HISTERIA NUK ËSHTË DIJE

Edhe pse histeria sot është vjetruar si term i psikiatrisë, fjala ende shërben për të cilësuar një reagim emocional të tepruar, që i detyrohet keqkuptimit, ekzaltimit ose ndonjë faktori tjetër pa lidhje. Ky lloj reagimi është ngjitës.

Disa nga reagimet më të zhurmshme të këtyre ditëve, për disa lajme zbulimesh shkencore dhe hipotezash të reja për origjinën indo-europiane të shqipes, i përkasin kësaj kategorie: histerike. Dhe edhe më shumë të tilla janë sulmet, prej të ekzaltuarve, kundër atyre që kërkojnë të sjellin sado pak arsye në këtë delir.

Akuzat e tipit: “pse ia prishni gëzimin popullit?”

Kjo mesele nisi me një zbulim arkeologjik prej një ekipi shqiptaro-zviceran, në Lin të Pogradecit, ku një vendbanim palafit sapo u datua, me radio-karbon, si 7500-vjeçar. Këtë zbulim e lajmëroi deri edhe kryeministri Rama në rrjetet sociale.

Vendbanimi u quajt, prej specialistëve, si “më i vjetri i llojit të vet në Europë.” Bukur.

Pas pak ditësh, ia behu një artikull i botuar në revistën Science, ku autorët formulonin dhe mbronin një hipotezë të re, për shtegtimin e gjuhëve (dhe popujve) të familjes indo-europiane. Mes implikimeve të hipotezës, ishte edhe kjo që gjuha shqipe, së bashku me greqishten dhe armenishten, ishin shkëputur më herët prej zonës së origjinës – për t’u zhvendosur drejt Perëndimit. Kjo shkëputje e shqipes paskësh ndodhur dikur para 6000 vjetësh.

Mes zbulimit arkeologjik në Lin dhe hipotezës së formuluar në Science nuk ka ndonjë lidhje, veç asaj që të dyja u referohen realiteteve prehistorike të largëta. Me shumë gjasë, banorët e palafiteve të Linit nuk kanë qenë indoeuropianë dhe nuk e flisnin shqipen e hershme.

Që territori shqiptar banohej në parahistori, kjo në vetvete nuk është arsye për entuziazëm, dhe aq më pak për të festuar. Vendbanimi i Linit është me interes të madh për arkeologjinë, por nuk më duket se ka ndonjë lidhje me “etnogjenezën” e shqiptarëve.

Mjaft të përfytyrojmë se sikur ky zbulim të ish bërë në bregun përballë të liqenit të Ohrit, askujt nga populistët tanë nuk do t’i ishte bërë vonë.

Por territori i sotëm i Shqipërisë – gjeografike – është fryt kompromisesh, arbitraritetesh dhe intrigash politike; dhe fakti që një zbulim arkeologjik sado i pashembullt qëllon të bëhet brenda kufijve shtetërorë, nuk mjafton për ta përfshirë me zulmë në narrativën kombëtariste.

A këndoi e festoi njeri për këto dy lajme? Mbase kënduan e festuan priftërinjtë e kombëtarizmit folklorik, të cilët çdo gjurmë lashtësie e shohin edhe si provë të natyrës “hyjnore” të shqipes; sikurse kënduan e festuan edhe të gjithë ata që kombëtarizmin e kanë vënë në shërbim të orientimeve të tyre strategjike kundër “grekut” dhe “serbit”.

Me fjalë të tjera: kënduan e festuan të gjithë ata intelektualë publikë, përfshi këtu edhe ca kalemxhinj, llafazanë, demagogë, mistifikues dhe përrallëtarë, që shqiptarinë duan ta përdorin për të rritur e forcuar statusin e vet prej tribuni e profeti.

Kësisoj, diskursi mediatik rreth lashtësisë së shqipes, i nxitur nga artikulli në Science dhe zbulimi arkeologjik në Lin, u zhvendos në rrafshin irracional, teksa lexuesit iu shërbyen edhe një herë “algoritmet” dhe alkimitë për shqipen hyjnore.

Prej vitesh kam shprehur shqetësimin se mefshtësia e institucioneve akademike, duke filluar nga ASA por edhe nga vetë Akademia e Shkencave; dhe indiferenca e tyre – ndoshta e studiuar – për të mos u përfshirë institucionalisht në diskursin publik rreth historisë dhe para-historisë së shqipes dhe të shqiptarëve, ka krijuar një zbrazëti, të cilën po e mbushin dora-dorës amatorët, crackpots, shamanët e rremë dhe sharlatanët, me namatisjet e tyre alternative.

Kjo që po ndodh tani, ose rikthimi me bujë i tribalizmit magjik, në mënyrën si po i jepet dhe përshkruhet publikut historia kombëtare, është pasojë edhe e zbythjes së racionalitetit dhe gjykimit kritik nga debatet. Në shumë kontekste, ai lloj diskursi që mund të tingëllojë ende si historicist, po merr ngjyra të vrazhda etnocentrike, idolatrike dhe mistike.

Edhe më shqetësuese është frika e atyre që mund të bënin diçka për ta ndalur këtë molepsje mendjesh, tërheqja, dhe bindja se diskursit racional nuk i ka mbetur më vend në hapësirën publike.

Artikulli në Science mbronte – incidentalisht – hipotezën se shqipja e hershme ka ardhur në Ballkan duke i rënë nga Azia e Vogël, ose pa kaluar në stacionin e ndërmjetëm të stepës euraziatike. Kjo hipotezë mund t’u interesojë indoeuropianistëve, por nuk shoh si dhe pse mund të entuziazmojë publikun shqiptar sot. Edhe sikur shqipja të kish ardhur nga stepa pontike-kaspiane, bashkë me gjuhë të tjera si ato italike, sllave, kelte, gjermanike e të tjera, shtegtimi i saj do të ketë nisur mijëra vjet më parë, në realitete praktikisht të papërfytyrueshme. “Vjetërsia” e shqipes nuk mund të ndahet nga periudha e dyndjeve indoeuropiane dhe e krijimit të hartës gjuhësore të Europës, siç është ajo në vija të trasha edhe sot.

Incidentalisht, konsolidimin e indoeuropianëve në Ballkan ka dijetarë që e shoqërojnë me fillimet e Epokës së Hekurit, rreth 1000 vjet p.e.s. Të tjerë dijetarë, mbase me më shumë arsye, flasin për kultura proto-ilire të Epokës së Bronzit (2600-2400 p.e.s.)[1]. Të krahasohen këto datime me 6000 vjetët e supozuara në Science për shkëputjen e shqipes nga familja indo-europiane…

Dua të them, me këtë, se më shumë edhe se e vjetër, shqipja është gjuhë indoeuropiane; marrëdhëniet e saj me gjuhët simotra brenda familjes janë shumë më të rëndësishme, për albanologjinë, se kronologjia detyrimisht spekulative e shkëputjes së saj nga “trungu” i përbashkët.

Në gjithë këtë mesele, të vetmit që mund të gëzohen janë ata dijetarë që e kanë dyshuar këtë lloj shtegtimi të shqipes së hershme nga lindja drejt perëndimit, edhe para se të dilte artikulli në Science.

I njëjti argument vlen edhe për zbulimin arkeologjik në Lin. I rëndësishëm, vërtet, për historinë dhe kronologjinë e qytetërimit të palafiteve në Europë – dhe arsye e përligjur hareje për ekipin që e arriti, dhe institucionet përkatëse, që e mundësuan dhe mbështetën financiarisht projektin. Por le të mos ushqejmë iluzione dhe histeri të kota: palafitet e Linit (para-neolitike) vështirë të kenë gjë të bëjnë me etnogjenezën shqiptare dhe indoeuropianët në Ballkan.

Ka njerëz që ekzaltohen vetvetiu, sa herë që dëgjojnë se diçka qenka “e vjetër” – kjo duhet të ketë lidhje me botëvështrimin e tyre specifik dhe bindjen aksiomatike se e vjetra ka përparësi ndaj së resë, dhe se bota që pas krijimit të saj ka ardhur duke u rrokullisur teposhtë.

Kjo lloj histerie e tyre mbase duhet mirëkuptuar, por jo respektuar, as mbrojtur, dhe aq më pak marrë si shenjë dhe provë virtyti.

Për mua, të gjithë që nanurisen me përrallat e shqipes kozmike, janë në kërkim të dëshpëruar të një feje surrogato – prandaj edhe e trajtojnë identitetin kombëtar si të ishte përkushtim i përshpirtshëm; dhe shqiptarinë e përfytyrojnë si virtyt, në mos si mision.

Të tillë ka pasur gjithnjë dhe do të ketë; çfarë më tërheq vëmendjen tani, është agresiviteti i tyre dhe gatishmëria për t’i dalë ballë për ballë dijes akademike dhe për ta poshtëruar këtë si tepër të drojtur, në mos fare të shitur tek armiqtë e shqiptarëve. Mediat u kanë hapur dyert tej e tej, rrjetet sociale u shërbejnë si hapësira rekrutimi për kryqëzatat e tyre anti-dije. Po të gjykohej dija me votë, edhe albanologjinë do ta kish zëvendësuar tashmë kisha e tyre kombëtariste – që i ka gati edhe skripturat, edhe martirët, edhe profetët e vet.

Shqiptarët tradicionalisht i kanë dashur dhe respektuar mësuesit, por tani shkolla, universitetet dhe Akademia praktikisht janë dorëzuar para kësaj feje surrogato, që kërkon t’i zëvendësojë mësuesit me predikues mbase ngashënjyes, por intelektualisht zbatharakë. Nëse kam ende shpresë, e kam tek ata pak individë të ndriçuar, që ende kanë zemër dhe forcë, për ta sfiduar tribalizmin, dhe që do të dinë ta gjejnë dhe ta mbështetin njëri-tjetrin, edhe pse të braktisur prej institucioneve të tyre dhe politikës rigorozisht populiste.

Kohët janë të errëta – por qirinj ende kemi.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Studimet gjenetike të kohëve të fundit duket se po dëshmojnë një vijueshmëri në paternal ancestry mes shqiptarëve të sotëm dhe popullatave të Epokës së Bronzit në Ballkan, përfshi këtu edhe ilirët.

 

11 Komente

  1. Bukur! Ne cilësinë e kerkuesit dhe koleksionistit te gupshkronjave ne epigrafine e lashte te mesdheut, me 7 tetor jam i tuar ne Paris ” Maisone d’Albanie” (qendra e nje shoqate kulturore te shqiptareve ne France), per të nxjerre ne drite rezultatin e kerkimit te fjaleve te leksikut te gjuhes se sotme shqipe, ne nje dokument te shek VI aC. Ilir Mati. Instituti i Studimeve Etruske i Tiranës (pranë Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor e Re). Në se jeni të interesuar, se si e aysh punojmë për t’i dhënë përgjigje pyetjes “a ka në epigrafinë prehistorike te Mesdheut, në përgjithësi, dhe në epigrafinë e gjuhës quajtur etruske, në veçanti, grupshkronja të cilat japin fjalë të sakta të leksikut të gjuhës shqipe”, mjafton të shkruani në adresën ilirmati@yahoo.com Ps. është kënaqesi për mua kontakti me “Pejzazhe të Fjalës”.

  2. “Mori fund konspiracioni i madh kundër gjuhës shqipe,” shkruan, ndër të tjera, Prof. Përparim Kaboja. Sipas tij, akademikët e viteve shtatëdhjetë, “me yshtje nga jashtë”, i prishën familjen dhe e rënduan me punë galere (përkthime të normuara) Petro Zhejin vetëm e vetëm që t’ia shternin energjitë dhe ta shpërqendronin nga misioni hyjnor. Një qasje kjo, do të shtoja unë, shumë diabolike, pasi verbimi dhe helmimi, këto metoda të sprovuara bizantine, që akademikët vllaho-ortodoksë duhet t’i kenë njohur shumë mirë, mund ta shndërronin të adhurueshmin Petro në martir.
    “Adhurim për ty, Petro Zheji!”, e mbyll hagjiografine e vet professor Kaboja, ndërsa neve, vdekatarëve të thjeshtë, s’na mbetet veçse të përulemi para madhështisë.

  3. Sa i përket qëndrimit të Akademisë dhe atij institucional në përgjithësi, kam përshtypjen se nuk vjen aq nga mefshtësia sesa nga vetë ontologjia e këtyre institucioneve dhe pozita relative ku kanë rënë sot mes shtetit dhe masave. Ose ndoshta mefshtësia e tyre është në masë të madhe pasojë e këtyre të fundit. Institucionet moderne të dijes, veçanërisht akademitë e shkencave, u zhvilluan nën patronazhin e shtetit, të barsura me axhenda politike sipas vendit, shpesh në kontekste shtetformimi e kombformimi, si dhe para masivizimit të shkollës, domethënë para se perceptimi i kahershëm hierarkik për dijen të shndërrohej në një kullotë egalitare. Që atëherë, raportet brenda këtij trekëndëshi kanë ndryshuar shumë. Shteti nisi ta barte axhendën politike tek masat në mënyrë gjithnjë e më të drejtpërdrejtë, kurse në arenën e jashtme, me stabilizimin politik të kufijve shtetërorë, mitologjitë kombëtare e humbën peshën, reale ose të perceptuar, në mosmarrëveshjet ndërkombëtare. Prandaj në vendet pa ndonjë axhendë apo trashëgimi të thellë politike përtej nacionalizmit, këto institucione kanë përfunduar në platforma dytësore të axhendave politike kombëtare, në rastin më të mirë, apo thjesht si relike që mbahen gjallë nga halli ose për inerci. Përndryshe shtetit, konkretisht absolutisht asnjë shteti në botë, nuk i intereson dija e kulluar apo e vërteta aq sa të investojë në të e të mirëmbajë institucione për hir të saj. Nga ana tjetër, ngarkesa politike tashmë u ka kaluar masave, të cilat tek institucionet e dijes shohin vetëm përmasën që u flet atyre, atë politike, që në fakt është përmasa thelbësore e tyre. Me fjalë të tjera, masat nuk janë aspak të papërligjura, psikologjikisht, në kërkesën dhe pritmërinë e tyre që institucionet e dijes t’i shërbejnë “çështjes kombëtare” dhe as në përtypjen politike të çfarëdo dijeje që kullon nga lart. Kjo, mendoj, është gjëja e parë që duhet kuptuar mirë në këtë mes(s).
    Problemi i dytë dhe më madhor ka të bëjë me vetëperceptimin e akademikëve dhe të akademisë, të cilët priren ta anashkalojnë dhe relativizojnë patronazhin ose partneritetin politik që i ka sjellë në jetë e i mban gjallë si dhe axhendën politike që i përshkon fund e krye, me iluzionin se, krahas politikës si një çmim i pashmangshëm, në thelb i shërbejnë një dijeje të kulluar që ua jep, ose duhet t’ua japë, statusin e respektuar tek masat. (E ngjashme me këtë është edhe apologjia e zakonshme që i bëhet letërsisë dhe artit të periudhës komuniste në Shqipëri, se duhet t’i vlerësojmë për vlerat e kulluara estetike duke ua anashkaluar axhendën politike.) Problemi është se dija apo estetika e kulluar, në ekzistofshin, nuk kanë asnjë sublimitet në vetvete dhe asgjë që të meritojë interes, respekt apo fonde publike. Në mungesë të një kornize kuptimore apo të një teleologjie që e transhendon atë vetë, të një shpirti po deshe, hulumtimit të parahistorisë, si një dije pa domethënie praktike, vështirë se mund t’i njohësh më shumë vlerë sesa zgjidhjes së fjalëkryqeve. Sigurisht, çdo gjë ka shpirt dhe prandaj funksionon, qoftë për mirë apo për keq, por problemi është se dija moderne shpirtin e saj më një anë ia ka shitur politikës (djallit) që në krye, e më anë tjetër, si laike, pretendon se nuk e ka pasur kurrë e nuk e ka, siç nuk e ka asgjë tjetër që përbën subjektin e saj. Në këtë mënyrë dija minon vetveten dhe, statusin që nuk e arrin dot më me thelb, kërkon ta arrijë si kult. Se sa ia arrin, kjo varet nga vendi e kuvendi, por në përgjithësi shkenca moderne nuk është më pak kult sesa nacionalizmi vulgar. Ç’është më e keqja, mbi të gjitha është kult për vetë njerëzit e shkencës. Feja e akademikut është akademia, tha.
    Si përfundim, modestisht do të të sugjeroja të mos e shpërfillje fare atë idenë e rrokullisjes nga Adami e këtej…

    1. Më pëlqeu shumë ky koment – aq sa do ta kisha dashur si shkrim në “Peizazhet”. Kur po e bëja shkrimin tim dje, në pikë të sabahut, e kisha shënuar që të shtoja edhe se, gjendja e sotme e mjeruar e opinionit publik për kombin dhe kombëtaren (jo atë futbollit!!!), është edhe dështim i FESË – sepse idiotizmat që dëgjojmë janë (për mua) edhe një përpjekje verbërisht për t’u futur në atë hapësirë që dikur pritej ta zinte feja. Por pastaj e lashë këtë muhabet, sepse nuk doja të vija edhe një institucion tjetër në shënjestër, pas AKADEMISË… Aq më tepër që këtë të fundit e kam më lehtë ta qortoj, sepse ende ndihem i lidhur me të.

      1. Faleminderit për vlerësimin. Në fakt edhe vetë e mendova që komenti i mësipërm do t’ia vlente si shkrim më vete, po tek “Peizazhet”, por nga ana tjetër ndihem më komod tek hapësira e komenteve, për çka të falënderoj gjithashtu që e ke ofruar si mundësi.
        Sa i përket fesë, kjo fillimisht ka humbur në rivalitetin me shtetin, apo pushtetin, për hapësirën që duhej të zinte, siç kanë humbur, bashkë me të, edhe familja e komuniteti, ose “sheshi përballë kullës”, me metaforën e Niall Ferguson-it që e ke trajtuar në një shkrim më parë. A mund të kishte ndodhur ndryshe? Kjo është një pyetje po aq e vështirë, në mos e pamundur, sa pyetja “A mund të kishte ndodhur që Adami të mos e hante mollën?” Sërish, më e sigurt më duket “rrokullisja”…

  4. ..”Problemi është se dija apo estetika e kulluar, në ekzistofshin, nuk kanë asnjë sublimitet në vetvete dhe asgjë që të meritojë interes, respekt apo fonde publike…”

    Problemi eshte se pa dije dhe estetike nuk ka as shtet dhe as shoqeri, dhe as edukim. Dhe e ardhmja jote ( e popullit tend) merr e shkon ne nje rruge natyrale. Si vegjetimi qe mbulon cdo relike qyteterimi te braktisur e te mos perdorur me.
    Pa to ti perfundon sic kane perfunduar shqiptaret qe nuk lene ” hapesire” pa mbushur me grafiti dhe tags ku shenojne te qenit e tyre, qysh nga koha e Adamit dhe Eves.

    Nuk eshte e rastesishme qe energjia shpirterore dhe fizike e shqiptareve ( te pakten qe nga 1300 e tehu) gjithnje u eshte bashkuar e vene ne sherbim kulturave te tjera, pothuajse gjithnje jashte aurealit shqipfoles. Shpesh ne menyre te sukseshme, dhe jo rralle, edhe protagoniste.

    Per kete gje, dhe kjo spjegon vonesen e shqiptareve ne shteformim, ne gjuheformim, ne kultivim te qyteterimit, etc, une mendoj, IMHO, se pergjegesia bie kateciperisht ne elitat shqiptare te cdo rrafshi kohor perkates. Pothuaj se asnjehere kjo energji nuk u kanalizua dot. Prandaj shteti krijohet me vonese, prandaj universiteti krijohet me vonese, prandaj Akademia krijohet me vonese, prandaj hitite, akenjte, Homeri, Akili, Kasandra , kromozonet, apo malet e nemura jane muhabete te rendesishme “tavoline” apo “kafeneje”, prandaj ka nja 4 a 5 fe ne ate vend.
    Rigoroziteti monastik ka munguar dhe mungon ne Shqiperi. Dhe fajin ketu s’e ka politika. Ajo eshte nje femije shendetlig, qe s’ka shume shume ne dore. Aq i ka dhene zoti… tha.

  5. Nuk ka individë sado të ndriçuar, as akademi dhe as shtet që t’i bëjë derman delirit*. S’është sëmundje, që të kurohet, por simptomë, grahmë e lëngimit tridhjetë vjeçar të vendit. Kapemi pas lavdive të shkuara, të qena e të paqena, si i mbyturi pas flokëve të vet. Të merresh me delirin mitologjik është humbje kohe dhe energjish. Të kërleshesh me dalipët, zgurët, kabot nuk është interesante, as e këndshme, as ka gjasa për sukses. Don’t wrestle with a pig. Shpërfillja është qasja e natyrshme; dhe dinjitoze, për “ata pak individë të ndriçuar”. Ndërsa Akademia ka punë më të mira për të bërë, nëse do të bëjë, se sa të merret me mitologët e fantaksur. Kjo, po t’i zgjedh projektet me mend, siç i takon, mund edhe t’ua heq ujin mullinjve që xhirojnë në hava, duke ofruar alternativa konkrete ku të kanalizohen energjitë kombëtare – që për fat nuk kanë shteruar akoma – por edhe për të ngucur klasën politike këtej dhe përtej kufirit. Për shembull, me një studim se si të ngrihet një ekonomi kombëtare e përbashkët me Kosovën, ose si të organizohet një program mbrojtjeje të unifikuar, që mund të na hyjë nesër në punë, në rast se nuk ka mbërritur ende “the end of history” **. Re të zeza kanë filluar të mblidhen në horizont dhe më afër: katër duzina bazash operative ka ushtria serbe në kufi me Kosovën, sipas Kurtit… Dhe miti aty nuk na bën punë fare, edhe sikur gjashtë milionë vjeçar të jetë.

    *Me këtë rast lexova dhe një herë “Katër përralla nga Zullulandi”: sot po aq aktual sa në 1922-in, kur u shkrua !

    ** Me “rifillimin” e historisë – në thonjëza sepse kjo, në fakt, nuk mbaroi asnjëherë; vetëm bëri një pauzë -, rimëkëmbet edhe shteti, përligjen rishtazi edhe institucionet e tij (duke dal kështu edhe te komenti i qartë dhe i saktë i oksigjen-it).

  6. Nuk ka pse te ndahet me thike si e huaj per shqiptaret, kultura e palafiteve ne fjale, ashtu si e ndanin te huajt dikur kulturen e Maliqit se kishte 4 mije vjet kur iliret kishini sipas kronologjise se asokohshme jo me shume se 3300-3500 vjet ne Ballkan. Tani 4 mije vjetet ne fjale jane te mundshme,

    Kronologjia e indoeuropianishtes eshte bere corap, sa edhe atdheu indoeuropian, keshtu qe nuk behen dot nderhyrje ex cathedra se cila kulture ka apo nuk ka lidhje me shqiptaret kur kemi te bejme me kronologji jo aq te largeta per prehistorine,

    Sa i takon studimit futja e nje gjuhe kentum si greqishtja ia ul tejmase cilesine. Shqipja, protoanatolishtja dhe ndoshta armenishtja nqs ka vertet ndonje prove te 3 serive te dorsaleve, mund te grupohen me vete, por jo greqishtja qe si kentum eshte shkeputje e mevonshme. Ndoshta eshte ndonje shkelje syri apo futje e mishit te derrit te eger ne makarona me fruta deti per te krijuar nje shije te personalizuar, perndryshe studimi vjen ere si veza e prishur.

  7. Shkruan:

    Nuk ka pse te ndahet me thike si e huaj per shqiptaret, kultura e palafiteve ne fjale, ashtu si e ndanin te huajt dikur kulturen e Maliqit […]

    Atë ndarje e bën artikulli i Science, i cili jep një datë për shkëputjen e shqipes nga vatra indoeuropiane e përbashkët. Kjo datë është nja njëmijë vjet më e vonshme se palafitet e Linit.

  8. Kam lexuar me endje shpjegimet e sjella mbi keto publikime, sepse kam interes jo-profesional per gjuhesine dhe shqipen, mirepo ne pergjithesi ndjej nje boshllek qe me krijohet nga sa pak prurje ka qe tentojne te shpjegojne publikimet akademike si keto te fundit ne menyre te sakte, dhe me ndonje analize te thjeshte. Do isha i lumtur nese te pakten do te ekzistonte apo ofrohej nje shpjegim dhe analize e thjeshtezuar teknike mbi rezultatet e ketij studimi dhe te ngjashmëve me të, parë nga kendveshtrimi i nje thjeshtaku (layman) – sepse ne fund te fundit kjo eshte edhe kritika me e theksuar qe konstatoj: qe njeriu i thjeshte sot eshte ne efektin e histerise, i çorientuar beninj ne rastin me te mire, dhe budalla malinj ne rastin me te keq. Mirepo ja une nje thjeshtak qe kam deshire te lexoj mbi kete teme pa u regjur muaj te tere më parë mbi libra te trashe teorie, e kam te veshtire te krijoj nje ide te qarte pertej siperfaqes – po sjell shembuj duke i cituar ndoshta jo saktesisht: “Gjuha shqipe eshte shkeputur perpara 6000 vitesh nga ‘trungu'”. Cfare vlere/domethenie ka kjo objektivisht, dhe si interpretohet objektivisht? Cfare do te thote te jesh gjuhe e vjeter, cfare karakteristikash manifestojne gjuhet e vjetra, dhe cfare avantazhesh apo disavantazhesh? Me tej, gjuhen e mbartin njerezit, pra njerez qe flisnin “shqipen” e atehershme, sido qe te tingellonte, u “shkeputen”. Po keshtu thuhet edhe per greqishten. Pra edhe greket jane shkeputur ne te njejten kohe (logjikisht nga po i njejti territor), dhe eventualisht keto dy gjuhe pas 6000 vjetesh kane mberritur ngjitur me njera tjetren ku jane sot, mirepo nuk kane asnje lidhje gjenealogjike me njera tjetren (te reflektuar ne pemen e gjuheve indo-europiane), dhe si per te shtuar tym ne erresire, kemi faktin qe shqiptaret jane autoktone te vjeter aty ky jane sot! Po te shikosh popujt/kombet e tjere europiane, territoret e tyre lidhen edhe me “gjeometrine” relative te degeve te tyre ne pemen e gjuheve, por shqipja dhe greqishtja bejne perjashtim.

    Pastaj po te mendosh, gjuha leviz gjeografikisht jo detyrimisht me te njejtet njerez, pra mund te jete transmetuar si nje sinjal elektrik midis sinapseve/popujve, dhe pastaj popujt mund te kene levizur, problemi komplikohet. Me kete lidhet fakti qe nuk dihet se cfare itinerari kane endur keto popuj pas shkeputjes, cfare ndalesash te ndermjetme kane bere dhe sa kane zgjatur keto etj. Pra ka shume “erresire”. Keto gjera mendoj se nuk jane te qarta per thjeshtaket si puna ime, qe jane shumica e njerezve, dhe nuk shikoj te shkruhet mjaftueshem ne kete kontekst sepse shqipja ka nje vecanti qoftë vetem statistikore si nje nga tre gjuhe te shkeputura vecanerisht heret. Nese mendohet se keto gjera jane per popullin kaq evidente sa qe do ishte humbje kohe banale te merreshe me to, ju siguroj qe nuk eshte keshtu, dhe se prova dhe kostoja e te mos shkruarit mjaftueshem dhe pozitivisht perpos kritikes, eshte pikerisht histeria qe po perjetojme. Ose ne vend qe te shkruhet vetem mbi ate qe dihet, duhet te shkruhet me shume per ate qe nuk dihet, sidomos ne rrethana te ketyre studimeve.

    1. Mirepo ja une nje thjeshtak qe kam deshire te lexoj mbi kete teme pa u regjur muaj te tere më parë mbi libra te trashe teorie, e kam te veshtire te krijoj nje ide te qarte pertej siperfaqes – po sjell shembuj duke i cituar ndoshta jo saktesisht: “Gjuha shqipe eshte shkeputur perpara 6000 vitesh nga ‘trungu’”. Cfare vlere/domethenie ka kjo objektivisht, dhe si interpretohet objektivisht? Cfare do te thote te jesh gjuhe e vjeter, cfare karakteristikash manifestojne gjuhet e vjetra, dhe cfare avantazhesh apo disavantazhesh?

      Mbase ky shkrim botuar po ne kete reviste te orienton disi:

      https://peizazhe.com/2023/08/07/shqipja-e-shkeputur/

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin