KUSH KA FRIKË NGA PËRSHTATJA?

Kritiku letrar amerikan Christian Lorentzen, që këtë të martë më 26 shtator e kemi të ftuar në një bisedë të organizuar nga Peizazhe të fjalës, rrëfen se në moshë të re, kish përgatitur botimin e dy tragjedive të Shekspirit, Macbeth dhe Romeo & Juliet, në versione të përshtatura në anglishten bashkëkohore.

E mbaj mend atë seri librash, me titullin NO FEAR SHAKESPEARE, që shitej në Barnes & Noble kur unë sapo isha vendosur në New York; pata blerë Julius Caesar, sepse më kish pëlqyer shumë në shqip dhe doja ta rilexoj, por duke shmangur eksperiencën e ngjitjes në shkëmb. Më pas, edhe ime bijë, në shkollë të mesme, pat punuar me një version të Henry IV – libra të tillë kanë ndihmuar, edhe pse të thuash që e lexon Shakespeare-in në një version të përshtatur tingëllon si blasfemi në disa qarqe.

Qasje e lavdërueshme? Mbase, sa kohë që i afron lexuesit me kryeveprat letrare, që përndryshe mund të frikësojnë, me ligjërimin e tyre të vjetruar. Por ka gjithnjë diçka që nuk shkon, kur e ndan Shekspirin nga ritmi i vargut dhe frymëmarrja e të folurit të personazheve, edhe pse versionet që përmenda më lart më janë dukur gjithnjë kompetente. Tek e fundit, mes leximit në version të ripërtypur, dhe atij në version të përkthyer, ka shumë prej nesh që do të kishin parapëlqyer të parin.

E njëjta gjë edhe për Komedinë Hyjnore të Dantes: asgjë nuk e zëvendëson eksperiencën e origjinalit, por mes një përkthimi të tejmbushur në enjambements dhe inversione të tjera dhe një teksti në italishte bashkëkohore, sërish disa prej nesh do të zgjidhnin të dytin.

Gjon Shllaku njihet si përkthyesi i Iliadës në gegnishte, një monument i shqipes letrare, i gegnishtes letrare dhe i përkthimit homerik – por edhe ai u detyrua (mbase u këshillua) që ta përshtaste përkthimin në standard, kur i erdhi koha për ribotim. Nuk di sa mund të jenë në gjendje të rinjtë sot që ta lexojnë rrjedhshëm Iliadën gegnishte – por mbase kjo vështirësi nuk është pa lidhje me arsyet që çuan në rishkrimin e Iliadës në standard: homogjenizimi i shqipes së shkruar.

Nuk e kam lexuar Iliadën në standard dhe nuk do ta lexoj; më del e më tepron versioni gegnisht. E quaj veten fatlum, që jam në gjendje ta shijoj. Por mbase duhet ta zgjeroj zemrën dhe të pranoj se e ardhmja i përket versionit tjetër, atij në shqipen e njësuar; duke shtuar se, të paktën, edhe këtë version e punoi i njëjti përkthyes.

Përshtatjet kanë traditën e tyre, në historinë e letërsisë shqipe. Jani Vretoja rishkroi një poemë të Muhamet Kyçyku-Çamit (“Erveheja”, duke e pastruar nga orientalizmat) dhe ua dha shkollave si tekst leximi jashtë klase – aq sa gjyshja ime e mbante mend përmendësh, edhe në pleqëri. Më afër në kohë, lexuesit shqip të Pasluftës e kanë njohur letërsinë arbëreshe në versione “të shqipëruara”: Milosao i De Radës, i përshtatur nga Shuteriqi, ndihmoi për të krijuar poezinë moderne shqipe; bashkë me Këngën e sprasme të Balës dhe të tjera kryevepra që, në trajtën e tyre origjinale, nuk do të lexoheshin dot.

Por nëse kjo lloj përshtatjeje nis dhe normalizohet, atëherë ku do të ndalet? A do t’i vijë radha një ditë edhe Fishtës? Apo Migjenit? Deri ku duhen kompensuar mangësitë e brezave, për të komunikuar me të kaluarën? Janë pyetje që nuk e sjellin përgjigjen me vete. Mbase më e mira do të ishte që versionet e përshtatura të ofroheshin krah për krah me origjinalin; dhe ky i fundit të prekej vetëm në drejtshkrim, për t’i thjeshtuar zgjidhjet grafematike. Tek e fundit, letërsia e mirë është edhe e bukur; dhe shumë nuk do ta kenë të pamundur që ta gjejnë të bukurën në origjinalet, pasi të kenë mësuar si t’i lexojnë, të udhëzuar edhe nga përshtatjet. Më mirë që prekjet në tekst t’i bëjnë specialistët, se mendjet ende të paformuara…

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

  1. Një rast jo aq fatlum përshtatjeje, pas mendimit tim, është botimi i përpunuar i veprës së pambaruar të Konicës për Historinë e Shqipërisë nga Qerim Panariti. Botimi i “Kopshtit Shkëmbor” në gjysmën e dytë të viteve 1950 përbënte sukses dhe u prit përgjithësisht mirë, nisur nga cilësia e autorit dhe përmbajtja e tekstit. Mirëpo Qerim Panariti, I nisur pa dyshim nga qëllime të mira, pasi gjeti dorëshkrimin e Konicës dhe vendosi ta botojë, dërhyri dhe bëri shtesa në tekst, sidomos për ngjarje të ndodhura pas vdekjes së Konicës. Stuart Mann, me sa kam parasysh, shkruajti një kritikë të argumentuar në një revistë të specializuar. “Edited and amplified”, e cilësoi Panariti ndërhyrjen e vet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin