MOS MË FOL PËR POLITIKË

 

nga Bujar Meholli

Duke parë rënien drastike të interesimit për gjëra shpirtërore, si letërsia, muzika, piktura etj., kultura në përgjithësi, deviza e shoqërisë së sotme themi se është politika që ka depërtuar në deri në ind. Politika dhe prapë politika. Gjithçka, në ndonjë mënyrë apo në një tjetër, koekziston me të, duke krijuar paralelisht, sipas meje, disoperativitet social. Politika është shndërruar në conditio sine qua non për të gjalluar në përditshmëri, për të qenë in, duke i ndjekur liderët par-exellence që, de facto, për popullin janë apostuj, gjysmënjerëz e gjysmëhyjni. (!) Mjaft t’i kalojnë nga bulevardi dhe shih se çfarë entuziazmi shfaqin ndaj tyre pjesëtarët e popullit bujar mbi të cilin ata ngrihen e futen në Olimpin e tyre klandestin, krejt të patrazuar. Kjo mani in rerum natura e ndjekjes së gjithçkaje politike nga prizmi militantesk e sensi i tifozllëkut, qoftë nga zyra e punës, nga karrigia e kafenesë, nga koha e pushimit të drekës, nga shtrirja në krevat në mbrëmje duke shikuar orgjitë televizive, prapë skajshmërisht politike, e gjitha kjo e shpërfytyron qasjen objektive, mendimin kritik konstruktiv e analizën e mirëfilltë të problematikave. Njeriu bashkëkohor me smartphone në duar shndërrohet potencialisht në parazitin e radhës, që s’mendon për kurrfarë kontributi shoqëror (s’merr t’i futet leximit të një libri fund e krye a ta gabojë rrugën e të përfundojë në lozhën e teatrit) e veprimi konkret prej qytetari të përgjegjshëm, sall sorollatet portaleve për të “shkarkuar” arsenalin e idiotësisë një orë e më parë.

Kapitalizmin Walter Benjamin-i e quante fe që, në vend të reformimit të qenies, ofron shkatërrimin e saj. “Kapitalizmi është një kult i kulluar fetar, ndofta më i skajshmi që ka ekzistuar ndonjëherë. Brenda tij çdo gjë ka kuptim vetëm në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me kultin: ai nuk njeh ndonjë dogmë të veçantë, as teologji. Së këtejmi vjen edhe ngjyrimi fetar i utilitarizmit. Konkretizimi i kultit lidhet me një karakteristikë të dytë të kapitalizmit: kohëzgjatjen e përhershme të kultit. Kapitalizmi është kremtimi i kultit sans rêve et sans merci.”[1]

Sipas këtij pasazhi, them se problemi fondamental i degradimit socio-politik, i damkosjes së artit e kulturës, qëndron në themelet e pseudodemokracisë; ajo ka krijuar tempullin e besimit të ri, besimit në lirinë e shfrenuar të shprehjes, akuzës së pabazë, allishverisheve, rrenave, kanosjeve, linçimeve, pabarazive, paragjykimeve, joseriozitetit, servilizmit, inercisë, amullisë, disbalancit shoqëror, infektimit të të rinjve me ide delirante për pasuri të shpejtë, lavdi e jetë luksoze… Të gjitha këto i mbulon pezhishka e demokracisë, të cilën një ekspresionist do ta griste, do ta griste napën e kësaj jetese “të lirë e me shumë mundësi”, duke e zhveshur lakuriq ashtu siç është – pseudodemokraci e dirigjuar nga kapitalizmi i egër dhe besimi i verbër në ikonografinë e legjionarëve politikë. “Njeriu është kafsha e disoperuar; nuk ka asnjë qëllim biologjik të përcaktuar, asnjë funksion të parashkruar qartësisht. Është një qenie e fuqishme që e ka mundësinë të jetë e pafuqishme. Njeriu mundet të bëjë gjithçka, por s’është i detyruar të bëjë ndonjë gjë”[2], shprehet Agamben-i. Për t’i analizuar shkaqet e tjetërsimit të njeriut bashkëkohor, që s’arrin të krijojë opinion dhe bindje autentike karshi së cilave qëndron dhe i mbron objektivisht, po e jap një poezi timen me titull “Frymëmarrje partie”:

nëpër geto nuk mundesh me gjallu pa parti
kthehen në retrospektivë podiumet me mitingjet
ku gogësima përcjell fjalët e njëjta prore aktuale
ende vodit përdëllimi mitik q’u bëhet idhujve me kollare
ajri qi thithet duhet me qenë i verifikuem prej partisë
ata ta krijojnë linjën nga duhesh me ecë
peizazhet netëve me hanë artificiale t’i krijojnë ata
horizontet misterioze plot smog t’i pastrojnë
kur duan dhe kur ti e meriton
djajtë vej e vinë flasin ëmbël e pozojnë për afishe
duke bartur baulen me koleksionin ma t’ri të fytyrave
s’mundesh m’i shërby atdheut pa qenë në parti
qi zhvillimi mendor me marr hov & me prek prestigjin
pse jo edhe pavdeksinë (!)
aftësohu me l’shu grumbuj fjalësh të mëdha
për kokat boshe
ndiqi përvjetorët & përvetëso retorikën
transformohu në momin efikas
me të cilin të krenohet gjithë hierarkia
dhe mos e shkel kufirin përtej mureve qi t’rrethojnë
se sall nji jetë është e ajo duhet m’u jetu
gjersa ecë procesionit e gjithçka sodit’ me sytë e partisë

Brenda këtyre vargjeve është njeriu fragjil, i riu, e reja, që politikën e mendon si oazë mes shkretëtirës, si vakt të shijshëm pas një urie të gjatë, si melhem për plagë. Pikërisht ky besim, kjo bindje alla religjioze, i leverdis politikës së sotme të hurit e të litarit, për të grumbulluar sa më shumë prototipa të tillë të shndërruar në marioneta të cilat i premtojnë jetëgjatësinë mbi kurrizin e tyre. Kur një analfabet funksional – i spërkatur me pak pushtet nga partia për shërbimin: dërgim i servilizmit në një instancë më të lartë – lëshon një grumbull fjalësh pa kuptim e pa ide, mund të shohësh gulçimin e ekraneve televizive duke u mbledhur në panele X vs Y, për të diskutuar gjëra të rëndomta, dokrra hini, pa kurrfarë vlere, me britma e sharje; krejt në fund të shfaqjes groteske, duke gromësitë, i vjen rendi nacionalizmit. Të gjithë rendin pas tij. Sepse vetëm ai, nacionalizmi, i lan gjynahet e pisllëqet e tyre. Nacionalizmi, si derivat i politikave regresive, është mjet i mirë, opium për popullin emotiv, të cilit ia parandalon mendimin praktik. Ja çfarë shkruan Krist Maloki:

“Karakteristika e qytetasve tonë përmblidhet si në një kaleidoskop psikologjik, i cili përfytyron avazet e shumëngjyrshme, avazet e shumëkuptimshme apo ma mirë avazet e karakterit pa karakter:

  1. Ku rafsha mos u vrafsha!
  2. Haja qenit, pija qenit, edhe i bjer karadyzenit!
  3. Atje posht ndër ata ripa, her ma hipe, her ta hipa! 

Ndër këso kerma shpirtnore ka ngulë Tirana bajrakun e vet shtetnor, me këso kerma shpirtnore e hjedh vallen shtetnore… njatë valle që fort e ma fort na çfaqet si një danse maccabre nacjonale. Jo, shpëtimi i jonë s’ka për të ardh as prej andej, as prej këndej – sepse të dyja anët i ka hangër krymbi i ideologjisë nacionale e jo kombëtare, jo vërtetë shqiptare.”[3]

Për mendimin praktik, për të qenët i përgjegjshëm, i hapur ndaj tjetrit, bashkëpunues e empatik, duhet të punohet qysh në bankat shkollore. Fatkeqësisht, sistemi arsimor ka defekte të mëdha. Siç thotë Bartolini, shkolla duhet të transformohet dhe në vend që të krijojë “gara” mes nxënësve se cili arrin nota (numra) më të larta, të fokusohet në mësim logjik, në përballje të nxënësve me hulumtimin/praksisin, për të rendur drejt dijes së vërtetë, që gjithsesi nuk arrihet me skematizim arsimor. Për këtë, besoj, jep një konstatim të vlefshëm Paulo Freire:

“Roli i arsimtarit është të rregullojë mënyrën se si bota “hyn brenda” studentëve. Detyra e pedagogut është organizimi i një procesi që ndodh spontanisht, “mbushja” e studentëve duke prodhuar depozita informacioni, që ai ose ajo i merr për dijen e vërtetë. Meqenëse njerëzit e “marrin” botën si entitete pasive, arsimimi do t’i bëjë edhe më pasivë dhe do t’i përshtatë me botën. Individi i arsimuar është person i përshtatur, sepse ai ose ajo i “shkon për shtat” më mirë botës. Po ta përkthejmë në praktikë, ky koncept i përshtatet më së miri qëllimeve të shtypësve, qetësia e të cilëve varet nga mënyra se sa mirë i përshtaten njerëzit botës që kanë krijuar shtypësit dhe se sa pak e vënë në pikëpyetje atë.”[4]

Semper ad meliora përmes konsekuencës!

Bob Dylan-i shkroi dhe incizoi këngën “Political World” si pjesë e albumit Oh Mercy, 1989, tekstin e së cilës po e jap më poshtë:

We live in a political world
Love don’t have any place
We’re living in times where men commit crimes
And crime don’t have a face

We live in a political world
Icicles hanging down
Wedding bells ring and angels sing
Clouds cover up the ground

We live in a political world
Wisdom is thrown into jail
It rots in a cell, is misguided as hell
Leaving no one to pick up a trail

We live in a political world
Where mercy walks the plank
Life is in mirrors, death disappears
Up the steps into the nearest bank

We live in a political world
Where courage is a thing of the past
Houses are haunted, children are unwanted
The next day could be your last

We live in a political world
The one we can see and can feel
But there’s no one to check, it’s all a stacked deck
We all know for sure that it’s real

We live in a political world
In the cities of lonesome fear
Little by little you turn in the middle
But you’re never sure why you’re here

We live in a political world
Under the microscope
You can travel anywhere and hang yourself there
You always got more than enough rope

We live in a political world
Turning and a-thrashing about
As soon as you’re awake, you’re trained to take
What looks like the easy way out

We live in a political world
Where peace is not welcome at all
It’s turned away from the door to wander some more
Or put up against the wall

We live in a political world
Everything is hers or his
Climb into the frame and shout God’s name
But you’re never sure what it is

(https://www.youtube.com/watch?v=4FWfPRmxYjQ)

Them se është ndër lirikat/tekstet profetike të Dylan-it për botën e sotme, për devizën: një përditshmëri në vorbullën e botës politike, ku nga secila skutë flitet për këtë apo atë politikan, absorbohen fjalët e mendimet më të kota, bëhet ekspansioni i mediokritetit, dergjen ndjenjat dhe soset durimi për secilën ndërmarrje kulturore; një botë apokaliptike, ku ditët s’dallojnë nga njëra-tjetra, monotonia arrin kulmin, ekskluzivitetin e ditës e dikton vetëm politikani, jo teatri apo koncerti, ku humanizmit ia bëjnë apoteozën dilerët e drogës, ku qytetet banohen nga zombie social të asaj apo kësaj partie, ku për paqen flasin vrasësit e kriminelët, ku krijohen mure në emër të bashkimit dhe tolerancës, ku je veç mokër e makinerisë së llahtarshme që të vë me shpatulla pas murit dhe të ofron falas vetëm litarin për t’u varur.

Erich Fromm-i në kapitullin “Dashuria dhe degjenerimi i saj në shoqërinë e sotme perëndimore” bën një analizë të hollë të shkaqeve që çojnë në degjenerimin e diktuar nga pseudodashuria. Sipas Fromm-it, bazamenti i shkarjeve sociale qëndron në shndërrimin e njeriut në mall i cili këmbehet simbas kushteve që i ofron tregu; kështu forca dhe aftësitë njerëzore humbin vlerën drastikisht në qoftë se bie kërkesa koniunkturale e këtij tregu. Me pak fjalë: njeriu s’ka kurrfarë vlere tjetër veç këmbimit të tij në strukturën ekonomike që pasqyrohet në hierarkinë e çmimeve. Ti vlen aq sa ke, jo për atë që je! Rrjedhimisht edhe e “fiton” dashurinë!

Marrëdhëniet njerëzore po shpërfytyrohen. Ato tashmë bëhen, sipas Fromm-it, marrëdhënie midis automatëve që janë të huaj për njëri-tjetrin dhe secili prej tyre sigurinë e arrin duke u përpjekur të mos dallohet nga turma, nga mendimet e të tjerëve. Pra, i bie që njeriu bashkëkohor s’gjallon dot pa turmën, duhet medoemos t’i imponohet asaj. Rrena e dashurisë, ky shabllon karakteristik i shoqërisë bashkëkohore sipas Fromm-it, plekset me “marrjen e kënaqësive” që njëkohësisht determinon “lumturinë njerëzore”. Kënaqësia e ditëve tona matet me konsumin dhe gëlltitjen e mallrave, kënaqësitë pamore, ushqimin e pijen, leksionet, librat, filmat.

“Të gjitha këto konsumohen, gëlltiten. Bota është objekt i madh për ta kënaqur oreksin tonë, një mollë gjigande, një shishe gjigande, një gjoks gjigand nëne. Të gjithë thithim, të gjithë presim vazhdimisht diçka, shpresojmë vazhdimisht – dhe zhgënjehemi përjetësisht. Personaliteti ynë është përshtatur që të shkëmbejë e të marrë, të konsumojë e tregtojë. Të gjitha gjërat, si ato shpirtërore, edhe ato materiale, bëhen objekt i shkëmbimit dhe i konsumit. Ky karakter social i njeriut modern nuk mund të mos shfaqet edhe kur bëhet fjalë për dashurinë.”[5]

Përkitazi me këtë, Fromm-i jep një konstatim shumë të rëndësishëm për temën që po e trajtoj, kur përmend një nga format e pseudodashurisë, veçanërisht e përhapur në relacionin – popull/politikë, ku bëhet shkrirja për tjetrin e hyjnizuar.

“Një nga format e pseudodashurisë është dashuria ku adhurohen si idhuj. Po qe se njeriu në zhvillimin e tij nuk e ka arritur atë nivel për ta kuptuar veten, individualitetin e tij, që i ka rrënjët në zhvillimin e frytshëm të fuqive të tij, ai është i prirur të “hyjnizojë” të dashurin (në këtë rast politikanin), ta bëjë perëndinë e vet. Ai largohet nga forcat e tij dhe i trajton te njeriu i dashur, të cilit i përulet si summum bonum (e mira dhe e bukura më e lartë, lat.), si lartësi e çdo lloj dashurie, çdo lloj drite e lumturie. Në këtë mënyrë, ai e privon veten nga të ndjerit e forcave të veta, e humbet veten tek i dashuri i tij në vend që të vetafirmohet.”[6]

Ndaj “Mos më fol për politikë” është shpëtimi i vetëm, nxitja për arratisje nga kjo botë inerte/politike, që ndrydh shpirtin dhe baltos humanizmin. Le të dëgjojmë xhazin e Djangos & Grappell-it…

 

(c) 2023 Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] Bga Kapitalizmi si fe, përktheu Arlind Qori.

[2] Nga intervista Mendimi është guxim i dëshpërimit, përktheu Arbër Zaimi.

[3] Krist Maloki, nga Shteti apo kombi?.

[4] Nga Psikologjia e të shtypurve, përktheu Arlind Qori.

[5] Erich Fromm, Arti i të dashuruarit, përkthyer nga Vullnet Muço.

[6] Po aty.

Rreth Autorit

Profesor i letërsisë shqipe, eseist, kritik, dhe shkrimtar. Krahas ligjërimit të letërsisë, analizon problematika nga letërsia, filozofia, psikologjia, muzika, piktura, filmi dhe kultura në përgjithësi.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin