FRIKA TE SHQIPTARËT

nga Teuta Toska dhe Anila Sulstarova

Në vitet e fundit ka një vëmendje të shtuar nga studiuesit për të kuptuar lidhjen midis njësive frazeologjike dhe emocioneve, mënyrës se si këto të fundit gjejnë udhë për t’u shprehur e shkarkuar përmes këtyre njësive. Fjalët e shënuara emocionalisht (dhe këtu përfshihen një gamë më e gjerë njësish në gjuhë) njihen më shpejt në diskurs dhe kanë përparësi përpunimi mendor në krahasim me fjalë me ngjyrim asnjanës.

Njësia frazeologjike, ose idioma, është njësia gjuhësore me ngarkesën më të madhe emocionale në një gjuhë, në mënyrë të veçantë në sistemin e saj leksikor. Kjo ngarkesë është fryt i ngërthimit të shumë elementeve që i gjejmë të shënuar te grupi i ngurosur, i përsëritshëm, i ngulitur i fjalëve: qëndrime estetike, aksiologjike, të kognicionit, të mendësisë, të këndvështrimit, pra të asaj që njihet si kultura e një bashkësie gjuhësore.

Ky shkrim është pjesë e një studimi më të thellë e të gjerë ndërdisiplinor, i tipit përshkrues, që bashkon koncepte dhe metoda të psikologjisë dhe gjuhësisë, për normat afektive të zotërimit prej folësve të shqipes të njësive frazeologjike që shprehin emocionin e frikës, dhe më konkretisht: për njohjen, familjaritetin, moshën e përftimit, literalitetin (ose kuptimin e fjalëpërfjalshëm) etj. Këtu do të ndalemi tek disa të dhëna të karakterit sasior e gjuhësor, duke menduar që për lexuesin mund të ketë interes të dijë se cilat njësi frazeologjike janë më të njohura nga shqiptarët, si përdoren ato për të shprehur frikën dhe cilat janë moshat që i përdorin më shumë.

Studimi ynë mbi idiomat ka si pikësynim të hetojë si shqipja e shpreh emocionin e frikës dhe më tej si shqiptarët e përdorin këtë pasuri të saj dhe të tyren, duke hulumtuar sa dhe si i përdorin këto njësi të gatshme në ligjërimin e tyre. Kështu edhe kërkimi shkoi në dy drejtime: në radhë të parë u kërkua në korpusin më të madh frazeologjik të shqipes, ku njësitë janë edhe të shpjeguara. Fjalori Frazeologjik i Gjuhës Shqipe[1], i botuar fillimisht në vitin 1999 dhe më pas i ribotuar në vitin 2010, i vetmi i llojit të vet në shqip, përmban 10 500 njësi të renditura në rend alfabetik sipas fjalës-vatër (fjala që ka ngarkesën semantike dhe funksionale të njësisë). Në radhë të dytë, grupi i njësive të gjetura u testua te një grup përdoruesish për të kuptuar shkallën e njohjes dhe të përdorimit të njësive.

Nga lënda frazeologjike e Fjalorit gjetëm 147 njësi që shprehin frikën, frikësimin, tmerrin, panikun, ankthin e frikësimit, dhe për të kuptuar nivelin e njohjes dhe të përdorimit të këtyre njësive nga shqiptarët u krijua një instrument (pyetësor) me 44 njësi më të njohura dhe të përdorshme, sipas nesh. Studimi përfshiu 240 folës (200 femra dhe 40 meshkuj), nga mosha 15 deri në 55 vjeç dhe shpërnda në google forms në korrik 2022.

Arsyeja e përzgjedhjes së një grupi më të vogël njësish ishte se u kujdesëm të përpilonim një pyetësor që kërkonte një angazhim jo aq të madh në plotësimin e tij, për shkak të mënyrës se si do të plotësohej (përmes mjeteve elektronike). Kriteret që përdorëm për të përzgjedhur një grup më të vogël ishin:

– u përpoqëm të shmangnim variantet e njësive (të cilat janë të shumta në ligjërim, dhe që një pjesë janë si të tilla edhe në Fjalor);

– shmangëm njësi që kishin në përbërjen e tyre fjalë me përdorim të rrallë a të kufizuar;

– shmangëm njësi që përdoren shumë rrallë në ligjërim, dhe për këtë u nisëm jo vetëm nga intuita jonë si folës të shqipes (autoret e këtij studimi), por edhe nga intuita e njohësve të tjerë shumë të mirë të shqipes edhe në nivelin shkencor (kolegë të departamentit të gjuhësisë të Universitetit të Elbasanit).

Kështu, sa për të dhënë një shembull, nga 6 njësi, si: dridhet si purteka në ujë, (e pret) me gjak të ngrirë, (pret) me zemër të ngrirë, (e pret) si dhia thikën, (është) ka me një bri; (është, rri) si lepuri në vresht, zgjodhëm për pyetësorin 2 njësi: “me gjak/zemër të ngrirë” dhe “si dhia thikën”.

Rezultatet e këtij studimi sasior treguan se pjesëmarrësit shfaqën një njohje të mirë të të gjitha njësive, çka tregon se përzgjedhja e këtij grupi ishte e mirë dhe e besueshme. Kështu, në listën më poshtë mund të lexoni njësitë që nuk janë të njohura nga pak më shumë se gjysma e pjesëmarrësve në pyetësor. Për shembull, njësia “e pret si dhia thikën” (shpjegimi – me shumë frikë nga diçka që pritet të ndodhë e që do t’i kushtojë shumë, me tmerr), ka numrin më të madh të atyre që deklarojnë se nuk e njohin (170) dhe se nuk e përdorin (186). Ndërsa pjesa tjetër e pjesëmarrësve kuptohet se e kanë dëgjuar dhe se e përdorin.

Njësitë janë listuar më poshtë në rend zbritës sipas numrit të pjesëmarrësve që pohojnë se nuk i njohin njësitë. Ashtu si edhe pritet, numri i atyre që nuk i përdorin është edhe më i madh. Kështu për shembull, përveç njësisë “si dhia thikën” më pak përdoren edhe “Më shtiu barkun (dikush a diçka)” (166) dhe “U bë (bëhem) mermer” (162), “u bë gëlqere” (157), “si djalli (shejtani) nga temjani (154)”. Folësit i njohin, i kanë dëgjuar njësitë në ligjërim, por mund të mos zgjedhin t’i përdorin dhe (sepse) mund të kenë pak mundësi për t’i përdorur.

Njësitë që njihen më pak Numri i atyre që nuk i njohin
(e pret) si dhia thikën 170
Më shtiu barkun (dikush a diçka) 125
U bë ftua (në fytyrë) 111
U bë (bëhem) mermer 87
(ikën, ruhet) si djalli (shejtani) nga temjani 81
Iu zbardhën buzët 80
I tregoi drunë 78
U bë gëlqere (në fytyrë) 75
I bëhet ferra Brahim (dikujt) 66

Njësitë që njihen dhe përdoren më pak nga shqiptarët sot duket se janë ato që kanë një shkallë të ulët qartësie semantike, për shkak se në të bëjnë pjesë forma gramatikore arkaike (i tregoi drunë); ka në to fjalë që nuk janë më në përdorim (ose janë të rralla) në ligjërimin e përditshëm [U bë gëlqere (në fytyrë); i bëhet gogol]; kanë një nivel të lartë idiomaticiteti, pra, folësit nuk arrijnë të depërtojnë në kuptimin e fjalëve më vete dhe kuptimit tërësor të njësisë [Më shtiu barkun (dikush a diçka); (pret) si dhia thikën; I dolën sytë dokërr]; kanë një shkallë të lartë të figurshmërisë, me përdorimin e hiperbolës, përveç metaforës që e formon njësinë [hiperbola: U bë (bëhem) mermer; I dridhen zorrët e barkut]; i përkasin ndonjë sfere të veçantë të veprimtarisë jetësore [si djalli (shejtani) nga temjani – pra, sferës fetare]; dhe përshkruajnë një akt fizik që mund të vizualizohet lehtë prej përdoruesit të gjuhës [U ndërrua në fytyrë; U bë gëlqere (në fytyrë); Me brekë nëpër këmbë (zvarrë); Iu zbardhën buzët]. Në lidhje me ikonicitetin e qartë të njësisë, të bën përshtypje se si “i shpëtoi shurra” deklarohet nga 62 folës se e dëgjojnë gjithmonë, 72 e dëgjojnë shpesh dhe vetëm 11 që nuk e kanë dëgjuar. Ndërsa kur vjen fjala për përdorimin e kësaj njësie, 89 prej tyre pohojnë se nuk e përdorin kurrë, dhe se e përdorin vetëm 29 pjesëmarrës.

Në listën më poshtë kemi njësitë frazeologjike që njihen dhe përdoren më shumë.

Njësitë që njihen më shumë Numri i atyre që i njohin
M’u bë gjaku ujë 112
S’ia mban bytha 110
Më ngriu (m’u pre) gjaku 101
M’u prenë këmbët 100
Ia mbathi me të katra 98
I dridhen këmbët / gjunjët 89
M’u prish (turbullua) gjaku 88
U bë një dorë / një grusht 86
Më ra gjaku në fund të këmbëve 85
I ka hyrë frika në bark /në palcë/ në mish 83
(e pret) me gjak / zemër të ngrirë 83
Një çehre i vinte, një çehre i shkonte 81
I shkojnë (i venë) shtatë (në qase) 71
U bë dhè 69

Kur pjesëmarrësit u pyetën se “Sa e përshkruan kjo njësi gjendjen tënde të frikës kur e përjeton zakonisht?” tri njësi rezultuan me një numër më të lartë përgjigjesh me “plotësisht”, pra që folësit mendojnë se njësia e përshkruan përjetimin e tyre të emocionit të frikës: “Mbeta (ngela) pa frymë / Më iku fryma”; “Më ngriu (m’u pre) gjaku”; “Më ra gjaku në fund të këmbëve”, ndërsa njësia “M’u bë gjaku ujë” është fare afër në vlera numerike me alternativën “plotësisht”. Përjetimi i emocionit të frikës për shqiptarët lidhet me dy elemente që kanë të bëjnë me ekzistencën vetë dhe me gjallërinë e saj: fryma dhe gjaku. Veçanërisht njësitë me fjalën “gjak” janë ato më të përdorshmet sot për të shprehur frikën. Ndjeshmëria e lëvizjes (së shpejtë) dhe e moslëvizjes së gjakut në trup është përjetimi fizik, ose pasoja më e vëzhgueshme/perceptueshme e frikës për shqiptarët në trupin e vet (a në trupin shoqëror).

Po ashtu, një vend të rëndësishëm, siç mund të shihet edhe nga lista më lart, marrin edhe njësitë që përshkruajnë simptoma fizike të manifestimit të frikës e frikësimit te gjymtyrët: m’u prenë këmbët, i dridhen gjunjët; te ndryshimi që i ndodh fytyrës: “u bë dhè”, “u bë jeshil”, “u ndërrua në fytyrë”, “një çehre i vinte, një çehre i shkonte”; përshkruajnë gjithashtu edhe dy nga katër përgjigjet e njeriut ndaj këtij emocioni: “Ia mbathi me të katra” (arratia, largimi) dhe “U bë një dorë / një grusht” (ngrirja).

Nga grupi i njësive që e shprehin frikën në shqip mund të dallosh se njësitë herë janë ngurosur si një shprehje vetjake e frikës dhe herë si shprehje për frikën e tjetrit, që subjekti krijues e ka përshkruar duke ia vëzhguar përjetimin tjetrit nga jashtë. Raporti vete-tjetër mund të jetë një objekt interesant studimi, duke vështruar si është ngurosur njësia dhe çfarë karakteristikash përshkruan ajo. Në këtë grup, 10 prej njësive shprehin frikën vetjake (Më dridhet zemra, M’u prenë këmbët, M’u bë gjaku ujë etj.); 31 prej tyre përshkruajnë frikën e tjetrit [u bë jeshil, I iku gjaku (nga fytyra), Ia mbathi me të katra, u bë dhè]; njësia “U bë (bëhem) mermer” mund të përdoret për të treguar edhe frikën e tjetrit, por dhe të vetes dhe tek 2 prej tyre nuk mund ta dallosh këtë kundërvënie (janë pavetore): dridhet foshnja në barkun e nënës, të kall (të shtie) datën.

Një karakteristikë tjetër interesante e shprehjes së këtij emocioni në shqipe ishte vetë mënyra e shprehjes së frikës. Që në fazat e para të kërkimit të njësive tek Fjalori Frazeologjik vumë re se shprehja e frikës mund të realizohej edhe në mënyrë të tërthortë, p.sh. “Nuk i veton[2] ashka[3] e syrit” (nuk ka frikë fare, nuk do t’ia dijë për asnjë kërcënim, nuk i trembet rrezikut),nuk e fsheh ballin” (është trim i madh; nuk i fshihet asnjë rreziku, i del ballas), “në dritën e diellit” (në sy të të gjithëve; haptas, sheshit; pa u fshehur), “e kam zemrën të ngrohtë” (jam i qetë shpirtërisht dhe e pres pa frikë të ardhmen, jam i kënaqur, e kam zemrën plot), “s’i dridhet pushka” (është trim e guximtar, nuk tutet) etj. Me “shprehje të tërthortë” veçuam ato njësi që shënonin jo vetëm mungesën e frikës, të frikësimit dhe të pasojave të kësaj ndjenje, por edhe shfaqjen e trimërisë (në shpjegimin e tyre), madje edhe shprehjen e gjendjeve të tjera emocionale, që shkojnë në kahun e kundërt të frikës (si guximi, për shembull). Nga pikëpamja e formës, këto njësi, në një pjesë të konsiderueshme, kanë formë mohore, d.m.th. shoqërohen nga pjesëza mohuese “nuk” dhe “s’”. Kështu: njësia “Nuk i veton ashka e syrit” i mëson dikujt se frika mund të shkaktojë vetimin, përkatësisht dridhjen dhe palpitacionin e qepallës së syve dhe se mungesa e kësaj simptome tregon trimëri. Ose njësia “e kam zemrën të ngrohtë” na çon te kundërvënia i ngrohtë / i ftohtë dhe se ftohtësia i përgjigjet gjendjes së ankthit për të ardhmen, që përjetohet nga trupi ynë, e veçanërisht e organeve që identifikohen si qendër e emocioneve, si zemra në rastin tonë.

38 nga 240 personat që morën pjesë në këtë studim ishin të moshës 20-25 vjeç. Ajo që bie në sy në këtë grupmoshë është se niveli i njohjes së njësive nuk është aq i lartë dhe niveli i përdorimit të tyre edhe më i ulët. Në disa prej pyetësorëve të plotësuar prej kësaj grupmoshe nuk gjetëm njësi të përzgjedhura tek alternativa “e përdor gjithmonë”. Ndoshta edhe pa rezultatet sasiore të këtij pyetësori mund ta kemi kuptuar që përdorimi i njësive frazeologjive prej kësaj grupmoshe në ligjërimin e përditshëm është i pakët dhe po bie.

Frazeologjia e shqipes mund të shihet nga qasje e metoda të ndryshme dhe kjo metodë në këtë studim u nis nga funksioni themelor semantik i idiomës në fjali, pra përmbajtja e saj dhe roli që luan në strukturën më të madhe sintaksore ku përdoret. Njësia këtu shihet edhe si një mjet që lejon shkarkimin emocional dhe shprehjen e një emocioni të fortë, duke realizuar një karakteristikë që ligjërimi i folur e ka: folësit duan të tregojnë më fort se si ndihen ata për një ngjarje të caktuar sesa të shprehin se çfarë ngjau. Çdo qasje zbulon elemente interesante për kognicionin, mendësinë, këndvështrimin, vizionin që janë të përfaqësuara dhe të gjuhësuara në shqipe dhe të rrënjosura te shqiptarët, dhe ky studim është vetëm në fazat e tij të para.

 

© 2023 Teuta Toska dhe Anila Sulstarova. Të gjitha të drejtat janë të autoreve.


Referenca
[1] Jani Thomai, Fjalori Frazeologjik i Gjuhës Shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Botimet EDFA, Tiranë, 2010.
[2]Vetëtin.
[3] Qepallë.

Bibliografi
Cacciari, C., Kucharski, M. et al. When emotions are expressed figuratively: Psycholinguistic and Affective Norms of 619 Idioms for German (PANIG). Behav Res 48, 91–111 (2016). https://doi.org/10.3758/s13428-015-0581-4)
Tabossi, Arduino, & Fanari, 2011 Tabossi, P., Arduino, L. & Fanari, R. Descriptive norms for 245 Italian idiomatic expressions. Behav Res 43, 110–123 (2011). https://doi.org/10.3758/s13428-010-0018-z
Tabossi, P., Fanari, R., & Wolf, K. (2008). Processing idiomatic expressions: Effects of semantic compositionality. Journal of Experimental Psychology: Learning, Memory, and Cognition, 34(2), 313–327. https://doi.org/10.1037/0278-7393.34.2.313
Thomai J. Çështje të frazeologjisë së gjuhës shqipe. Tiranë, 1981.
Thomai J. Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe. Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Botimet EDFA”, Tiranë, 2010.

 

Kopertina: Puppets by Paul Klee named the Ghost of a Scarecrow, Electrical Spook, and Mr Death — Source: Zentrum Paul Klee, Bern (CC BY-SA 4.0).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin