteve për zënjen e tyre, kundër mbushjes të këtyre hapësirave.
    Është një zë i cili në mënyrë paranojake – në kuptimin e mirë të fjalës – për mua, shpreh habinë sesi këta profesionistë mund të jenë kaq indiferentë, në fakt pozitivë, ndaj kullës të rradhës në mes të qendrës.

    E thënë ndryshe, janë zëra të dalë nga mendje që kanë perceptuar se zënja e hapësirës mund të mos ketë të ndalur!

    Për më tepër janë zëra që shprehin habi sesi një forum tirandashës – romantik për shtëpitë e qerpiçit, për ndërtimet e kohës të Italisë, për baçet, për pamjet e pejsazhit që rrethon Tiranën, për sheshet e rrugicat, si ky i Pejsazhit mundet të “lejojë” artikulimin pa sfidë të mendimit. Pa sfidë!

    Mendoj se edhe pse jam komentues – një tjetër – i atij shkrimi, komentet janë tjetër gjë nga shkrimi. Arkivat tuaja të kenë jetë, por shkrimi është ai që ka peshë.

    Do të kishte qenë ndryshe, nëse ju, si të zotët e shtëpisë, do të kishit ftuar disa këndvështrime njëherazi, pra të kishit organizuar një “numër” të Peizazheve, dedikuar sheshit, kullës, kullave, planit e planeve, vilave e parkut!

    Unë vetë kam patur eksperiencën të jem pjestar i diskutimeve për planin e studimet apo edhe projektet individuale me “spec” në Tiranë. Është e çuditshme sesi armata e ndërtimtarëve, lejemarrësve e lejedhënësve prodhon argumenta “mahnitës” dhe “shushitës” kundër zërave që kanë rezervime ndaj këtij apo atij zhvillimi. E teksa avalanshi i “pro” zhvillimit rritet e rritet, zërat kundër kapen akoma më shumë në befasi kur ata që mendonin se i kishin me vete, ndërrojnë qëndrim!
    E në këtë proces, fjala e pejsazhet e saj ka peshë e forcë, po aq sa leku e pushteti! Pra nuk mbetet vetëm fjalë apo mendim, po bëhet pjesë e procesit të betonizimit!

    Mendoj se këtë ka pasur në mendje komentuesi!

    Gjergj Bakallbashi

    Master në Arkitekturë nga Graduate School of Design, Universiteti i Harvardit
    Pjesëmarrës ne projektin “Cities and their Specificity” drejtuar nga Jacques Herzog and Pierre de Meuron
    Ish-Drejtor i Departamentit te Planifikimit e Arkitekturës në Bashkinë e Tiranës
    Pjesmarres në hartimin e planit për Tiranën 2013 si dhe për Planin Tirana 2030
    Hartues i një sërë studimeve urbane për zhvillimin e zonave të ndryshme të Tiranës

    Kurator i Pavionit të Parë Shqiptar në Bienalen e Arkitekturës në Venecie, 2010
    “Arkitektura dhe Ngjyrat e Saj”

    Nominues i projektit aktual për Sheshin Skenderbe për Cmimin e Hapësirës Publike
    nga Fondacioni “Public Space Prize” në Barcelonë

    Autor i botimit nga Universiteti Teknik i Mynihut “Next Tirana”, me studime mbi densifikimin e Tiranës
    dhe komfortin klimatik dhe urban (Bakallashi dhe Thomas Auer, Transsolar)

    1. Përshëndetje! Dyert e revistës kanë qenë të hapura për kontribute, veçanërisht nga profesionistë të fushës. Natyrisht, është më lehtë të komentosh, se të artikulohesh në një ese të mëvetësishme, por në revistë ka vend edhe për esenë, edhe për komentin; dhe shpesh këto nxitin njëra-tjetrën. Në asnjë rast nuk kemi penguar njeri, që të shprehet për temat e debatuara – shkrime më vete, dhe komente; dhe zakonisht nuk e kemi vonuar botimin përtej një minimumi redaksional të domosdoshëm. Nga eksperienca që kam me revistën, të siguroj se debatet, edhe në rang shkrimesh, janë ndezur për bukuri, kur ka pasur palë të interesuara dhe me gjëra për të thënë. Natyrisht, një shkrim nuk i zë kurrë hapësirë një tjetri, sepse ndryshe nga ç’ndodh me trojet e ndërtimit në kryeqytet, hapësirën në “Peizazhet” e krijojnë kontributet vetë. Ky është modeli që kemi adoptuar, sepse na pëlqen, por edhe sepse është i vetmi i mbajtshëm (sustainable) për redaksinë dy-vetëshe që kemi.

    2. Ka ndonje studim mbi efektin e deritanishem per mire apo per keq te kullave ne urbanistiken e jeten e Tiranes ?
      Ky problemi i masakres urbane ka 30 vjet qe vazhdon po te perfshijme edhe periudhen komuniste behen rreth 80 vjet histori ndertimesh te shemtuara .Ne 30 vitet e fundit kemi liri fjale por duket se s’ben asnje dobi .populli flet c’te doje ,qeveria ben c’te doje.Cfare mekanizmash parandaluese duhet te krijojme si shoqeri ne menyre qe nje grusht i vogel te mos bejne c’te duan me nje hapesire e cila iu takon te gjitheve ?

    3. Gjergji, përshëndetje sërish! Iu ktheva edhe njëherë komentit tënd, për të lexuar sa më poshtë:

      teksa avalanshi i “pro” zhvillimit rritet e rritet, zërat kundër kapen akoma më shumë në befasi kur ata që mendonin se i kishin me vete, ndërrojnë qëndrim! E në këtë proces, fjala e pejsazhet e saj ka peshë e forcë, po aq sa leku e pushteti! Pra nuk mbetet vetëm fjalë apo mendim, po bëhet pjesë e procesit të betonizimit!

      Dhe për të vënë re, pak me vonesë, se ke aluduar haptazi që revista jonë – të paktën për zërat kundër – qenka “bërë pjesë e procesit të betonizimit”.

      E kuptoj që disa e kanë thjesht të pamundur të kuptojnë si një revistë mund të jetë e hapur për opinione të kundërta dhe se qëndrimet e drejtuesve të revistës, si autorë dhe zëra në debatin publik, nuk janë identike me “qëndrimet” e revistës.

      Unë si A.V. kam shkruar me dhjetëra ese ku kam shprehur si e mendoj unë, nga pikëpamja e një qytetari të Tiranës, zhvillimin urban të kryeqytetit këto 100 vjet, veçanërisht të qendrës. Kam shkruar për kullat dhe sidomos për sheshin “Skënderbej”.

      Qëndrimet që kam shprehur në vite nuk më pengojnë, megjithatë, që t’u hap vend – si botues i revistës – qëndrimeve të kundërta.

      Do të doja që atë “peshë e forcë” për të cilën ti flet ta kish fjala e autorëve që shkruajnë te Peizazhet, jo revista vetë. Revista nuk është organ i ndonjë partie ose lëvizjeje dhe as mund të rekrutohet si e tillë. Ata që mendojnë se “na kishin me vete”, siç shprehesh ti, e kanë lexuar realitetin gabim. Janë të lirë t’i bëjnë të tyret idetë dhe kritikat tona, por jo të na llogaritin si municion ose kapital të tyrin.

      Kam vënë re që këtë gabim po e bëjnë pak si shumë palë, kohët e fundit. Dhe me të njëjtën metodë: u afrohen “Peizazheve”, botojnë atje ndonjë gjë, lënë komente në faqen tonë në FB, farkëtojnë miqësi herë reale e herë imagjinare, pastaj – në momentin kur perceptojnë se jemi shmangur prej interesave të tyre të ngushta ose private – ndihen të tradhtuar dhe e shprehin zhgënjimin e tyre në publik dhe na quajnë pa integritet. Ndonjë QURRASH na quan edhe “të shitur”.

      Në fakt, kur e lë derën hapur, do të futen brenda edhe miza gjithfarësh, mushkonja, grenxa dhe minj. Është një rrezik dhe një e keqe që e kemi marrë parasysh, madje edhe kur u kemi dalë zot këtyre insekteve, sa herë që të tjerë i kanë sulmuar, për çfarë kanë thënë e botuar te ne, DUKE PËRFITUAR nga politika jonë e të qenit të hapur ndaj shkrimeve kritike.

      Sa për betonizimin, ne nuk jemi pjesë. Janë të tjerë ata që e kanë lejuar e përshëndetur dhe madje janë PASURUAR nëpërmjet tij, madje edhe kur e kanë kundërshtuar ndonjëherë. Betonizimi, në vetvete, është proces teknologjik që u duhet atyre që ndërtojnë – dhe faji për betonizimin e Tiranës u bie jo ndërtuesve, por atyre që i kanë lejuar dhe autorizuar ndërtuesit për të bërë atë që kanë bërë. E kam fjalën për AUTORITETET PUBLIKE.

      Gjergji, ti thua se ke qenë drejtor i departamentit të planifikimit e arkitekturës në Bashkinë e Tiranës, pjesëmarrës në hartimin e planit për Tiranën 2013 si dhe për Planin Tirana 2030, hartues i një sërë studimeve urbane për zhvillimin e zonave të ndryshme të Tiranës dhe nominues i projektit aktual për sheshin Skënderbej për çmimin e hapësirës publike nga fondacioni “public space prize” në Barcelonë. Prandaj e njeh shumë më mirë se unë, madje edhe se Skënder Luarasi (besoj), si ndodhi që Tirana u katandis në një xhungël betoni këto vjetët e fundit.

      Do të ishte me interes të madh për publikun që, përtej polemikave me Luarasin, të rrëfeje për lexuesin tonë – por edhe për lexuesin në përgjithësi – betejat e tua, në mbrojtje të Tiranës së jetueshme, Tiranës së qytetarëve dhe të qerpiçit, e kështu me radhë, kundër betonizimit. Ata që tani supozohen, prej teje, të dyshojnë se Peizazhet është bërë “pjesë e betonizimit”, me siguri do të dyshojnë, sipas logjikës sate, se ti je një nga përgjegjësit, që e ke lejuar këtë proces, në mos ke përfituar prej tij. Ti ke qenë aty, në sallën e kontrollit, ku janë miratuar (mbase edhe formalisht) të gjitha ato abominacione, për të cilat protestojnë sot “të zhgënjyerit” nga politikat botuese të Peizazheve (mbase edhe ti vetë).

      Si autor, unë kam kritikuar jetueshmërinë e Tiranës dhe semiotikën urbane, por nuk kam treguar njeri me gisht – sepse nuk jam në gjendje ta bëj në mënyrë profesionale. E shumta, arrij të kuptoj se nuk ka ndërtim domethënës në Tiranë, që të mos bëhet pa bekimin e autoritetit bashkiak, dhe se kjo ka ndodhur edhe kur ti ke qenë pjesë e atij autoriteti. Sheshi “Skënderbej”, për të cilin ti ke ndihmuar që të jepet çmimi në Barcelonë, e ka shkatërruar përjetimin prej meje të qendrës së qytetit ku kam kaluar gjysmën e jetës; dhe mbase jo vetëm timen – nuk kam dëgjuar njeri që ta lëvdojë, përkundrazi.

      Nuk dua të gjykoj. E shumta, të ftoj që ta rrëfesh eksperiencën tënde si pjesë e autoritetit dhe në përballje me autoritetin; qoftë edhe dilemat e tua, nëse ke pasur. Megjithë luhatjet dhe defektet e veta, reale ose të perceptuara ose të sajuara, revista “Peizazhet” do të mbetet e hapur për penën dhe fjalën tënde.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin