DUA DHE DUHET

Kuptimin e detyrimit, qoftë ky nga rrethanat qoftë moral ose zakonor, shqipja e jep me foljen DUHET, folje pavetore, që nga prejardhja nuk është veçse trajta pësore-vetvetore e foljes DUA; edhe pse me kohë dy format janë shkëputur nga njëra-tjetra, deri atje sa të jetë përftuar edhe mbiemri I DUHUR, krahas me mbiemrin tjetër I DASHUR; dhe trajta si DUHEMI të duken kuptimisht më afër foljes DUA se ato pavetoret.

Por kjo marrëdhënie, ende e dukshme, mes dy koncepteve në thelb të kundërvëna, si ai i DUA dhe ai i DUHET, meriton vëmendje, sa kohë që DUA lidhet me “vullnetin”, ose atë që gjermanët e quajnë WILLE, dëshirën për të bërë diçka, ose për të bërë që diçka të ndodhë; ndërsa DUHET lidhet me një imperativ, me një detyrim, që mund të jetë religjioz, moral, ligjor ose edhe thjesht taktik.

Në shkollë na patën mësuar një thënie të Engelsit, “Liria është njohje e domosdoshmërisë”, të cilën na thoshin se ky e kish marrë nga Hegeli, por që e kish origjinën te filozofia e Fichte-s; në këtë kuptim, njohja siguron pajtimin mes vullnetit të lirë (Free will, freier Wille, libero arbitrio) dhe domosdoshmërisë, ose asaj çfarë duhet bërë. Me fjalë të tjera, nëse duam ta njohim botën, le të duam atë që duhet. Tingëllon si shaka, por nuk është.

Shih edhe ADDICTION (“varësia” ndaj diçkaje).

Por shqipja DUHET nuk është se e konfirmon detyrimisht këtë koncept të filozofisë klasike gjermane, për lirinë dhe domosdoshmërinë. Kur themi “duhet ta martojmë djalin”, martesën e djalit e shohim mbase vërtet si domosdoshmëri, madje edhe si domosdoshmëri të dëshiruar; por ideja është më tepër se çfarë na shfaqet në vetëdije si detyrim, është në fakt dëshira e një entiteti tjetër, pavetor, abstrakt, mbase të epërm.

Të përfytyrojmë për një çast një shef që ka mbledhur vartësit për t’u thënë: duhet bërë kjo dhe ajo, i duhet kushtuar vëmendje kësaj dhe asaj, duhet të kujdesemi për këtë dhe atë… Vartësit e kuptojnë se kjo duhet shpreh njëkohësisht atë çfarë dëshiron shefi dhe atë çfarë shefi e sheh si të domosdoshme për t’u bërë, për shkak të rrethanave, ose ligjit, ose imperativit moral, etj. Që të realizohet kjo, dëshira ose dashja e shefit (Wille) duhet të bëhet edhe dëshirë e vartësve. Skematikisht: DUA1 > DUHET > DUA2.

Por subjekti logjik i DUHET në shqipe nuk është gjithnjë kaq i tejdukshëm.

Le të krahasojmë edhe me disa pavetore vetvetore të tjera të shqipes: MË FLIHET. MË HAHET NJË GJË E ËMBËL. NUK MË SHKOHET NË SHKOLLË. Etj. Edhe këtu kemi një dëshirë, por të shprehur tërthorazi, përmes formës pësore-vetvetore. Aq më tepër që folje si fle, shkoj janë jokalimtare dhe normalisht nuk duhej të dilnin në pësore-vetvetore. Përdorimet janë pavetore, madje nga foljet më lart, FLIHET dhe SHKOHET nuk kanë kryefjalë (subjekt; ndërsa HAHET ka “një gjë e ëmbël”); por në rrafshin konceptual, mund të postulojmë një entitet abstrakt, një ça, që operon transitivitetin e foljes, edhe pse në sipërfaqe DUHET ndiqet nga një fjali kryefjalore. Sërish: kjo ça është diçka që do, apo diçka që e duam ne? Subjekt apo objekt i DUA?

Të shohim tani një thënie shqip si DJALIN DUHET TA MARTOJMË; kush e thotë këtë, mund të dojë (DUA) ta martojë djalin (khs. DJALIN DUAM TA MARTOJMË, nuk është e njëjta gjë), por mund edhe të mos dojë – rëndësi ka që pritet që të dojë. Me fjalë të tjera, ka një entitet abstrakt, një ça që e dëshiron këtë, dhe që ty, subjektit gjuhësor, ajo dëshirë të shfaqet si detyrim a si imperativ a si domosdoshmëri. Detyrimi është pra një dëshirë a dashje (e Tjetrit, me T të madhe) që ti e bën tënden; ose një bashkëndarje – sharing – e dëshirës a dashjes, si pjesëmarrje në kolektivitet. Çfarë e ripërkufizon edhe kolektivitetin (komunitetin) si bashkëndarje dëshirash a dashjesh, të cilat marrin trajtën e detyrimeve në vetëdijet e folësve individualë.

Për nga struktura kuptimore, DUHET është e krahasueshme me italishten CI VUOLE (“ci vuole un fisico bestiale”), edhe pse kjo e fundit niset nga vetëdija e një mungese, e një boshllëku për t’u mbushur; por kështu mund edhe ta krahasojmë me shqipen DUA në përdorime të tilla si ky libër DO shumë durim për t’u lexuar, me kuptimin “kërkon” dhe pastaj “ka nevojë” dhe më në fund, edhe të një lloj detyrimi që vjen nga rrethanat. CI VUOLE PASSIONE, PER ARRIVARE ALLA CIMA; mund ta përkthesh: “po të kesh pasion, do t’i arrish majat”, ose “duhet pasion, për t’i arritur majat”.

Pyetja që del vetiu: a provon shqipja se domosdoshmëria është gjithnjë një lloj dëshire (dashjeje) e de-subjektizuar (e ndarë nga subjekti dëshirues)? Ose që pas çdo imperativi fshihet një dëshirë e dikujt, qoftë ky kolektiviteti, diktatori, historia ose Zoti, për të plotësuar një diçka që perceptohet si e mangët a si mungesë? Me fjalë të tjera, dëshira e qenies për plotësi…

© 2021, Shqipologji™ & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin