RENDI I DETYRUESHËM I GJËRAVE

nga Rei Bala

Le pouvoir est tentant.
Mais seule l’op­position est confortable
– Antonio Gramsci

Çdo dy vite në Shqipëri, një vokacion politik trupëzohet falë një partie të re[i], të vogël, me 1000 anëtarë të kryesuar nga një kandidat me syze, mjekër të bollshme, por të shkurtër, i cili vesh xhaketë Slim Fit, këpucë kamoshi, e që karakterizohet nga fryma perëndimore dhe aspiratat rrethore, nga ato, që, sipas rekomandimit të një filozofi të vdekur francez[ii], shkundin, lëkundin, e pastaj përkundin shoqërinë prej një periferie të baraslarguar nga qendra. Në fakt gjeometria e rrethit në fjalë mbart më tepër potencë, se thjesht imazhin konkretizues të një ideje abstrakte politike. Ja, për shembull, një e vërtetë euklidiane: një rreth nuk mund të jetë kurrë në simetri me një trekëndësh. Postulati është lajtmotiv i vetëdijes politike. Mbi të gjitha, pikënisje e çdo rrugëtimi të pakompromis, që, duke u formalizuar, nganjëherë guxon të kalojë nga ideja në praktikë, nga katedra në Kuvend. Parti të tilla, rezultat i një përpjekjeje kolektive intelektuale, pretendojnë për të parën herë t’i kundërvihen me rigorozitetin e duhur trekëndëshit PDPLPS, emblemës trekulmore të kastës sonë të paprekshme.

Le të bjerë, si fillim, theksi te vetëdija, e jo sepse ata kanë më të veçantën syresh. Por vullneti për t’u vetëdijesuar duket më e kota e kotësive, kur i nënshtruari politik sheh mbi lëkurën e tij mbresat e kamxhikëve të sunduesve. Ai nuk guxon, nuk dëshiron, nuk do as të duket, kur mesjetarizmi mendor i ndëshkimit i thotë se vullneti për dije, vetëdijesim, a mosbindje është një mëkat i denjë për ndrysje të trupit me hunj a shkopinj gome. Traumat e tij politike fashohen me flamujt e fshikulluesve, e teksa tuba e xhandarëve i mbush gojën me dhé, më i hedhuri prej tyre i thotë butë: “Kjo është politika.

Në krahasim me lulet e vyshkura, vetëdija guxon, ndonëse s’e ka të lehtë, të nxjerri filizat e saj.

Kam menduar gjithmonë se sfida më e madhe e tyre nuk mund të jetë thjesht kasta e të paprekshmëve, megjithëse, për të konsideruar një vizion të demokracisë, duhen së pari degatur hegjemonët e përjetshëm. E megjithatë ata janë të njohur, më se të dukshëm, të shënjuar, në mos nën shënjestër të vazhdueshme. Çka mbetet për t’u përballur, atëherë, është Demokracia[iii] e gjymtuar, realiteti i pakënaqshëm, burimi, prej nga ku vërshon edhe vetëdija e tyre politike. Por a mjafton dëshira e mirë për t’u emancipuar nga kushtet tona pseudo-demokratike? A munden të tjerët ta kuptojnë fjalën e tyre, vetëm pse e dëgjojnë?

Tek vështrojmë kah e vërteta e dallojmë vetëdijen politike të hasë pavetëdijen e një turme, që, edhe në orën e saj më të sinqertë, e konsideron politikën hasm e jo të drejtë, tek shquajmë vetë-mohimin e saj të përditshëm, i dedikojmë më thelbësorin e të ndershmin akt bashkëjetesës sonë së rastësishme. Por të qasesh kah një rendi të ri aty, ku revolta ndaj dhimbjes apo farmakut të kënaqësisë është domosdoshmëri, ku, për të mos dorëzuar idealin, sakrifica kthehet në detyrim, ku ç’të sjellë në jetë është njëkohësisht edhe pengesa më e madhe në tejkalimin e tij, nënkupton pozicionimin e vetes drejt një koordinate absurde.

Ah! Menschliches, Allzumenschliches. “Grekët e dëshmonin hyjnoren falë përsosmërisë njerëzore.”[iv] Perënditë greke janë prej mishi e gjaku. “Midis Olimpit dhe tokës nuk ka asnjë hon;” Ata janë ambiciozë, grindavecë, intrigantë, dashnorë të të vdekshmëve, por jo të vdekjes. “Ata zbresin prej saj dhe ne ngjitemi drejt tyre; nëse na e kalojnë, kjo ndodh sepse janë të përjashtuar nga vdekja. Kur ndëshkon Prometeun, a nuk pranon Zeusi se është egoist? Cinizmi i tij është një neoplazmë që deformon, bren, përçan, e sundon çdo dëshirë kah të njerëzishmes. Duke sakrifikuar një Perëndi, Eskili i rrëfen njerëzores realitetin tragjik, pa asnjë rozë, pa asnjë stoli.

Çdo dy vite, parti të tilla shpalosin gatishmërinë e t’i dhënit rezultat, një provë hipotezës së hipokrizisë politike në Shqipëri. Ato janë fatkeqe. Shumë i kërkojnë; duket se më shumë i urrejnë. Çdo ditë të fushatës aktivizmi jeton në çdo rreth të ferrit sartrian të Tjetrit. Ata kthehen në letër lakmusi për sprovën e demokracisë shqiptare, apo shpalljes së nevojës për një “rotacion”[v] dhe evitimit të përhershëm të tij. Ata janë Josef K.; të arrestuar krejt rastësisht një ditë nga ky apo ai libër i teorisë politike, nga ato me kapak të fortë, njëngjyrësh, fletë të zverdhura dhe aromë revolucioni, i cili, me dëshirë apo jo, i nënshtron para një mase pseudo-politike, që edhe njëherë eksperimenton si për t’i provuar vetes se “ky vend s’bëhet”. Jo rrallë, kush niset për t’i bërë dy gjëra më mirë në Shqipëri, përfundon duke qenë “Nxënësi” i eksperimentit të Miligram-it, ama kurrë i ndëshkuar fiktivisht, e gjithnjë duke provuar se turma e do të renë, aq sa për t’i kujtuar vetes urrejtjen shekullore ndaj saj. S’janë as të parët e absolutisht as të fundit, që i qasen njerëzisht e me largpamësi gjindjes, në vend se t’i shohin frustrimet e saj si kërkesa në pritje të ofertës[vi]. Por gjithnjë kokat i kanë nën sëpatat e xhelatëve indiferentë. Pa fajësuar kurrë popullin cinik të së pavetëdijshmes, por edhe pa rezultate domethënëse, aktivizmi politik ngërmohet vetvetiu drejt shkurajimit. Histori e vjetër.

Le të pyetet atëherë: A ka përgjegjësi pavetëdija politike ndaj keqtrajtimit të përditshëm të klasës së vetëdijshme? A duhet t’a qortojmë apatinë? Indiferenca individuale nuk duket se e mohon një ndjeshmëri të përbashkët, qoftë ajo emocionale apo mendore. René Descartes-i thotë: “Trupat e ndjeshëm janë të përbërë nga grimca të pandjeshme.”[vii] Është ndoshta kjo etiologjia e klasës sonë më të pushtetshme, pavarësisht masivit të indiferencës politike. Por ky supozim veç sa i komplikon gjërat. Si t’a përfytyrojmë një ndjenjë të përbashkët në mungesë të një qasjeje individuale? Për t’u përgjigjur — ndonëse mund të ketë edhe përgjigje të tjera — do duhet të riakordojmë pyetjen fillestare: A munden njerëzit ta kuptojnë fjalën vetëm pse jetojnë mes jehonave të saj? Në pamje të parë problematizojmë fuqinë e fjalës; por në fakt është mediumi, përçuesi i fjalës, që meriton të problematizohet.

Opinioni publik shqiptar është kaq i deformuar dhe i mangët saqë unë me trishtim dhe jo pa dëshpërim mund të them se gati dyshoj në ekzistencën dhe efektivitetin e opinionit publik.” Moikom Zeqo ishte nga ata persona, që deri në vitet e fundit të jetës së tij adresoi mirëfilli pengmarrjen e opinionit publik nga sipërmarrjet e medias dhe argëtimit. Jam i bindur se Moikomi s’e pandeh këtë për fryt të një shoqërie bujare ndaj sensacioneve e jo kritikës së shëndoshë — përndryshe çdo orvatje për të kundërshtuar një rend natyror të tillë do të ishte humbje kohe. Megjithatë, privatizimi i “pushtetit të katërt”[viii], të cilit nuk i intereson dhe aq politika në vetvete e aq më pak ajo e të tjerëve për sa kohë ndjek të tijën, na motivon t’iu ngremë gishtin pronarëve të tyre. Cinizmi politik i medias, ndryshe nga ç’do duhej të ishte[ix], ka si kusht të parë rrënjosjen dhe vendosjen e një rendi të detyrueshëm të gjërave, që, duke iu bindur hegjemonisë shumëvjeçare të hierarkëve tanë, ndikon në zgjedhjen, qasjen, përpunimin, dhe përçimin e informacionit drejt publikut të pavetëdijshëm, i cili, me gjithë indiferencën e tij, mbështillet nga pëlhura sintetike e pushtetit të një grushti njerëzish, që s’lejon tjetërkënd në rrethin e tyre.

Këtu nis fatkeqësia e iniciativave të reja. Aq thellë janë të zhytura dispozitivët e pushtetit, sa edhe për të ndërgjegjësuar publikun, për të politizuar, për të shkulur rendin e detyrueshëm të gjërave, për të krijuar, forcuar, dhe ruajtur një marrëdhënie mes vetëdijes dhe pavetëdijes, së pari atyre iu duhet të kalojnë fabrikën e miratimit, portën e lartë të medias, shtabit qendror të pushtetit. Iu duhet të kalojnë lustrën liberale të Top-Medias, fodullëkun konservator të Klanit, të dyja, përfaqësuar nga drejtuesi karizmatik i emisionit të mbrëmjes, që i prezanton këto parti, gjithnjë, si, “Alternativa e tretë[x], teksa ngërdheshet e përgatitet të ironizojë. Ky falënderohet nga aktivisti përballë tij, si gjithnjë, për ftesën, e më pas një debat, si gjithnjë, shterpë mes tyre. Partia e re i shijon 15 minutat e veta të famës, sepse, në fakt, aq kohë televizive merr.

Më shpejt, se nuk kam më kohë televizive!

15 minuta të mjaftueshme, ama vetëm për analistët dhe kandidatët më seriozë që të pushojnë e të freskohen me ujin e ambalazhuar — i cili sponsorizon emisionin —, të tymosin cigaret e tyre HEETS, e me të mbaruar këta:

  • Suksese në garë!
  • Faleminderit për ftesën!

Kandidati i rikujton teleshikuesit — mbi divan, thuajse në gjumë, meqë për një arsye apo një tjetër, por ndoshta edhe fare pa arsye, debatet më të zjarrta politike në Shqipëri, ku citohen si Manifesti i Partisë Komuniste, ashtu edhe C. G. Jung, zhvillohen pas orës 22:30 — për të fundit herë numrin x në fletën e votimit. Seriozët ulen në vendet e tyre, të gjithë duke tërhequr xhaketat e ngushta të poliesterit, lënë jo-qëllimisht mbërthyer. Debati ri-fillon po aty, ku u la plot 16 minuta më parë.

Le ta themi troç: Situata është absurde; pak, se pretendon të duket serioze, kur në të vërtetë është qesharake, e goxha shumë, meqë buron tërësisht prej sintonisë së pushtetit mbi të pavetëdijshmen dhe medias[xi], që përmbush detyrën e saj ripërtëritëse. Hegjemonët mbretërojnë, e media i kurorëzon ata. Por si? Falë ngërdheshjes së përhershme të drejtuesit të emisionit, paternalizmit të tij, falë orvatjes së vazhdueshme për mos t’i marrë, pavarësisht angazhimit real, seriozisht, falë idiotësive të panumërta logjike, që iu mvishen nga të tjerët, e që, prej ndonjë trysnie kohore, kompromisi mediatik, a mungese përvoje, nuk iu kundërvihen dot. Pas strukturave të tyre të brishta fshihet përkushtimi teorik ndaj mizëri faqesh, me të cilat i dhurojnë vetëdijes një trup për të ekzistuar, e gjithashtu përpjekja konkrete për të organizuar të pavetëdijshmen, në mënyrë që kjo të nxjerri veten nga terri. Ama, natyrisht, s’iu ndahen as gishtat e ndyrë, që, pa kuptuar se ç’nder i bëjnë shëmtisë së botës së vjetër, përqeshin idiotësitë e së resë.

Bota është gri. Gri, smogu i pathyeshëm i Tiranës, godinat lyera me bojë indiferente, xhaketa prej poliesteri e analistit, asfalti i një rruge të thatë, ku një mi i zhagmitur ka thyer njëtrajtësinë e ditës me të kuqen e gjakut mbi gëzofin e tij të përhimët. Mbrëmjeve drejtuesi i emisionit ngërdheshet, gishti i tij gri ironizon; votuesi gri përqesh gri, aty diku një analist i përgatitur për më se të përgatiturën, përballë tij seriozi kandidat kalorësiak, vetëpagëzuar me frymën e popullit, mes tyre edhe Madame Politique, e respektuar nga burrat e tjerë panelistë për anti-feminitetin e saj. E diafragma të palodhura, që përsërisin të njëjtat fjali, të njëjtin ligjërim nënshtrues, shpotitës, gjunjëzues, të cilin, në vend se ta riprodhonim, do të kishim bërë më mirë t’ia adresonim njëherë e përgjithmonë, tërësisht e përfundimisht, pushtetit dhe pushtuesit tonë qendror.

Kauza e misionarëve të deritanishëm ka qenë demokracia. Qëllimi i tyre mbetet ende demokracia. Ndjesë, por kur demokracia është qëllim e jo fakt, a mos padashje zbulojmë se politika jonë është tërësisht jo-demokratike? Për këtë bindesh, edhe pa e rrokur përgjigjen, kur sheh se ç’mani e sëmurë për të imituar tiranët i shtyn të vjellin mbi më të dobëtin të njëjtën dhunë të ngrënë me zor nga ata dhe etërit e tyre. E mbi të gjitha, pa asnjë motiv të mirëfilltë, meqë, siç thashë, për sa kohë asgjë s’merret seriozisht, nuk mund të ketë motive serioze. Si adoleshentë, lënë meskinen t’iu përligji eksitimin e madh — por jo dhe aq të madh — të momentit, që prudët e fshehin me lexime të dobëta të ndonjë teoricieni amerikan — gjithnjë amerikan. Për ta, grija është ngjyra e homo economicus[xii]; është ngjyra e dietave, hoteleve, orëve, xhaketave, naftës, e të tjera shpenzimeve më se të paguara; grija është pragmatizmi, që, ndonëse kalon gojë më gojë pa u gëlltitur ndonjëherë, na sigurojnë se, megjithatë, ka një kuptim[xiii]. Në fund të fundit, a s’i tha pragmatizmi ideales “pirdhu”?!

Unë nuk shoh majtas-djathtas, se jam kundër ideologjive”, thotë votuesi nga 18 deri në 60-e-kusur-a-më-tepër vjeç i ideologjizuar kokë e këmbë sipas modës së tij. Ky niset dhe e kalon rrugën me direktivë të semaforit, pa e kuptuar, siç na kujton një filozof gjerman[xiv], se pas semaforit fshihet një ideologji. Impulsi i tij i kënaqësisë argëtohet tek, i palëkundur majtas-djathtas, ndjek dritën në fund të tunelit si derrat përpara se të goditen në kokë. Ka dëgjuar se ekonomia[xv] duhet t’i diktojë jetën, por s’e ka mësuar kurrë se ekonomia është shkenca e izokuantëve dhe e kutisë së Edgeworth-it, jo alternativë e ideve apo dorë përmbysëse e shtatoreve të tyre.

Ars longa, vita brevis, por a s’ngjan kultura jonë politike me një kopje të shëmtuar të një fytyre — në i ka mbetur më fytyrë — të përçudnuar? Der Schrei der Natur, syzgurdulluar, fytyrëprishur, rrudhosur, bërë çorbë, karikaturë e një karikature, portretizuar nga Otto Dix. E pavarësisht gjithë ngjyrave të nevojshme për të finalizuar një kryevepër të tillë, kleri politik pohon vetëm grinë dhe krenarinë tij për ngjyrën trup-i-vdekur, arterie- e venazbrazur.

Kjo është, ama, estetika e tempullit të demokracisë sonë, afresket e së cilës enden si gibonë nëpër degët e pyjeve tropikale të heroizmave, baballëqeve, dallavereve, e demagogjive anti-komunisto-pro-amerikono-neo-konservato-liberalo-bashkëjeteso-fetaro-laike. Ç’vend mund të gjejë e reja në këtë zallamahi? Askush s’dëshiron t’i lërë mikut kryen e qoshes. Në fakt, gjatë 15 minutave të tyre televizive, misionarët e demokracisë iu qasen të vegjëlve, të brishtëve, rinorëve, idealistëve, ëndërrimtarëve “këlyshë Neo-Marksistë” ashtu si çilimiut në shtëpitë e tyre, që e ftojnë t’iu bashkohet tavolinës së të rriturve vetëm — dhe vetëm! — në momentin e tortës.

Politikisht, këto krijesa janë patetike; psikologjikisht, të gjymtuara, zhytur e lëbyrur në baltën e dhunës dhe përdhunës, që këneton qysh prej një të kaluare pa histori. Ekonomia e sjelljes së tyre ndjek vlerën e një tradite, që ka ngritur në apogje triadën e mosmendimit, oportunizmit dhe urrejtjes. Ata i kanë uzurpuar njeriut çdo çiltërsi, çdo veçanti, e i’a kanë zëvendësuar me mitet e fetishet e tyre. Tek i’u nënshtrohet absolutizmave, tek kthehet në një automaton ripërtëritës të rendit të stisur të gjërave, Pavetëdija hyn në rreth vicioz, pa kuptuar kurrë se, duke  pranuar mjetet e shtypësve, veç sa përligj sjelljen e tyre.

Pushtetit i falet natyra, që pranojmë se i takon. Ai është amorf, i rrjedhshëm, fluid, plastik, një “bacil murtaje” i gjendshëm si në mbledhjet e qeverisë, ashtu edhe në pragun e skamjes, i përsëritur, i përshpejtuar, gjithnjë i pa fytyrë, gjithnjë i papërgjunjur. Pushteti definon lirinë, e të rrëmben menjëherë prej saj. Duke demarkuar diskursin, ai i rrëmben mendimin idesë. Si fakt i pashmangshëm dikton se çfarë-, si-, kur-, dhe pse diçka duhet bërë. Pushteti është ide; një koordinatë e mendimit, e cila, duke u zgjeruar, i ka zaptuar asaj planin. Pushteti është plani, ku mëtojnë shtrirjen rrathët e aspiratave shoqërore. Dhe ai është i gjithi i kontaminuar. Kur nuk përbalten, rrathët shteren.

A s’na jep kjo situatë pa rrugëdalje veç se të drejtën për të shpallur se liria është një iluzion pervers i kohës sonë? Tuba e xhandarëve na mbush gojën me dhé, e thotë: “Kjo është politika.” Me këtë duket se duan të pohojnë se “çdo gjë lejohet”. “Por askush s’ka të drejtë[xvi]; a s’është kjo formula perfekte e tragjedisë?

Mbi një skenë të pandriçuar aktorët nuk mund të ekzistojnë. Protagonisti nuk dallohet më nga antagonisti. Fare mirë, ata mund të kenë vdekur përballë publikut të lënë në errësirë. E s’ngjan në fakt teatri me një ceremoni mortore? Fantazmat e personazheve sillen nëpër sallë, ndërsa skena është një katafalk në pritje të trupit. Në të njëjtën mënyrë, pa ngjyrën e flokëve, pa timbrin e zërit, pa temperamentin, pa qasjen flirtuese, pa prirje për të pirë n’kurriz t’shoq’nis, secilit dhe kujtdo i zhduket karakteristika identifikuese. Shoqëria reduktohet në agregatin e gjinive të saj, në role pa identitete. Kjo është edhe çfarë duhet të kuptojmë. Realiteti i zhveshur nga spektakli i figurave humbet çdo të dhënë kritike, por lë ende pas një rend të detyruar të roleve. E vetëdijshmja lihet gjithsesi në një lidhje të dyfishtë me të vërtetat e realitetit dhe aspiratat e saj. Por secila i propozon një mohim.

Vetëdija hyn në stad të para-skizofrenisë, sepse pushteti e ndëshkon, pavarësisht në vepron apo jo. Në fjalët e Gramsci-t, ajo është e destinuar të vdesë, meqë nuk është gati të lindë. Është një fetus i abortuar nga vetë psehia, që e ngjiz; ndoshta e rënë nga qielli, por gjithsesi në rënie të lirë. Përgjatë historisë sonë, vetëdija ka qenë e pakët dhe e mpakur, në një ngërç mjeran, i cili vetëm njëherë frymëzoi kryeveprën, e çdo tjetër herë banalen dhe të ndyrën. “Shpresa vdes e fundit!”, por optimizmi  nën zë është veçse një lutje për shpresë. Ndoshta çnjerëzit kërkojnë është ngushëllimi, deliri e jo mundësia e një alternative. Por kur një alternativë bën të shfaqet, të ngrejë duart e saja përpjetë e pastaj t’i hapi ato gjatë, gjatë e gjerë, ç’duhet bërë? Vallë krahët e hapur a duhen përqafuar apo gozhduar në hu?

Dikur, ekzuberanca natyrore, ideali intelektual, miriada e bukurive njerëzore u nderua nga të vdekshmit duke u amshuar ndër hyjni. Por, në vend se të shihnin te perënditë pasqyrimin e vetes, disa lakmuan prej tyre lavdinë, e, duke mbretëruar si ata, të vdekshmit pandehën se kishin fituar përjetësinë. Kjo është ndoshta historia e shkurtër e pushtetit, e një dëmi njerëzor shkaktuar njerëzimit. Është historia, që evokon vijimin e pavullnetshëm të historisë. E nuk është aspak  çudi, që çdo vullnet kërkon të kundërtën e këtij rendi të detyrueshëm të historisë. Alquié[xvii] ka të drejtë. Vokacioni mëton anën e revoltës, mëton njeriun në vend të jetës së tij, besimin se ëndrra e tij është më e begatë se historia.

© 2023 Rei Bala. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


 

[i] Fatmirësisht koha e partive të reja, të vogla, të formuara posaçërisht për periudhën e fushatës, me qëllimin e vetëm zaptimin e elektoratit të kësaj apo asaj zone, duket se ka kaluar. Gjatë kësaj kohe të vegjlit gllabëroheshin nga partitë e mëdha, në zorrët e tyre të pangopura, brenda të cilave edhe fshiheshin deri në fushatën tjetër. Po të doni ju, mund ta quajmë kohë të parazitëve të zorrës. Ose viti 2005.

[ii] Gilles Deleuze te “L’Abécédaire de Gilles Deleuze”.

[iii] Kushtet që lejuan ekuivalencën e pluralizmit me demokracinë, duhet të përligjin edhe nevojën për një Demokraci, me “D” të madhe, si për të shënjuar një term më të kulluar.

[iv] Hyppolite Taine te Filozofia e Artit.

[v]Shoqni, po deshe të mos lozin në kurrizin tand, ndrro format.” Është e trishtë se si psalmet e moralizmit të Migjenit dëgjohen sot e kësaj dite në ligjërimin e çdo kritike.

[vi]Çdokujt, që tenton t’i qaset politikës shqiptare me mendime ideale rreth angazhimit politik, shpejt zë i duket vetja si një naiv, që po afrohet i veshur civil, me duar në xhepa dhe kokën në qiell, në një zonë ku njerëzit, të veshur ushtarakisht, janë të armatosur gjer në grykë me kobure thika dhe doreza hekuri, ku bien bomba vazhdimisht dhe ku në çdo hap rrezikon të ndeshësh ndonjë minë.” Fatos Lubonja, Ende në liri të këcënuar, Përpjekja Nr. 01, 1994.

[vii] Parimet e Filozofisë, René Descartes.

[viii]Opinioni publik ka të bëjë me pushtetin e katërt, pushtetin e fjalës së shkruar dhe të mediave.”, Moikom Zeqo.

[ix]Politika pra, ka si kusht të parë shkuljen apo shqitjen nga rendi i detyrueshëm i gjërave, nga determinizmat: ekonomikë, socialë, psikikë, të mendësive, zakoneve, së kaluarës etj.”, Orgest Azizi, Populli i pasjellshëm.

[x] Kjo thuhet aq shpesh, sa duket se lë të kuptojë parazitarizmin e Partisë së Lirisë së Ilir Metës.

[xi] “Do you know we are ruled by T.V.?”, An American Prayer.

[xii]Në politikën e sotme, ekonomia dikton politiken”, thotë drejtuesi i emisionit, duke ia mbyllur gojën një herë e përgjithmonë me elegancë pragmatike idealistit naiv aktivist.

[xiii] Po të më pyesni mua, asnjë kuptim.

[xiv] Max Horkheimer — Porträt eines Aufklärers.

[xv] E nuk është ekonomia, por materialja dhe ideja jonë për të ajo çka dikton politikën. Citoj Lange-n nga Croce; Problematizimi i materiales është “çështja fillestare dhe më e ulët e filozofisë, por njëkohësisht edhe më e domosdoshmja e solidja”. Kjo duhet të shërbejë edhe si pikënisje e njohjes sonë mbi çështjet e politikës së ditës — në mos muajve, viteve, e shekujve.

[xvi] Albert Camus, Mbi të ardhmen e tragjedisë.

[xvii] Ferdinand Alquié, Joe Bousquet dhe Moraliteti i Gjuhës.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin