SHQIPËRIME (III)

Po vazhdoj të sjell lista huazimesh të shqipes nga turqishtja (osmanishtja), që janë larguar aq shumë kuptimisht nga burimi, sa të ndihmojnë për të kuptuar më mirë dinamikën e marrëdhënieve midis dy gjuhëve, në nivelin e kontaktit. Edhe një herë synimi im nuk është të bëj etimologji (pse identifikimin e orientalizmave e kam marrë të gatshëm), por të reflektoj për regjistrin bisedor të shqipes.

*             *             *

Shqipja e sotme kuturu ka kuptimin “me hamendje, verbërisht, pa e numëruar a peshuar diçka”; flet kuturu (dikush) “flet në erë, kot, në tym”; sipas A. Xhuvanit (Dizdari), ka dhënë edhe foljen kuturis(em), me kuptimin “ndërmarr diçka verbërisht, pa e planifikuar mirë, (it. avventurarsi). Dizdari e nxjerr nga turqishtja götürü, fjalë tregu: “të blesh diçka me copë, në grumbull”. Turqishtja nuk e ka kuptimin abstrakt që ka zhvilluar ndajfolja kuturu sot në shqip, e cila, nga ana e vet, i ka humbur lidhjet me zhargonin e pazarit. Në fakt, me kuptimet e sotme, edhe kuturu edhe kuturisem përmbushin një nevojë të leksikut abstrakt, në nivelin bisedor.

*             *             *

Shqipja havalé sot ka kuptimin “punë a barrë që i sjell telashe dikujt; mërzi, bezdi; dikush a diçka që të sjell bezdi ose telashe”; edhe pse vjen nga osmanishtja havale, fjalë burokratike, që shënon një akt transferimi ose referimi; ose edhe një urdhër-pagesë (money-order). Me interes, këtu, është që një praktikë e rëndomtë burokratike perceptohet si barrë e bezdisshme, deri aty sa ta shënjojë këtë edhe leksikisht. Ky lloj zhvillimi i një fjale në thelb teknike dëshmon se orientalizmat kanë bërë jetën e tyre brenda shqipes bisedore, duke u ndikuar relativisht pak nga niveli ku flitej lirisht turqishtja dhe ku zhvendosje të tilla kuptimore do të ishin korrigjuar . Aq është pavarësuar kuptimisht fjala havalé nga burimi, sa në ndonjë krahinë të shqipes shënjon edhe sëmundjen e tokës, ose epilepsinë, si eufemizëm (FShS).

*             *             *

Si historizëm, esnaf në shqipe shënjon një shoqatë zejtarësh a tregtarësh të pavarur, të organizuar sipas llojit të veprimtarisë së tyre (angl. guild); por edhe zejtarin dhe tregtarin që merrte pjesë në një shoqatë të tillë. Shqipja i ka shtuar kësaj një kuptim të ri: burrë esnaf do të thotë njeri korrekt (Dizdari jep si krahasim galantuomo). Pas gjase, këtë kuptim të derivuar e ka pasur edhe osmanishtja; edhe pse sot nuk më rezulton ta ketë ruajtur. Përkundrazi, fjalori im i turqishtes standarde (Langenscheidt), jep si kuptim të dytë të esnaf “prostitutë, kurvë, bushtër”.

*             *             *

Ja edhe një zhvillim kuptimor në kah të kundërt, nga rrafshi abstrakt në atë konkret: për shqipen bereqet fjalorët japin si kuptim të parë “drithë, të lashtat”, pa çka se ky kuptim nuk duket të ekzistojë në turqishte dhe as në osmanishte (Dizdari për turqishten berekét ka vetëm “hir qielluer, plotni, lumni”). Rrugën që ka ndjekur metonimia e tregon një gjuhë tjetër ballkanike, bullgarishtja берекѐт, “të korra të mbara.”

*             *             *

Turqishtja sebep e ka ruajtur, në shqipen e sotme, kuptimin e përgjithshëm të shkakut, por duke e specializuar atë. Në fakt, po të shohësh përdorimet e sotme të sebep në shqipe, do të ndeshësh para së gjithash në togfjalëshin u bë sebep (diçka), dhe pastaj duhej një sebep, duhej gjetur një sebep etj.; pa përmendur pastaj për përdorimin e sebep-it me kuptimin “ngjarje, event” të cilin po e lëmë jashtë nga kjo analizë – pse e kemi cekur gjetiu. Mirëpo në turqishten e sotme sebep duket se ka ruajtur përdorimin në ligjërimin juridik dhe statusin leksikor përkatës, siç mund të duket nga shprehje si mücbir sebep (force majeure, act of God), müessir sebep (causa efficientis), uzak sebep (causa remota), en son sebep (causa proxima), etj., në një kohë që në shqipe ka ndodhur, siç mund të pritej, e kundërta: deklasimi i fjalës në ligjërimin bisedor. Për nga kuptimi, sebep-it në shqipe i duhet t’i bëjë llogaritë me shkak, por edhe me shkas dhe pretekst; edhe pse këto dy të fundit janë të ligjërimit libror dhe nuk vijnë në vështrim për analizën tonë. Përndryshe, në raport me shkakun, sebepi duket se i përket një niveli më sipërfaqësor: pa qenë doemos pretekst, ose shkak i rremë a i dukshëm i diçkaje, priret sebepi shpesh është faktori që e vë diçka në lëvizje, që bëhet shkas, që shkel këmbëzën (ang. trigger). Për shembull, kur unë i shkoj për vizitë Selimit, shkaku mund të jetë miqësia jonë e vjetër, por sebepi është fejesa e djalit, ose përvjetori i vdekjes së babait. Disa do të flisnin këtu për “shkak” dhe “motiv”; por motiv gjithashtu nuk i përket shqipes bisedore. Mes shkakut dhe sebepit të diçkaje duhet ta bëjmë gjithnjë mirë dallimin, nëse duam t’i kuptojmë mirë ato që ndodhin rreth nesh; që këtej, nevoja për një fjalë që të tregojë shkakun sipërfaqësor ose trigger-in e një ngjarjes ka qenë gjithnjë e fortë; nevojë që, në ligjërimin libror dhe në shqipen neutrale e ka përmbushur, sipas rastit, shkas ose pretekst.

*             *             *

Një lexuese e blogut përmendi, në një koment te një shkrim i mëparshëm i kësaj serie, fjalën hata, ende e përdorur në turqisht me kuptimin “gabim, defekt, pasaktësi”, por që në shqipen bisedore ka marrë kuptimin “fatkeqësi, katastrofë, tmerr, gjëmë, mynxyrë, kërdi.” Jo vetëm kaq, por turqishtja hata sot i përket ligjërimit neutral, me okurrenca të shumta edhe në atë teknik ose libror (teknik hata – gabim teknik, maddi hata – defekt material, birikimli hata – gabim kumulativ, hata mesajı – mesazh gabimi/error message, etc.). Kalimi nga “gabim” në “fatkeqësi” dhe pastaj në “tmerr” është i shqipes bisedore; sikurse është i tillë edhe transformimi i mbiemrit i hatashëm, nëpërmjet një mekanizmi të mirënjohur pivotimi rreth sipërores, nga “i frikshëm, i tmerrshëm”, në “i mrekullueshëm, i paparë” (khs. anglishten terrific ose awesome). Kjo lë të kuptohet se sensi i “gabimit” ka humbur tashmë krejt në shqipe, për t’u zëvendësuar kryesisht nga sensi i tmerrit, kryesisht për shkak të përmasave ose efektit të madh të një ngjarjeje të padëshiruar (bëri hatanë). Dizdari e vë re këtë kalim në fjalor, dhe për transformimin e mësipërm shkruan: “s’ka shumë kohë, kjo fjalë, tue u interpretue popullarisht në kuptimin antifrastik, merr veshtrime krejt të kundërt…” duke sugjeruar se ky kalim ka marrë përhapje që nga e folmja e Shkodrës. Gjithsesi, për ne kjo është një tjetër provë, mes të shumtave, se një pjesë e mirë e turqizmave shqipja i ka marrë nëpërmjet kontaktit, ose që rruga e hyrjes kanë qenë folës që nuk e kanë ditur fare ose nuk e kanë ditur mirë turqishten, por e kanë dëgjuar të flitet në mjedise shumëgjuhëshe, p.sh. në treg, në ushtri ose në administratë.

Nuk ka komente

  1. Shqipja “kuturu” kam pershtypjen se vjen prej greqishtes κουτουρού. Ndoshta edhe ne greqishte mund te kete hyre prej turqishtes, vetem se kuptimi ne shqipe dhe ne greqishte perkon, ndersa me turqishten götürü nuk perkon.

    Nje pyetje Xha Xha: a ke marre ne konsiderate mundesine qe edhe fjalet e turqishtes te kene pesuar ndryshime dhe zhvillime kuptimore ne rrjedhe te kohes? E them kete sepse nuk perjashtohet qe shqipja te ruaje nje kuptim te vjeter te nje fjale turke, nderkohe qe po ai kuptim ne turqishte te mos ekzistoje me, te kete dale nga perdorimi e te jete zevendesuar me kuptime te tjera. Pra nuk perjashtohet mundesia qe shqipja ndaj turqizmave te deshmohet me konservative sesa vete turqishtja.
    Per krahasim, sot ne disa te folme periferike te shqipes, si ne te folmet e arvanitasve dhe te arberesheve ruhen kuptime te vjetra qe ne shqipen e sotme nuk gjenden me. Nuk perjashtohet mundesia qe kjo te kete ndodhur edhe me turqizmat e shqipes. Por per kete duhen fjalore te vjeter te turqishtes se folur dhe jo te osmanishtes zyrtare.

    1. Po, e kam menduar dhe e mendoj gjithnjë. Prandaj edhe i besoj dhe i referohem me kujdes Dizdarit, sepse ndryshe nga unë, ai e ka pasur ekspertizën e nevojshme për të bërë krahasimet edhe me faza më të vjetra të fjalëve në osmanishte dhe në turqishte vetë.

      Që fjala ta humbë një prej kuptimeve, kjo edhe ndodh (gjen plot shembuj, siç i ka vënë në dukje edhe Çabej); por më shpesh ndodh që fjalës t’i shtohet një kuptim i ri, i cili të bashkekzistojë me më të vjetrin.

      Pastaj, kur flasim për kuptime fjalësh, hipoteza se disa fjalë turqishte kanë hyrë në shqipe me kuptime të cilat më pas i kanë humbur në atë gjuhë nuk më duket shumë e mbështetur; sepse që të kalojë një fjalë nga një gjuhë në tjetrën, duhet të përdoret relativisht shpesh në gjuhën burimore; dhe nëse një fjalë përdoret relativisht shpesh, me një kuptim të caktuar në gjuhën burimore, aq të huazohet në një gjuhë marrëse me atë kuptim, atëherë gjasat janë fare të ulëta që ajo fjalë, në gjuhën burimore, ta humbë pastaj kuptimin me të cilin është huazuar, meqë humbja e një kuptimi kërkon rënie të përdorimit… Flas kështu në përgjithësi ose parimisht.

      1. Ndoshta ne pergjithesi eshte ashtu. Por ka edhe shume raste kur ndodh e kunderta. Ja disa shembuj fjalesh shqipe shume te shpeshta qe i kane humbur kuptimet e dikurshme edhe pse nuk u ra ndonjehere denduria e perdorimit:

        fjala “gjellë” dikur kishte kuptimin “jetë”
        fjala “jetë” dikur kishte kuptimin “botë”
        fjala “botë” dikur kishte kuptimin “baltë, tokë”
        folja “çoj” dikur kishte kuptimin “gjej”

        etj.

        1. E kisha fjalën që u ra denduria e përdorimit me ato kuptime që humbën. Se këtu po flasim për huazime fjalësh në kuptime të caktuara, jo fjalësh si të tilla.

  2. U bëra edhe unë kurioz tani për kuturu – mbase ndonjë lexues që ka akses te ndonjë fjalor etimologjik i greqishtes së re mund të na ndihmojë.

    Vetëm se fjala në shqipe dëgjohet edhe si kuturrum, dhe vetë Dizdari e vendos sëbashku me gjytyrym; pra mund edhe të jetë një kryqëzim dy huazimesh.

    Ndonjë etimologji e Dizdari-t është e diskutueshme; për shembull, nuk më ka bindur kurrë shpjegimi që fjala komb të vijë nga arabishtja kom; lidhja me greqishten e re κόμπος më duket shumë më bindëse.

      1. Me aq sa kuptoj, duket sikur edhe grekët kanë të njëjtin problem me ne: e lidhin kuturunë e tyre me fjalën turqishte, por nuk e shpjegojnë dot kapërcimin kuptimor.

        1. Ne fakt po ta mendosh holle-holle, kuptimi i greqishtes dhe i shqipes motivohet prej kuptimit te turqishtes: götürü “të blesh diçka me copë, në grumbull”.

          Perfytyro turkun me shallvare qe shkon ne pazar te bleje nje bostan. Ne vend qe ta zgjedhe bostanin te mire e te pjekur, ta provoje me veshe kercet a s’kercet, merr “nje cope ne grumbull” pa u menduar gjate, pra e merr kuturu. 🙂

  3. Sipas Cabejt , qe citon Meyer e Lokotsch:

    -kuturu,kuturum,kutrum :
    nga greqishtja e re κουτουρού ” au hasard”,κουτουριξω “agir sans reflexion” e kjo prej turq.se re götüru

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: