TRENI PARANOID

nga Bujar Meholli

Besimi i verbër në teknokracinë që ka ndërtuar thurimën fragjilo-delirante është mekanizëm thelbësor i shndërrimit drastik tekniko-taktik, që po shkakton çarje kulturore-sociale përbrenda hapësirës shqiptare, duke e zvogëluar përherë e më shumë njeriun si entitet. Në një ese timen (Globalizmi hibrid) pata shkruar se “njeriu i sotëm, fragjil e delirant, transformohet lehtësisht në vegël të politikës si militant pa tru, të fesë si fanatik dhe dogmatik që nuk familjarizohet me laicizmin, si snob e ndjekës i turmës shoqërore (pseudonacionalist dhe pseudopatriot) me paaftësinë për t’u veçuar dhe për t’u formuar si individ, me perceptime autentike e racionalitet. Njeriu i sotëm, të cilit perëndimi globalist ia proklamon demokracinë dhe lirinë e shprehjes, (pa kurrfarë kufizimi a filtrimi) është mall për t’u shkëmbyer, është informacion sensacional që shkatërron çdo etikë e çdo kufi të intimitetit, është karrem për t’u kapur në rrjete të sëmura mediatike dhe për t’u fituar shuma marramendëse në kurriz të tij.” Një udhëtim i tillë bizar, butaforik-globalist, mund të konceptohet si brenda kabinave të një treni paranoid nisur drejt vetëmashtrimit psikologjik-moral e estetik, drejt viseve ku buron kultura e mohimit, bastardimi i shijes, perversioni artistik-kulturor, falsifikimi i perspektivës normale, gjer aty sa t’i bëjë pasojat të duken si shkaqe.

Kultura masive ka shkaktuar mpirje hipnotike, ka krijuar njëfarë “stoicizmi” për lamentacionin popullor që rrethit vicioz i çapitet andej-këndej, krejtësisht në antipod me progresin. Presupozimi i forcave “kurajoze” që i gjeneron sot shqiptari shkojnë për bukuri (!) me trivialitetin kronik dhe përgjithësisht me veprimtarinë mekanike, qëndrimin në vendnumëro me neurozat religjioze (la religion de la souffrance) e nacionaliste-patetike, me pamundësinë për t’i ikur kurthit tekniko-taktik bashkëkohor ku ka ngecur. Gani Bobi do ta shtronte pyetjen: “nga shtimi i madh, kualitativ dhe kuantitativ, i sendeve “dedikuar njeriut”, a është bërë njeriu zot i sendeve apo sendet zot i njeriut?!” Nga kjo “përmbytje” e sendeve, dhe këtu pa mëdyshje futen zhvillimet sipërore teknologjike të kohëve tona, gjegjësisht lehtësirat e paimagjinueshme që njeriu i ka krijuar për ta kontrolluar natyrën dhe për t’ia lehtësuar vetes gjërat, cili është orientimi real, konkretisht, i shqiptarit të shekullit XXI? A ka rënë kokë e këmbë rob i këtyre “sendeve”, i çliruar nga prangat e autokratizmit dhe i shpënë në një demokraci pa fre?

Antonin Artaud do të deklamonte se “shoqëria ka mbytur në azilet e veta të gjithë që donte t’i hiqte qafe a të mbrohej nga ta, pasi që refuzuan të bëhen bashkëpunëtorët e saj në njëfarë neverie të madhe.” Kjo neveri që ne e përjetojmë sot, sikur të kishim konsumuar ndonjë bar emetik, është shkaktuar nga mass media, dhe përgjithësisht nga hierarkitë që e komprometojnë demokracinë duke u lëngëzuar në emër të lirisë së shprehjes dhe mendimit. Këto hierarki kanë shtënë në duar çdo “pronë” e kështu po angazhohen përditë për “vlerat kulturore” nën një digjimodernizëm të llahtarshëm, brenda të cilit të rinjtë mezi arrijnë ta lexojnë e kuptojnë një paragraf dhe përdorin arbitrarisht mnemoteknikën e AI-së për shërbime banale-idioteske sot dhe për rendje drejt qorrsokakut nesër. Vis inertiae e këtij digjimodernizmi i shkon për shtat devizës vulgare “konsumo për të jetuar dhe për t’u integruar” duke ikur përherë e më larg problemeve ekzistuese të realitetit të egër që një intelektual me dinjitet angazhohet për t’i përmirësuar.

Për Gani Bobin “kultura masive identifikohet me konceptin e argëtimit, ndaj ajo ndikon në standardizimin e shijes uniforme e stereotipizuese, rrjedhojë e ngathtësisë dhe lodhjes, zbrazësisë dhe tëhuajsmit intelektual.[1] Përbrenda këtij spektri mund t’i vrojtosh sot ventrilokistët-sharlatanë tek ndjekin rrjedhën e vijueshme të niveleve më të ulëta, burleske, të shkencës, politikës, fesë, artit, kulturës, televizionit e shtypit dhe në shpërpjesëtim arkaik, porsi falltarë profetizues, rimarrin e riaktualizojnë maksima pseudo-nacionaliste, merkantile, thurin elozhe për dehje turmash dhe zgjatje rehatllëku në comfort zone që e kanë krijuar falë turmës ekzaltuese, kulturalisht provinciale.

“Nëse keni nevojë për ndonjë benefit – shkruan  Alenka Zupančič – do të përballeni me procedura burokratike, të pa tejkalueshme, e me dërdëllitje absurde, privuar nga çdo ndjenjë njerëzore e sensi të përbashkët.”[2] Sisteme të tilla burokratike, thelbësisht të klisheizuara e fetishizuara, diktojnë jetën kulturore-sociale me protezhetë e përbetuar, snobistë, që turren për ta relativizuar secilën nismë e për ta shuar secilin zë kritik derisa të mbizotërojë velejteti masiv e grindja çmeritëse. Kjo është kura e nevojshme! Dhe pak opium nacionalist-patetik. Tamam. Britma që depërton gjer në prehistori për ta stampuar vjetërsinë, për t’i treguar botës se jemi të parët në çdo gjë, në veshët e dallkaukëve tingëllon aq sensualisht, aq këndshëm, a thua është zëri melodioz i Michèle Torr-it. Por veshët e rafinuar, mendja e kultivuar, objektivisht kritike, nuk ngelen në kurthet e shijes mesatare, turbologjike, që bastardon autenticitetin për “spektaklin sensacional” nën egjidën e ortodoksisë.

Mendja e rafinuar shqiptare duhet të rreket drejt progresit – siç do të thoshte Krleža, jo me mitralozë e me hakmarrje por me libra – pa idilet fiktive të lavdisë dhe vjetërsisë, pa velin e ëndrrave fantazmagorike, inferiore, pa letargjinë fantastike që mbulon realitetin megjithë degradimet, shkarjet, plasaritjet dhe perversitetet që e helmatisin si akrepi trurin e shëndoshë të qytetarit aktiv, të së ardhmes, që refuzon pelegrinazhin paranoid.

(c) 2024 Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


[1] Cituar sipas Aspekte të problemit: “Kulturë masive”, botuar në revistën “Fjala”, Prishtinë, Prill, 1975

[2] Love Thy Neighbor as Thyself?!, PROBLEMI INTERNATIONAL, vol. 3, no. 3, 2019 © Society for Theoretical Psychoanalysis

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin