ZGJIDH E MERR, KEMI VETËM TURLI

Kur flasim dhe komentojmë për personalitete publike ose të paktën të ekspozuara publikisht, duhet të pyesim – të paktën – se kush po ia jep tonin muhabetit. Sepse për dikë mund të flitet në mënyra të ndryshme: për shembull, për një artist, mund të komentohet vepra e tij, ose ndikimi i tij tek të tjerët, ose sukseset e tij në vend ose në botë; por mund të flitet edhe për raportet mes biografisë së tij dhe veprës; sikurse mund të përqendrohet vëmendja në banalitete të jetës private, ose kuriozitete rozë. Pyetja këtu është se kush e vendos se ku do të bëhet fokusimi dhe pse. Një përgjigje e parë do të ishte se kjo varet nga çfarë dëshiron publiku; mirëpo publiku nuk është homogjen, edhe pse çdo media kërkon ta homogjenizojë publikun e vet. Ka njerëz që nuk duan t’ia dinë se çfarë ka bërë filan artist, ose kë ka dashuruar dhe pse, dhe ku ka punuar kur ka qenë në mërgim; por janë të interesuar për artin përkatës dhe për vlerat; prandaj le të shohim se sa janë të interesuara mass mediat për t’u folur këtyre njerëzve. Sepse iluzioni i një publiku homogjen nuk është veçse një simptomë e homogjenizimit të mediave vetë. Të cilin e përfton obsesioni me tregun, por edhe niveli i mjeruar i profesionistëve në mediat, të cilët shpesh zgjedhin si model për të ndjekur dhe imituar një paparazzo çfarëdo, dhe kujtojnë se po bëjnë detyrën ndaj publikut kur në fakt janë thjesht duke u parë viktimave të tyre “poshtë fustanit” (ku zakonisht nuk ka asgjë). Ky lloj komunikimi modelohet sipas tregut jo vetëm ngaqë kërkon paranë, por edhe ngaqë vlerat artistike (dhe morale) të protagonistëve ofrohen për shitje sikur të ishin mallra dhe shërbime; në kuptimin që një artist ose intelektual publik qëllon të lejojë (në mos edhe të nxitë a të kërkojë vetë) që imazhin t’ia trajtojnë me të njëjtën teknikë siç e trajton imazhin e vet edhe një show girl çfarëdo, para se të dalë në skenë (ose në ekran); pa e kuptuar se dallimi midis njërës palë dhe tjetrës, edhe pa u moralizuar fare, është i rëndësishëm; meqë një artist, një intelektual, një politikan dhe një show girl pritet të ofrojnë vlera cilësisht të ndryshme, pavarësisht nga tregu dhe paratë që ndërrojnë duar dhe portofole. Ngaqë kjo as ndodh dhe as përfillet, qëllon që një artisti publiku të mos i njohë asnjë vepër dhe të mos ketë kuriozitet t’ia njohë, por t’i dijë hollësi të papërfillshme të jetës private dhe të incidenteve personale, sepse ato ia kanë ofruar bujarisht televizioni, tabloidët, portalet dhe rrjetet sociale; pa çka se ky artist ka fituar prominencë mediatike brenda ose jashtë vendit për vlerën e veprës së vet, jo për aventurat private. Kjo të paktën do të pritej, në të gjitha ato raste kur personi publik në fjalë kujdeset që të ruajë një farë distance nga, të themi, modeli i Kim Kardashian-it, i cili kultivohet vërtet me sukses, por në një mjedis krejt të ndryshëm nga ku kultivohet, sërish të themi, modeli i Clarice Lispector-it. Sërish, ka vend në këtë botë edhe për këpucët me taka, edhe për çizmet e dëborës, edhe për nallanet e drurit, edhe për këpucët e baletit, edhe për atletet e modës; por zgjidhja inteligjente është te aftësia për të zgjedhur dhe kombinuar. Si edhe herë të tjera, problemi i medias tek ne – një nga shumë problemet – është paaftësia për të diferencuar, ose vendosja në të njëjtin plan diskursiv e, të themi, Rita Orës dhe Inva Mulës; në një kohë që suksesi edhe i njërës dhe i tjetrës presupozon kundërvënien a kontrastin mes tyre dhe artikulimin në plane të ndryshme të komunikimit. Përndryshe, besimi idiot se jeta private e një shkrimtari, e një artisti, e një personaliteti kulturor, do të jetë të paktën po aq e thellë dhe e pasur sa edhe vepra, ka krijuar keqkuptime të frikshme dhe, në analizë të fundit, e ka ndarë një lloj publiku nga veprat përkatëse; duke i bindur disa se thashethemi për njerëz të kulturës është edhe ai kulturë. Zgjidhja? Përtej nivelit profesional të medias që është ai që dimë dhe pritjes që personaliteti në fjalë të ndërrojë jetë (larg qoftë), vështirë edhe që diferencimi do të ndodhë vetvetiu, në afat të gjatë ose në mënyrë darviniane; togfjalëshi “me afat të gjatë” nuk mund të ketë më kuptim për ejakulatorët e parakohshëm që e kanë zaptuar diskursin publik sot tek ne.


© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet riprodhimi në mediat pa lejen e një administratori të faqes.

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: