RRËFIME TË SHKURTRA PËR NJË DITË TË GJATË

nga Arta Sopaj

Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë.  Një kronikë e pazakonshme e shekullit të 20-të.  

Të premten, më datë 9 qershor, në hapësirat e Universitetit të Humboldit në Berlin, u zhvillua një takim letrar me autorin Enver Robelli mbi librin e tij „Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë. Një kronikë e pazakonshme e shekullit të 20-të.“ Ky aktivitet u organizua nga Organizata e Akademikëve dhe Studentëve Shqiptarë në Berlin (OASA), nga Südosteuropa-Gesellschaft Berlin (Shoqata për Evropën Juglindore) dhe Shoqata Martin Camaj me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin. Në fjalën e tij përshëndetëse, profesori dhe shefi i Departamentit të Studimeve për Sllavët e Jugut në Universitetin e Humboldit, si dhe presidenti i Shoqatës Martin Camaj, z. Christian Voß, u uroi mirëseardhje pjesëmarrësve, duke i përshëndetur edhe në emër të Shoqatës së Evropës Juglindore dhe të Shoqatës Martin Camaj. Ai është shumë optimist se aktivitete të tilla, si dhe shkëmbimet studentore që po bënë përmes Erasmus+ me studentët nga Kosova dhe Shqipëria, janë në dobi të Studimeve Shqiptare për t’u bërë të njohura në Berlin dhe në Gjermani. Znj. Blerta Lazebeu, kryetarja e Organizatës së Akademikëve dhe Studentëve Shqiptarë në Berlin, e konsideroi librin si episode të shkurtra që e kanë shoqëruar zëshëm apo heshturazi shekullin e pazakontë të 20-të, shkruar me nota humori e satire, por bazuar në dëshmi e fakte historike.   Përveç tyre, fjalën e mori edhe ambasadori i Kosovës në Berlin, z. Faruk Ajeti. Ndër të tjerash ai tha se gjatë leximit të krijohet përshtypja se je duke ecur nëpër shekullin e kaluar, duke kalëruar nëpër trajektoren e një njëqindvjeçari të tmerrshëm e të një shekulli edhe shumëngjyrësh. Dhe në fund, fjala iu dha autorit z. Enver Robelli, i cili kishte përzgjedhur disa nga rrëfimet e tij për t’i lexuar para audiencës. Salla ishte e mbushur me njerëz, të cilët e dëgjonin me shumë vëmendje. Nga prezantimi i tij, për shkak të dialektit, mund ta dalloje lehtësisht që ishte shqiptar i Kosovës. Robelli ishte tip karizmatik, pati raste kur e gjithë salla po qeshte me batutat e tij. Por para se ta lexoja librin, titulli i tij nuk më thoshte asnjë gjë në lidhje me përmbajtjen e librit.

Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë. Një kronikë e pazakonshme e shekullit të 20-të?

Në këtë koleksion rrëfimesh të shkurtra, Robelli u ofron lexuesve një këndvështrim unik dhe tërheqës për disa nga figurat më të rëndësishme të shekullit të 20-të. Shkrimi i tij karakterizohet nga njohuritë e tij të thella të historisë dhe politikës, si dhe aftësia e tij prej gazetari për të krijuar portrete të gjalla të personazheve të tij. Çdo rrëfim në libër është një rrëfim i pavarur që eksploron një aspekt të ndryshëm të jetës së një personazhi. Në këto rrëfime janë kryesisht në qendër figurat kryesore historike, politike dhe letrare të shekullit të 20-të. Shumica e tyre fitues të çmimit Nobel. Pati disa të cilëve nuk u bëri shumë përshtypje çmimi, si p.sh. Herman Hesse i cili i shkroi bashkëshortes së tij “ta hajë djalli këtë bërllok të mallkuar”. Pati disa të tjerë që e refuzuan çmimin Nobel, si Jean-Paul Sartre, por që më vonë u pendua dhe 11 vjet më vonë pyeti Komitetin e Nobelit nëse mund t’ia paguajnë së paku paratë që ishin pjesë e mirënjohjes. Kërkesa e tij u refuzua. Ndërsa poetit suedez Erik Axel Karlfeldtit, kjo mirënjohje letrare iu nda vetëm pas vdekjes së tij. Shkrimtari japonez Jasunari Kavabata mbyti veten 4 vjet pasi mori Çmimin Nobel për letërsi, kishte frikë se nuk mund t’i arrinte caqet që ia kishte vendosur vetes. Ky nuk ishte i vetmi që mbyti veten pasi mori Çmimin Nobel, edhe autori suedez Harry Martinson mbyti veten pas marrjes së Çmimit, ai për motive të tjera. Martinson i dha fund jetës sepse opinioni reagoi me mllef ndaj tij për marrjen e Çmimit Nobel, për shkak se kishte konflikt interesi, ishte anëtar i Akademisë që po e nderonte. Ndërsa poeti i famshëm T. S. Eliot e konsideronte Çmimin Nobel si biletë hyrëse në varrimin e vetvetes, sepse askush s’ka krijuar diçka pasi e ka marrë Nobelin.

Enver Robelli nuk e ka trajtuar vetëm çështjen e Nobelit në librin e tij, por ka trajtuar edhe disa histori personale të figurave të rëndësishme në skenën politike dhe letrare gjatë shekullit të 20-të, prej të cilave disa edhe histori jorelevante, por që e mbajnë lexuesin të ngërthyer pas librit. Kjo për shkak të stilit të të shkruarit të Robellit, ai është i shpejtë dhe i mbushur me veprime, dhe kështu e bën të vështirë heqjen nga libri. Trajton histori për të cilat nuk janë të njohur këta personazhe, duke e bërë kështu leximin, një lexim që vazhdimisht të ngjall mendime.

Stili i të shkruarit është poetik dhe përshkrues, në disa raste edhe sarkastik. Ajo që e veçon veprën e Enver Robellit është aftësia e tij për të sjellë në dritë histori të pa popullarizuara, që historikisht janë të sakta, por që i jep ngjyra emocionale. Nëpërmjet rrëfimeve të tij, ai i ndihmon lexuesit të kuptojnë më mirë personalitetet e shquara të cilët ka zgjedhur. Një nga aspektet më mbresëlënëse të librit është gama e gjerë e temave që trajton. Nga autorë të famshëm deri te figurat politike të rëndësishme, ai eksploron jetën dhe veprimtarinë e disa prej figurave më të rëndësishme të shekullit të 20-të, duke u ofruar lexuesve një këndvështrim të ri mbi ngjarjet dhe personalitetet që ata mund të mendojnë se tashmë i njohin mirë. Këtë mund ta shohim p.sh. te rrëfimet e tij për Thomas Mann-in, autorin e veprave Mali magjik, I përzgjedhuri, Doktor Faust etj. Padyshim që njihet si një ndër shkrimtarët më të suksesshëm të shekullit të kaluar, por askujt nuk do t’i shkonte ndërmend që kur u dha premiera e dramës ‘Firenza’ në Berlin, ai do t’i frikësohej kritikut letrar më të madh të asaj kohe në Gjermani, Alfred Kerr. Ai edhe pse një mbështetës i hershëm i Thomas Mann-it, e kishte cilësuar atë si joburrëror, ndërsa Robelli e lidh këtë fakt me pikëpyetjet mbi homoseksualitetin e Thomas Mann-it. Këtë e trajton pastaj më gjerësisht në raportin që kishte Thomas Mann-i me djalin e tij, i cili ishte homoseksual.

Në një tjetër këndvështrim e sjell edhe shkrimtarin Lev Tolstoi-n. Ne për shembull të gjithë do të dinim lehtësisht fundin tragjik të personazhes së tij Ana Karenina, por pak nga ne mund të dimë fundin e vetë Tolstoi-t. Edhe ai, vdiq në një stacion hekurudhor në Rusi. Robelli e përshkruan fundin e tij si vdekje spektakolare. Ai thotë se më 28 tetor 1910, shkrimtari rus iku nga shtëpia, duke i lënë një letër gruas së tij: ‘Po bëj atë që bëjnë pleqtë në moshën time: po e braktis jetën e kësaj bote për t’i kaluar ditët e fundit të jetës sime në vetmi dhe qetësi.’ Ai u sëmur gjatë udhëtimit, dhe përkundër vullnetit të tij vdekja e tij u bë lajm botëror.  Mbi 1000 njerëz morën pjesë në ceremoninë mortore.

Para dy vitesh kur vizitova Muzeun e Louvre-it në Paris më kishte bërë shumë përshtypje piktura e Mona Lisës, të cilën mund ta shihje vetëm nga një distancë dhe anash saj rrinin gjithë kohës rojtarë. Pasi lexova rrëfimin e Robellit, e kuptova pse ruhej kaq shumë kjo pikturë. Më 20 gusht 1911 italiani Vincenzo Peruggia u fsheh në Muzeun e Louvre-it dhe vodhi pikturën e Mona Lisës, ai tha se dëshironte që pikturën t’ia kthente atdheut të tij, atij nuk i interesonte që Leonardo da Vinci ia kishte shitur pikturën Mbretit të Francës më 1519. Mona Lisa u kthye sërish në Louvre më 1 janar 1914.

Më 1913 piktori gjerman Franz Marc kishte pikturuar një skenë me ujq dhe e kishte quajtur Ujqit. Lufta në Ballkan. Pasi lexova këtë rrëfim, e mendova thënien ‘Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron’. Një temë aktuale edhe pas një shekulli.

Robelli na jep edhe disa shënime për Franz Kafkën. Ai na tregon se shumica e romaneve të tij nuk janë përfunduar, ashtu si edhe lidhjet e tij intime. Ai ka qenë 3 herë i fejuar, 2 herë me të njëjtën grua, por nuk u martua asnjëherë. Nga ndjenjat e tij të sinqerta për këto gra, me të cilat kishte qenë në lidhje dashurie, kemi disa nga letrat më të bukura të cilat më vonë u botuan te Letra Felices dhe Letra Milenës, dhe u bënë padyshim pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së shekullit të 20-të. Po sikur Kafka të ishte martuar me Felicen, mbase nuk do të ishte lidhur kurrë me Milenën dhe nuk do të ekzistonin kurrë letrat e Milenës. Çështje fati!

Chanel no. 5 është një nga parfumet e mi të preferuara. Te rrëfimet e Robellit thotë se ky parfum doli në shitje në vitin 1921. Imagjinoni të jesh edhe pas 100 vjetësh nga produktet më të mira në treg, mbase Coco Chanel kishte të drejtë që numri 5 sjellka fat. Por nuk e kishin fatin e njëjtë edhe ta zëmë për shembull revista “Playboy” e cila u botua më 1953 për herë të parë. Burrat e blinin dhe e lexonin dhe nganjëherë koleksionin ua linin trashëgimi bijve të tyre, por që nga pranvera e vitit 2020 “Playboy” nuk shtypet më, s’ia vlen financiarisht, nuk ka interesim.

Gruaja e Stalinit, Nadezhda Allilujeva, pas një darke ku kritikon me zë të lartë terrorin e Stalinit, largohet nga darka dhe kryen vetëvrasje. Mirëpo ajo nuk qe e vetmja në skenën politike që kreu vetëvrasje, të tjerët sigurisht për motive të tjera. Robelli përshkruan edhe fundin tragjik të Adolf Hitler-it dhe bashkëshortes së tij. Diktatori nazist vendosi t’ia marrë jetën vetes, u përshëndet me shërbëtorët e tij besnikë dhe urdhëroi që kufoma e tij dhe e gruas së tij të digjeshin.

Pra, këto janë disa komente për rrëfimet e Enver Robellit. Libri përmban personazhe të zgjedhura si p.sh. Franz Kafka e Thomas Mann-i, veprat e të cilëve vazhdojnë të frymëzojnë edhe lexuesit e sotëm, deri te figurat politike si Adolf Hitler-i, Joseph Stalin-i, Franklin Roosevelt-i,  të cilët ndryshuan rrjedhën e historisë përmes politikave dhe lidershipit të tyre. Për më tepër edhe laureatët e Çmimit Nobel, të cilët dhanë kontributin e tyre në politikë, shkencë e letërsi, puna e tyre vazhdon të frymëzojë njerëzit në mbarë botën.

Të gjitha këto rrëfime, tematika e të cilave është marrë nga një kohë e trazirave të mëdha politike dhe letrare, përçojnë nga një mesazh të rëndësishëm për lexuesin. Në përgjithësi, mendoj që ky libër është një përmbledhje shumë e mirë dhe ka personazhe interesantë, megjithëse dinamika e ngjarjeve është shumë e vrullshme dhe nuk ka një rrjedhshmëri natyrore ndërmjet rrëfimeve. Pavarësisht kësaj, unë gjithsesi do ta rekomandoja këtë libër për këdo që ka interes për historinë, politikën, letërsinë dhe për marrëdhëniet ndërnjerëzore në përgjithësi.

© 2023 Arta Sopaj. Të gjitha të drejtat janë të autores.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin