ARKITEKTURA PROMETEANE E SHQIPËRISË SË RE

nga Mauro Geraci

Lojëra antropologjike të ndërtimeve dhe shkatërrimeve, ngjitjeve dhe rënieve, boshllëqeve dhe rivlerësimeve

Referat i mbajtur më 18 maj në Fakultetin e Arkitekturës së Universitetit La Sapienza në Romë, në kuadrin e sesionit shkencor me temën “Shqipëria në mjijëvjeçarin e tretë”. Autori është antropolog, profesor në niversitetin e Mesinës, mik dhe njohës i mirë i Shqipërisë. Materialin e përktheu dhe e përgatiti Edmond Budina.

Që hapësirat dhe elementet arkitekturore janë subjekt i narrativave jo vetëm të një tipi arkitekturor dhe urban, kuptohet sidomos në Shqipëri, një vend, që qysh në vitin 1938, historiani autoritar i gjuhës Eqrem Çabej e shihte të ndërtuar nga një ushtri e vërtetë poetësh, shkrimtarësh, “apostujsh kombëtarë, të cilëve u është dashur shpesh të zëvendësonin penën me armën”. Vend fatal, për të cilin një shprehje e përhapur sot thotë, se është ende i populluar nga “tre milionë banorë dhe katër milionë shkrimtarë”, gjithmonë të gatshëm të rishkruajnë qyteti i gurtë, kështjella, ura me tre harqe, piramida, pallate ëndrrash, për të rimarrë metafora të mëdha arkitekturore, që madje u japin titull pesë romaneve më të rëndësishëm të Ismail Kadaresë. Shkatërrimi dhe bumi arkitektonik, që, në Mijëvjeçarin e Tretë, e dallon Shqipërinë, e cila dëshiron të quhet moderniste dhe pluraliste, nuk mund të vazhdojnë më të ndikohen nga efektet çliruese që, qysh nga viti 1991, pasuan rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës: rrëzimi dhe shkrirja e bronxeve të nomenklaturës, që  ekspozita Homo socialisticus  e bërë në Tiranë në vitin 1999 nga historiani i artit Gëzim Qëndro ua hoqi  mbulesën e  pluhurit; “plani i ngjyrave” nisur nga piktor-kryetari i atëhershëm i Bashkisë së Tiranës Edi Rama; rifunksionimi (rikthimi) në bare, diskoteka dhe hapësira ekspozitash të 750.000 bunkerëve të saj prej betoni; transformimi në NEVER, që artisti Armando Lulaj i bëri shkrimit ENVER, që Hoxha kishte gdhendur kimikisht në kodrat e Beratit. Ndërtime dhe shkatërrime, të mbushura dhe boshe, të errëta dhe të tejdukshme, restaurime dhe rivlerësime bëjnë një lojë sa arkitekturore aq edhe letrare e politike: në një vend ku, nga shekulli i nëntëmbëdhjetë e deri më sot, shumica dërrmuese e autoriteteve ka ardhur në pushtet, vetëm pasi kanë shfaqur publikisht, që dinë të jenë tregimtarë apo autorë në gjendje të glorifikojnë gjuhën e tyre duke himnizuar hapësirat, kufijtë, idealet, dramat e përjetshme në një det letrar që, si antropolog, vazhdoj të eksploroj. Ura-bibliotekë e tejdukshme mbi lumin Lana, që Rama e hodhi si ide, e ngjashme me atë të Gracit në Austri, si monumenti prej bronzi në formën e një libri të hapur, që, në Parkun Rinia të kryeqytetit, sot fton të hyhet në faqet e Kushtetutës si mes krahëve të Shqiponjave, këto janë vetëm dy shembuj konkretë të koniunkturave arkitekturore-letrare në një tablo imagjinare politike kombëtare, për të cilën kërkoj ende të zbuloj themelet gjuhësore, retorike, simbolike.

Emblema e fundit tragjike e lidhjeve të tilla është operacioni blic ushtarak, që natën e 17 majit 2020 çoi në rrënimin e kompleksit prestigjioz të Teatrit Kombëtar të Tiranës. Blici – fëmijë është sigurisht edhe ai pjesë e çrregullimit të nxitur nga ekonomia ndërkombëtare, për të cilën qytetet shqiptare janë tërhequr në hone të thella spiralesh spekulative prej betoni, fasadash të ajrosura me xham të errët, qelqesh pasqyrë, gjysmë të tejdukshme, të errëta, të lakuara, me majë,  prej alumini dhe mermer shumëngjyrësh, të lyera me ngjyra të ndezura, të kopshteve anonime të rikrijuar mes xhunglës së rrokaqiejve, që prej vitesh po shkul nga rrënjët përgjithmonë fytyrën e mëparshme bizantine, turke, shqiptare, italiane. Në Tiranë vetë qytetarët ankohen, se nuk i njohin më hapësirat e tyre aq familjare. Kështu aktorja Anila Bisha ankohet, se nuk ka më një qytet, duke thënë: «E mbrojta teatrin për një arsye tjetër. Do të doja që fëmijët e mi të kishin çfarë t’u tregonin fëmijëve të tyre dhe, që në atë skenë të mrekullueshme të Teatrit, kishte luajtur edhe gjyshja e tyre “. Kulla e Sahatit, simbol i kryeqytetit përkrah xhamisë së lashtë të Et’hem Beut, nëse sot është e tejkaluar prej njëzet e tre kateve të Hotel Plaza, gjatë komunizmit tejkalohej nga idhulli prej bronxi, Stalini i stërmadh, kulti që iu imponua popullit, “piedestali” shqiptar, të cilin poeti Robert Prifti e denoncoi:

Në atë shesh,
që mban emrin e Gjergjit, ne u gjunjëzuam,
tokën e puthëm, skllevër dinakë të idhullit,
shërbëtorë memecë të frikës prej magjistarit,
që lakmon përsëritjen e atij piedestali,
me terror mbështetet mbi popull […] Monumenti i bronzit,
varri elokuent i shtypjes, krijuesi pa gojë i terrorit
me të përzgjedhurin e saj,
përmes mollëzave mongoloide, ai vëzhgon dhe ther.

Për të kurorëzuar “Rilindjen” shqiptare, është zona ngjitur me Sheshin Skënderbej, e cila është bërë selia e qendrës faraonike tregtare Toptani, e Kalasë së Tiranës, një kështjellë e re artistike, enogastronomike, turistike e ndërtuar brenda rrënojave të Kalasë antike, e grupit të rrokaqiejve, i cili vazhdon me ato, që tashmë janë Tirana International Hotel, Sky Club, Kullat Binjake, Galeria. Në ciklin e pashtershëm arkitektonik të shkatërrimit dhe rindërtimit, që pason ngritjen dhe rënien e politikës, gjejnë vend edhe përpjekjet e ish-qeverisë së Sali Berishës, për të shembur Piramidën, e ngritur përgjatë bulevardit në vitin 1988 si një mauzole kushtuar Hoxhës dhe, pas regjimit, e përdorur si qendër kulturore, si seli e panairit vjetor të librit, si dhe si stacioni televiziv privat Top Channel (kundërshtar i Partisë Demokratike të Berishës). Nën qeverinë aktuale socialiste të Ramës, nuk ekziston më në fakt Stadiumi ‘Qemal Stafa’ me shkallët e dyfishta elegante të ndërtuara nga italianët në vitin 1939, zëvendësuar disa vite më parë nga një tjetër me përmasa disproporcionale, të cilit i është bashkëngjitur një i pamungueshëm grataçel, që ajroset me panele kuq e zi, që ironia e poetit Visar Zhiti e ka adresuar për futbollin, se moderniteti sot të lejon të luash “vertikalisht”, duke rinovuar deri edhe ligjin e Njutonit. Pas kinemave të hijshme të viteve njëzet e tridhjetë të shkatërruara ose të kthyera në supermarkete, tregu i vjetër i peshkut, stacioni i vjetër hekurudhor dhe pazari historik në fund të Bulevardit të Ri Zogu I, viktima e fundit e madhe ishte kompleksi i Teatrit Kombëtar, një shembull delikat i racionalizmit, i realizuar në vitin 1938 nga arkitekti i mirënjohur, inxhinieri italian Giulio Bertè me referime futuriste, surrealiste, peizazheve metafizike të De Chirico, që ndodhej veç dy hapa nga bashkia e qytetit. Furia shkatërruese, e shpërndarë gjerësisht, shpesh shpreh një “ideologji prometeane”,  e cila qysh prej Tetëqindës, në Shqipëri ka përfunduar duke shoqëruar veprimet e autorit me ato të autoritarit, në bashkëpunimin midis euforisë arkitekturore dhe artistiko-letrare, në mbështetje të stinëve politike gjithmonë të menduara si të reja, të pavdekshme, themeluese një herë e përgjithmonë të asaj Shqipërie natyrale, fatale, ideale, e cila ndihet e përhumbur në raport me atë realen, që besohet të ketë qenë gjithmonë e tradhtuar nga vazhdimësia e regjimeve dhe ende e parealizuar.

Bëhet fjalë – siç e kam dokumentuar që nga viti 2001 në një evidentim të vazhdueshëm etnografik – për një model antropologjik, i lidhur ngushtësisht me ideologjinë e pushtetit, sikundër është konfiguruar në Shqipëri, që nga koha kur, nëpërmjet lëvizjes për pavarësinë gjuhësore, kulturore, pra politike për t’u shkëputur nga Perandoria Turko-Osmane e njohur si Rilindja, u arrit me vështirësi autonomia kombëtare në vitin 1912. Bëhet fjalë për poezi “prometeane”, të bazuara mbi kultet personale autokratike gjysmëperëndi, çlirimtarë/diktatorë – nga Skënderbeu tek Isa Bolentini, Ismail Qemali, Fan Noli, Mbreti Zog, deri te partizaniët,  te Hoxha dhe drejtuesit aktualë të demokracisë – nga ardhja e të cilëve në pushtet pritet, që ata të tregojnë, se dinë ta djegin Shqipërinë e mëparshme, duke e farkëtuar me shpejtësi për të marrë pamjen dhe ngjashmërinë me vetë ata dhe me popullin shqiptar, me zjarre të herëpashershëm të marrë nga shtetet moderne të Evropës, nga Olimpi sovjetik  ose maoist, sikurse sot nga Bashkimi Evropian,  Amerika neoliberale, Turqia e Erdoganit. Megalomani politike, ku ardhja në pushtet e autoritarëve të rinj përkon me dënimin radikal të autorësisë së të shkuarës dhe shkatërrimin e arkitekturave dhe letërsive t vjetra me një goditje si pengesa për të ardhmen: Mendoni shkrimtarët e përndjekur, kishat dhe xhamitë e çmuara të shkatërruara në emër të ateizmit shtetëror nga regjimi i kaluar së bashku me arkivat bizantine, të cilat shërbenin për të prodhuar letër për literaturë propagandistike të imponuar, shtëpi më shtëpi, si pjesë e pagave të varfëra. Ashtu si Testamenti i Ri (Bibla), familjet ishin të detyruara të ruanin dhe t’u nënshtroheshin recitimeve të përditshme të librave të panumërt të shkruar nga Hoxha, fotografive të të cilit, të varura mureve, duhej t’u përuleshin (t’i adhuronin), duke fshirë herë pas here ministrat, pasues të mundshëm, që njërin pas tjetrit, Udhëheqësi, i supozuar i pavdekshëm nga të gjithë dhe nga vetë ai, i kishte ekzekutuar me pretekstin e tradhtarëve të stalinizmit. Në vitin 1985, në kohën e varrimit, pa guxuar kurrë askush të shqiptonte fjalën “vdekje” për të, pasardhësi i tij Ramiz Alia fshiu datën e vdekjes nga guri i varrit, duke shpallur zyrtarisht pavdekësinë e Hoxhës. Mendoni për kërkesën e drejtpërdrejtë ndaj figurës së Prometeut, i cili, për nevojat e shqiptarizmës, përshtat simbolikën e vdekshmërisë së pavdekshme të mbjellë me vjedhje, zjarre, xixa, karroca apolloniane, risi teknologjike dhe sipërmarrëse, ndëshkime, zinxhirë, burgosje, shqiponja dhe gjak të derdhur, shpella, male dhe piramida, tranzicione, pasardhës, pasazhe, ura, kështjella, kala, mëlçi të kalbura, sakrifica, qëndresa, shumësi izolimesh, vetëizolime dhe humbje fitimtare. Një imagjinatë, së cilës, nga pozicione ndonjëherë kontradiktore, i drejtohen poetët dhe tregimtarët bashkëkohës si Ismal Kadare, Robert Prifti, Visar Zhiti, Ferik Ferra, Fatos Kongoli, Fatos Lubonja, Ylljet Aliçka, Besnik Mustafaj, Ornela Vorpsi. Zëri prometean kaq i brendësuar prej tregimtarisë shqiptare (Prometeu me zinxhirë ishte ndoshta tragjedia e vetme e përkthyer në Shqipëri gjatë regjimit), saqë në vitin 1999 shkrimtari Sulejman Lokaj vendosi t’i drejtohet me një intervistë imagjinare. Gjysmëzoti grek zbulon, se është një dëshmitar delirant dhe interpretuesi fatal i Vendit të Shqiponjave, duke zbuluar në etimologjinë e emrit të vet, Promete, “mendimin e parë” të Shqiptarëve, dhe para mendjes.

Prometeizmave të ngjashëm iu atribuohen lojërat hapësinore, urbane, arkitekturore, për të cilat thuhej, se ishin i njëjti rishkrim i Alpeve Shqiptare nga Tetëqinda, i idealizuar nga poetët e Rilindjes (Naim Frashëri, Gjergj Fishta për të përmendur më të njohurit) si kufij natyrorë, gjuhësorë, kulturorë të një kombi të dëshiruar dhe të keqtrajtuar. Këto risjell edhe kulti i sipërpërmendur i statujave, që sot vazhdon me instalacione monumentale kushtuar etërve të atdheut, si Shën Tereza e Kalkutës, e zbuluar si Nëna e Shqipërisë moderne, ose që riprodhohen në allçi dhe mermer, si shqiponja të stërmëdha në hyrjet e qendrave tregtare, ose shqiponja dykokëshe, në pllaka të ndriçuara nga pas kuq e zi, që deri para disa vitesh shkëlqente në një piedestal imponues tetëkëndor te Sheshi Shqiponja, në hyrje të Tiranës. Mendoni për Cosmic S, një instalacion i ndritshëm që, siç deklaroi kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në përurimin e vitit 2018 në zonën Zogu i Zi, “vjen si një simbol i fuqishëm i transformimit të Tiranës, S kozmike” (që do të thotë Shqipëria kozmike). Zakoni prometean është gjithashtu i dukshëm në simbolikën malore-piramidale të marrë së fundmi edhe në sipërfaqen e ecjes së Sheshit Skënderbej (të cilën çdo regjim nuk ka munguar kurrë ta rindërtojë) dhe e bërë gjithashtu nga skulptori Helidon Xhixhia në S-në kozmike, ku dy piramida kundërvihen në mënyrë spekulative të bashkuara në kulm;   ajo me bazë në tokë përfaqëson “bërthamën instiktive të shpirtit njerëzor” ku njohuritë pozitive nga maja rrezatojnë poshtë, duke gjallëruar njerëzit dhe natyrën; e dyta, me bazën në qiell, përfaqëson të kundërtën, “botën e perceptuar nga njerëzit, që përdorin ‘shërbimet’ e saj […] dhe të kujton një rrjet kompleks diskutimesh, raportesh, ndërveprimesh“. Cikle statujash, që janë sot në vazhdën e atyre, që mbushën me monumente marksiste-leniniste çdo qytet, vend, mal, siç dëshmon finalja lirike e Komisarit Memo, e romancierit Dritëro Agolli, deputet komunist dhe President i Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve. Statuja, të gjitha me të njëjtën shprehje, që dëshmonin kudo praninë e përjetshme të “Shokut Enver”, “Prometeut të ri”, krijuesit, mbrojtësit të “njerëzve të rinj”. Një popull, me pak fjalë, i “statujave të balsamosura”, “të heshtura”, që “mendojnë për ju, ndiejnë për ju, jetojnë për ju” dhe që Prifti i paraqet të palëvizshme në natyrën akullnajore shqiptare, së bashku, si të vdekur ashtu edhe të pavdekshëm.

Më shohin të huaj dhe rrëshqasin pranë meje
me buzëqeshje parandaluese në statujat e keqskalitura
prej atij skulptori mediokër të pushtetit dinak.

Ylljet Aliçka, sa tregimtar, aq edhe ish-ambasador shqiptar në Paris, Besnik Mustafaj, sa shkrimtar, po aq ish-Ministër i Jashtëm, ashtu si edhe shumë poetë e shkrimtarë të tjerë, reflektojnë mbi fuqinë ngulmuese të statujave të ngritura e të rrënuara dhe mbi logjikën që, në kantieret e pafundme të ndërtimit, të cilat deformojnë Tiranën, ka parë piedestalin e madh të Sheshit Skënderbej, mbi të cilin ishte vendosur Hoxha gjigand, i braktisur për një kohë të gjatë, sikur të ishte i paprekshëm, i frikshëm, i kthyer në lojëra të pafajshme fëmijësh, duke mos ua ridhënë menjëherë pushteteve të reja për shfaqjet e tyre:

Nuk është prej guri piedestali, ku mbështetet një statujë tjetër. As vetë nuk ngrihet asnjë statujë!

Po kështu, një tjetër tekst nga Visar Zhiti, poet i persekutuar, por që në Shqipërinë demokratike ishte atashe kulturor, i ngarkuar me punë në ambasadat e Romës dhe të Selisë së Shenjtë, Ministër i Kulturës në vitin 2014:

Bien statujat poshtë nesh.
Edhe vdekjen vrasin sërish. Piedestalet bosh. Shumë të trishtuar për rënien.
Pse i shoh kështu? Vuajnë? Statujat nuk ndjejnë dhimbje.
[…] Bien statujat brenda nesh duke buçitur,
Grumbullohen copat e tyre si ngastra tragjedie
Dhe gjendemi në një tjetër shekull, në një tjetër amfiteatër.

Dhe është në këtë tjetër, amfiteatër prometean, që inskenohet tragjedia, për të cilën natën e 17 majit 2020 fadromat rrafshuan përtokë gjithë kompleksin e Teatrit Kombëtar të Tiranës, në një operacion blic të kryer nga policia me veshje e armatime luftarake, pa numra identifikimi, në një qendër të banuar, ku telefonat ishin të izoluar dhe në kulmin e mbylljes prej pandemisë Covid. Ndërtesat u shembën, pasi u boshatisën me spray djegës prej aktivistëve që, për më shumë se dy vjet, luftonin çdo ditë për t’i mbrojtur ato dhe që, në atë rast, u tërhoqën zvarrë, u rrahën, u plagosën. Rrënimi i tyre, përveç mendimit të kundërt të Presidentit të Republikës dhe partive opozitare, do të shkelte të gjithë legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar për mbrojtjen e trashëgimisë artistiko-arkitekturore, ku as nuk u denjua të shpëtohej arkivi historik, objektet e skenës, dorëshkrimet e dramave të shfaqura, regjistrimet, repertori fotografik, projektorë dhe kujtime të viteve tridhjetë. Një shkatërrim total, i cili diku tjetër në të gjithë botën do të kishte çuar në dënime penale dhe kulturore, por që autoritetet aktuale qeveritare dhe bashkiake socialiste, të kryesuara nga Edi Rama dhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Veliaj, konsideruan të nevojshëm ndërtimin e një teatri të ri. Në fakt, trualli publik, në të cilën ndodheshin dy teatrot dhe ndërtesat ngjitur është rreth 7.500 metra katrorë. Teatri i ri do të zërë  ndoshta më pak se gjysmën (3,000 metra katrorë). Pjesa tjetër do të jetë e destinuar jo për spektatorët e ardhshëm por për ndërtimin e Papijonit, një kompleks fitimprurës rezidencial dhe tregtar shumëkatësh në formën e një fluture të madhe, që narrativa e hidhur e Ismail Kadaresë, si esetë e sociologut të madh të Transparencës të së keqes Jean Baudrillard, do ta përfshinte midis “pallateve të ëndrrave” të reja, ende të dobishme për të ricikluar ëndrrat ultramoderne të shqiptarëve, duke i fiksuar, duke i përfshirë, duke i arkivuar brenda mureve të tejdukshme, si ato inteligjente të ekraneve, aplikacioneve, bankave, xhamave të lëmuar, të errët dhe të blinduar. Pak ditë para datës 17 maj, trualli i kushtueshëm,  ku qëndronte kompleksi teatror ishte kaluar nga shteti te Bashkia e Tiranës, e cila vendosi shkatërrimin. Sot Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar kthimin e saj te shteti në një hidh e prit me dukje tragjike dhe papërgjegjshmërie, për të cilën, që nga viti 2020, ajo hapësirë (pak si piedestali i Enverit) ka mbetur ende bosh, e rrethuar, e humbur, e gjakosur me rrënoja dhe mbi të cilën Aleanca, e mbështetur sot nga Partia Demokratike, premton të rindërtojë teatrin e vjetër ku dhe si ishte. Origjinali shkatërrohet për të rindërtuar kopje, ashtu si Prometeu, çlirimtar dhe njëkohësisht diktator, u përpoq të përmbyste regjimin e Zeusit për të krijuar një tjetër me pamjen dhe ngjashmërinë e tij. Kështu do të kishte bërë edhe Prometeu i treguar nga Platoni tek Protagora, sofisti grek që, le të kujtojmë, në shekullin e pestë para Krishtit ishte autor i një vepre jo rastësisht me titull Arsyetime shkatërruese. Eshtrat e teatrit duket se janë “varrosur” në varrezat e Sharrës, të shoqëruara me të qarat e zemërimit të shqiptarëve, të sjella nga poetja Liljana Qafa të nesërmen e katastrofës:

Nuk duam histori, nuk duam letërsi, nuk duam kinema, nuk duam art dhe çfarë është kultura
Duam vetëm rrokaqiej, para dhe vetëm para, kjo është jeta dhe varri,
kujtohuni mirë, e duam të shtruar me kartëmonedha.

Të ideuar për dramë dhe komedi, të përdorur në të shkuarën si sallë gjyqi dhe si selia e Klubit ‘Skënderbej’, dy teatrot binjakë, pjesërisht të restauruar, përdoreshin në sezonet vjetore për koncerte, shfaqje eksperimentale, konferenca, nisma aktivitetesh shkollore, duke luajtur një rol qëndror në jetën shpirtërore të qytetit. Pra, ndodheshin në një kompleks, vepër e arkitektëve të mëdhenj italianë Gherardo Bosio dhe Armando Brasini, me hapësirë të bollshme të gjelbëruar ndërmjet tyre, e përshtatshme për shfaqje verore, të cilat Bertè i pajisi me kolona dhe mjedise të përdorura si zdrukthtari, vendmbajtje kostumesh dhe pajisjesh, po ashtu një pishinë e madhe, që vërtetojnë idenë e teatrit-palestër. Për ta mbrojtur, çdo natë kanë qenë, për më shumë se dy vjet, regjisorë, aktorë, kostumografë, zdrukthtarë, arkitektë, historianë, gazetarë, studiues, politikanë jo vetëm shqiptarë, të cilët iu bashkuan Aleancës së madhe për mbrojtjen e Teatrit (Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit). Për kundërshti, ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar u miratua në shtator 2018 me një ligj të posaçëm të miratuar nga Parlamenti, i cili, me të dyja këmbët synonte të anashkalonte organet vendimmarrëse të Bashkisë. Projekti iu caktua BIG (Bjarke Ingels Group), një firmë e rëndësishme daneze, e cila në vitin 2011, kur Kryeministri aktual mbante postin e kryetarit të bashkisë, kishte bashkëpunuar edhe më parë me Bashkinë e Tiranës duke paraqitur projekte për ndërtimin e një xhamie të re dhe të një muzeu të harmonisë fetare. Për zbatimin e projektit qelqor (vitreo) danez, qeveria mendoi kështu për një partneritet publik-privat duke përfshirë haptazi kompanitë me ndikim, shoqëri të diskutueshme ndërtimi: Fusha, Kastrati, Edil Al-It. Pas shkatërrimit, “akrobacia ligjore për partneritetin u përmbys pjesërisht nga administrata Veliaj. Sipas deklaratave të fundit, teatri i ri do të bëhet me para publike. Tashmë ka përparuar kërkesa për një hua prej 30 milionë për aktorin e ri të futur në lojë, Banka Evropiane e Investimeve“, e cila, jo rastësisht, në Luksemburg ka edhe ajo gjithashtu një seli të madhe prej alumini dhe xhami pasqyrë gjysmë të tejdukshme. Megjithëse projekti ishte anuluar në mënyrë të përsëritur nga Presidenti i Republikës dhe rikthyer për procedura të mëtejshme parlamentare, ligji i posaçëm u rimiratua nga Parlamenti, duke propozuar kështu tragjedinë e turpshme “prometeane” të prishjes së “të vjetrit” dhe ngritjes së “të riut”. Deri në ditën e shkatërrimit situata ishte e pezulluar, në shqyrtim nga një Gjykatë Kushtetuese e dobët për shkak të reformave të hyrjes në Europë. Europa Nostra, një konfederatë në mbrojtje të trashëgimisë së përbashkët, në mars 2020 kishte përfshirë edhe Teatrin e Tiranës në vendin e parë në listën vjetore të shtatë monumenteve më të rrezikuara për t’u mbrojtur nëpërmjet përdorimit të fondeve evropiane. Në hapësirën përballë, Aleanca vazhdonte të zhvillonte një aktivitet të dendur shfaqjesh me kompani ballkanike, amerikane, spanjolle, portugeze, me një ndërhyrje të Mikele Plaçidos në mbrojtje të teatrit. Më 20 shkurt 2020, në përvjetorin e rrëzimit të statujës së Hoxhës në vitin 1991, Aleanca madje kishte hedhur idenë e një konkursi për ndërtimin e një monumenti, që do të shprehte vazhdimësinë midis asaj lëvizjeje demokratike, e cila i dha fund regjimit dhe asaj, që “sot lufton për të mbrojtur teatrin, historinë dhe kulturën shqiptare”. Interpretuar në mjediset e shtëpisë dhe e gjendur në Youtube, më pas botuar nga ‘Botimet Barleti’ dhe së shpejti edhe në Itali, ndër veprat e lindura nga hiri i teatrit është Profeti i kokoshkave, që vë në skenë delirin, paradoksalen, vuajtjen e palumtur të një diktatori të vogël. Aktori dhe regjisori i mirënjohur Edmond Budina e shpjegon në një intervistë: “Ideja më erdhi gjatë lockdown-it: Isha në shtëpi dhe mendova, ndërsa shikoja karriget dhe një tryezë, se do të ishte bukur të vendosja një dritë poshtë. Kështu bëra. Vetëm me një elektrik dore u krijua një atmosferë e bukur; isha plotësisht i bindur, se duhej të bëja diçka kundër shtypjes së pushtetit tjetërsues, duke vënë në lojë disa personazhe dhe kështu fillova të shkruaj. Në fakt, të interpretosh nën një tryezë është e vështirë dhe kështu vendosa të bëja teatër dhome, duke e krijuar atë në shtëpinë time. Kam një shtëpi shumë të vogël në Tiranë, ku tryeza e përmbysur ka marrë pamjen e një piedestali prej atyre, që përdoren nga të gjithë diktatorët. Duke luajtur Kryebuburrecin përzieva të gjitha simbolet politike, nga ai nazist, komunist, anarkist, masonik, duke u veshur me të gjitha pushtetet, të dukshme në kostumin prej letre (…) Personazhi është brenda një bunkeri të bërë me letër higjienike, sikundër edhe kostumi nga beli e poshtë, ndërsa busti veshur me gazeta. Në fund të shfaqjes personazhi merr një “superxhiro” dhe nuk ka më rëndësi se çfarë thotë, por si e thotë. Për të gjithë diktatorët vjen një kohë, kur fjalët dhe konceptet humbasin çdo kuptim, sepse ndërkohë larja e trurit është bërë.” Në një moment të caktuar, Kryebuburreci i referohet qartë Teatrit: «E patë, se si ua bëra shkrumb e hi atë gërdallë karakatinë  në qendër të Kryevathës, ku zbaviteshin disa biçimsëzë gaztorë? Ju lashë ca kohë të livadhisnit, por planet e mia nuk i dinte askush… Ju zura në befasi. Tempulli im i xhamtë, i hekurt, i betontë, i lartë me fytyrën time, do të ngrihet atje! Atje! Këtë siguri ma japin ata, që janë majmur së bashku me mua. Edhe kur kam dashur të tërhiqem nga ndonjë vendim, ata nuk më kanë lejuar. Pushteti i tyre jam unë. Kemi mbajtur njëri-tjetri. Kështu që nuk do të më lënë as të bie nga froni. Bota kështu është ndërtuar, ca udhëheqin, ca udhëhiqen. Një drejton, të tjerët i binden. Disa fluturojnë, disa zvarriten. Mua më ka rënë për hise të fluturoj dhe t’ju drejtoj prej së larti.”

Profeti i Kokoshkave pasohet nga një roman tjetër, që tashmë qysh në titull ende tradhton Shqipërinë e zjarrtë Prometeane, Nata e Zjarrit të Bardhë. Botuar ditë më parë, përsëri nga ‘Botimet Barleti’, këtu Budina i jep zë vetë Teatrit Kombëtar, që, pak si Protagora me Prometeun, na tregon fundin e jetës së tij: “Do ta nxjerr mëlçinë dhe do ta shqyej me dhëmbë, nëse na thajnë pellgun”, ku aludon për pishinën; deri në momentet e fundit kur “bishat e hekurta, makinozaurët më kafshuan ballinën. Rënia është e pashmangshme. Duke rënë dëgjoj zërat e tyre që bërtasin: jashtë, jashtë! Do t’ju vrasim, do t’ju varrosim këtu.” Në makthin e atyre që zhyten në frikë, teatri, në një numërim mbrapsht, tregon në vetën e parë natën, kur u rrafshua përtokë pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Titulli dhe vetë kopertina, ku teatri lëkundet dhe ulëret si piktura e Munch, duke thirrur më kot zërat e poetëve, të kujtojnë universin qiellor, tokësor, nëntokësor prometean (Nëntokën e Kusturicës dhe Kadaresë). Botë, që në të njëjtën kohë qëndrojnë në këmbë dhe rrëzohen.

Përtej simbolikave ngjitëse të njohura për antropologjinë, vertikaliteti dhe transparencat e Shqipërisë së Mijëvjeçarit të Tretë ende duket se i referohen logjikës së zbuluar tashmë nga Eskili rreth vitit 460 p.e.s., të përvetësuara nga Hoxha në ndërtimin e “Njeriut të Ri” dhe, çuditërisht, ringjallet në klimën progresiste, socialdemokrate, europiane të arkitektëve të së resë, në shkatërrimin e zjarrtë të së kaluarës dhe themelin e një bote të bërë sipas imazhit dhe ngjashmërisë së bronxeve të rinj që imponohen me qëndrimin “ne jemi e ardhmja”. Simbologji, që këtu zgjasin listën e paradokseve për t’u kuptuar: të një teatri të ri, që duhet të ndërtohet duke shkatërruar dy; të një kujtese historike që duhet mbrojtur dhe privatizuar duke eliminuar Tempujt; të Teatrit të ëndërrave, Papijoni “transparent“, pas të cilit duket se qëndron i salduar ekuacioni, që sheh gjithmonë të njëjtët sipërmarrës të ulur në tryeza “herë të ulur në krah të Ramës, herë në krah të Berishës”. Vertikalitet i treguar, i vlerësuar, i kallëzuar, por që ndërkohë çimenton, kristalizon në lartësi Shqipërinë dhe një metropol, që ngrihet me dukje të reja moderniteti dhe tërheq shqiponja të reja prej maleve dhe korbat e rinj nga blutë me yje të Europës ose nga Gjysmëhëna. Shpendë grabitqarë, që poeti i madh Migjeni i shihte gjithmonë të sëmurë e duke u përplasur me krahë të përthyer pas kalave mesjetare shqiptare, të pathyeshme, të përjetshme “simbole të shpresave të humbura”.


Shënim i shqipëruesit: Citimet prej autorëve shqiptarë janë përshtatur drejtpërdrejt nga ky shkrim në italisht.

Kopertina: De Chirico, I piaceri del poeta, 1912, olio su tela.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin