HIC RHODUS, HIC SALTA!

nga Artan R. Hoxha

Hic Rhodus, hic salta! Kështu, na tregon Ezopi, i tha një kalimtar një atleti që mburrej se në një garë atletike të zhvilluar në ishullin e Rodosit kishte kryer një kërcim fantastik për së gjati. “Ja ku e ke Rodosin, – ia preu kalimtari atletit mburravec. Hidhu (të shohim se sa kërcen)!”

Sot, 31 vjet pas rënies së komunizmit më ka rastisur të dëgjoj histori, të rrëfyera në biseda private apo të artikuluara publikisht nga historianë të ndryshëm, mbi urrejtjen që ata kanë pasur për komunizmin, për Enver Hoxhën, pra për diktaturën. E jo rrallë, këta antikomunistë mëtojnë se atje ku mundnin, flisnin e rezistonin kundër saj dhe kundër të gjithë sekretarëve të partisë. E megjithatë, kur lexon studimet e tyre të asaj kohe shikon një realitet tjetër që tradhton rishkrimin e biografisë të atëhershme. E di, e di! Asokohe nuk mund të shkruaje ndryshe sepse nuk të lejonte njeri. Refreni justifikues për veprimet e dikurshme është thuajse i njëjtë me aktin e nxjerrjes të asit apo xholit nga xhepi.

Pas tre dekadash nga shembja e regjimit komunist, tanimë që Rodosin e kanë këtu, në Athinën e ditëve tona, dhe jo atje, përtej, në kohën e shkuar dhe në një ishull të largët, ku shumica jonë nuk kanë qenë dëshmitarë, këta qëndrestarë nuk tregojnë se mund të kërcejnë për së gjati më shumë se sa dikur, në vitet ’70-’80. Në fakt, puna e tyre sot tregon qëndrueshmërinë e të njëjtës mënyrë të të bërit të gjërave të asaj kohe që ata vetë anatemojnë. Linçimi i Zogut është zëvendësuar me shpërfytyrimin e Hoxhës. Kulti i këtij të fundit është zëvendësuar me atë të të parit. Lavdërimet për PPSh-në, nënën tonë, dhe anatemimi i periudhave të mëparshme historike janë kthyer me kokëposhtë. Qëndresa e masave popullore ndaj çifligarëve dhe pushtuesve, është zëvendësuar me atë të shqiptarëve ndaj regjimit shtypës të komunistëve.

Ka një ndryshim mes atletit të Ezopit dhe aktorëve të sotëm që shkruajnë historinë: ndërsa atleti mburracak, iu përgjigj kalimtarit, që nuk po duronte dot më fryrjet e tij, se nuk kishte këpucë për t’u hedhur, aktorët e dukurisë që kolegu im Edon Qesari e ka quajtur kitsch historik” , janë më pak dinakë; ata mendojnë se i kanë të dyja këpucët dhe hidhen plot dëshirë për të vërtetuar biografinë e tyre. Rezultati është cilësia e punëve të tyre. Një pjesë jo e vogël e studimeve mbi komunizmin janë të mbushura me terma dhe epitete si gjakatar, gjakpirës, shtypës, dhunues, kriminal, etj.

Aq dominuese janë këto përkufizime të së keqes absolute, aspak të ndryshme nga gjithë nomenklatura terminologjike e historiografisë komuniste, sa që të merren mendtë dhe lexuesit i ofrohet një perspektivë gjysmake mbi historinë e Shqipërisë gjatë shekullit XX, dhe sidomos mbi atë të viteve 1945-1990. Madje, “urrejtja” e tyre për komunizmin, jo edhe aq e ndryshme nga ajo që dikur shfaqnin për “klasat shtypëse tradhtare”, shtyn ndonjë prej tyre të deklarojë se për Shqipërinë fashizmi ishte më i mirë sesa komunizmi. Kjo dhe deklarata të ngjashme do të mjaftonin që një koleg italian të shprehte keqardhjen se nuk mund të thërrisnin për leksione të hapura historianë shqiptarë pasi këta nuk bënin gjë tjetër veçse identifikonin armikun dhe e asgjësonin atë me çdo lloj arme të mundshme, nga armët e ftohta e deri tek artileria e rëndë dhe bombardimi tapet.

Për t’iu kthyer kitsch-it, Milan Kundera, e përkufizon atë si një ideal estetik që synon të mbulojë banalitetin, një marrëveshje sipas së cilës të gjithë shtiren sikur jashtëqitja nuk ekziston – pra, mbulohet muti i kudondodhur i jetës së përditshme. Autorët e kësaj rrekjeje që kërkon të higjienizojë realitetin nuk e ndajnë dot veten nga objekti i punës së tyre dhe e përshkruajnë atë përmes parametrash sa estetikë aq edhe etikë. Fundja, jashtëqitja është një metaforë e banalitetit të jetës së përditshme që përshkon gjithë veprimtarinë njerëzore; ajo (pra jashtëqitja) është po aq edhe simbol për aktorët që e prodhojnë atë, për imazhin fals të realitetit që ndërtojnë dhe përcjellin, një falsitet që mbush sa jetët e tyre po aq edhe të shoqërisë që mbllaçit këtë ideal. Mohuesit e jashtëqitjes mëtojnë se janë fisnikë, nuk shkojnë në nevojtore, nuk janë të ndotur, nuk fshihen me gazeta apo letër higjienike – e për atë punë as bidenë nuk kanë pse ta përdorin. Jo, fare. Përkundrazi! Sipas përshkrimit të vetes, ata janë kristal të pastër. Ata dhe haleja janë universe të ndryshme, që nuk puqen asgjëkund.

Kjo ndodh shpesh edhe me historishkruesit, sidomos me një pjesë të atyre që studiojnë historinë e Shqipërisë qysh nga themelimi i saj si shtet i pavarur – dhe veçanërisht periudhën komuniste. Në fakt, duke sulmuar komunizmin me gjithë arsenalin e mundshëm, një pjesë e këtyre historianëve njëkohësisht asgjësojnë dhe rrafshojnë të shkuarën e tyre gjatë komunizmit. Shkrimet e kitsch-istëve janë një formë e rindërtimit të biografisë së tyre me qëllim mbajtjen e pozicioneve drejtuese brenda strukturave akademike.

Me rënien e komunizmit u bë i nevojshëm një distancim me të shkuarën. Si të gjitha ndryshimet e mëdha rrënjësore politike që për nga karakteri i tyre janë revolucionare, rënia e komunizmit shëmbëllen në shumë trajta me një akt konvertimi fetar kolektiv, një ndërmarrje kjo, suksesi i së cilës varet edhe nga shkalla e braktisjes dhe refuzimit të së shkuarës. Kjo e fundit u bë antiteza temporale, “Tjetri” kohor u shndërrua në negativen historike. Por historia nuk qëndron në ajër. Ajo është produkt i vetë shoqërisë, me gjithçka që ajo ka brenda. Të gjithë janë pjesëmarrës, jo vetëm shtypësit dhe të shtypurit, por edhe shumica indiferente ose pak e përfshirë në strukturën e pushtetit.

Si të gjitha situatat e përmbysjeve të mëdha historike, shembja e regjimit të PPSh-së krijoi humbës dhe fitues. Ka nga ata që humbasin pushtet dhe nga ata që e fitojnë atë. Për të qenë në radhët e fituesve bëhet e nevojshme vetëshpallja si armiq të së shkuarës. Pra, akti i konvertimit implikon edhe mohimin e të shkuarës. Kjo sjell një rishkrim të biografisë dhe biografia është një nga mjetet kryesore të integrimit shoqëror, të socializimit dhe risocializimit. Nga përshkrimi i vetes si pinjoj familjesh fshatare pa tokë, të përfshirë në ndërtimin e komunizmit dhe pjesëmarrës të zellshëm në shfarosjen e klasave sunduese të regjimit të vjetër, tani e kaluara vetjake riformulohet dhe të njëjtët njerëz dalin si pjesëtarë të atyre grupimeve që kishin qenë në krahun tjetër të llogores.

Historia, që këta “studiues” shkruajnë, është për rrjedhim thellësisht e kushtëzuar nga ndryshimet e koniunkturës politike të pushtetit në Shqipërinë paskomuniste dhe u përgjigjet ambicieve të tyre personale. Shkrimi i historisë së Shqipërisë së shekullit XX kthehet për ta, mbi të gjitha, në një akt të rishkrimit të historisë së tyre personale në funksion të objektivave që këta aktorë kanë në raport me privilegjet që rrjedhin nga lidhja ngushtë me pushtetin.

Ndryshe nga konvertimi, shembulli paradigmatik i të cilit është ai i Shën Augustinit, që në biografinë e tij “Rrëfime” ka vendosur piketat e ndryshimit rrënjësor nga e shkuara në të tashmen, nga errësira në dritë, nga mëkati në mbretërinë e Zotit, që përcakton edhe një ndarje të prerë ndërmjet vetes së vjetër (atëherë) dhe vetes së re (tani), në rastin konkret nuk shihet një thyerje e tillë. Akti i pranimit se kanë qenë “mëkatarë”, se kishin besuar e i kishin thurur lavde Nënës Parti dhe shokut të dashur Enver zhduket nga autobiografitë e tyre. Kjo ndodh sepse nuk kemi të bëjmë me një konvertim të vërtetë, por me përgjigje pragmatiste dhe praktike të situatave konkrete mbi të cilat nuk kanë kontroll, por që ata/ato u përshtaten mjeshtërisht. Ndaj, ky kthim i pllakës pa asnjë reflektim tregon se nuk ndeshim edhe aq me autorë të dedikuar njërës apo tjetrës ideologji, por kemi të bëjmë më shumë me njerëz subjektiviteti i të cilëve gjatë procesit të socializimit përtej vatrës familjare ka mbetur parcial – pak a shumë si ndryshimi i fesë për të mos paguar taksa dhe madje për të marrë edhe ndonjë timar. Timari i tyre është historishkrimi.

Afër detit afër mbretit, thotë populli. Deti i këtyre historishkruesve është historia. Vetë kjo fushë e dijes ofron një platformë ideale për të luajtur një rol kyç në gjenerimin e dijes së politizuar; pasi një nga funksionet kryesore të saj është ai i ndërtimit të shoqërisë dhe kujtdo bashkësie me karakter politik. Historia ndërton përfytyrime me thellësi kohore që legjitimojnë ekzistencën e cilitdo trupi shoqëror. Të vendosur në një pozicion tejet strategjik në ekonominë e prodhimit të dijes, ruajtja e kësaj marrëdhënieje me pushtetin ka penguar seriozisht reflektimin mbi të shkuarën. Kjo pasi një pjesë e historianëve, sidomos atyre të pushtetshmëve, më shumë se sa intelektualë janë zyrtarë apo funksionarë shtetërorë të legjitimimit të rendit ekzistues, rol ky që shumë prej tyre e përqafojnë me entuziazëm pasi u lejon të përmbushin synime të lidhura me interesin e ngushtë vetjak. E thënë ndryshe, këtu kemi të bëjmë me njerëz që nuk kanë Bildung, pra, formim të përgjithshëm intelektual, por vetëm një edukim të cunguar profesional – e theksoj të cunguar, aspak të gjerë.

Po shkruaj këtë përqasje sepse për mua dhe disa të tjerë kolegë ka rënduar pyetja se pse pas 31 vjetësh studimet e historisë në Shqipëri vijojnë të jenë në këtë gjendje të mjerueshme. Jo të gjithë historianët shqiptarë janë të tillë. Ka nga ata që punojnë dhe shkruajnë me profesionalizëm, e megjithatë dukshmëria e tyre dhe pesha e punëve të tyre në debatin e gjerë është shumë më pak e zëshme se sa e atyre që ndërtojnë të shkuarën e tyre përmes historisë së vendit në formën bardhezi. Pesha e të aftëve në institucionet akademike është përgjithësisht shumë e pakët. Ka pak përjashtime nga rregulli, shpesh kjo rrjedhojë e ndërrimit të brezave dhe e rekrutimeve të studiuesve me formim mjaft të mirë. Në raste të tjera, edhe kur ka drejtues të aftë, këta ballafaqohen me armata të paaftësh që ua bëjnë punën tejet të vështirë. Pra, pse një pjesë e strukturave akademike – dhe kjo nuk kufizohet vetëm te sektori i historishkrimit – vijojnë të drejtohen de facto apo de jure nga meskinë që pengojnë inovacionin?

Institucionet akademike shtetërore – ato private i njoh më pak por me sa di edhe aty situata nuk ndryshon kushedi se sa – sundon jo rrallë një atmosferë e theksuar antiintelektuale. Nga “autoritetet” e arsimuar me frymën e “asgjësimit dhe lavdërimit në përputhje me vendin dhe kohën” dëgjon rëndom vërejtje të tilla si “bën shumë teorizime”, “bën shumë filozofi”, “se si shkruan”, “stonon”, “fluturon”, “ktheu në bazament” dhe të tilla formula të pakuptimta. Fare pak të duhet të mendosh se je kthyer në vitet e Revolucionit Kulturor ku parulla ishte disiplinimi i atyre që “vuanin nga teknokratizmi, burokratizmi, intelektualizmi dhe mbeturina të tjera të sjelljeve borgjeze”. Në fund nënteksti i qortimeve të “autoriteteve” është t’ia bëjnë të qartëve kokoroshëve me mendime të çuditshme – madje shpesh edhe i trajtojnë kolegët e tyre si qofte dhe pak budallenj që lexojnë shumë dhe kanë shumë llafe – se këta nuk marrin vesh sa duhet, kanë ende për të mësuar të fshehtat e zanatit, nuk janë mësuar me misteret e punës. Kjo është një mënyrë për t’i treguar vendin atyre që mendojnë e punojnë ndryshe, që i qasen problemeve nga një pikënisje tjetër. Duke qenë ende të parritur dhe të papërgatitur për autonomi profesionale, këta “rebelë” kanë ende nevojë për mentorë, për mbikëqyrje. Shkurt, rri aty ku je dhe mos lëviz shumë.

Pra, si ka mundësi që të tillë njerëz, që kanë edhe falangat e tyre të cilësdo grup-moshe, vijojnë të pengojnë dhe bllokojnë jetën akademike në pikën e atrofizimit dhe mbylljes ndaj gjithë debatit teorik bashkëkohor? Si ka mundësi që izolimi i viteve ’60-’80 vijon edhe sot në një kohë tjetër? Si ka mundësi që e njëjta gjuhë dhe kallëpe të analizës – që nuk është analizë por më tepër propagandë – janë ngulur aq thellë saqë edhe “studiues” të lindur në vitet e gërhanave të komunizmit dhe që arsimin e kanë bërë duke nisur nga vitet ’90, shkruajnë sikur të kishin lindur ne vitet ’50? Tridhjetë e një vjet nuk janë pak për t’i hapur rrugën ndryshimeve të rëndësishme. Ajo që ndodh është se socializimi i studiuesve të rinj brenda akademisë bëhet, të paktën në rrafshin e studimeve historike, brenda diktatit të pjesëtarëve të atij brezi që e shkruan historinë në funksion të autobiografisë së tyre. Si ka mundësi që kanë dekada në krye të strukturave akademike dhe vijojnë ende të komandojnë e urdhërojnë?

Disa prej tyre kanë patur fat – dhe ky luan një rol shumë të madh në karrierën e gjithësecilit. Por mjafton të lexosh romane si “Xhungla” të Upton Sinclair apo “Dhe yjet rrinë e vështrojnë” të Archibald Cronin për të kuptuar se fati nuk është thjesht një përkim rastësish fatlume, por një kombinim rrethanash që veprojnë brenda strukturave të caktuara socio-ekonomike, politike dhe kulturore, që lejojnë alpinizmin shoqëror të disave dhe dështimin e disa të tjerëve. Personat që kanë predispozitën psikike, agresivitetin për të shkelur mbi të tjerët, mungesën e skrupujve për të përvetësuar punën e kolegëve e të bashkëpunëtorëve dhe që e vënë veten në shërbim të kujtdo që u lejon suksesin, shpesh e kanë fatin me vete. Jo thjesht se kanë fat, por sepse janë kornizat brenda të cilës veprojnë u krijon atyre mundësinë njerëz që të ngjiten drejt majave dhe pastaj të keqpërdorin për interesat e tyre meskine krejt institucionet që drejtojnë. Nëse të njëjtat mundësi do t’u ishin ofruar atyre që nuk kanë këto cilësi, ata/ato nuk do t’i kishin shfrytëzuar. E thënë ndryshe, të tillë personazhe lulëzojnë atje ku ekziston një organizim institucional i bërë enkas për ta.

Suksesi i këtyre njerëzve tregon shumë se cila është Shqipëria e sotme dhe antiintelektualizmi që sundon në ato institucione që në teori e praktikë duhej të ishin fortesat dhe parqet e Edenit të intelektualëve. Formimi i cunguar dhe i mangët, nuk i ka integruar asnjëherë plotësisht brenda fushës që ata kanë si profesion të zhvillojnë. Identiteti profesional është sipërfaqësor, i cekët dhe kështu ai i nënshtrohet objektivave të momentit të gjithsecilit prej tyre. Çelësi i suksesit të tyre nuk ka qenë zotësia profesionale, por aftësia për t’u bërë të dobishëm për politikën, për të trajtuar institucionin si çiflig privat dhe, prej këtej, për të sunduar kolegët dhe përcaktuar se si do të bëhet puna. Teksa akuzojnë komunizmin si diktaturë totalitare, praxis-i i prodhimit të dijes të drejtuar prej tyre nuk ndryshon aspak me periudhën që ata anatemojnë. Vijimësia tradhton këdo mëtim të tyrin. Kitsch-i triumfon. Jashtëqitja vijon të mbushi faqe të tëra e për ironi sillen sikur nuk e nuhasin. Madje, mendojnë se ashtu si Herakliu po pastrojnë të shkuarën tonë nga gjithë qelbësirat e stallave të Augit (dmth të Enverit). Sot, njëlloj si qëmoti jashtëqitja ngel aty, e kudondodhur.

Pse këta komandojnë ende? Sepse ndërsa Shqipëria sot ka ndryshuar shumë me atë të dikurshmen, strukturat e gjenerimit të dijes kanë mbetur të mbërthyera brenda të njëjtës darë të marrëdhënies me pushtetin. Të njëjtat formulime, i njëjti zhargon dhe mënyrë të shkruari, që njëlloj si formulimet magjike ofrojnë një mjet përmes së cilit mund të sigurojnë autoritetin e tyre, rolin që kanë, dhe shërbimet e nevojshme që mund të kryejnë për politikën. Është kjo konklavë që mbështetet mbi ortodoksinë nacionaliste apo që përcakton të mirin dhe të keqin dhe që trajton si heretik këdo që i shmanget devizave. E stigmatizon, fshikullon me qëllim t’i vrasë vetëbesimin, e më pas ta rehabilitojë, t’i bëjë terapinë e nevojshme për ta kthyer në brazdë dhe të mos bëjë pyetje, të mos ngrejë dyshime por të shkruajë jo për të zbuluar por për të vërtetuar atë që patronët e fushës e dinë a priori.

Të paaftët e kanë më të lehtë se sa të aftët të bëjnë kompromise në kurriz të etikës profesionale; bëhen më lehtë ushtarë të dobishëm, ndaj shpesh kanë sukses, sepse rolin e ushtarit e bëjnë me qejf, sepse kërkojnë të rekrutohen e të bëhen Himelshtosa të servilizmit prusian që e kthen akademinë në një shtojcë burokratike pa fantazi, pa fuqi intelektuale. Synimi është mbytja e kërshërisë intelektuale dhe qëmtimeve me frymë të re dhe të sofistikuar, sepse këto i nxjerrin jashtë loje, i kërcënojnë. U kanosen jo vetëm me cilësinë, por edhe me ambicien për të mos qenë të politizuar. Janë dy modele kryekëput të ndryshme dhe ndaj propagandistët, njëlloj si edhe gjatë kohës së Revolucionit Kulturor kërkojnë të mbysin kritikën, lirinë, fjalën.

(c) 2022 Artan R. Hoxha. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin