SOCIALIZIMI MORAL I LEA YPIT

nga Kaon Serjani

Lea Ypi prej muajsh ka lajmëruar se është angazhuar në shkrimin e një libri të ri. Libri i saj të Të lirë (Dudaj 2021) bëri jehonë të madhe në qarqet letrare dhe mediatike, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe është botuar tashmë në mbi 25 gjuhë të ndryshme. Mbase ky sukses, së bashku me angazhimin e saj akademik e publik kanë bërë që Ypi të cilësohet nga revista Prospect si një nga mendimtarët më me ndikim në botë për vitin 2022[1] dhe nga Frankfurter Allgemeine Zeitung si një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës për vitin 2022.[2]

Shumë shqiptarë mbase do të binin dakord se suksesi i saj në arenën ndërkombëtare i bën nder Shqipërisë për të ndihmuar në një imazh tjetër të vendit tonë në botë, i cili vitet e fundit është identifikuar më së shumti me lajmet e gazetave angleze të llojit “‘Rritje eksponenciale’ e emigrantëve shqiptarë që kalojnë Kanalin këtë vit”.[3] Do ishte e pasinqertë po të thoja se popullariteti dhe arritjet akademike të Ypit nuk më bëjnë përshtypje. Personalisht përjetoj emocione të përziera; vërtitem mes ndjenjave patriotike dhe shqetësimit për themelin filozofik të vlerave që ajo promovon.

Duke qenë i interesuar për temat e moralit, më tërhoqi vëmendjen një leksion i Ypit i datës 7 shkurt 2023 me titull “Dinjiteti dhe Padrejtësia Historike” (“Dignity and Historical Injustice”) dhënë para një publiku të zgjedhur në Neubauer Collegium for Culture and Society i Universitetit të Çikagos. Vura re se leksioni ishte një ndërthurje mes leximit të fragmenteve nga libri i ri në proces i autores dhe shpjegimit se çfarë qëllimesh filozofike dhe letrare synon ajo me botimet e saj.

Ypi e nisi leksionin e saj duke lexuar një fragment nga libri në proces ku përshkruante rropatjet e saj në rrugët e Tiranës për të gjetur adresën e arkivave të ish-sigurimit të shtetit, me synimin për të parë dosjet e paraardhësve të saj. Kapitulli i zgjedhur për lexim dukej i përshtatshëm për të ndërtuar tensionin mes ‘padrejtësisë historike’ dhe nevojës për të rivendosur ‘dinjitetin’. Dosja e parë që Ypi shfleton në ambientet e arkivit është e gjyshes së saj, Leman Ypi, dhe llahtariset kur lexon se gjyshja cilësohej aty si agjente greke. Lea e ndjeu rrezikun e madh që i kanosej gjyshes në atë sistem por ishte e bindur se asaj po i bëhej një padrejtësi dhe iu duk sikur tani iu ngarkua misioni për të nxjerr në dritë të vërtetën dhe kështu të rivendoste dinjitetin e gjyshes.[4]

Pas leximit të fragmentit, Ypi bëri një analizë të gjatë ku mes të tjerash komentoi:

“Është një besim i përhapur në shoqëritë si ajo shqiptare se, duke njohur të vërtetën se si familjet ishin trajtuar, apo se si e kishin përjetuar këtë sistem shtypës, dhe duke ditur se cilët individë ishin përfshirë si bashkëpunëtorë për ta mbajtur në këmbë sistemin, më në fund dinjiteti i viktimave do të rindërtohet. Dhe argumenti është që vetëm kur kjo të ndodhë do të ndodhë edhe procesi i pajtimit që ende shqetëson shoqërinë shqiptare”.[5]

Sipas Ypit, libri i saj i ri mund të ilustrojë se kjo rivendosje dinjiteti mund të ndodhë vetëm nëse ka një të vërtetë që mund të gjendet në arkiva dhe nëse mund të besohet mekanizmi përmes së cilit e vërteta është transmetuar. Ypi vetë ngre pikëpyetje nëse arkivat përmbajnë të vërteta objektive.

Me siguri, kur libri të botohet, opinioni ynë do të jetë më i plotë për ato që Ypi trajton aty, por ajo që më ngacmoi mua është vullneti i shkrimtares për të mbajtur në qendër të librave të saj tema morale. Ajo përmend vazhdimisht se është e angazhuar për të promovuar një socializëm moral, që duket se vjen nga një lexim i ri i Marksit ose, sipas Ypit, një interpretim më i saktë i tij.

Shumë shqiptarë që kanë vuajtur gjatë regjimi komunist mbase do të thoshin (me siguri me ta do të bashkohej edhe bashkëshortja ime që sapo përfundoi së lexuari Rrno vetëm për me tregue të At Zef Pllumit): “Prapë me Marksin? A nuk na mjaftoi gjysmëshekulli?”.  Ypi mbase do t’i përgjigjej këtij skepticizmi se diktatura komuniste shqiptare nuk ishte një socializëm i pastër marksist por i shtrembëruar nga stalinizmi. Ndaj, po ta interpretojmë saktë Marksin, e t’i shtojmë edhe pak Kant, ne mund të ndërtojmë një socializëm moral, i cili, sipas Ypit, ofron zgjidhje për shumë prej problemeve sociale e politike bashkëkohore.

Nga njëra anë, si një student i çështjeve etike dhe religjioze, sa herë që ndeshem me tema morale i shoh si një mundësi për diskutim të frytshëm, ndaj kontributin e Ypit për të folur për vlera të tilla si liria, dinjiteti apo drejtësia e mirëpres. Nga ana tjetër, më lind një shqetësim për socializmin moral të Ypit, për të cilin jam i vetëdijshëm se nuk mund ta trajtoj dot në mënyrë ezauruese në një shkrim të vetëm.

Cili është shqetësimi? Pas leximit të librit Të lirë, në një analizë timen të shkurtër (që mund të lexohet këtu) ngrita pikëpyetje nëse koncepti i lirisë mund të mbështetet apo të përligjet brenda botëkuptimit marksist që Ypi promovon. Edhe pse nocioni i lirisë në kontekstin që e përdor Ypi në publikime e saj mund të përmbajë dimensione ekonomike, sociale, apo morale, jam në pikëpyetje nëse përligjet premisa e lirisë në sistemin filozofik të sajin edhe për nocionin e saj më bazik, në kuptimin që secili prej nesh duhet të ketë të drejtën të kontrollojë vetë jetën.[6]

Në epilog të librit Të lirë Ypi shkruan se “Socializmi… ka në themel lirinë.”[7] Në opinionin tim ajo nuk e argumenton e as e mbështet nocionin e lirisë por vetëm e hedh si një lloj slogani se çfarë ajo beson për raportin mes socializmit dhe lirisë.  Pra, sipas saj, socializmi ka për themel lirinë, por ajo nuk na tregon se mbi cilin themel ngrihet liria si vlerë.

Nëse Ypi do të përgjigjej se liria ka për themel socializmin, do të hynim në një arsyetim qerthullor (Pra, cili është themeli i socializmit? Liria. Cili është themeli i lirisë? Socializmi). Në këtë mënyrë do të mbërrinim aty ku u nisëm. Ndaj përgjigja e pyetjes se “Cili është themeli i lirsië?” nuk mund të jetë socializmi. Nëse përgjigja e Ypit do të ishte se liria ështe një ‘e drejtë natyrore’ e njeriut, sic pranohet sot gjerësisht në Perëndim – ku me fjalën ‘natyrore’ nënkuptohet se njeriu e përfiton këtë të drejtë meqë është njeri dhe për pasojë e zotëron që në lindjen e tij, në këtë rast pyetja pasuese që do të duhet t’i japë përgjigje Ypi është: kush ia dha këtë të drejtë njeriut dhe çfarë ka kontribuar që të pranohet në Perëndim kaq gjerësisht ky nocion i lirisë?

Nëse dikush do të ndërhynte këtu, për t’i mbajtur anë Ypit, dhe të thoshte se ajo nuk ka ndonjë obligim që të përligjë vlerat që mban apo mëson, ne mund të përgjigjeshim se çështja nuk mund të jetë ashtu pasi ajo tashmë ka zgjedhur të komunikojë publikisht idetë e saj. Nëse ajo do t’i mbante për vete këto bindje, nuk do të kishte asnjë problem që ato vlera të jenë të pambështetura apo të papërligjura. Përderisa ajo po komunikon me lexuesin, neve na lind e drejta të ngremë pyetje dhe të kërkojmë për shpjegime të arsyeshme.

Në mënyrë që ne si lexues të pranojmë diskursin e Ypit, nevojitet që vlerat morale si ‘liria’ dhe tani, ‘dinjiteti’ të tregohet se nga burojnë apo se ku mbështeten. Me fjalë të tjera, ne duhet t’i përgjigjemi pyetjes si legjitimohet thirrja që na bëhet për të vlerësuar ‘lirinë’ përkundrejt ‘skllavërisë’, ‘dinjitetin’ përkundrejt ‘përbuzjes’ (apo njollosjes së figurës) apo ‘drejtësinë’ përkundrejt ‘padrejtësisë historike’, po të përdorim fjalorin e Ypit. Lexuesi i kujdesshëm e kupton se me këtë unë po kërkoj për një bazë apo themel për vlerat dhe detyrimet morale e cila është përtej kulturave apo konvencioneve individuale, diçka që është transhendente, universale apo hyjnore.

Sigurisht që Ypi beson se vlerat janë universale. “Mendoj që liria është universale dhe ne e ndajmë gjithnjë. Ka të bëjë me instinktin moral që ne kemi dhe ndjejmë të gjithë dhe që na shfaqet në momentin e përgjegjësisë morale” shprehet ajo në lidhje me vlerën e lirisë.[8] Me shumë mundësi ajo beson të njëjtën gjë edhe për vlerat e tjera. Përsëri pyetja mbetet: Çfarë i bën vlerat universale dhe të detyrueshme? A mjafton “instinkti moral që ne kemi” si përgjigje? Nga buron instinkti moral? A është i vendosur te ne nga dikush dhe a është i njëjtë te të gjithë? Mos e ka vendosur atë një Krijues hyjnor? A del Ypi në këtë përfundim për themelin e moralit? Pra, që ka një qenie absolute transhendente nga e cila burojnë vlera dhe detyrime morale dhe për rrjedhojë ato bëhen të detyrueshme për ne të gjithë, individualisht dhe si shoqëri. A është ky socializmi moral i Ypit? Nuk e besoj.

Si një promovuese e marksizmit është e pritshme që ajo të jetë kritike ndaj religjionit dhe rrjedhimisht e përjashton Zotin dhe religjionin institucional si bazë apo themel për moralin. A mund ta kërkojmë themelin hyjnor për vlerat morale që Ypi promovon te filozofi tjetër gjerman që ajo ka studiuar, Imanuel Kant? Edhe këtë e dyshoj për arsyet e mëposhtme.

Kritika ndaj religjionit dhe Liria

Në një artikull të saj “From Revelation to Revolution: The Critique of Religion in Kant and Marx” botuar në Kantian Review në 22 Prill 2017[9] mua më duket se, në mënyrë të përmbledhur, teza kryesore e Ypit është se Kanti është më marksist se sa e kemi menduar ndërsa Marksi më kantian se sa e kemi menduar. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë, sipas Leas, se, nga njëra anë, jo vetëm Marksi por edhe Kanti ishte kritik ndaj religjionit. Dhe nga ana tjetër, edhe Marksi kishte në thelb të socializmit të tij lirinë morale të individit në mënyrë të ngjashme me Kantin. Në fakt, ajo që i bashkon këta dy filozofë, sipas Ypit, është kritika ndaj religjionit në funksion të lirisë morale të njeriut.

Duke komentuar mbi Marksin dhe Kantin, që me gjasë është edhe mendimi i saj për religjionin institucional, Ypi shkruan, “Religjioni lulëzon në tensionin midis ndërgjegjësimit të qenies njerëzore si burimi i vetëm i vlerës morale dhe një vlerësimi real të pengesave për emancipimin e tyre të plotë moral.”[10] Sipas saj, “Të dyja, institucionet religjioze (në termat e Kantit ‘religjioni i rogacionit’ ose ‘e kultit të thjeshtë’) dhe religjioni moral (‘religjioni i sjelljes për një jetë të mirë’), i kanë rrënjët e tyre në këtë tension (R, 6: 51).”[11]

Ypi sqaron se “Natyrisht, Kanti nuk shkoi kurrë aq larg sa Marksi në artikulimin e një kërkese për ‘heqjen e religjionit’, një thirrje për të ‘hequr dorë nga iluzionet’ për gjendjen njerëzore”, por ky ndryshim mund të shpjegohet me faktin se “Periudha në të cilën ai [Kanti] shkroi ishte shumë e ndryshme nga ajo e Marksit dhe orientimi drejt veprimit politik që përshkon shkrimet e Marksit gjendet vetëm si farë te Kanti.”[12] Ypi nënkupton këtu se ndoshta Kanti do të kishte dalë në të njëjtin përfundim (për heqje ose ndalim të religjionit) po të kishte jetuar në kohën e Marksit. Pra, me kushtet sociale që merr në konsideratë Marksi, sipas Ypit, fara që mbolli Kanti do të kishte mbirë dhe bima antireligjoze e tij do të rritej në mënyrë të ngjashme si ateizmi i Marksit.

Sipas Ypit, “Kanti dhe Marksi refuzojnë të dy religjionin institucional në emër të një kuptimi radikal të species njerëzore si në thelb të lirë dhe në kontroll të fatit të tij, pa pasur nevojë që faktorë të jashtëm të përcaktojnë kursin e veprimit të saj”.[13] Për Ypin, kritika radikale e Marksit ndaj religjionit “arrin kulmin me theksimin e lirisë njerëzore siç pasqyrohet në ‘imperativin kategorik për të përmbysur të gjitha rrethanat në të cilat njeriu poshtërohet, skllavërohet, braktiset dhe përbuzet’ (Marx 2000c: 72)”.[14] Religjioni (dhe këtu me së pari duhet të kemi në mendje Krishterimin), në mendimin e Marksit, është një skllavërues i njeriut. Pra, religjioni është diçka që i kërcënon njeriut lirinë, dhe, prandaj, refuzimi i religjionit nga ana e tij shihet si rruga drejt lirisë.

Mos po nxitohem në interpretim? Më shumë mundësi jo, pasi Ypi sigurohet edhe njëherë që ta kuptojmë drejt kur shkruan se “Ne pamë se, për Marksin, duke marrë imperativin kategorik të nënkuptuar në kritikën filozofike gjermane ndaj religjionit, kërkon që qeniet njerëzore ‘të përmbysnin të gjitha rrethanat në të cilat njeriu poshtërohet, skllavërohet, braktiset dhe përbuzet’ (Marx 2000c: 77).”[15] Pra, është në kontekstin e kritikës ndaj religjionit, na sqaron Ypi, që Marksi na bën thirrje që njeriu të përbuzë rrethanat skllavëruese.

Me fjalë të tjera, ne duhet të kuptojmë se, në gjurmët e Marksit, Ypi po promovon ose po synon një lloj lirie morale, jo thjesht pa nevojën e religjionit (siç ishte përpjekja e Kantit me imperativin kategorik),[16] por sidomos duke hequr religjionin i cili në optikën e Marksit është një skllavërues. Pra, Ypi argumenton në artikull se është e mundshme që njeriu të zotërojë lirinë për veprime të përgjegjshme morale pa e përligjur në religjion (se ndryshe, siç na mëson Marksi, nuk do ishte vërtetë i lirë). Surpriza për lexuesin këtu është portretizimi i Kantit antireligjioz njësoj si Marksi (Lexuesi mund ta lexojë vetë artikullin dhe të vendosë nëse teza e Ypit është bindëse).

Megjithatë, nga leximi im më rezulton se, edhe pse Kanti u përpoq të arsyetonte për obligimin e qenieve njerëzore për një sjellje morale, duke u bazuar vetëm në arsye (dhe jo në religjionin institucional), duhet bërë e qartë se ai nuk përqafoi premisën ateiste siç bëri Marksi. Për më tepër, duhet thënë se Kanti shikonte te ligji moral një teleologji (qëllim) që nuk shpjegohet dot pa ekzistencën e një Autori inteligjent të ligjit moral. Ja si shprehet Kanti në librin Kritika e gjykimit (1790): “Ne duhet të supozojmë një shkaktar të botës morale (një autor të botës), për të vendosur para vetes një qëllim përfundimtar në përputhje me ligjin moral, dhe për aq sa kjo e fundit është e nevojshme, deri tani (d.m.th. në të njëjtën shkallë dhe në të njëjtën arsye) e para duhet të supozohet domosdoshmërisht, dmth duhet të pranojmë se ekziston një Zot.”[17]  Nuk më duket me gjasë që Marksi të binte dakord me Kantin në një deklaratë të tillë, sado të përbashkëta që mund të gjejë Ypi në kritikën e tyre për religjionin institucional, por kjo është një temë tjetër, ndaj nuk po ndalem më gjatë.

Kur marr në konsideratë këtë parashtrim të kritikës ndaj religjionit nga dy prej filozofëve që ajo ka studiuar dhe promovon, më duket e arsyeshme të nxjerr përfundimin se vlerat dhe detyrat morale të socializmit moral të Ypit nuk mbështeten në ndonjë sistem religjioz. Përveç kritikës ndaj religjionit institucional, Ypi e ka bërë të qartë edhe që nuk beson në Zot. Përgjigjes së gazetares së The Guardian nëse ajo është në ndonjë mënyrë besimtare, Ypi iu përgjigj: “Jam agnostike”. (Agnosticizmi është besimi se njohja e ekzistencës ose mosekzistencës së Zotit është e pamundur. Shpesh i referohen si botëkuptimi mes teizmit dhe ateizmit). Pra, për ta përmbledhur, vlerat dhe detyrimet morale për Ypin, përveç se nuk mbështeten në ndonjë sistem religjioz, nuk kanë as bazë transhendente hyjnore.

Atëhere nga buron morali në filozofinë e Ypit?  Pra, si i mbështet apo legjitimon ajo në sistemin e saj filozofik vlerat e lirisë dhe dinjitetit? Në ndryshim nga Kanti, Ypit i mungon autori ose shkaku i teleologjisë se moralit. Me fjalë të tjera, Ypit i mungon ‘Pse’-ja e detyrave dhe vlerave morale dhe kush i cakton ato.

Bazuar në arsyetimin e mësipërm, më duhet të konkludoj se Ypi presupozon që ne duhet t’i pranojmë ato vlera por pa argumentuar themelin mbi të cilin ato ngrihen, dhe si të tilla atyre u mungon fuqia obliguese. Siç u shpreha më sipër, në pamundësi për të argumentuar në mënyrë ezauruese pikëpyetjet rreth socializmit moral të Ypit në një artikull të vetëm, do i kërkoja lexuesit mirëkuptim dhe durim të më durojë edhe në dy shkrime të ardhshme.

Ja cilat do të jenë tezat e mia në dy artikujt vijues:

Në artikullin e radhës unë do të rrekem të tregoj se vlerat morale si liria, dinjiteti, drejtësia, barazia apo vlera të të tjera të pranuara historikisht në qytetërimin Perëndimor, janë një ndikim direkt i besimit në Zot dhe më konkretisht janë ndikim i Krishterimit. Do të argumentoj se është për shkak të Krishterimit që ne i konsiderojmë këto vlera të natyrshme dhe gati pa nevojë për t’u përligjur, ashtu siç bën dhe Ypi. Ndaj, mund të themi se Ypi po promovon, si të thuash, një Krishterim të sekularizuar. Që do të thotë, ajo po promovon vlerat e krishtera por pa krishterim.

Dhe në artikullin e tretë do të synoj të tregoj se vlerat dhe detyrimet morale objektive që janë pranuar aq gjerësisht në Perëndim për një kohë të gjatë nuk mund të përligjen nga ateizmi apo agnosticizmi, që është botëkuptimi që Ypi përqafon, por vetëm nga teizmi i krishterë. Po hoqëm Zotin e krishterë nga vlerat morale Perëndimore, siç e kanë vënë në dukje shumë mendimtarë e filozofë, morali universal bie bashkë me të. Për këtë arsye, socializmi moral i Ypit pa Zotin në themel (Ai që do ta bënte të detyrueshëm moralin) duket më tepër një premtim utopik njësoj si dikush që do t’u premtonte banorëve të një fshati se pemët do të bëjnë plot fruta pasi u ka shkatërruar rrënjët; ose siç do kishte thumbuar britaniku C. S. Lewis, si ai që do të premtonte shtimin e popullsisë pasi ka tredhur të gjithë meshkujt.

© 2023 Kaon Serjani. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] https://www.prospectmagazine.co.uk/politics/38766/the-worlds-top-thinkers-2022

[2] https://www.faz.net/suche/?query=lea+ypi

[3] Phoebe Southworth and Charles Hymas, “‘Exponential rise’ in Albanian migrants crossing the Channel this year” in The Telegraph, 26 October 2022,

https://www.telegraph.co.uk/news/2022/10/26/exponential-rise-albanian-migrants-crossing-channel-year/

[4] Ypi sqaroi në leksion se kishte mësuar që nën vëzhgimin e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit ishin dy gra me emrin Leman Ypi dhe dosja në fjalë, me shumë gjasë, ishte ngatërruar me një Leman tjetër, pra nuk i përkiste gjyshes së saj.

[5] Lea Ypi, “Dignity and Historical Injustice,” February 7, 2023, https://www.youtube.com/watch?v=NxJnOeRGJeI. Shiko min 44:45-45:10!

 [6] Lea Ypi mban një përkufizim të ngjashëm kur diskuton nocionin e lirisë në një artikull të sajin (të cilit do t’i referohemi edhe më posht) të titulluar “From Revelation to Revolution: The Critique of Religion in Kant and Marx” dhe të publikuar në Kantian Review në 22 Prill 2017. 22. Aty me liri ajo kupton gjendjen e njeriut i cili është “në kontroll të fatit të tij, pa pasur nevojë që faktor të jashtëm të përcaktojnë kursin e veprimit të saj.” Lea Ypi, “From Revelation to Revolution: The Critique of Religion in Kant and Marx” (Kantian Review, 22, 4, 2017), 673.

[7] Lea Ypi, Të lirë (Dudaj: Tiranë, 2021), 306.

[8]  “Lea Ypi në Tetovë: Liria nuk ndërtohet vetëm me një individ! (Video)”, Nestori, 31 Maj, 2023.

https://nistori.com/kult/lea-ypi-ne-tetove-liria-nuk-ndertohet-vetem-me-nje-individ-video/?fbclid=IwAR2JqWoszGlNEJYGO1ZMVJAlUylQJO8Yxv7bke-lz-8GrIhh9FREn-eMxdk

[9] Dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen Lea Ypit që, pas një shkëmbimi komentesh në faqen e saj të Facebook-ut, tregoi gatishmëri për të ma dërguar këtë artikull dhe kështu mua nuk më duhej të abonohesha me pagesë për ta lexuar.

[10] Lea Ypi, “From Revelation to Revolution: The Critique of Religion in Kant and Marx” (Kantian Review, 22, 4, 2017), 664.

[11] Ypi, “From Revelation to Revolution”, 664.

[12] Ypi, “From Revelation to Revolution”, 666.

[13] Ypi, “From Revelation to Revolution”, 673.

[14] Ypi, “From Revelation to Revolution”, 667-68.

[15] Ypi, “From Revelation to Revolution”, 669.

[16] Kanti e formuloi imperativin kategorik në disa maksima të ndryshme. Njëra prej tyre është, “veproni vetëm sipas asaj aksiome të cilën do ta bënit një ligj universal”. Një tjetër është, “veproni gjithmonë në atë mënyrë ku njeriu trajtohet qëllim dhe kurrë si një mjet”.

[17] Immanuel Kant, Critique of Judgment (Hafner Pablishing: New York, 1951), 301.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin