SHQIPJA E SHKËPUTUR

Çfarë kuptojmë me cilësimin e vjetër, kur flasim për gjuhë të vjetër? Si çështje, kjo ka marrë aktualitet, në kontekstin e entuziazmit për një artikull që e nxjerr shqipen si të shkëputur rreth 6000 vjet më parë, nga familja e gjuhëve indo-europiane. Kjo shkëputje përkoi me një emigrim të supozuar të folësve të shqipes (të një forme tejet të hershme të shqipes) nga një zonë në Jug të Kaukazit (Fertile Crescent), drejt Ballkanit – së bashku me folës të greqishtes dhe armenishtes. E reja e këtij artikulli është mbështetja që i jep hipotezës se disa gjuhë indo-europiane, mes tyre edhe shqipja, shtegtuan drejt Ballkanit pa u zhvendosur më parë në stepën euraziatike, si shumica e gjuhëve të tjera të familjes (formalisht, kjo hipotezë nuk është veçse një variant i zbutur e hipotezës anatolike të Colin Renfrew).

Sërish, pse e nxjerr të vjetër shqipen kjo hipotezë? Kryesisht ngaqë shkëputja e saj – me gjasë në grup me greqishten dhe armenishten – prej trungut indoeuropian ka ndodhur më herët se shkëputja e shumë gjuhëve të tjera. Natyrisht, imazhi i trungut dhe i degëve, për familjen indo-europiane, është vetëm një vegël ilustruese, didaktike; gjuhësia historike sot nuk e ka të qartë nëse ka ekzistuar ndonjëherë ndonjë indo-europianishte e përbashkët, apo mos gjuhët e ndryshme indo-europiane kanë qenë folur afër njëra-tjetrës, si gjuhët e Kaukazit sot, ose edhe kanë qenë “dialekte” të indo-europianishtes që para se kjo të dyndej drejt Europës nga njëra anë, dhe Azisë nga ana tjetër.

Megjithatë, folësit e shqipes së hershme kanë ardhur dikur në Ballkan nga një vend tjetër – qoftë ky i stepës ukrainase, qoftë i Kaukazit jugor; dhe koha kur ka ndodhur ky shtegtim mund të matet (të kalendarizohet). Metoda e përdorur në artikullin e Science ndihmon për të përcaktuar kohën e përafërt të shkëputjes, jo kohën se kur kanë mbërritur folësit e shqipes së hershme në Ballkan (dhe aq më pak këtu ku janë sot). Mbetet e papërcaktuar edhe nëse këta folës të shqipes së hershme kanë ardhur drejtpërdrejt në Ballkan, apo mos janë ndalur për ca kohë në Anatoli, gjatë shtegtimit të tyre drejt Perëndimit.

Brenda kësaj hipoteze, shqipja e hershme i ndërpreu marrëdhëniet e kontaktit me indo-europianishten (si familje) – edhe pse për ca kohë mbeti një formë e indo-europianishtes, në zhvendosje drejt Ballkanit. E quajmë “shqipe” me marrëveshje, meqë pas mijëra vjetësh ajo u shndërrua në gjuhën që njohim sot; por në atë kohë, shqipja e sapo-ndarë nga familja, nuk ishte veçse indo-europianishte. Po të kishim fatin dhe ta dëgjonim, nuk do të kuptonim absolutisht asgjë.

Por kjo shkëputje e bën shqipen të vjetër, në raport me gjuhë të tjera – si gjuhët sllave, gjuhët italike, gjuhët keltike, gjuhët gjermanike – të cilat, gjithnjë sipas hipotezës në fjalë, ende nuk ishin shkëputur nga indo-europianishtja e përbashkët. Pa dalë nga konteksti gjeografik, le të themi edhe se supozimi që shqipja e hershme ka bashkudhëtuar me greqishten dhe armenishten, përmes Azisë së Vogël, e vë disi në pikëpyetje hipotezën ilire të prejardhjes së shqipes, duke i sjellë mbështetje të papritur hipotezës trake. Ilirët mbahen si popull indo-europian i ardhur nga Veriu, me pikëtakime të shumta me keltët; dhe prandaj është e vështirë të gjejnë vend në zhvendosjet që paravendohen tani për shqipen.

Se çfarë ishte kjo “shqipe” e gjashtëmijë e kusur vjetëve më parë, kjo është e vështirë të përfytyrohet. Mbase hetitishtja e vjetër, aq sa njihet nga mbishkrimet, mund të japë një përafrim të besueshëm. Fonologjia e saj do të ketë qenë krejt e ndryshme nga kjo e shqipes së sotme – do të ketë pasur, mes të tjerash, një seri laringalesh, labiovelaresh dhe fonemash të tjera për ne të panjohura. Gramatika e saj do t’i ketë ngjarë më shumë asaj të gjuhëve indo-europiane konservative (arkaike) si gjuhët baltike. Disa tipare gramatikore themelore, si nyjat shquese, nyjat e përparme, trajtat e shkurtra të vetorëve, prapashtesa e shumësit, koha e kryer e foljes, e kështu me radhë, nuk do të ishin zhvilluar ende. Mes gjuhëve indo-europiane, shqipja njihet si tejet inovuese, në krahasim me modelin fillestar – prandaj tipologjikisht do të klasifikohej si gjuhë e inovuar, ndryshe nga gjuhë të tjera, që e kanë ruajtur më mirë afërsinë me modelin indo-europian (p.sh. shumë gjuhë sllave nuk e kanë zhvilluar nyjën shquese). Kjo na lejon të themi se shqipja mund të jetë njëherazi gjuhë e vjetër, nëse është shkëputur më herët se të tjera gjuhë nga familja; por edhe gjuhë e re, ngaqë ka zhvilluar tipare gramatikore të panjohura për familjen.

Një tjetër arsye, që shqipen e quajnë gjuhë të vjetër, lidhet – paradoksalisht – me dokumentimin e saj shumë të vonë, në krahasim me gjuhë që u shkruan herët, si greqishtja e vjetër dhe latinishtja. Shkrimi, si aktivitet kulturor, ka pavarësi nga gjuha e folur; por për arsye praktike, është e vetmja mënyrë e dokumentimit të fazave më të hershme të një gjuhe. Për shqipen mund të “dihet” se në formën e vet të hershme është shkëputur nga familja e përbashkët indo-europiane që para 6000 vjetësh, por provat e drejtpërdrejta që ajo është folur në të shkuarën nuk shkojnë më tutje se Mesjeta. Përtej Mesjetës, dija ka në dispozicion vetëm prova të tërthorta: forma gjuhësore të rindërtuara, huazime nga shqipja drejt gjuhësh të dokumentuara herët, si latinishtja, e të tjera të ngjashme.

Sikur shqipja të ishte shkruar që herët, për shembull që në fazën e shtegtimit të saj drejt Ballkanit, atëherë dokumentet e shkruara jo vetëm do të dëshmonin një fazë tejet të vjetër të gjuhës (të krahasohet, bie fjala, greqishtja e linearit B me greqishten e vjetër të koinesë ose greqishten moderne), por edhe mund të lejonin identifikimin e asaj shqipeje me një emër tjetër. Tek e fundit, dallimi mes fazave të një gjuhe në rrjedhë të kohës dhe dialekteve është subjektiv: nga njëra anë flasim për greqishte të vjetër dhe greqishte të re, por nga ana tjetër për sllavishte (të përbashkët) dhe bullgarishte; ose latinishte dhe italishte. Për shembull, nuk ka dyshim se italishtja është vazhdim i latinishtes, pa ndonjë ndërprerje të vijueshmërisë; por dokumentimi i latinishtes na bën që ta quajmë italishten gjuhë më të re se latinishtja (dhe latinishten gjuhë më të vjetër se italishtja).

Për shqipen, ky lloj dokumentimi historik nuk ekziston – para shekujve XV-XVI. Për të krijuar një ide për shqipen e hershme – ose protoshqipen, siç e quajnë disa – gjuhëtarët i rindërtojnë format në bazë të rregullsive të shndërrimeve fonetike. Edhe më e vështirë bëhet kjo për format gramatikore. Ka gjuhëtarë që këtu fillojnë të flasin për “nënën” e shqipes (Sh. Demiraj e bënte këtë, duke u kujdesur të vinte gjithnjë thonjëzat), duke e konsideruar këtë si gjuhë cilësisht të ndryshme nga shqipja – siç do të ishte një gjuhë pa nyja shquese, pa nyja të përparme, me mbiemra të lakueshëm si emrat, me kategorinë gramatikore të aspektit e kështu me radhë. Disa të tjerë e marrin për të mirëqenë që shqipja rrjedh nga një dialekt i ilirishtes, siç rrjedh gjermanishtja e sotme nga një dialekt i proto-gjermanikishtes ose rumanishtja nga një formë e latinishtes ballkanike, që mund të merret edhe ajo si dialekt i latinishtes. Problemi me këtë përcaktim të fundit, është se vetë koncepti i ilirishtes është i papërdorshëm, sa kohë që kjo gjuhë nuk njihet, dhe as mund të rindërtohet, nëpërmjet shqipes.

Një kuptim tjetër i cilësimit e vjetër për shqipen lidhet me cilësimin të vjetër për shqiptarët. Përtej kurthit të përkufizimit rrethor, që i nxjerr shqiptarët si të vjetër ngaqë shqiptarë janë ata që flasin shqipen, si gjuhë të vjetër, cilësimin e ka rigjallëruar – përtej diskursit kombëtarist – gjenetika e popullatave, e cila qëmton dhe ndjek riprodhimin gjenetik të popullatave duke identifikuar dhe matur shpërndarjen e gjeneve specifike. Por nuk ka ndonjë lidhje thelbësore mes gjeneve dhe gjuhës – një popullsi e karakterizuar nga një gjen ose kombinim gjenesh specifik mund të ndërrojë gjuhën, për arsye kulturore, politike dhe gjeografike. Nëse disa gjene janë më të vjetra se disa të tjera (siç dëgjojmë të thuhet) dhe nëse shtegtimi i tyre u është bashkëlidhur shtegtimit të popullsive të caktuara – p.sh. fiseve gjermanike ose sllave – kjo mund të ndihmojë për të kuptuar më mirë dinamikat e zhvendosjes së popullsive, por jo atë të gjuhëve. Pa përmendur pastaj që sot gjuhët indo-europiane fliten nga një larmi popujsh dhe racash të ndryshme, dhe fakti që edhe urdu, edhe norvegjishtja janë gjuhë indo-europiane nuk ndihmon shumë për të kuptuar marrëdhënien gjenetike mes skandinavëve dhe banorëve të Pakistanit të sotëm.

Në një rrafsh më abstrakt, të flasësh për vjetërsi të gjuhës nuk ka shumë kuptim, përveçse si vjetërsi relative. Vështirë të kundërshtohet se shqipja e sotme është më e re se ajo e Buzukut (truizëm), por kjo lidhet me dokumentimin e njërës dhe të tjetrës. Për arsye të ngjashme, mund të konstatosh vjetrimin e një fjale, të një shqiptimi, ose të një forme a kategorie gramatikore (p.sh. asnjanësi në shqipe) por kjo nuk të lejon gjë të flasësh për vjetrim të gjuhës vetë. Përndryshe, gjuhët diferencohen prej tyre në rrjedhë të kohës, edhe pse për një bashkësi folësish gjuha mbetet gjithnjë e barabartë me vetveten. Kur thuhet se shqipja u nda prej familjes indo-europiane këtu e 6000 vjet të shkuar, gjithnjë duhet pyetur se çfarë kemi këtu parasysh me termin shqipja – pyetje që, herët a vonë, do të na çojë te përgjigjja se kjo shqipe e padokumentuar e mijëra vjetëve më parë është një konstruksion i imagjinatës, një fiksion, një shifër algjebrike: lidhjet e vijueshmërisë mes asaj gjuhe dhe kësaj që flasim ne sot janë sa të padiskutueshme (njëlloj të padiskutueshme sa lidhjet tona me njeriun e Kro-Manjonit), aq edhe parrokshme.

Saussure-i i pari e vuri në dukje me kohë se gjuha në sinkroni është diçka krejt tjetër nga gjuha në diakroni; dhe se dijes nuk i lejohet t’i përziejë këto dy rrafshe themelore sipas dëshirës dhe nevojës. Dhe, aq më tepër, vjetërsia historike e një gjuhe, ose mosha e saj si entitet i pavarur (që përcaktohet sipas kohës kur është shkëputur nga familja e përbashkët) nuk ka asnjë lidhje me funksionimin e saj, në kuptimin që nuk e bën as më fisnike, as më poetike, as më “hyjnore” se të tjerat. Në fakt, adhurimi i shqipes si “gjuhë e vjetër” ndodh brenda mendësisë së ekzaltuar të kombëtarizmit folk, me nota të theksuara misticizmi – siç edhe është thënë te kjo revistë prej kohësh.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Photo by Landon Martin on Unsplash

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin