SHQIPËRIME (II)

U bënë muaj që po sjell në blog analiza kuptimore të orientalizmave të shqipes bisedore, kryesisht me synimin për të treguar (1) se këto fjalë kanë marrë një jetë të dytë në regjistrin bisedor dhe se (2) vetë regjistri bisedor i ka përdorur orientalizmat për t’u çliruar sadopak nga varësia prej leksikut dialektor, sa kohë që orientalizmat janë, në mënyrën e tyre, element i përbashkët i shqipes.

*             *             *

Edhe pse e ka pasur fjalën fytyrë që në kohën e Romës, shqipja ka huazuar nga osmanishtja dy fjalë të tjera me kuptim të ngjashëm: çehre dhe sur(r)at. E dyta është specializuar në përdorime keqësuese, siç ka ndodhur me shumë orientalizma në ligjërimin bisedor (mos ma sill më surratin këtu, ç’ke që më rri me surrat, ç’ma shtrembëron ashtu surratin?, mos t’ia shoh më surratin këtu, sikur ia pashë surratin në një nga tavolinat etj.; pa përmendur një numër të madh kompozitash pronësore, si surratmajmun, surratmut, surratmafishe, surratkatran, surratqen, etj.; këtu edhe surratsëz “i pafytyrë”), duke marrë edhe kuptimin e ri “prani, prezencë” – meqë fytyra e lajmëron këtë prani (disa nga këto fraza funksionojnë edhe me fjalën fytyrë; khs. nuk ke surrat ti të më tregosh mua se ç’të bëj ose me ç’surrat t’i dal përpara?, mos më daltë përpara, se do t’ia them (përplas) në surrat të gjitha); dhe që këtej, me metonimi, edhe personin përkatës (ç’deshi ai surrat në dasmën tuaj?). Që këtej pastaj edhe përdorimi i surrat si sharje e mëvetësishme: ik këput qafën, surrat! (khs. fytyrë e keqe! – *surrat i keq nuk para thuhet, sepse është pleonastike). Këtu surrat afrohet në kuptim dhe në përdorime me turí, fjalë relativisht e vjetër (huazim latin, të vërehet rotacizmi turini/turiri) që vjen nga sfera zoologjike (khs. turiqen, turiderr, turimajmun, turimut; ose (i) rri me turinj, var turinjtë, fut turinjtë atje ku s’më takon, ia thyen turinjtë; në të gjitha këto raste, personi gati shihet si të ishte edhe ai një lloj kafshe; ose sjellja e tij vjen e metaforizohet sipas modelit animal, meqë turiri (ose në shumës turinjtë) është pasaporta ideale, e krahasueshme me fytyrën e njeriut, e pranisë fizike të një kafshe shtëpiake në mjedis ose në kontekst, përfshi këtu edhe ndërveprimin me njeriun; dhe turiri ndihmon pastaj për të kaluar te hunda, si një tjetër metaforë për personin, brenda një kategorie veprimesh dhe ndërveprimesh: fut hundët, etj.; që edhe këto kanë referenca kafshët shtëpiake dhe veçanërisht qenin; por të shihet edhe turisëz, formim hibrid). Përkundrazi, çehre ka pësuar një shndërrim kuptimor më delikat, duke i bjerrë kuptimet e përbashkëta me sinonimet e tjera dhe duke u specializuar në shënjimin e pamjes ose ngjyrës së fytyrës (angl. mien, countenance), e cila është pasqyrë, ekran ose shprehje e gjendjes fizike, shëndetësore ose ndonjëherë edhe shpirtërore të personit (me çehre të mirë, me çehre të zbehtë, me çehre të ngrysur, i kish rënë një çehre e keqe, i kish rënë një çehre e bukur, të ka ikur çehreja fare, të ndërroi çehreja sapo erdhe në shtëpinë tënde, i ra çehreja e vdekjes). Të vihet re që çehreja ulet dhe ngrihet, si të ishte perde. Për ta përmbledhur, brenda katërkëndëshit fytyrë, turí, surrat dhe çehre, fytyra është termi neutral ose i pashënjuar (unmarked); çehreja i referohet një imazhi ose pasqyre të gjendjes së personit, fizike ose shpirtërore; turiri e sheh njeriun si të ishte një lloj kafshe; më në fund, surrat ka të bëjë më shumë me praninë sociale dhe rolin social të individit, zakonisht të padëshiruar ose të qortueshme.

*             *             *

Dy fjalë shqipe që kanë lidhje me përfitimin falas (angl. free-loading), qelepir dhe qyl, kanë pësuar edhe ato ndryshime kuptimore të thella, në raport me burimin. Qelepiri është diçka që merret falas ose pa mundim, “e ngrënë ose e pirë në kurriz të një tjetri” (FGjSh) (qelepiri është i ëmbël); edhe si ndajfolje: ha qelepir. Ndërkohë, në turqishten e sotme, fjala ka kuptimin “plaçkë e blerë me çmim fare të lirë (angl. bargain, steal; dirt cheap)”. Edhe qyl sot përdoret me kuptimin “falas, pa paguar” (ha qyl, e morëm qyl, frazeologji: i bie qylit), madje shumë më shpesh se qelepir, që është vjetruar; por në turqishte kül ka kuptimin “krejt, totalisht, krejtësisht, të gjithë.” Kapërcimi kuptimor është marramendës, aq sa të bën të mendosh për ndonjë ndotje kuptimore mes fjalësh (të vërehen këtu edhe qelepirxhi, në turqishten e sotme, dikush që “gjëmon të lirën”, dhe veçanërisht qylaxhi, që mbetet mjaft e gjallë në ligjërimin bisedor.

*             *             *

Fjala qyfyr(e), në shqipen e sotme bisedore, përdoret me kuptimin “gjëra që të bëjnë për të qeshur, që të zbavitin; shaka”; po ashtu qyfyrexhi është dikush që të zbavit, me shaka dhe batuta; njeri i qeshur dhe që krijon atmosferë gazmore rreth vetes. Burimi i saj është osmanishtja küfür, që sot në turqishte ka kuptimin “fjalë e ndyrë, sharje, profanitet; dhe më tej, mallkim, blasfemi”. Edhe një herë, kapërcimi kuptimor është i tillë, që të ketë nevojë për thellim antropologjik – edhe pse kalimi nga sharja, fjala e ndyrë, tabuja etj. te dëfrimi ose e qeshura ka shpjegimin e vet psikologjik (gëzimi që vjen nga shkelja e qëllimshme e një tabuje). Mund të supozohet, bie fjala, se qyfyre mund të jenë quajtur edhe barcaletat e ndyra, ose me fjalë të ndyra – të cilat janë karakteristike për ligjërimin bisedor dhe ligjërimin e thjeshtë.

*             *             *

E së njëjtës kategori me qyfyrin është edhe gallatë, që do të thotë “dëfrim, zakonisht me zhurmë të madhe dhe të qeshura me zë të lartë”; ndërsa gallataxhi është një person i pranishëm në situata të tilla, edhe pse jo doemos aktiv si qyfyrexhiu. Shprehje si “bëmë gallatë (me dikë, me diçka), gallatë e madhe, çfarë gallate!, ishte shumë gallatë, kot për gallatë, etj.” i dëgjon shpesh në ligjërimin bisedor. Ndryshe nga qyfyri, që mbetet akt, gallata është më tepër veprimtari; dhe konsiderohet si element a komponent i rëndësishëm i jetës së adoleshentit – i cili jo vetëm kërkon me ngulm të bëjë gallatë, por edhe (hiqet sikur) di të bëjë gallatë. Si veprimtari zakonisht e grupit, gallata i shërben edhe riprodhimit të lidhjeve ndërpersonale; të bësh gallatë, do të thotë të bësh gallatë së bashku me të tjerë. Që nga Meyer-i, këtë e kanë sjellë nga turqishtja galat, me kuptimin “gabim, lajthitje,” edhe pse etimologjia nuk bind shumë – përveçse po të hipotezohet një lidhje kuptimore midis një gabimi dhe të qeshurave që e shoqërojnë.

Nuk ka komente

  1. Shumë interesante xhaxha, falemnderit për serinë e shkrimeve mbi orientalizmat. Unë kam jetuar për disa vite në Turqi dhe kam vënë re jo pa habi ngjyrimet intensive emocionale që fjalët tuke (ose arabe nëpërmjet turqishtes) kanë marrë në adoptimin që u është bërë prej shqipes. Kam ndjesinë se shqipja, duke fuqizuar ngjyrimet emocionale të huazimeve nga turqishtja, ka shtuar konotacione negative, me ngarkesa qortuese / gjykuese por jo vetëm. Për shembull më kujtohet kur në një kompjuter që përdorte turqishten si gjuhë programi, më doli një tabelë e vockël me fjalën “hata’”. U tmerrova pasi pata frikë se mos kisha dëmtuar gjithë sistemin (duke patur parasysh sa e fuqishme është fjala “hata’” në shqip), ndërkohë që mesazhi synonte të më njoftonte se kisha shtypur tastën e gabuar. Në anglisht, kësaj do t’i korrespondonte tabela “error” ose në shqip “gabim”.
    Të këtilla ngjyrosje i ndesha për ditë gjatë periudhës që qëndrova në Turqi dhe qysh atëherë kam vrarë mendjen se sa interesante do të ishte një qasje antroplogjike e përse-ve të këtij fenomeni. Jam e tunduar të besoj se e gjithë kjo ka të bëjë me perceptimin kolektiv (mbase të pavetëdijshmen kolektive) të shqiptarëve ndaj turqve otomanë si autoriteti, pushtetin e të cilit mbase shqiptari tipik (nuk kam në fakt ide të qartë se cfarë / si ka qenë ky) e refuzonte, shmangte, injoronte, por edhe shtrëngohej të bashkëjetonte. Ndaj edhe, sipas meje, ngjyrimi intensifikues i konotacionit të leksikut të huazuar shpreh një mekanizëm mbrojtës shoqëror ndaj një entiteti gjithsesi të pamirëpritur. Po kjo është një temë më vete që lyp thellim dhe qasje më serioze se sa supozimet e mia yë psikanalizës së kinkalerive.

  2. Në lidhje me qyl, po shtoj se kështu e kemi pasë quajtur, në Tiranë, lojën e tretë të tavllës; ose atë version ku lojtarit i lejohet të zërë, me gurët e veta, çdo vend në fushë prej nga kundërshtari as ia ha, as ia kap dot; dhe ku dopjot luhen nga poshtë-lart (p.sh. dopjo-treshi luhet si katër tresha, katër katra, katër pesa dhe katër gjashta e kështu me radhë; çka do të thotë se dopjo njëshi të lejon të bësh 24 lëvizje) dhe, më në fund, nëse nuk më lajthit kujtesa, kundërshtari ka të drejtë të bëjë, me gurët e vet, të gjitha ato lëvizje që ti nuk i bën dot ngaqë fusha për ty është e bllokuar (dhe anasjelltas). Dizdari këtë lojë e ka si gjylbehar, madje edhe e përkthen si “pranverë e trëndafilit”. Edhe pse nuk e kam të qartë nëse gjylbehar është e njëjta me qylin e tavllës sonë; nuk mund të mos vërej një afërsi fonetike mes fjalëve qyl dhe gjyl; dhe tundohem të vërej se qyl, me kuptimin origjinal që ka pasur në turqishte-osmanishte (krejt, në tërësi) i përshtatet më shumë lojës në fjalë, sesa emri ose imazhi i trëndafilit (gjyl) dhe i beharit; prandaj këtu mund të kemi një kontaminim ose ngatërrim fjalësh; në mos edhe lojërash.

  3. sophieshqip thotë:shqip
    Jam e tunduar të besoj se e gjithë kjo ka të bëjë me perceptimin kolektiv (mbase të pavetëdijshmen kolektive) të shqiptarëve ndaj turqve otomanë si autoriteti, pushtetin e të cilit mbase shqiptari tipik (nuk kam në fakt ide të qartë se cfarë / si ka qenë ky) e refuzonte, shmangte, injoronte, por edhe shtrëngohej të bashkëjetonte. Ndaj edhe, sipas meje, ngjyrimi intensifikues i konotacionit të leksikut të huazuar shpreh një mekanizëm mbrojtës shoqëror ndaj një entiteti gjithsesi të pamirëpritur.

    Ndaj te njejtin opinion.
    Nje pjese e fjaleve qe vjeterohen(me sakte ,nuk jane me ne mode) dalin nga qarkullimi por ndodh qe folesit megjithate i perdorin. Kur nuk jane ne nje kontekst historik, perdorimi i tyre merr shpesh nje ngarkese perbuzese, qe nuk lidhet me vete fjalen por me kohen qe ajo perfaqeson . Psh kur perdoret ‘kallnuer’ ne vend te ‘janar’ ligjerimi merr nje nuance tallese, ne mos fyese, per nje kohe te vjeteruar,te dale mode, te baba Qemos, Deri ketu eshte normale dhe perbuzjes, te pakten mospelqimit, per shkak te daljes nga moda nuk i shpeton dot asnje fjale e vendit apo e huazuar.

    Ne kategorine e ketyre fjaleve per huazimet nga gjuhe te ndryshme vihet re nje diferencim.
    Keshtu eshte pothuaj e pamunundur te gjesh midis latinizmave , megjithese me te vjetrat , fjale qe perdoren me ngarkese percmuese. Nuk pelqehen , psh ‘pëlqyer, ‘tëmbël’ (per temth),etj, por nuk perdoren me qellim percmimi. Nga greqizmat mund te gjesh por jane te pakta si psh ‘dhaskal’, ‘dhjak’ apo ‘dhjakonar’, etj. Ndonje mund ta gjesh edhe nga serbizmat si ‘derzhava’, tashme e harruar fare,mbase edhe ‘rrogoz’ ndonjehere.
    Kurse nder turqizmat fjalet qe kane marre ngarkese percmuese i gjen me shumice.

    Nuk gjej dot argument tjeter vec atij te sophieshqip per te shpjeguar kete diferencim.

  4. Pavaresisht se eshte interesant, ky lloj interpretimi me ngjyresa psikanalitike calon shume. Madje edhe psikoanalitikisht ka nje problem. Sepse reagimi me i natyrshem i i nje mekanizmi mbrojtes do te ishte shmangia ose mosperdorimi i fjaleve me origjine turke. Ose nje mekanizem tjeter do te ishte ndrydhja ose shtyrja e ketyre fjaleve ne harrese.

    Po ashtu te mos harrojme se ne leksikun shqip ka dhe plot fjale me prejardhje turke qe marrin nje kuptim ndryshe nga origjinali por qe nuk perdoren me percmim, perkundrazi kane konotacione pozitive. Te krahasojme kuptimin qe shqipja bisedore i jep fjales “birinxhi” si ne rastin “birinxhi djale” . Ose inflacioni i fjales “hallall” ne te foluren shqipe. Apo edhe fjale te tjera si “tamam”.

  5. Te tallesh eshte fort me teper se te shmangesh,te mosperdoresh,te ndrydhesh apo te shtysh ne harrese dhe kete s’ka as bab’ as bir psikoanalisti ta kundershtoje.
    Ky kunderveprim(reagim) mbi te natyrshmen(?) mbeshtet edhe njehere mendimin e dhene nga sophieshqip.

    Sot ne ligjerimin bisedimor vend te ‘eshte birinxhi (djale)’ perdoret ‘eshte njesh (djale)’. Te jete valle kalkim nga turqishtja? Eshte apo s’eshte, ‘birinxhi’ s’ka asnje avantazh pozitiv mbi ‘njesh’; per te mos thene qe ne qofsh me fat, ‘birinxhi’ mund ta gjesh ende ne ndonje koder pas bregut te ndonje fshati shtate ore larg nga qyteti me i aferm.

    Kurse kjo ‘tamam’ qenka vertet e lezeçime !

    Dizdari jep kete rradhe te gjate sinonimike : aq sa duhet, plot, pike per pike, saktesisht, pikerisht, kryekeput, njipernji, tunjine, drejt, bash, cok, shi, mú, mjet(Budi), lik, pëtdhim(Gazulli).
    Sic shihet ‘tamam’ eshte nje i rendomte ne rradhe.

    Kurse ne zerin fjaleformime jep : i/e tamamtë, tamamshëm, tamamërisht.
    Nuk e di per te tjeret, por mua keto fjale me duken si dordolece ne aren me miser te blerte; sidomos kjo “tamamërisht”, s’me mbahet gazi… lol

    1. Fatma, po të citoj pak vargje nga një vjershë e famshme e Kadaresë, e viteve 1970:

      “Shqipëri e sertë
      Bar e borë e dert
      Treqind kryengritje
      Në katërqind vjet.”

      Këtu ndesh në dy turqizma, që për më tepër rimojnë mes tyre: e sertë, dert; të dyja të përdorura me patos; nuk ka as shenjën më të vogël të talljes, qesëndisë ose përqeshjes, përkundrazi. Kjo dukuri e zhvendosjes së disa turqizmave drejt stilit të lartë besoj se i ka rrënjët te poezia e Nolit, me fjalë të tilla si syrgjyn, bajrak, tufan… madje edhe flamurit kombëtar Noli i thotë “yrnek për fqinë”; edhe pse ky poet ishte i njëjti që përdori një kategori orientalizmash për të pikturuar, leksikalisht me qesëndi, një shqiptari tashmë të kapërcyer.

      Prandaj, do të thoja se tipik është specializimi stilistik i orientalizmit, jo degradimi i tij në leksikun me ngjyrime keqësuese, që është – ky i fundit – vetëm një aspekt i dukurisë.

  6. Pa dyshim,specializimi stilistik sigurisht ka efektet e tij por eshte i pamjaftueshem per te shpjeguar fenomenin.

    Noli e Kadare operojne ne fushen e letrave , zgjedhin, iu japin ngjyrime e tingellime fjaleve, nje pjese e te cilave pelqehen e pervetsohen ne ligjerimin popullor , por eshte e pamendueshme qe keta autore,apo edhe te tjere, sado te famshem qofshin, te manipulojne krejt ligjerimin sipas shijeve te tyre. Ligjerimi letrar dhe ai populllor jane bashkesi qe priten por nuk mbivendosen,kane jeten dhe pavaresine tyre.

    Bie fjala, nuk ka poet ,as akademi poetesh qe mund t’i japin tingellim pozitiv turqizmes “halldup”: ( O halldupi me shallvare/te flet turçe se merr vesht fare…)
    Edhe vete Dizdari qe ne hyrje te zerit shenon : ” Qe heret u ka qene veshe si apelativ perbuzes Turqve te Azise prej Shqipetarevet.”

    ‘Qe heret..’ shkruan Dizdari, por sa heret, qe kur? Qe me ardhjen e turqve, mendoj une, Qekurse keta ,me nje pangjashmeri te thelle ne cdo aspekt, gjuhe, fe, zakone, veshje etj etj,iu prishen rendin arberoreve.
    Ja nje deshmi tjeter: Ne anekset e Fjalorit te Bardhit, 1635, eshte nje fjale e urte : ” Ku shkel turku nuk mbin bar”
    A ka historian qe mund ta anashkaloje kete perceptim popullor e ta pershkruaje pushtimin/sundimin turk ne roze? Nese gjendet ndonje , nuk eshte historian. Kjo fjali kaq e kursyer ne fjale vlen me teper se volume te tera historianesh per te dhene frymen e epokes. Ashtu si ‘halldupi’, qe heret…

    E kam lexuar pikpamjen tende per turqizmat e Nolit ne ‘Kunder purizmit’ ,kur e krahason me Asdrenin por s’po e gjej dot tani ne c’faqe eshte.
    Sidoqofte eshte edhe nje pikpamje tjeter qe Noli nuk e dinte aq mire shqipen dhe i gjendur ne veshtiresi sherbehej prej turqishtes. Nuk marr persiper te them gje per kete sepse duhet me pare te krahasohet leksiku i poezive me shkrime te tjera te tij te se njejtes kohe , per te pare nese vertet i ka munguar shqipja apo ishte zgjedhje e tij.
    Ndoshta aso kohe, kur s’kishte shume kohe nga largimi i Turqise dhe njerezit e kuptonin ende mire turqishten , nuk e ka konsideruar problem perdorimin e turqizmave.

    Por mund te them se edhe pa turqizmat, Noli , me artin e vet, mund t’i bente ato poezi po aq te bukura e te tingellueshme.(Prove- perkthimet). Sidomos ai ‘yrnek’ te poezia e flamurit ,sot duket qe i ka sjelle dem , nga qe askush nuk e di me qe yrnek eshte shembell,model,gjedhe pa hapur fjalorin .

    Kurse per Kadarene e kemi pare ketu qe ka hequr dore nga turqizmat.

    Sigurisht nuk kam ndonje studim, por perceptimi im eshte qe nje pjese e turqizmave me kohe kane marre masivisht ngjyrime perkeqesuese. Por ketu duhet nje sqarim: nuk flasim per gjithe turqizmat, por vetem per nje kategori syresh. Ka turqizma, kryesisht ato qe s’kane ekuivalente ne shqipe, qe kane zene vend besoj te perhershem ne gjuhen shqipe dhe kryejne nje funksion te domosdoshem.

    Dhe duke u kthyer atje ku e nisem. Perse turqizma dhe jo huazime nga gjuhe te tjera marrin, nga ngjyrime deri plotesisht, ngarkesa negative?
    Une mbetem me mendimin e pare, ate te sophieshqip, qe arsyeja duhet kerkuar ne perceptimin popullor negativ per Turqine anadollake .
    Besoj se edhe vete turqishtja si gjuhe mjaft e larget, jo i.e., me shqipen si dhe pamundesia e integrimit te turqizmave ne sistemin gramatikor te shqipes ndikon ne tehuajzimin ndaj tyre.
    E pranoj efektin e stilizmit, por nuk me mjafton.

    1. Fatma, një gjë është kuptimi keqësues i një fjale dhe një gjë tjetër shoqërimi i referentit të fjalës me një diçka të padëshiruar ose ndjenjë të keqe. Fjala surrat e ka ngjyrimin keqësues si fjalë; ndërsa fjala bajgë e ka për shkak të sendit që i referohet.

      Nga ky këndvështrim, le të mos flasim për ato huazime nga turqishtja që i kanë referentët të ekspozuar ndaj gjykimit negativ – p.sh. bashibozuk; por për ato huazime të tjera, ku ngjyrimin keqësues e ka fjala.

      Edhe një gjë tjetër – jo për të të korrigjuar me çdo kusht, por sepse më duket me interes për argumentin: Dizdari, te lema halldup, thotë se nuk ka arritur t’ia identifikojë burimin nga turqishtja (osmanishtja etj.) dhe se s’ka gjetur dot gjë në fjalorët. Me një fjalë, etimologjia e kësaj fjale mbetet e paprovuar.

      E megjithatë, shqiptari e ka konsideruar si emër (përbuzës) për turkun, më shumë për ushtarin ose gjithsesi ruajtësin e rendit ose përçuesin e pushtetit perandorak. Dhe fjala, gjithsesi, tingëllon si turqishte: halldup – i përmbush kriteret fonetike, që te struktura jambike (oksitone) dhe deri te grupi bashkëtingëllor –lld-, që del në fjalë të tjera turke.

      Ky është kyçi i argumentit tonë, besoj: aftësia e supozuar e shqipfolësit për t’i dalluar turqizmat në bazë të disa karakteristikave fonetike – funksionon mjaft mirë, por nuk është e mjaftueshme. Kështu, fjalë si i sertë, rast, shishe, raft, zarf, selvi, kat, qibër, zyrë, xhep etj. nuk “duken” si huazime turqishte, edhe pse në fakt janë.

      Po ç’të jetë kjo halldup? Pse t’i ketë quajtur “populli” turqit me një fjalë së cilës nuk i gjendet burimi në turqishte? (Kur s’ia ka gjetur Dizdari…). Vetë Dizdari supozon se do të vijë nga ndonjë zhargon i turqishtes – por ky supozim nuk do të thotë asgjë. Mund të jetë ndonjë fjalë e dëgjuar keq ose e shtrembëruar; ose edhe fjalë e sajuar a kryqëzim. Mund të jetë fjalë e sjellë nga ushtarë të perandorisë osmane që nuk ishin turq, por flisnin ndonjë gjuhë tjetër të Azisë.

      Ja pra, një fjalë që ka ngatërruar më shumë se një etimolog të shqipes deri më sot: duhej të ishte turqishte, por që nuk është. Ose të paktën, ende nuk është provuar që është. Kjo të çon te hipoteza e një turqishteje imagjinare, të ngjashme me atë të vatan avazit e të kallkan dollapit, që e pata cekur në një shkrim të mëparshëm; një fjalë tipologjikisht e afrueshme me llacifac me të cilën i kanë quajtur ndonjëherë vllehët, ose barbar të grekëve të vjetër (halldup është ai që kur flet, shqipton fjalë të ngjashme me tingullin halldup).

      1. “Dhe fjala, gjithsesi, tingëllon si turqishte…”

        Pikerisht ketu eshte puna, te tingellimi. Ato fjale qe vetedija e folesit i percepton dhe i identifikon si turqizma, pergjithesisht u mvesh nuanca perkeqesuese e perbuzese. Turqizmat te tjere qe vetedija popullore nuk arrin t’ua identifikoje prejardhjen (si i serte, dert, xhep etj.) i shpetojne ketij “specializimi” konotativ.

    2. “Pa dyshim,specializimi stilistik sigurisht ka efektet e tij por eshte i pamjaftueshem per te shpjeguar fenomenin.”- Fatma

      Po, por aq me pak eshte psikanaliza. Une mendoj se me shume fenomenin e shpjegon politika, ose me sakte fakti qe qe nga Rilindja e deri me tash per arsye te kuptueshme e ndonjehere absurde, turqizmat jane konsideruar mekat, sidomos ne gjuhen formale. Edhe kjo qe permendni me duket nje arsye llogjike:

      “Besoj se edhe vete turqishtja si gjuhe mjaft e larget, jo i.e., me shqipen si dhe pamundesia e integrimit te turqizmave ne sistemin gramatikor te shqipes ndikon ne tehuajzimin ndaj tyre.”

      Ndersa per t’iu kthyer serish psikanalizes. Si shpjegohet rehatia me te cilet shqiptaret ndihen kur shkojne ne Turqi sot nese tere jeten i kane perbuzur ata? Pse ne aspektin sjellor-kulturor shqiptaret e ndiejne veten rehat ne Turqi por nuk e ndiejne ne aspektin gjuhesor? Keshtu qe sado e bukur psikanaliza, me shume hap probleme se zgjidh.

      1. Edhe unë nuk besoj se ka pasur ndonjëherë përbuzje të përgjithshme të shqiptarëve si të tillë për turqit si të tillë. Ka pasur një qëndrim të vetëkuptueshëm anti-osman gjatë Rilindjes, pjesërisht të lidhur edhe me anti-myslimanizmin e natyrshëm të komuniteteve të krishtera dhe të elitave të tyre; i cili më pas u përthye në nevojën, të shtruar si urgjente nga elitat e pas 1912-ës, për shkëputje dhe distancim nga “Azia”; që këtej edhe lufta kundër “anadollakut” si personazh tradicional, tashmë negativ, të shoqërisë shqiptare; dhe traditave “anadollake.” Ironia këtu është se vetë udhëtarët turq të të gjitha llojeve, së paku në shekullin XIX, kur vizitonin trevat shqiptare i gjenin këto ndonjëherë shumë të prapambetura dhe e vinin këtë në dukje (po të kishin leksikun e duhur, mbase do të kishin folur edhe ata për anadollakë). Faktori i tretë është tmerri ndaj “turkut”, këtë herë qenie imagjinare, e rrënjosur në kulturën arbëreshe, si pjesë edhe ajo e kulturës së Rilindjes dhe më tutje. Përndryshe, sidomos mes shqiptarëve myslimanë, nuk besoj të ketë pasur ndonjë përbuzje të veçantë për “turkun” si të tillë. Madje mua më duket edhe sikur një pjesë e zhargonit orientalist dhe shpesh anti-osman, që vazhdon të përdoret sot e kësaj dite nga disa eksponentë të elitave në Tiranë, është më shumë një mënyrë, prej këtyre eksponentëve, për t’u paraqitur si zëdhënës të grupeve që synojnë primatin kulturor dhe kushedi politik, duke luajtur kartën e Krishterimit; dhe që nuk e kanë aq me Turqinë, sa me myslimanët në Shqipëri – është çështje marrëdhëniesh ndërfetare, e cila pastaj përthyhet, për arsye të korrektesës politike, në prizmin e një diskursi pseudo-iluminist të progresit dhe të prapambetjes.

      2. “Si shpjegohet rehatia me te cilet shqiptaret ndihen kur shkojne ne Turqi sot nese tere jeten i kane perbuzur ata? ”

        Brahush,

        premisa jote eshte krejt subjektive. Kush tha se te gjithe shqiptaret e ndiejne veten rehat kur shkojne ne Turqi? Ti mund te flasesh vetem per vete. Une, fjala vjen, nuk e kam ndier veten fare rehat ne Turqi. Perkundrazi, mezi ç’prisja te ikja nje ore e me pare.

      3. Brahush,

        une nuk e kam permendur psikanalizen, as i besoj, as e quaj shkence. Ne kete ceshtje mund te debatosh me trekendeshin, ai e ka perdorur.

        Po ashtu Turqia e sotme nuk eshte ne fokus, ketu flasim per gjera te tjera.

        Ta ka thene edhe Relapso, ajo qe beson ti eshte ceshtje e jotja,ketu na interesojne vetem argumentat.

  7. Po natyrisht qe eshte subjektive por kjo nuk e ben te pavertete. Nese deshironi ta beni objektive ju nxis nepermjet ketij komenti te krijoni nje pyetesor. Jam i bindur se do te dilni ne te njejtat perfundime.

    Une nuk absolutizova. Nuk thashe “te gjithe shqiptaret” sic shkruani ju ne komentin tuaj. Une pergjithesova duke u shprehur “shqiptaret”. Dhe Jo, nuk mund te flas vetem per veten time. Mund te flas per familjen time, shoqerine time dhe shume bashkeatdhetare te tjere qe kane qene ne Turqi dhe qe une i kam takuar aty por edhe ne vende te tjera. Madje kete pergjithesim e kam nxjerre duke biseduar edhe me ate kategori shqiptaresh qe XhaXhai permend ne komentin e tij pak mesiper. Kategoria e iluministeve kallp me krenari perendimore. Perceptimi im eshte se nje pjese prej tyre jane ndiere mire ne Turqi pavaresisht paragjykimeve te mbartura. Natyrisht qe tek nje pjese tjeter brenda ketij grupi, paragjykimet vazhdojne te triumfojne. I respektoj mendimet e tyre por nuk mund t’i pergjithesoj sepse per mua perbejne nje minorance.

    P.S. Sa per saktesim nuk jam ndonje filoturk. Nuk deshiroj te jetoj aty dhe besoj se shqiptaret dhe turqit nuk kane aq shume te perbashketa sa c’mendohet rendom.

  8. Më lejoni të hedh një llaf të mirë për fjalën “halldup”. Mbaj mend që kur lexova mendimet e A. Klosit, AV dhe, më duket, P. Mishës në “Kurbanin” e Ramës, më pëlqyen të tre vlerësimet, veçse e vetmja frazë prej tyre që u skalit në memorie ishte “vërshimi i halldupërisë dhe maskarallëkut”, frazë e goditur në shenjë nga AV.

    Pse e mbaj mend edhe tre vjetë më pas? Sepse binte si këmbanë gjatë gjithë leximit dhe duke kryer këtë bënte shumë punë. Kuptimi i halldupërisë ishte për mua pak i tymtë, por në bashkim me maskarallëk dhe aliteracionin e “ll” mjaftoi që të kthehej në lajtmotiv.

    Sigurisht ky shembull s’i jep ngjyra pozitive vetë fjalës “halldup”, ama ilustron potencialin e saj sonor në një dorë të zotë. Ç’dua të them me këtë? Perceptimi im është se shumë orientalizma (jo të gjitha) kanë sonoritet lojëcak, dmth rrallë të sheshtë. Kështu më duket edhe halldup, në fakt mund të të bëj të qeshësh, duket fjalë e trashë (clumsy, heavy-handed). Por e barazpeshuar me maskarallëkun në frazën e mësipërme e zgjeron në mos tjetërson potencialin fillestar.

  9. I shtyre nga kurioziteti dhe debati, hulumtova nese fjala “halldup” njihet dhe perdoret ne turqishten e sotme, apo te asaj mbi gjysme shekulli me pare. Te tre personat qe jane me origjine shqiptare(prinderit), por te lindur e rritur ne Turqi, dhe qe e zoterojne/flasin/shkruajne turqishten si gjuhen e nenes, nuk e njihnin fjalen dhe nuk e kishin degjuar te perdorej asnjehere ne turqisht. Bile, duke qene se nuk jane rritur ne trojet shqiptare, nuk njihnin as perdorimin dhe kuptimin e fjales “halldup” ne shqip.

    Ne fjaloret shqip turqisht dhe vice-versa, fjala “halldup”, percakohet si fjale shqip dhe perkthehet ne turqisht si kaba adam(njeri i trashe, i pagdhendur, i ashper, i ardhur nga pylli, i eger, i pacivilizuat, etj.)

    E kam lexuar diku, qe Cabeu e liston fjalen “halldup” mes fjalesh te tjera, ku thote qe etimologjine, historikun e fjales, duhet t’ia kerkojme vecse brenda caqeve te shqipes, pa dalur jashte saj.

    1. Ke te drejte per Cabeun , i cili shkruan: ‘ Gjan te jete nje formim ‘elementar’, qe ne ndjenjen gjuhesore te shqiptarit jep idene e nje njeriu te trashe me trup e me shqise. Mendimi i Weigandit qe eshte fjale turke ,nuk ka mbeshtese.”

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: